Një petrit prek qiellin nga një ulli

0
397
Fatmire Duraku

Fatmire Duraku

Një petrit prek qiellin
nga një ulli

(Trioleta)

I

Një petrit prek qiellin nga një ulli
Një degë e të cilit zgjatet mbi det
Buna derdhet e gjelbër në qetësi
Një petrit prek qiellin nga një ulli

Qe, ndrisin dhe yjtë sonte mbi iliri
Flakës së vjetër nga vjen kaq vjet
Një petrit prek qiellin nga një ulli
Një degë e të cilit zgjatet mbi det

II

Bregut të detit, sapo agon në Shtoj
Te Pusi, ujë të mbushësh me ibrik
Dele e dele, kroje, zana e drangoj
Bregut të detit, sapo agon në Shtoj

Nën arra, shega të lulëzuara e ftoj
Kope në kullosë, dhe radhë me fik
Bregut të detit, sapo agon në Shtoj
Te Pusi, ujë të mbushësh me ibrik

III

Mbi kala, Ulqini nga zgjohet mitit,
Tek fanari bën dritë natën në stuhi
Atje për rrënjë nën qiellin e petritit
Mbi kala, Ulqini nga zgjohet mitit,

Çdo gjë i falet fyellit dhe vajit, ritit
Hyn në vete, gjaku nga rrjedh në hi
Mbi kala, Ulqini nga zgjohet mitit,
Tek fanari bën dritë natën në stuhi

Mes gurit dhe ujit

(Trioleta)

I

Në Ulqin të jesh, në kala, te fanari
Zgalemat nga prekin qiellin në lojë
Syri pi agun që çel nën flatër zjarri
Në Ulqin të jesh, në kala, te fanari

Rri ulur mbi gur, me kujtime detari
Në portë të kohës së ikur pararojë
Në Ulqin të jesh, në kala, te fanari
Zgalemat nga prekin qiellin në lojë

II

Një degë gjelbër ulliri rënë mbi zall
Në Rozafat nëna fëmijës nga i jep gji
Unë kohës vij dhe shkoj gjithë mall
Një degë gjelbër ulliri rënë mbi zall

Dashuri e vjetër qiellin zgjon e kall
Në det, mbi kala e çatitë nga bie shi
Një degë gjelbër ulliri rënë mbi zall
Në Rozafat nëna fëmijës nga i jep gji

III

Dashuria, krejt kaltër, vjen me zjarr
Plagës nga kthehesh në vete me vjet
Mes gurit dhe ujit, hëna nga derdh ar
Dashuria, krejt kaltër, vjen me zjarr

Te fiku nga rizgjohet kujtimi në farë
Etja jote e gjallë tek përflaket mbi det
Dashuria, krejt kaltër, vjen me zjarr
Plagës nga kthehesh në vete me vjet