SLLOGANI – GUXO – MERITOR PËR GUXIMTAREN DR. VJOSË OSMANI

1
493
Vjosa Osmani - Guxo!

IDRIZ ZEQIRAJ

Vërtet, dikur, PDK-ja paska pasur një trinom slloganësh: “beso, guxo, fito!” Por, asnjërin nuk e ka përmbushur. Andaj, konsiderohet të pa qenë. Përkundrazi i ka zhgënjyer, duke mos realizuar asnjërin. Me slloganin “fito”, është ngritur në pozitë, duke e pasur patericë LDK-në. Slloganet e saj emërmirë, i konvertoi në krimin e organizuar dhe hajninë zyrtare. Rrjedhimisht, i dështoi tërësisht!

Ndërsa Vjosë Osmani, vitin e shkuar – 2O19, slloganit “BESO”, si kryesuese e listës zgjedhore të LDK-së, i dha përmbajtje, e lëndëzoi, duke i ndejtur besnik anëtarësisë, elektoratit të partisë dhe shqiptarëve mbarë. Në epërsinë e karrierës, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe Nënkryetare e LDK-së, zgjodhi sfidimin, sakrificën në mbrojtje të slloganit “BESO”, tashmë, i reklamuar, i stenduar anekënd Kosovës dhe përmes kanaleve digjitale në tërë botën. Pëndryshe, lidërshipi i partisë kishte shkelur shenjtërinë e slloganit në fjalë dhe programin që e shoqëronte atë, duke u koalicionuar me bandën PAN.

Sllogani – GUXO – nuk është plagjiaturë, është një poezi kushtrim-frymëzuese e rilindasit fisnik, Ndre Mjeda, për të guxuar në çdo kohë e rrethanë. Sllogani – GUXO -, është meritor, autentik, për Vjosë Osmanin dhe mbështetësit e saj guximtarë. Sepse ajo ka guxuar të përballet me dy taborre destruktive dhe të rrezikshme, deri në tradhti kombëtare:

1) Koalicionin PAN dhe
2) Lidërshipin e LDK-së, përkatësisht, uzurpues të Logos të partisë të kryetarit Rugova.

Vjosa GUXO-i t`i kundërvihet trinomit namkeq Hashimit-Isa-Skënderi, aprovues dhe nënshkrues të:

1) Demarkimit të kufirit me Malin e Zi, të njohur me “Demarkacion”;
2) Krijimit të Bashkësisë të komunave serbe brenda Kosovës, alias “Zajednica”;
4) Koalicionit PDK-LDK;
5) Emërimin e Hashimit president, përkundër porosisë-amanet të Presidentit Rugova, sepse “Hashimi është i rrezikshëm për Kosovën”.
6) Korrigjimit të kufinjëve në çfarëdo varianti, të ashtuquajturit “shkëmbimi i territoreve”, e deri ke ndarja e Kosovës, për çka bisedonin Hashimi, Vuqiçi, Rama, Batoni me kompani;
7) “Minishengenit, të biseduar në Nish, nga Rama-Vuqiç;
8) Kundër “lënies të Veriut Serbisë, zhbërjes të Gjykatës Speciale, faljes reciproke të krimeve, pajtimit serbo-shqiptar”, – propozime të shpalosura nga Batoni, në TV “Dukagjini” dhe “xhevahire” tjera, në këmbim të lirisë të presidentit Hashim. Pra, rrafsh Kosova!

Rrjeshtimi i GUXIMSHËM dhe i drejtë i Vjosës

Dr. Vjosë Osmani, e nominuar kandidate për kryeministre të LDK-së, së bashku me LVV, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, e dërguan PAN-in në pension. Ngulmoi dhe realizoi koalicionin me LVV, si subjekt i vetëm i pa inkriminuar, në raport me PAN-in kriminal, përkundër kundërshtive të klanit Mustafa. Vjosa GUXO-i ta mbrojë hapur koalicioni LDK-LVV, edhe atëherë kur Hashmi, me SHIK-un e tij, urdhëroi lidërshipin e LDK-së ta prishë atë.

Ajo denoncoi këtë krim konspirativ dhe rezistoi në mbrojtje të koalicionit, për t`i dhënë guxim klanit, rrastë, të shantazhuar nga Thaçi-Veseli me SHIK-un e tyre. Qëllimi i saj ishte që edhe ata, klanistët, të GUXOJNË, të mos e përfillin shantazhimin, si krim mbi krimet kundër njeriut! Megjithatë, bizneset e pista të palëve në konspiracion dominuan dhe e keqja e pritshme ndodhi.

Vjosë Osmani në të gjitha kundërshtitë e saja, qëllim të vetëm kishte dhe ka: interesin e LDK-së, të popullit, të Kosovës. Dhe, mbi të gjitha, mbajtjen e premtimit të dhënë, para elektoratit dhe shqiptarëve, për çkapjen e shtetit, të shprehur në slloganin – BESO- , si shprehje e betimit të madh tradicional, për çka është mburrur shqiptari ndër shekuj, me BESËN e dhënë, me fjalën e mbajtur.

Ashtu si dikur LVV, në përgjakjet e saj tek Ura ndarëse e Ibrit, në bulevardet e Prishtinës dhe gjetkë, si subjekt i vetëm politik, në mbrojtje të Republikës, Vjosë Osmani, sot, edhe e vetme, po lufton në mbrojtje të Rugovizmit.

