MAJLINDA JUSUFI DHE AKADEMIA E BUKURISË

0
2350
Majlinda Jusufi

Majlinda Jusufi

— nga Xhemail Peci

(Fragmente nga sprova estetike: Akademia e Bukurisë)

Në të majtë të bulevardit Dëshmorët e Kombit, rruga që përshkon një pjesë bukur të gjatë të kryeqytetit të Kosovës (Prishtinë), e që shpie andej kah fillon rreth-rrotullimi i cili degëzon rrugët për në drejtime të ndryshme (në të majtë të tij rruga që shpie tek konviktet e studentëve, në mes rruga që shpie për në Gjilan e Ferizaj, dhe në të djathtë rruga që shpie për në qytetin e Mitrovicës), të zë syri një mbishkrim që dallon jo shumë për nga madhësia e shpalljes, sa për titullin dhe domethënien që ngërthen: QENDRA STOMATOLOGJIKE DHE ESTETIKEmy beauty clinic.

Një hyrje e rëndomtë (Ulpiana, D1, Hyrja 9, Nr. 6), që nuk ndryshon aq shumë nga ato të banesave të godinave përreth, por që tek ngjitesh shkallëve dhe afron për t’i rënë ziles së numrit 6, të tërheqë vëmendjen sipërfaqja e derës e cila sikur zë dhe shpalos vetvetiu prapavijën e saj.

Me t’i rënë ziles, hapet dera dhe përpara shfaqet një pamje në të cilën dominon dukshëm ngjyra e bardhë, e në mënyrë të veçantë një portret me një natyrë skofiare, tek e cila shquhet një elegancë e rrallë.

Doktoresha ofron mirëseardhje dhe fillon me një bashkëbisedim që lë përshtypje të veçantë, si për mënyrën spontane ashtu edhe për vëmendjen e theksuar, shoqëruar me një takt që dëshmon kulturë komunikimi dhe profesionalizëm në punë, përkushtim tepër të rrallë dhe që për prirje e synim ka gjithmonë suksesin.

Një pamje bardhësie, e cila që në dukje të parë sikur e shfaqte atë që e thoshte Plutarku se piktura është poezi e heshtur, ndërsa poezia është pikturë që flet, përkatësisht atë që e thoshte Lesingu se poezia është pikturë me fjalë, e piktura është poezi pa fjalë.

Bardhësia që përshkonte muret e drejta, këndet e tyre, sfondin dhe mjetet e punës profesionale, ishte një pikturë në vete, një pikturë me fjalë e cila fliste në vazhdimësi nëpërmes ngjyrës së bardhë.

Njëkohësisht, gjithmonë sipas konceptit estetik të Lesingut, kjo bardhësi ishte edhe një poezi që fliste pa fjalë, por që gjithsesi edhe të linte pa fjalë. Një bardhësi që shtrihej gjer në mrekulli. Një mrekulli që shtrihej gjer në përsosmëri. Ngado që mund të hidhej shikimi, ngado që shfaqeshin ato pamje të një bardhësie të tejdukshme, vërehej një shije e veçantë deri në adhurim: për të bardhën dhe për të përsosurën, për të bukurën dhe të madhërishmen, për estetiken dhe për artistiken. Ja që kishte të drejtë Horhe Louis Borhesi tek shkruante në tregimin e tij Ulrika: Mrekullia ka të drejtë të vë kushte.

Ajo që më tej binte në sy ishte pamja e sfondeve që shpalosnin një simetri gjërash, që dëshmonin për një shije bukurije, dhe që më tej gjithashtu dëshmonin për një natyrë tepër soditëse, e cila në soditjen e saj s’do mend se kishte përpunuar përfytyrimin e pamjeve, sa të papërsëritshme po aq edhe estetike. Nga të gjitha këto, shquhej sfondi me ca flakë të vockëla kandilash, të cilët sikur fshihnin në vete një zjarr bubulak, ndriçimi i të cilëve në spektrin e përpunimit të përhershëm të përfytyrimit, sa vete e rrritej, merrte një domethënie të veçantë, duke u mishëruar aq bukur dhe në një funskion të mirëfilltë estetik me dritën që vinte nga jashtë dhe duke depërtuar sa përmes xhamave të dritareve po aq edhe përmes bardhësisë së perdeve, palët e të cilave të renditura ashtu bukur dhe në simetri të plotë, në vete shpalosnin një butësi mëndafshi, një qetësi dhe një bardhësi shkrirë në njëra-tjetrën, si një qëndismë ngjyrash dhe sfondesh të bëra gati për të hyrë enkas në një kronikë bukurie. Fillimisht të krijohej përshtypja se profesioni i mantelbardhëve ishte ai që e kishte përcaktuar edhe sfondin, edhe hapësirën, edhe tablotë, edhe imazhet, por sa më shumë që kundrohej sfondi aq më shumë thellohej mendimi, aq më shumë krijohej përshtypja për një domethënie të re…

