POLITIKA LIBERALE E SHTETIT SHQIPTAR KUNDREJT GJUHËS STANDARDE

0
837

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Pasi e shpalli veten mbret më 1928, Ahmet Zogu e detyroi Asamblenë Kushtetuese të miratonte edhe Statutin Themeltar të Mbretërisë dhe kështu në sferën shtetërore u përfshi terminologjia e regjimit monarkist. U vazhdua po ajo traditë e gjuhës zyrtare mbi bazën e elbasanishtes sipas rekomandimeve të Komisisë Letrare.

Përfundimisht, do të nënvizonim se në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore shteti shqiptar ndoqi një politikë elastike, madje liberale kundrejt gjuhës standarde. Pavarësisht se atëherë nuk kishim specialistë për planifikimin gjuhësor dhe për proceset e kodifikimt, gjëra të cilat edhe në shkencën botërore janë përpunuar më vonë e prej gjuhëtarëve të sotëm gjithashtu u mësuan më vonë, nuk e teprojmë po të themi se shteti praktikisht u kujdes për shqipen standarde të sferës zyrtare, domethënë në një sferë të ngushtë, por kjo do vështruar jo si e metë, përkundrazi, ishte arritje e dobishme për kohën, madje u ka shërbyer zhvillimeve të mëvonshme si për planifikimin, ashtu edhe për kodifikimin. Dëshmia më bindëse është ndikimi që pati kjo zgjidhje te shqiptarët në Kosovë si një frymë, që erdhi deri në vitet ‘60.

Politizimi edhe i çështjes gjuhësore u bë fakt në vitet e Luftës II Botërore. Nuk ka filluar “lufta për pushtet brenda gjuhës”
pas Luftës II Botërore, por përkundrazi, gjatë asaj lufte nisi përdorimi i zgjidhjeve gjuhësore në shërbim të luftës për pushtet. Dhe kjo nuk është ndërprerë as në ditët tona.

Me çlirimin e vendit dhe vendosjen e qeverisë së re në Tiranë në nëntor 1944 Dekreti Kryeministror i vitit 1923 nuk u përfill më dhe në organet e larta të shtetit e të PKSH u përdor kryesisht varianti letrar jugor, ashtu si dhe gjatë viteve të LANÇ. Kjo ishte pasojë e dy faktorëve: së pari, e epërsisë së zhvillimit, të përhapjes e të kodifikimit të këtij varianti letrar; së dyti, e prejardhjes krahinore të shumicës dërrmuese (rreth ¾) të njerëzve të shkolluar në atë kohë, çka pasqyrohej edhe në përbërjen e drejtuesve të dy forcave politike kryesore gjatë viteve të luftës, Partia Komuniste dhe Balli Kombëtar. Akti më i rëndësishëm, që tregonte se kishte nisur një etapë e re ishte vendimi, sipas të cilit nga viti 1950 do të botohej një abetare e njësuar.

Nuk ka nevojë të përmenden gjithë fazat, se si nga terminologjia demokratike e viteve menjëherë pas Luftës II Botërore u kalua te shpallja e hapur e shtetit të diktaturës. Kushtetutës së vitit 1946 iu bënë disa ndryshime më 1950 (botuar në gazetën “Bashkimi’ më 28 korrik, 1950) dhe ajo u zëvendësua në dhjetor 1976 me atë që tashmë u quajt Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Vendosja e një shteti ideologjik solli ndryshime të gjera në leksikun e gjuhës zyrtare, të bëra qëllimisht për t’u dalluar nga “regjimi i vjetër” e sidomos për të mënjanuar gjithçka që quhej se i përkiste “rendit kapitalist-borgjez.” U ndoqën të gjitha format sovjetike të organizmit shtetëror, ekonomik, arsimor, kulturor e ushtarak dhe, për pasojë u kalkuan gjerësisht mjetet leksikore përkatëse të rusishtes, ndërsa huazimet si njësi nga rusishtja qenë fare të pakta.

Por, për zgjidhjen e çështjes gjuhësore nuk u ndërmor ndonjë veprim vendimtar. Institutit të Shkencave iu vu detyrë të punonte në atë drejtim. Rregullat drejtshkrimore (1948, 1951) dhe Fjalori i gjuhës shqipe (1954) të punuara nga Instituti i Shkencave merrnin parasysh të dyja variantet letrare, ndërsa prof. K. Cipo si për gramatikën shkencore, ashtu dhe për gramatikën shkollore (të dyja 1949) zgjodhi toskërishten letrare, duke e argumentuar këtë me arsye gjuhësore e kulturore-historike.

Kthesa për ta përshpejtuar vendosjen e një forme gjuhësore të njësuar ishin dy sesionet shkencore të Institutit të Shkencave të vitit 1952. Nuk ka kuptim ta mohojmë sot se kështu zu fill një politikë gjuhësore e importuar nga gjuhësia sovjetike. Shteti shqiptar e pranoi atë pa asnjë qëndrim kritik jo vetëm se kjo ishte qasja e përgjithshme kundrejt gjithçkaje të lidhur me ideologjinë sovjetike, por edhe sepse nuk kishte rezultate të punës së studiuesve shqiptarë në këto drejtime të ndryshuara.
Rrjedhimisht, më tej gjuhësia u orientua më fort drejt studimeve në kuadrin e institucioneve, sesa në caktimin e menjëhershëm të një norme letrare të njësuar nëpërmjet ndonjë forumi shkencor.

Lëvrimi i të dy varianteve në letërsinë artistike, në botimet shkencore, pjesërisht në përkthime e në publicistikë vijoi si më parë. Kësaj gjendjeje i përgjigjen edhe rregullat drejtshkrimore të vitit 1956, të cilat përmbajnë në rastet e nevojshme, edhe udhëzime për format e gegërishtes, ripunimi i këtyre rregullave në vitet ’60 dhe hartimi i projektit të ri të drejtshkrimit (1967), të synuar si drejtshkrim i një forme gjuhësore të njësuar.