Dr. Vjosë Osmani GUXO-i ta bëjë atë, që nuk e bëri askush nga kuadrot e lartë në Kosovë. Ajo denoncoi se “Lidërshipi i LDK-së, strukturat vendimmarrëse partiake, nuk janë provuar, përtej një dekade radhazi, me votën e fshehtë demokratike, të anëtarësisë, të elektoratit. Si të tillë, Lidërshipi i LDK-së dhe strukturat tjera, janë të paligjshme, uzurpues të dhunshëm të partisë, të Logos të saj – LDK -!” Dhe, kjo ishte një protestë publike jo vetëm për LDK-në e saj, por, edhe për të gjithë spektrin politik të Kosovës, që ka degraduar, madje, deri në degjenerim, sistemin brenda-partiak zgjedhor.

Kjo e vërtetë e dhimbshme kulmoi zemërimin e klanit Mustafa. Në vend që LDK-ja të organizojë një Kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor, për t`i legalizuar, ligjësuar lidërshipin dhe strukturat vendimmarrëse të paligjshme, duke zbatuar parimet bazë zgjedhore, tashmë, të thëna e stërthëna, klanorët bënë gabmin fatal, kriminal e rrugaçëror, duke e përjashtuar më të votuarën e LDK-së, Dr. Vjosë Osmani. Arsyeja e vetme: inferioriteti në konkurrencë, frika e humbjes të pushtetit të pamerituar, të uzurpuar!!

Realisht, pati edhe guximtarë të tjerë, të cilët vlerëuan guximin qytetar dhe intelektual të Dr. Vjosë Osmanit. Njëri nga ata ishte edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili do të deklaronte se “Vjosa mbajti premtimin e dhënë elektoratit, i ndejti besnik fjalës së dhënë përgjatë fushatës. Ne e lamë vetëm!” Gazi ynë dinjitoz, i përballur me haraçxhinjtë, madje, gjyq-fitues, bëri parashikimin e mençur: “Vjosa është një gjeneral, që e presin beteja të reja”. Kjo është shumë domëthënëse. Dhe, ashtu po ndodhë.

Zgjedhjet e parakohëshme në LDK, të domosdoshme

Përjashtimi i debatit të shpenguar, anashkalimi i konkurrencës së ndershme zgjedhore, përjashtimi i votimit të fshehtë demokratik, ka rrënuar demokracinë e brendshme partiake. Dhe, pa këtë demokraci, nuk ka demokraci të mirëfilltë në Kosovë. Po të zbatoheshin këto tri parime bazike, nuk kishte arsye për ndarje brenda partiake, as bërrylime klanore.

Këtij kodi zgjedhor, nuk do t`i mbijetonin asnjëri nga liderët partiakë aktual autokratë, madje, as shumica absolute e anëtarëve të Kryesive aktuale partiake. Pa këta ngulfatës të lirisë të shprehjes dhe të zgjedhjes, Kosova do të frymonte ndryshe dhe reformat do të nismonin natyrshëm. Prandaj, zgjohuni, o ju skllevër të shekullit dixhital, i fusni këta horrakër në votimin e fshehtë demokratik, për ta parë nulitetin, xerrësinë e tyre! “Kur çethën ogiçët, do t`i shihni çfarë zhuganash janë”, – thoshte Akademiku ynë, shumë i respektuar, Mark Krasniqi.

Për fund, pas shuarjes fizike të kryezotit Rugovë, filloi “gjuetia e shtrigave” kundër rugovistëve, të cilët reagonin ndaj atyre që putheshin me armiqtë e Rugovës dhe të LDK-së. Një nga një apo në grupe, i largonin, i eliminonin politikisht. Por, kësaj radhe “pazarët i kanë bërë pa hanxhinë!” Si duket, Dr. Vjosë Osmanit “i rëndojnë” më shumë se sa të gjithë klanorëve, marrë së bashku! Është koha të bashkohen të gjithë rugovistët, me synimin fisnik, për ta bashkuar trashëgiminë e Presidentit Rugova.

LDK-ja duhet të këndellët. Nuk ka nevojë për anatema, mallkime e përjashtime. Dr. Vjosë Osmani nuk ka dezertuar dhe, aq më pak, tradhtuar! Janë të koritur, të gjithë ata që përgojojnë Vjosën. E vetmja “fajësi” e saj është se ajo “GUXO-n” më shumë se të gjithë të tjerët. Ajo ka qenë dhe mbetet qëndresëtare e dinjitetshme, e cila GUXO-n të përballët edhe me burrat, me mustaqe apo pa ato. E gjithë fajësia bie mbi klanorët burracakë, të shantazhuar, keqas, nga SHIK-u vrastar, i cili i bënë listat selektive dhe lidërshipi i LDK-së i zbaton vrazhdësisht

Në zgjedhjet e pritshme LDK-ja nuk humbet asgjë. Përkundrazi, fiton, sepse shkatërruesit e Kosovës do të pauzojnë, për ta bërë bilancin e krimeve dhe të hajnive të tyre zyrtare. Ndërsa Kosovën do ta udhëheqin LVV me dyshën e LDK-ve. Ndërkohë, së bashku, do ta përgadisin Kuvendin e jahtëzakonshëm zgjedhor të LDK-së, për të qenë të gatshëm për konkurrencën e dinjitetshme në zgjedhjet lokale vjeshtore. Mendoj se kjo është zgjidhja më e natyrshme dhe më e pranueshme, për palët në kundërshti. Tashmë, është dëshmuar, madje, katërcipërisht, se inati në politikë, është humbës.

1 KOMENT

  1. sot sllogani GUXO ra nga kombinimi sepse Vjosja nuk pati GUXIM me dal me parti te re sepse nuk kalonte as pragun… e as llajsnen e rpagut… dhe iu bashkua listes islamokomuniste VVV “RUGOVIANE” me Labinote Abu Demin dhe Mustaf Bayram Erdoganin. Edhe Muslimanin Ardian Gola dhe turbo Muslimanin Artan Bin Abrash… qe jane ANTISHQIPTAR dhe ANTI RUGOVE…

Komentet janë mbyllur.