Një rend dhe një rregull sipas mendimit të njohur që pat shprehur dikur Rene Shatobriani (të cilit i qe falur epiteti demoni i zemrave) se shija është rregullator i talentit.

Një rend dhe një rregull i vënë me aq kujdes, me aq përkushtim, me aq kompetencë dhe gjithsesi me një delikatesë të veçantë, gati-gati sipas parimit të njohur të njërit prej eruditëve më të shquar të kombit shqiptar, Hasan Tahsinit: secili send – në vend të tij. Gjithsesi, pa munguar edhe dora që di ku të vë sendet, pa munguar as shkathtësia dhe as dashuria për përsosmërinë, për modesten por edhe për të hijshmen, për të bukurën por dhe për të madhërishmen.

E bardha ngjante aq shumë me një vallëzim të engjëjve. E bardha shkrihej në përjetësi. E bardha përhapej gjithandej deri në mrekulli. E bardha përpinte hapësirën rreth e rrotull. Gati çdo gjë ishte e veshur me të bardha: sfondet e mureve, cepet e tyre, sipërfaqet e dhomave, kthinat, tavolinat, ulëset, uniformat…

E bardha fliste me një gjuhë të veçantë sepse në heshtjen që krijonte brenda asaj hapësire, e bardha ishte gjuha me të cilën fliste gjithçka, madje deri në ato përmasa sa dukej sikur e bardha kishte zbritur aty si një pasqyrë në të cilën mund të shihej një nga pjesët më të bukura që në vetvete kishte ngërthyer fillimisht edhe imagjinata, në të cilën u shfaq më së pari vetë ëndrra, vetë parajsa.

Ndërkaq, doktoresha fliste shtruar dhe me një informacion për t’u admiruar e duke kaluar nga një spjegim në tjetrin, nga njëri sqarim në tjetrin, me një ritëm të gjallë të lëvizjes së duarve dhe me një natyrë dukshëm skofiare-shfaqur nga përmbajtja e fjalëve me të cilën shquhej në mënyrë të theksuar një admirim i qartë për profesionin, por gjithsesi edhe një natyrë e fisme…

***

Tanusha, sofra e kreshnikëve dhe miti i bukurisë

Në thelpinjtë e hollë lirik, kënga popullore gjakoi për bukurinë. Një ndër vargjet më të bukura është ai që në netët e gjata të robërisë, arriti të shpaloste pamjen e një bardhësie e cila do t’u falte dritë kështjellave: Dhe mbetën llërët e zonjave si shandanë nëpër kështjella! Ndërkaq, vargjet tjera të eposit të kreshnikëve do të nxirrnin në sfond një portret nga më të bukurit në gjakimin e epikës kreshnike, të asaj epike e cila qëndron në palcë të visareve të kombit. Pasi që Sokol Halili e kishte lëshuar zemër-klithjen e tij: E unë, Tanushën e kam pa!, ai dalëngadalë do të jepte edhe detaje të tjera të portretit të saj rrezatonjës:

Dhëmbët e bardhë si gurëzit e lumit
Fill pas shiut kur po i shëndritë dielli

Një sfond i bardhë i mermerit më monumental
Kronika e pikave të shiut si një valc vienez nëpër xhamat e dritareve!. Kronika e sfondit të bardhë. Pamja përpara sikur merr flatra: magjepsja ndaj mrekullisë së bukurisë. Si një vello nusërie kur Donika Arianiti hyri në Manastirin e Ardenicës. Mrekullimi përpara bukurisë. Një bardhësi gjithë përsosmëri dhe gjithë përjetësi, si frymëmarrja e atyre që këndojnë këngët polifonike në iso. E bardha është sfondi ku frymëzimi rri si një hyjni krejtësisht e veçantë e artit.

Erza Goga, Majlinda Jusufi, Lumira Kelmendi

Sfondi i shfaqur përpara është vetë bardhësia dhe pafajësia e saj engjëllore. Një mrekulli bukurie. Një bukuri mahnitëse. Një sfond në prapavijën e të cilit shfaqen shekujt dhe ëndrra e tyre e gjatë, përvijuese. Më tej në përpunimin e një përfytyrimi sa epik po aq edhe lirik, troku i kuajve të bardhë. Janë krushqit e ngrirë. Më tej, jelet e bardha të kalit që mbi shpinën e tij e bartë një hije! Hije e cila herë shëmbëllen me lotët e motrës e herë me dhimbjen e vëllait. Në po të njëjtin sfond shfaqet herë Konstantini e herë e motra. Shtegu është i gjatë, rruga është e largët, shpresa është e vakët por ashtu siç qartësohet drita, ashtu ngjallet e forcohet edhe shpresa. Fillmisht ngadalë e pastaj më shumë. Gjithnjë më shumë derisa vetvetiu shfaqet pyetja:
Kush e solli Doruntinën?

Në ndërkohë që Doruntina troket në portën e shtëpisë së vjetër: Nënë, hape! Jam unë, Rina! Në ndërkohë që nëna nuk u beson fillimisht veshëve, e pastaj as syve: Kush troket në këtë natë të vonë? A mos je lajmëtarja e vdekjes?!
E sërish zëri shfaqet në një horizont me sfond të bardhë: Jam Rina! Nënë!
Dhe nëna shpërthen në ngashërime: Rina?! Po kush të solli?

Më solli Konstantini i Vogëlth!
Pa dyshim një sfond për të cilin muzika do të vërtetonte thënien se ajo është thellim i qiellit. Pa dyshim një muzikë që shëmbëllen me një simfoni hyjnore.

Nuk është rastësi pse pamja e shfaqur përpara është bardhësi në vete. Gjurmë shekujsh e shtigje drite. Një botë e njëjtë me shamibardhat të cilat i shpalosnin ato mes kujës dhe gjakut, për t’i çuar mesazhe paqeje dhe shprese qiellit, nëpërmjet lutjeve të pëllëmbëve të duarve të tyre gjithë bekim perëndie. Gjithsesi, edhe gjurmë plisabardhësh. Edhe hapa drejt shtigjeve të bardha, ecur mbi tehun e shpatave dhe jataganëve, mbi flakët e vetëtimave. Një popull shpirtbardhë, siç i shkruante Bajroni të ëmës, në një nga letrat e tij dërguar nga Shqipëria.

E bardha e mermerit monumental, të cilën historia na e fragmentoi në mënyrën më të pamëshirshme. E bardha e portretit që shfaqet gjithë madhështi dhe hijeshi: Teuta me skeptrin e saj mbretëror, kur ishte regjineshë vetë (siç do të shprehej Mitrush Kuteli në Poemthin Kosovar: kur isha zot vet, nga njëri det në tjetrin det), Hyjnesha e Butrintit. Pastaj Elikona ilire. Etleva dardane. Dodona dhe Tempulli i saj. Mermeri më monumental i një kombi të lashtë, ëndrra e bardhë e të cilit kishte hyrë nën urdhërat e bekimit hyjnor tre mijë vjet më parë. Nuk është pra rastësi pse një nga poetët më të shquar të viteve ’30-të Ernest Koliqi, në poezinë e tij Gjuha shqipe, do të lëshonte zemër-klithjen e tij lirike: O gjuhë e folun, tre mijë prandvera! Kurse poeti tjetër i tingëllimave të papërsëritshme Ndre Mjeda, do ta quante gjuhën shqipe: një diell pa hije!…

* * *

Një mbishkrim për Akademinë e Bukurisë

Në përpunimin e një parafytyrimi për bardhësinë dhe mrekullinë e saj-si prerlud i një gjakimi të theksuar për përsosmërinë, Doktoresha “Maja” (siç e quajnë me perkëdheli), në të vërtetë me punën dhe përkushtimin e saj, me dhuntinë dhe me profesionalizmin e saj, ka ngritur një: Akademi Bukurie.

Është imagjinata në përcëllim të realitetit!
Gjithsesi një pamje gjithë bardhësi, e cila shfaqet dhe ri-shfaqet sërish gjithë gjallëri e përplot përjetësi.
Edhe një dëshmi se mbi sfondin e mermerit monumental të ngjyrës së bardhë, është ngritur për bukuri një Akademi, preludi i së cilës hyri në përjetësi që në lashtësi, sepse siç do të shkruante poeti: “universi është një lule e re”, se “bota ka shpirt” dhe se: “Krijuesi Gazmor që Vallëzon në Amëshim” (Alan Gizenberg), pikërisht sepse e bekoi pamjen në të cilën shfaqet e bardha dhe e mëshiroi qenien njerëzore tek fali lloj-lloj lulesh, por përmes një simbolike të tillë la edhe mundësinë që t’i falemi përunjësisht, madje në ato përmasa për të cilat Viktor Hygo pat shkruar: Të lidhësh infinitin e lartë (Zotin) me infinitin e ulët (shpirtin), kjo quhet lutje.

Duke e lidhur në mënyrë të vetvetishme bardhësinë tokësore me atë qiellore, imagjinata në përcëllim të realitetit vetvetiu e ka përsëritur një lutje si ajo për të cilën shkroi Hygo. Dhe një lutje me një sfond të tillë estetik, nuk është gjë tjetër veçse një përgjërim për një paqe të përjetshme. Përgjërim si ai që bëri bardi i madh i letrave shqipe Jeronim de Rada (tek poema e tij Princesha e Magjepsur), e për të cilin Ernest Koliqi me të drejtë qe shprehur: I ndieshëm ndaj së bukurës, dhuratë të cilën neve vdektarëve na e fali Perëndia.

Duket qartë se të lindurit në maj kanë një debolesë të veçantë për të bukurën dhe për të madhërishmen. Pikërisht në këtë qëndron edhe suksesi i tyre: ata gjithmonë ia dalin! Madje ia dalin të prirur nga besimi për të cilin Viktor Hygo shprehej: Vullneti gjen, liria zgjedh. (Sepse) njeriu i lirë është ai që gjen vullnetin e Zotit…

* * *

Është e ditur se në të kaluarën historike familjet fisnike kishin stemat dhe kishin shenjat dalluese, emblemat e tyre dhe mbishkrimet e tyre. Fjala vjen, moto e Derës Mbretërore të Anglisë ishte: Zoti dhe drejtësia ime; Konfederata e Zvicrës: Një për të gjithë, të gjithë për një; Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Prej shumë shteteve, vetëm një; Luigji i Dytë në emblemën e cila kishte një tufë me ferra, e vinte mbishkrimin: Kush e prekë-therret! Margarita e Austrisë: Është një grindje të cilën është vështirë ta spjegosh! Akademia e Shkencave e Parisit: Gjej dhe Përkryej! Akademia Franceze: Përjetësisht! Akademia e Shkencave të Petrogradit: Pak nga pak! Akademia Mbretërore e Madridit: Pastro, fikso dhe jep shkëlqim! Në godinën e një opera gjermane shkruan: Bahu na dha fjalën e Zotit, Mocarti na dha të qeshurën e Zotit, Bethoveni na dha zjarrin e Zotit, Zoti na dha muzikën që të lutemi pa fjalë. E Faik Konica thoshte se: “Bahu, Bethoveni, Shuberti dhe Shopeni janë emrat e perëndishëm, të atyre njerëzve të çuditshm që flasin gjuhën e shpirtit dhe të qiellit, një gjuhë e përgjithshme që kuptohet prej të gjithëve, me pak durim dhe dashuri.”

Mbi varrin e komediografit të madh francez Zhan Batist Pokëlen Lily Molier-it, është shkruar epitafi: “Lavdia e tij, nuk ka nevojë për asgjë, por e jona ka nevojë për të!” Kardinali Rishelje: Mos braktis lartësitë! Bertrand: Virtyti ma jep ate që bukuria nuk ma jep! Gryphius (një i njohur francez i shekullit XVI-të në Lion): Me virtytin si udhëheqës e me fatin si shok! Elzevir (një botues tjetër i njohur holandez): Falë mirëkuptimit, gjërat e vogla bëhen të mëdha. Poeti gjenial Omar Khajami: Me devotshmëri, duke shenjtëruar ndërgjegjen time! Leonik Tomeu: Shpirti i njerëzishëm me mendime të ulëta e të errëta, nuk mund të krenohet. Naum Veqilharxhi: Më mirë vonë se kurrë, po nisemi nga përparimi, nga ndërtimi dhe përhapja e shkollës shqipe! (siç i shkruante të nipit Jani Calit); Jeronim De Rada: Gjaku ynë i shprishur, fisi ynë i shpërndarë. Në mbishkrimin e varrit të Jeronim De Radës shkruan: “PËRGJUJU ARBËRESH, KËTU PUSHON, JERONIM DE RADA, KËNGËTAR I SHQIPËRIS, UDHËHJEKËS I PARË I LIRIS KOMBËTARE.”

Kombit tim-i copëtuar dhe i shpërndarë, por një! (shkrimtari arbëresh Vinçenc Dorsa). Zef Skiroi: I mallëngjyeshëm bie në gjunjë dhe puthë tokën e andrrueme. Dëgjon shpirtnat e moçëm që e përshëndesin: O gjaku ynë, po kthehesh me zemër të pastër, ashtu siç je largue! Faik Konica: Ati ynë që je në qiell, jepna fuqi të mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi gjë për të thënë! Nikolla Naço: Unë nuk marr parasysh përfilljet e çastit, po ngritem dhe vërej qindvjetët e ardhshëm! Visar Dodani: Jemi bijtë e një kombi të pamposhtur, të një kombi që na përkujton atdheun e na ndezë zemrën zjarr.

Gjaku i Arbërit nuk do të shprishet kurrë! (siç kanë besuar dhe besojnë: Arbëreshët e Italisë, Arbërorët e Greqisë, Arbëreshët e Kroacisë dhe gjithandej ku rron gjaku i arbërit); Musa Shehzade, me rastin e hapjes së Lidhjes së Dytë të Prizrenit: Na po e shpallim haptas, nuk kemi as më të voglin pretendim mbi asnjë copë toke që nuk asht e jona. Duem, pra vetëm gjithçka asht tokë arbnore, e banueme prej nji popullsie shqiptare. Prandaj, fqinjët t’anë nuk kanë çka druejnë prej nesh. Atë Antonio Bellushi: Arbëria jonë në Itali është si një zjarr i fshehur, i pjekur, është i vjetër dhe çdo herë që e shikon, e zbulon, e admiron. Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë i ka vënë fjalët e poetit kombëtar Naim Frashërit, për mbishkrim: Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë!…

* * *

Faik Konica:
Qytetëria është bukuria e mendjes. Drejt bukurisë së mendimit

Faik Konica, për të cilin është thënë me të drejtë se “fjala e Kristoforidhit për të kishte një fuqi hyjnore”, në shkrimin e tij Lulja e Maleve, mallin për atdheun do ta quante si diçka të shenjtë, dhe do të shpaloste si koncept ideo-estetik bukurinë e mendjes, duke shkruar: “Sa mirë i vjen njeriut kur, pas shumë vjet largimi, shkel përsëri në botën e mëmëdheut të tij, kur hyn në shtëpi a në kasolle, duket sikur edhe gurët e mureve i thonë “mirë se erdhe”, lulet e kopshtit, posi vasha bukuroshe, duket sikur i zgjatin dorën dhe buzët e hirshme, era ngjan sikur është veshur me të bukurën stoli për ta pritur mikun e saj. Qytetëria është bukuria e mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Le të ecim me çap titani drejt bukurisë së mendimit, le të përpiqemi të vdesim për lirinë pa s’kemi nevojë të ndërrojmë ato zakone aq bukuroshe.”

* * *
Poetika e emrave
Fridirih Shileri në Letrën e nëntë, mes tjerash theksonte: “Ashtu siç jeton arti fisnik më gjatë se natyra fisnike, po ashtu ai ia kalon asaj edhe në gjininë frymëzuese që vazhdimisht formon dhe zgjon shpirtra.“

Shileri ishte ithtar i parimit universal se: Rruga e lirisë kalon nëpër të bukurën! Ndërkaq, fjala vjen Jeronim de Rada, ky shpirt i bardhë i Shqipërisë martire e ky martir i mendimit të madh, shkroi dhe veproi-siç e thoshte vetë “për rilindjen intelektuale dhe morale të atdheut tonë të braktisur”, duke besuar se “ajo prani e përhershme e virtytit hyjnor të asaj Fjale e bën fitimtar në amëshim.”

Edhe për De Radën fjala ishte fryma e fundit e shpirtit, ishte ajo që i hapte portat e lirisë. Poetika e emrave me të cilët Jeronim De Rada pagëzoi veprat e tij, si: Imotoe, Parayllja, Vantisana, Nasta, Agata e Pravatës, Diana, Serafina Topia, Anmaria Kominiate, Adina, Videlaida, ka një domethënie të veçantë, e ku emri Serafina Topia pa dyshim se e ka edhe simbolikën e frymëzimit të tij të madh, por gjithsesi edhe vlerën e lartë ideo-estetike.

Poetikën e emrave Jeronim De Rada e përpunoi në përfytyrimin e tij të lartësimit të shekullit të XV-të, të shkëlqimit të lavdisë së Arbërisë nën armët e Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut. Pra, rruga për ta lartësuar dorën që gjithmonë e ka përkundur djepin e lirisë sonë, veç ishte trasuar, por duhej vazhduar tutje: edhe me penë.

Nga po ky rrafsh (i rrugës së shtruar nga pararendësit), do të fliste edhe Fan Noli, në një nga gurët e çmuar të oratorisë së tij, përpara shqiptarëve të Amerikës: Idenë për një Shqipëri indipendente nuk e shpikëm ne. Atë e gjetëm tek populli ynë, tek dy-vargëshi i këngës popullore: Sos për mua e sos për ti, por për gjithë Shqipëri!

Rrjedhimisht, edhe shija estetike për të përfytyruar një akademi, nuk është e pabazë. Sërish ajo është kërkuar dhe gjetur tek zanafilla e poetikës së pagëzimit (e ku pa dyshim se mbizotëron shkronja F, sa herë që mëtohet të parathuhet e pritmja e fatit tonë, qoftë si fitore apo edhe qoftë si fati jonë): Flutura, Majlinda, Kaltrina…

* * *

Zonjë, i kujt ishte vegimi hyjnor?
Poeti romantik anglez Bajroni (i cili kujtesës së bjerrur europiane i fliste zëshëm, duke shkruar se: ‘Shqiptarët janë raca më e bukur nga pikëpamja e ardhjes në botë’, kurse atdheun e shqiptarëve-Shqipërinë e quante ‘toka e rimave dhe e shpirtrave të papërkulur’), besonte se rima ka fuqinë e një perandorie dhe se deti është nëna e bukurisë, përdersia fjala vjen, kancelari i Austrisë dhe diplomanti mendjemprehtë Meterniku, për fenomelogjinë e shpirtit shprehte mendimin e tij të njohur se: Bukuria është e vetmja gjuhë në të cilën flet shpirti!

Ndërkaq, Robert Fitxherald në esenë e tij Zonjë, tre leopard të bardhë, mes tjerash ka shtruar pyetjet e një domethënieje të veçantë: Zonjë, tre leopard të bardhë rrinë nën një dëllinjë. Kush është zonja? E kujt është dëllinja? Ç’po bëjnë leopardët? Të gjitha këto pyetje i janë nënshtruar guximit të vegimit…

Gjithsesi, një ditë do të ketë një Akademi të Bukurisë, dhe se kurdo që do të shtrohet pyetja përmes një parafrazimi si më lart: Zonjë, i kujt ishte vegimi hyjnor?, gjithmonë përgjigja do të jetë e njëjtë, mbase mbishkrimi më i bukur për një Akademi të Bukurisë…

Me një qetësi olimpike ku duket sikur asgjë nuk pipëtinë, me një bardhësi deri në pafundësi – një bardhësi që të përpinë rreth e rrotull studios, Majlinda Jusufi ka shkrirë në një: mrekullinë me përjetësinë.
Duke ia falur të bardhën si ngjyrë dominuese studios së saj të bukurisë, ajo ka dashur të jetë në brendësinë me të cilën ka projektuar përjetësinë.

Duke krijuar një sfond të tillë, duke e shfaqur në të qëllimisht vetëm bardhësinë, doktoresha Jusufi ka projektuar në përfytyrimin estetik: Akademinë për Bukurinë. Kundruar nga ky prizëm, e bardha që shfaqet rreth e qark, më shumë se e profesionit të mantelbardhëve, është e bardha e një sfondi që kalon caqet e simbolikës deri në ato kahje sa përmasa e saj në vete ngërthen prirjen për përsosmërinë. E thënë ndryshe, bardhësia e vargjeve të eposit të kreshnikëve del që andej dhe zbret në shkathtësitë e duarve që gdhendin dhëmbin, sepse doktoresha e di se të gdhendësh ashtin nuk është më e lehtë se sa të gdhendësh gurin.

Veçmas kur gdhendja, përkatësisht latimi bëhet në atë mënyrë sa shumëçka ngërthen të vërtetat e thënies për dhëmbët si inxhi. Pra, për dhëmbët: si perla! Shkëlqimi i dhëmbëve, bardhësia e tyre, latimi si dhe zbardhëllimi, nxjerr në sfond sërish portretin e Tanushës me “dhëmbët e bardhë si gurëzit e lumit, fill pas shiut kur po shëndritë dielli”, të asaj Tanushe të cilës poeti dhe shkrimtari Mitrush Kuteli, do t’ia falte një ndër krahasimet më të goditura: “më të bukurës, asaj që duket si dielli kur bie nga deti…”

Sa më shumë që e kundron të bardhën e kësaj hapësire dhe sa më shumë që kredhesh në të, aq më shumë e kupton se më tepër se një studio ajo është një Akademi Bukurie! Në të vërtetë, sa më shumë që e soditë të bardhën e ngjashme me atë të një mermeri monumental, aq më shumë e kupton se të bardhën si ngjyrë nuk e ka përcaktuar profesioni i mjekëve. E bardha shpirtshpalosur bëhet kështu pjesë e pandashme e një kombi të tërë në rrugëtimin e tij të gjatë sa dhe të mundimshëm.

Ajo është një ëndërr shprese në horizontin e së ardhmes. Një brez i ri ka shpalosur një ëndërr të re, një shpresë të re për triumfin e tij, duke sfiduar të gjithë ata që mbollën male me varre e det me lot. Mbi plojën dhe gjamën, mbi gjakun dhe vrragën, një ëndërr e bardhë, një shpresë e re, një ditë e re shfaqet ngadhënjimtare. Kjo është mbase arsyeja kryesore, kjo është shtytja, është motivi që është shpalosur aq bukur dhe me aq shije nga Majlinda Jusufi.

Rrjedhimisht, ajo e ka projektuar me dhuntinë e saj të lindur, me gjakimin e saj të natyrshëm e tepër të veçantë përjetësinë, për të cilën Romen Rolan ka shkruar:

“Ekziston vetëm një gëzim: gëzimi i të krijuarit, të gjitha gjërat tjera janë hije, të cilat si të huaja në botë, rrinë pezull mbi tokë. Gjithë kënaqësia është kënaqësi krijuese, kënaqësi e dashurisë, e gjeniut, e veprës. Të gjitha këto kanë mbirë nga dëshira e zjarrtë: a krijohet në sferën e veprës a të shpirtit? Kjo gjithmonë është ikje nga burgu i trupit, kërcim në shtrëngatën e jetës, është të ekzistuarit në trajtën hyjnore. Të krijosh, don të thotë të mundësh vdekjen.”

* * *

Lulet e kopshtit të Faik Konicës (Shqipëria kopësht shkëmbor i Europës juglindore), aurora që shfaqet me tri ngjyrat e saj (e kuqja, e bardha dhe e portokallta), poetika e emrave si pagëzim (ashtu sikurse edhe në universin poetik të Jeronim De Radës), e që në simbolikën e vet bashkon (gjithmonë sipas konceptit të Viktor Hygosë për të lidhur tokën me qiellin, dhe gjithmonë përmes lutjes): horizontet e fluturave (në emrin Flutura), të kuqen e mëndafshtë të trëndafilave të majit (në emrin Majlinda), si dhe të kaltërtën e hapësirave të pafundshme të qiellit dhe të detit (në emrin Kaltrina); zemër-thirrja e cila shërben si një ylber fjalësh, dhe që doemos se të kujton paqen e përjetshme sipas konceptit të Kantit, përkatësisht paqen shpirtërore (si një ikje nga ajo që Naim Frashëri e quante një botë “mes rrëmujës dhe rrëmetit”), zemër-thirrja e cila duke soditur një sfond bardhësie sikur ka bërë ftesë (për) në studio, përkatësisht ftesë për një Akademi Bukurie, akademi e cila gjithsesi tejkalon përmasat e një Saatchi Gallery, zemër-thirrja që si ca lenta ylberi përshkon letrat shqipe: “Vendi ku ndihesh vërtet bukur, My Beauty Clinic…”, dhe sërish pyetja e pashmangshme: Zonjë, i kujt ishte vegimi hyjnor?!