Prej gazetarisë, deputetes e deri tek ambasadorja; Alma e gjurmëve të thella shqiptare

0
1359
Alma Lama - journalist

Nga Gjergj Kabashi, Shqiptari.eu

Gazetarja e shquar Alma Lama, pas angazhimeve të shumëta e të gjithanshme në Kosovën e pasluftës, fillimisht e shquar me gazetarinë e saj, pastaj si deputete dhe aktiviste me zë për të drejtat e grave, tashmë është dekretuar si Ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali.

Formimi intelektual i Alma Lamës, deputetes së deritashme të Kuvendit të Kosovës, ka qenë kryesisht fomim i një gazetarje, kultura e admirueshme e së cilës, mund të shihej në shkrimet e saja të shumëta; vecanërisht mbresëlënëse ishte elokuanca dhe mënyra e shtjellimit me kulturë dhe dije e cështjeve të ndjeshme politike, për të cilat ftohej në emisionet televizive, radio etj. Mesazhet informative të Alma Lamës, qofshin ato nga Radio Televizioni i Kosovës, RTK, Top Channel apo media të tjera, përveçse përçonin porosi të një gazetareje të angazhuar dhe preokupuar me lëndën profesionale, ato, gjithnjë e kan përçuar edhe një mesazh të munguar kulturor, një porosi të qartë e fisnike të preokupimit të një shqiptareje të kulturuar, gjithsesi moderne.

Fakti që Alma Lama vjen nga Kruja e Shqipërisë në Kosovën e pasluftës, ku martohet dhe krijon familjen e saj, në sytë e «veshët» e opinionit publik, Almën e bëjnë më interesante dhe më të pranueshme në shtetin e ri, që doli nga një luftë e tmerrshme me pushtimin serb, në qershor të vitit 1999. Përgatitja e duhur arsimore dhe profesionale e saj, guximi profesional që e karakterizon, gjatë gjithë periudhës së pasluftës në Kosovë ndikuan që asaj «t’i hapeshin dyert», dhe të pranohej ashtu sic duhej në një shoqëri të re të posadalë nga lufta me Serbinë. Paragjykimet e mundshme në një shoqëri deri diku patriarkale,Alma i ka mboshtur me punë cilësore, duke u bërë pjesë e pashmangshme e elitave kulturore në gazetari dhe jo vetëm.

Shembulli i Alma Lamës, është i vecantë në Kosovën e pasluftës, pasi në saje të punës ajo u bë një zë i shquar i gazetarisë së Kosovës, produkti profesional i së cilës e bëri të jetë e respektuar, e nderuar dhe ta shtonte rrethin e miqve e të njohurve, aq të rëndësishëm për punën në profesionin e gazetarisë. Por, Alma Lama, nuk u mjaftue me kaq: Ajo cështjet që e preokuponin një shoqni të posadalë prej luftës, shtetin e ri të Kosovës, i shikoi dhe mendoi për to më shumë sesa një gazetare që formon opinion publik, si një misionare! Fundja, për gazetarët e aftë e me zotësi të theksuara, gazetaria është mision. Është detyrë, nevojë për ndihmë dhe «shërimin» apo parandalimin e «sëmundjes» së caktuar në një shoqëri. Krahas me angazhimet dhe kritikat e saj ndaj anomalive, keqqeverisjes dhe antishqiptarizmit që «mbillej», ndaj Alma Lamës filluan të dëgjoheshin e nxiteshin kritika të frymëzuara nga ata që tashmë kur ishte bërë emër i respektuar në gazetari, kishte mendim kritik e të pavarur, nuk e duronin… Gjëra të tilla i kan ndodhur shumëkujt, jo vetëm Almës që vinte nga «një shtet i huaj», si Shqipëria!

Më të zëshmit me kritika ndaj saj ishin ata që nuk mund ta duronin profilin e saj të intelektuales perveç te tjerash, e as përmasën e preokupimit të saj si një luftëtare për të drejtat e grave. Një ndër veprat shumë të cmuara të Alma Lamës, mbetët nisma e saj për ta vendosur në qershorin e vitit kaluar në qendër të Prishtinës, memorialin «Heroinat», i cili u kushtohet sakrificës dhe kontributit të gruas kosovare gjatë vitit 1998-1999. Ngritja e këtij memorialei mbetet një mirënjohje e madhe për gratë kosovare që aq shumë kan kontribuar për shtetin dhe kombin në përgjithësi.

Në Kuvendin e Kosovës, siç mund tu kujtohen atyre që i kan përcjellë seancat e parlamentit rregullisht, Alma Lama ka qenë deputetja më e angazhuar, për ç’gjë edhe është shpallur prej organizatave që e monitorojnë parlamentin si deputetja më aktive për shkak të numrit te madh të cështjeve të ngritura dhe iniciativave. Alma ka mbajtur me qindra fjalime për cështje që kanë të bëjnë me transparencën, qeverisjen, korrupsionin, drejtësinë, sovranitetin, Mitrovicën, te drejtat e grave, lirinë e mediave etj. Përcjellësit e vëmendshëm të veprimtarisë se saj si deputete e popullit në Kuvendin e Kosovës, e mbajnë në mend që ajo është deputetja e parë në gjithë historinë e Kuvendit të Kosoves që ka propozuar dhe hartuar një ligj, i cili është miratuar (Ligji për mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë), që konsiderohet më i avancuari në Europë.

Si një luftëtare e papepur për të drejtat e grave, ajo ka propozuar futjen e kuotës gjinore edhe ne qeveri, por këtë e ka rrëzuar gjykata Kushtetuese. “Jam angazhuar në dhjetëra aktivitete për të drejtat e grave dhe jam përpjekur që përmes punës sime, të bëhem shembull dhe frymëzim që gra të tjera të hyjnë në politikë,” më thoshte në një bisedë timen me të para një kohe. Për shkak të këtij angazhimi ajo është edhe pjesë e projektit të mbështetur nga Departamenti i Shtetit Aamerikan, si një nga “50 gratë lidere të ardhshme të botës” dhe po nga ata është shpallur si “A changemaker.”

Por, ajo që nuk duhet harruar kurrë nga Shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, është angazhimi i fuqishëm, i vendosur dhe i patrembur i Alma Lamës ndaj islamizimit të shoqërisë shqiptare në Kosovës, kundër islamit radikal dhe politikave neootomane të Turqisë.Për këtë, Ajo meriton mirënjohje dhe nderim të vecantë! Zëri i Alma Lamës në luftimin e këtij antishqiptarizmi, që pas luftës formësohej e forcohej në mënyrë pothuaj të hapur, është krejt i vecantë dhe mund të thuhet që është zëri i vetëm më i artikuluar, që në një periudhë të gjatë kohore i ka thënë një Jo të vendosur islamizimit antishqiptar të kombit në Kosovë e gjetiu. Për këtë arsye ajo ka qenë nën sulme të jashtëzakonshme nga qarqet ekstremiste për vite me radhë, është kërcënuar me qindra herë, sharë e fyer si askush tjetër me fjalët më të ndyra. “Vazhdimisht ka pasur një agjendë kunder meje, si nga islamistet, ashtu edhe nga aktivistët e VetëVendosjes, pasi me ata jam prishur kur zbulova se po flirtonin me islamin radikal. Dhe këtë e kam thënë publikisht,” më thoshte, pos tjerash, në bisedën me mua z.Alma Lama.

Për befasi gjatë gjithë kohës sa Alma Lama i kishte shpallur luftë të hapur demaskimit të islamizimit të shoqërisë në Kosovë dhe shtrirjes së influencës të islamit radikal, askush nuk i ka dalur publikisht në mbrojtje kësaj zonje të vërtetë, as shoqatat e grave e as mediat. Në rrjetet sociale ajo ka pasur përkrahje të madhe, por ndihma e tyre ka qenë e padobishme dhe e pamjaftueshme për sigurinë e saj. Disa media, si Koha Ditore ta zëmë, madje edhe ia kan ndërsye islamikët e të ashtuquajturit «FRM», duke ua botuar vazhdimisht fyerjet e tyre publike, sharjet, nënçmimet dhe vlerësimin e saj si «qytetare të huaj». Si pasojë e nxitjes së fushatave të këtilla, Alma Lamës jo rrallë këtyre viteve në Kosovë ia kanë vështirësuar jetën dhe punën…

Së fundmi, ishin mediat po ato që e stimuluan lincimin publik të saj në mënyrë krejt të qëllimshme ndërsa kur u propozua ambasadore e Kosovës në Itali, u shtua mosdurimi e urrejtja, posacërisht nga ana e disa grave, që janë emra të njohur publik, si Flaka Surroj dhe Arbana Xharra,të cilat në vend që ti gëzoheshin këtij fakti dhe ta trimëronin sic u takonte,bënë zhurmë neveritëse ndaj saj, duke e vënë në diskutim intelektualizmin e tyre.

Por, përkundër të gjithave, Alma mbetet ajo që ishte, e vendosur dhe e pathyeshme në rrugën e saj në shërbim të vendit të vet, në shërbim të kulturës shqiptare. «Po bëj doktoraturën në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomacia mund të jetë rruga ime e ardhshme.Tani po i bëj 20 vite eksperiencë shumë të cmuar në gazetari dhe politikë. Por, duket se askujt nuk i intersojnë kredencialet e mia, por ekziston dëshira për të më baltosur. Sigurisht për shkak të konjukturave politike, ku unë nuk bëj pjesë,” më tha Alma Lama, në bisedën e zhvilluar me të e që ndërlidhej me fushatat e panjerëzishme të këtyre ditëve ndaj saj. Të fyesh Alma Lamën dhe ta injorosh kontributin e saj gjatë gjithë kësaj kohe, do të thotë që me kritikuesin dicka nuk është në rregull, ka dicka difekte në gjykimet e mendimet e tyre.

Arbana Xharra e turpëroi veten me qëndrimin tejet joetik ndaj Alma Lamës, kur ajo u emërua ambasadore, duke folur me një gjuhë që ajo nuk e ka përdoruar as për kriminelët që e kanë zaptuar shtetin e Kosovës. Kjo lloj gjuhe nuk i ka hije asnjë gazetari, e sidomos anjë gruaje, sepse mbi të gjitha Alma më së shumti ka punuar për të drejtat e grave të Kosovës. Vërtetë njeriu duhet të cuditet se prej nga vjen e gjithë kjo gjuhë urrejtjeje dhe pse. A vetëm pse u caktua ambasadore e Kosovës në Itali? Cfarë ka të keqe në emrimin e saj si ambasadore e Kosovës në Romë?! Asnjë e keqe, përkundrazi! Zgjedhja e saj në atë detyrë e nderon jo vetëm Alma Lamën, por më shumë vendin e saj, Kosovën.