RRUGA DREJT VET-VETES

0
427
Skender Doçi

Secili nga kombet apo shtetet ka rrethanat e veta historike, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi por në një aspekt më të detajuar njëkohësisht edhe më të rëndësishëm për shumë kombe, historia ka rrjedhur sipas orekseve dhe interesave të kombeve më të mëdha apo perandorive nëpër kohërat e ndryshme.

Unë nuk mund t’a besoj, se ka qenë në dëshirën e një kombi pushtimi i vendit të tij nga një komb tjetër, qoftë i madh, i vogël, i zhvilluar apo i pazhvilluar.
Kjo është në instiktin e njeriut dhe si rezultat në identitetin dhe ndërgjegjen kolektive të një kombi.
Sigurisht kombet më të vogla kanë qenë dy-tre herë më të rrezikuara se kombet mesatarisht të mëdha dhe ato t’mëdha.

Të gjithë e kemi të qartë se filozofia mbi të cilën kanë rrjedhur zhvillimet historike të kombeve dhe shteteve ka qenë pikë së pari një përballje mes dy apo më shumë palëve në luftime sulmuese (pushtuese) dhe mbrojtëse (mos-rënia nën pushtim).

Unë nuk jam historian, por si shumica e qytetarëve të këtij vendi di rrethanat historike nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë, aq fakte sa janë të mjaftueshme për të ndërtuar një imazh të qartë të historisë tonë si komb, nga koha e Skënderbeut e deri në ditët tona.

E kam theksuar edhe herë tjetër, se nuk ka virus më të rrezikshëm për llogjikën normale të një njeriu çfarëdo qoftë ai, sesa indoktrinimi.
Njeriu i indoktrinuar është i rrezikshëm për shoqërinë, para njeriut të indoktrinuar, budallain dhe injorantin duhet t’i “puthësh” në ballë sepse për shoqërinë nuk përbëjnë shqetësim.

Dëshiroj të theksoj se, sot shoqëria jonë për nga niveli arsimor dhe kulturor është në nivelin e qytetarëve të kombeve e shteteve përrreth nesh dhe më gjerë.

Sot për sot, në vendin tonë janë shqetësuese tre lloje indoktrinimesh:
– Fetar, i cili është shfaqur pas vdekjes së Skënderbeut.
– Politik, të cilin e solli sistemi komunist.
– Vjedhja nëpër institucionet shtetërore dhe publike, ky lloj indoktrinimi është gjetja jonë në vitet e demokracisë, i cili përgjatë viteve ka njohur veçse përkeqësim, dhe jo në pak raste ka “filozofët dhe idhtarët” e vet të mendimit dhe veprimit.

Ndërsa indoktrinimin ultranacionalist qytetarët e kombit tonë nuk kanë pasur kurrë, pasi nuk dihet një luftë apo betejë që ne kemi zhvilluar me fqinjët tanë për arsye race, feje apo territori.
Përkundrazi, ne jo pak herë kemi qenë objekt i ultranacionalizmit të vendeve përreth nesh.

Historia dhe problemet që lidheshin me të, deri pas vdekjes së Skënderbeut, kanë rrjedhur edhe për ne si për të gjitha vendet e tjera të ballkanit.
Aty rrjedha jonë (në kontekstin historik) ka pasur një devijim të fortë lidhur me kombet e tjera, pasi ne ramë për pesë shekuj nën pushtimin absolut të Turqisë, e cila nuk kishte gjë të përbashkët me kulturën tonë dhe atë evropiane të kohës.

Nuk dëshiroj të ndalem në detaje, por duke pasur parasysh periudhën historike në të cilën ndodhi dhe natyrën apo qëllimet e perandorisë pushtuese, nuk mendoj se objekti i këtij pushtimi të ketë pasur ndonjë element që i jepte frymëmarrje identitetit, karakterit dhe kulturës sonë kombëtare.

Përkundrazi, morëm një goditje të pashembullt krahasuar me të gjitha vendet e tjera europiane deri aty sa, vendet përreth dhe krejt Evropa e çuan aludimin e tyre në skaj, “Është apo nuk është kombi shqiptar me një kulturë evropiane”?!.

Pa hyr në asnjë pasojë tjetër të brendshme që lidhet me identitetin apo kulturën, në arenën evropiane dhe ndërkombëtare deri këtu na shpuri Turqia.

Në fillim të shekullit të XX kur ne fituam pavarësinë Evropa pyeste:
– A është, apo nuk është pjesë e kulturës sonë popullsia e këtij vendi në qendër të Evropës?!
Unë personalisht, copëtimin e Shqipërisë e lidh pashmangshmërisht dhe plotësisht me pushtimin e Turqisë.
Po të jetë një historian turk në bashkëbisedim, përse jo edhe një historian shqiptar i indoktrinuar me kulturën dhe fenë e perandorisë së asaj kohe, Turqisë.

Do të thotë, -Kur morët pavarësinë nga ne u copëtuat si komb, gjë të cilën ne ua ruajtëm për 500 vite pushtim.
Këtij lloj historiani unë do t’i thosha për mijëra vjet para se të na pushtonit ju, kush na mbrojti nga copëtimi i Evropës dhe i vendeve fqinje???

Ne në Evropë dhe me të njëjtat vende fqinje kemi qenë gjatë gjithë historisë sonë, dhe copëtimi nuk ka ndodhur, edhe pse llogjikat dhe normat e kohës kanë qenë shumë herë më të ashpra sesa në fillim të shekullit XX.
Ngjarjet historike që ndikuan në copëtimin e Shqipërisë i radhis si më poshtë:

– Arsyeja determinante ishte pushtimi për më shumë se pesë shekuj nga Turqia.
– Vijnë pesë vende bosh, pastaj vjen dëshira e vendeve fqinje për të zgjeruar territoret e veta.
– Vijnë edhe njëqind vende bosh, dhe radhis vendimin e fuqive të mëdha evropiane për të plotësuar oreksin e vjetër të vendeve fqinje për një copëtim të Shqipërisë në favor të tyre.

Vendim të cilin fuqitë evropiane e morën më shumë si ndëshkim për Shqipërinë, si një vend i cili ishte larguar goxha vlerave të përbashkëta, sesa një vendim për të kënaqur fqinjët tanë.
Më thoni nga ky copëtim, cili nga vendet evropiane mori territore apo kolonizoi qoftë edhe një pjesë të vetme?!
Ja ku është Italia dhe nuk ka asnjë pjesë të territorit tonë.

Ideja se Shqipërinë e copëtoi Evropa, është sikur të thuash se Gjermaninë e ndanë në dy kampe-shtete me mur, vendet që fituan luftën e dytë botërore, dhe nazizmi me Hitlerin nuk ishin shkak ose nuk kishin impaktin as përgjegjësinë më të vogël në këtë ndarje.
A funksionon kjo llogjikë në pikëpamjen historike dhe politike?
Unë mendoj se jo.

Gjithkush që përpiqet t’a paraqes kulturën dhe identitetin tonë ndryshe përveçse atij evropian, i bën një shërbim të keq kombit, vetes, fëmijëve tanë dhe të ardhmes tonë të përbashkët.
Kushdo qoftë personi apo grupimet social-shoqërore që bëjnë një fushatë të tillë të drejtëpërdrejtë, të tërthortë apo të kamufluar, në themel ka veçse indoktrinimin fetar dhe asgjë tjetër më pak apo më shumë.

E thëne ndryshe indoktrinimi fetar, e çon deri në atë pike sa orvatet t’a zëvendësojë identitetin tonë kombëtar dhe evropian me “identitetin” fetar.
Ne sot jetojmë në demokraci dhe gjithësekush mund të thotë e të bëjë gjithçka, të cilën nuk e ndalon ligji, por ajo që dua të them është se “nuk ka kusur për zi”.

Unë, nuk bëhet fjalë të pajtohem me disa “turkoshakë” që janë Haxhi Qamil-ët e kohëve moderne të cilët çirren e rropaten për të gjetur arsye se përse janë të tillë!!!

Por, edhe në rrugën tonë natyrore të integrimit evropian, duhet të bëjmë më shumë për ruajtjen e identitetin tonë kombëtar, si një vlerë evropiane për të cilën ne jemi përgjegjës dhe përfitues të ruajtjes së saj.

Në qoftë se Franca, Italia, Gjermania nuk e vrasin shumë mendjen për këtë, kjo nuk do të thotë se edhe ne të “ia varim”, pasi ata identitetin kombëtar, personalitetet e historisë dhe vlerat e tyre në përgjithësi, i kanë të njohura dhe të mirënjohura nga e gjithë bota. Ndërsa ne duhet t’i ruajmë, t’i glorifikojmë dhe të shkojmë në familjen e madhe evropiane me specifikat dhe identitenin tonë.

Bashkimi evropian nuk është një “tryezë” ku para se të ulesh, të kërkojnë dorëzimin e identitetit dhe vlerave autentike kombëtare, dhe aty e mbrapa quhesh evropian-ist apo global-ist, përkundrazi.

Më ka pëlqyer një gjysëm-hapi i disa viteve më parë, kur u diskutua që, nëpër zyrat kryesore të institucioneve shtetërore të vendosej Ismail Qemali në vend të portretit të Presidentit të Republikës.

E quajta gjysëm-hapi, pasi aty duhej portreti i Skënderbeut i cili ishte më bashkues në sensin kombëtar dhe historik, një personalitet shqiptar me përmasa dhe vlera evropiane të shquara.
Për më tepër, do merrnin një goditje të fortë aludimet e vendeve fqinje mbi origjinën e këtij personaliteti historik-evropian.

Dihet se burri që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shekullit XIX-të është Ismail Qemali.
Në rrafsh evropian, nuk mendoj të thotë njeri që Ismail Qemali është më personalitet se Skenderbeu i cili është edhe protagonisti i “Nëntorit të Parë” mbarë Arbëror.
Aq më tepër, edhe vendet fqinje nuk kanë pretendime për origjinën e Ismail Qemalit.

Figura e dytë shqiptare me përmasa botërore është Nënë Tereza, edhe për këtë ka përpjekje të vendeve fqinje (Maqedonia) për origjinën e saj.

Përse nuk hartohet një ligj që portretet e këtyre dy personaliteteve shqiptare me përmasa të tilla, të vendosen në korridorin kryesor të hyrjes së çdo institucioni shtetëror dhe publik?

Cila është arsyeja që në qendrat e 12 qyteteve-prefektura, të mos vendosen përmendoret e këtyre dy personaliteteve, apo në Lugomaren e Vlorës që po ndërtohet (nëse është planifikuar)?
Kjo do ishte një nisëm që i shërben shumë identitetit tonë kombëtar për sot dhe akoma më shumë brezave të ardhshëm.

Nuk duhet të mendojmë se historia jemi ne, të gjallët që jetojmë tani, dhe ata që bënë dje “luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare”!

Vendet fqinje, në të ardhmen nuk të marrin territoret, por të vendosin në diskutim origjinën e personaliteteve me të cilat t’i njihesh dhe krenohesh në Evropë.

Ne duhet t’i bëjmë parapritë kësaj përpjekje të mundshme, e cila në të ardhmen, në qoftë se nuk jemi të vëmendshëm, do jetë terren i përshtatshëm për fqinjët tanë dhe qëllimet e tyre “agresive-moderne” ndaj nesh.

Skender Doçi
9 Janar 2021