KOSOVË – GJAKU IM T’U BËFTË DRITË

0
1238
Marie Shllaku (1922-1946)

Xhemail Peci

MARIE SHLLAKUT

Kushtuar studentes së filozofisë në Romë, Martires Engjëll e Heroinës së Kombit Shqiptar, e cila me armët ngjeshur për lirinë e shenjtë të mëmëdheut, përjetësoi vargjet epike të Gjergj Fishtës për lavdinë e armëve kreshnike, duke ringjallur Mamica Kastriotin e Shote Galicën. Marie Shllakut pët misionin dhe vizonin e saj, por edhe për guximin prej heroineje të rrallë, sepse pyetjes së prokurorit xhelatë, se çfarë do t’u bënte ajo atyre sikur ta merrte pushtetin, i qe përgjigjur: Do t’ju kisha gri, sikur duhanin! Martires së Kombit e të Mëmëdheut, e cila para pushkatimit, në lulen e rinisë-në moshën 23 vjeçare, nga palca e zemrës së saj lëshoi zemër-klithjen: Kosovë, sa shpresëmadhe të gjeta e sa të pikëlluar po të lë! Por edhe në këtë rast të mbramë, po i lutem Zotit, që gjaku im të bëhet dritë!

Sa fort i qeshej rrezja e diellit në dritë të syrit e sytë i kish sikur vetë shqiponja. Zemër e saj Kosovës i falej, siç i falej vargu i Asdrenit – me sytë tek Kosova. Zemrës tek fliste: o lulja e kuqe e trimërisë, Kosovë o lule e bukur e Shqipërisë. Kur librat i dogjën dhe kur graniti u thye, ajo zemrën shkodrane i fali lirisë.

Ecte atdheu nëpër gjurmë gjaku, e gjurmët e gjakut merrte ballit Marie Shllaku. Sikur Ymer Prizreni thirrte ai Ymer Berisha e Ajet Gërguri si një shtizë bajraku. Tej Nusja e Lirisë, Zana e Shkodrës, here si Mamica Kastrioti e herë si Shote Galica në kostumet kombëtare: ballin plot vetëtima. Ngre prapë Flamur Marigo Postja e hapin me lule e ka si dikur Igballe Prishtina.

Një gërshetë e zezë ç’i ka rënë mbi supe, dhe supet të mbushura plot pëllumba. Shqipëri e dashur a më falë ca lule? Përgjakej Kosova e gjoksin pëmbi plumba: Gjergj Martini e Bernard Llupi, para vdekjes sy më sy e kurrë s’u dhanë burrat. Blinaja e Prishtina, Gjon Sereçi dhe Rifat Berisha, i kanë bërë prapë kala kullat.

Në pranverë kur çelin lule, manushqe dhe lulebore, ç’u thurë Kosova ca buqeta, merr qerpikë në sytë prej zane, ca dafina me ca fjongo edhe duarve ca gërsheta. Dhe bie buzëqeshje e saj tok me rreze dielli e nurin lirisë ajo ia falë nëpër çdo ditë, plisin e bardhë vë mbi vetull dhe sërish rilind: Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë!