KËNAQËSI DRITHME ME ANAMORAVËN

0
279
Mustafa Spahiu
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

ESE

– Mikut tim Arben Çokaj,
si shenjë respekti të përzemërt dhe mirënjohjeje.
Autori

Flatrat mundohen të më dalin për ta kaptuar lumin e fëmijërisë, po unë s’lejoj…
se fluturat e kaltërta ngrehin valle mbi kokoçelet dhe lulepembezaret…
Anamorava, në mes dy brigjeve – dekori i
shelgjeve të bardha e të kuqe, me dufrrën e
pulëbardhave të lumenjve, lëbardhen si qengjat tre javësh, hashariten breg më breg, me krrokamësh urie…
Shelgjet e kaçilzuara shikojnë: valët, shkumën, lumbardhat, karvanin e udhëtarëve dhe bistekët e kërpnajave si
duvaket e vejushave të bardha…
Anamorava dehet me të kaluarën që nga vrundullimi i burimit të vet në fshatin Binçë,
duke bredhur me shekujt gjerdanin e margaritarëve të s’ardhmes agimore tok
me mbretin-Diell në krye të betejave të fituara…
– Kënaqësi! – kur unazohet gjarpërore ngushticës së Govenit të Pogragjës së Karadakut të Gjilanit…duket një shirit
kaltërosh i zjarrtë… Anamorava, sydrenushë, me rrjedhën mavi, nëpër rërën
e kafenjtë drejt buzë detit…
– Anamorava paska ngulur thembër!
– Unë kam ngulur zemër…në kënaqësitë e
mia ta shikoj çdo valë me shkumën kumak
të bardhë si lulet alba bardhoshe – petalet
me nga dy-tri pika bojë qershijash…
– Shikoje Anamoravën ujëgjerë-e-shpirtkulluar, si kraharori i anamoravaseve
gushë-e-llërë-e-gjibardhoshe, belholla si
gargia, këtë paqe parajsore të përhershme
e të gjallë, këtë rrjedhje gjithnjë të njëjtë nëpër ajër të pastërt…
Anamorava kur nuk rrjedh e vetme, ajo e ka
(botën nënujore të begatë), gushëfarfuri…
Valët…
Secili breg sytë i drejton kah një yll e të gjithë yjet shpiejnë kah qielli.. Anamorava,
kur afrohet te Qafa e Konçulit, bën një bërryl, një lakesë goxha harkore e të madhe, sërisht e gjen shtratin – djepin e lashtësisë
së vet… Rrjedha s’e ndal këngën bukolike e të çmotshme, si kucovllehët me atë këngën e tyre të njohur: la-la-la,(lanetin e pëlcasin), deri në përjetësi!..
Qielli ujë – shtjella-shtjella uji… Dallgët ndeshën në hurdha – hurdhat si hurdhat,më!? Degëzat e brishta të shelgjishteve ngatërrohen me ujin maraton…ujit përpjetë tërhiqen shelgjet e bardha si të zbritnin plepat – orientuesit e
shpendve shtegtarë, e, dita i magjeps kalimtarët dhe pas tyre ngarend një lis truplakur… Ja si shkurret dënesin, ja si
kërcet lisi… Si njeriu bërtet, si lejleku krrokat… Çudi!, plepi kohën e mat në mot me diell… Hijen – e ka akrepin më të gjatë
që ua kurdis të vonuarve orën çdo natë…
Do ta rregulloj Anamoravën me degën e lumit Marga të rrjedhin në mua, unë të rrjedh në mes vargjesh mbi valët e tyre –
njëmend sa mirë e kam përceptuar; në
çekmexhen e kujtimeve do t’i gjeni puthjet dhe lodrat e mia me ashkla fluturake, si
varkat e lehta dhe të ndritshme që i tërhjekin vargan…
Anamorava! – bukuria ime – e pranishme në
përmallimet e ikura me kurrillat më në jug se pranvera… Tê jesh kënaqësi dhe drithme… Kësaj kaltërsie të stërndritshme
si mos t’i besohet? Në zemrën kaltëroshe, me shpirtin engjullor! Përngaherë më kaltëroshe se kaltërsia… Yjet orientohen
me te udhëtimeve të gjithësisë… Valët
shkumbëzojnë klima të reja me vandak.
Trishtilat cicërojnë dimër e verë… Mështeknat përherë janë caktuar ta përcjellin nivelin e ujit dhe të dallgëve, ta
shikojnë pasqyrën e lëvizshme të lumit që
kurrë më s’kthen kah burimi…
– Anamorava – lumë! – Qëndresa ime…

Në Vendlindje,
maj/qershor 2019.