Për të lehtësuar zotin Romeo Gurakuqi para Vitit të Ri

0
445

Mero Baze Nga Mero Baze

Historiani Romeo Gurakuqi po përpiqet të kuptojë sulmin e Bujar Nishanit ndaj tij, lidhur me sajesat rreth dy kartelave të Sigurimit të Shtetit në adresë të tij. Për dikë si Romeo, që PD e di parti demokratike dhe serioze, është vërtet një enigmë. Por po përpiqem t’ia ilustroj me një histori për t’u qetësuar para Vitit të Ri.

Në vitin 2000 në fushatë elektorale, një i çmendur në Fier tentoi të hedhë një granatë dore në një miting të Sali Berishës. Për fat u neutralizua.

Sapo përfundoi mitingu, Berisha kërkoi që të verifikohej emri i personit, nëse ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. I biri i tij solli dy CD nga shtëpia dhe kontrolloi emrin. Ishim dhe dy të tjerë aty. Nuk di nëse u gjet emri i tij, por u shpall agjent.

E vetmja gjë që vlente nga gjithë kjo, ishte se mësova që Sali Berisha e kishte listën e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, privatisht në shtëpi.

Kur situata u qetësua dhe kur u mor vesh që unë tashmë e dija që ai kishte dy CD, e pyeta përse nuk verifikon gjithë drejtuesit e PD dhe strukturat e saj, se kush ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. Nuk ishte nevoja t’i bënte pubike, por të mos i avanconte në poste zyrtare.

  • Dëgjo, tha. E ke gabim. Ka plot njerëz që janë përzier me Sigurimin. Të vetmit që janë njerëz të Sigurimit dhe bashkëpunëtorë të tij, janë ata që përdoren kundër PD. Për të tjerët, nuk ka kuptim.

Me pak fjalë, në atë parti nuk je “bashkëpunëtor Sigurimi” nëse ke qenë, por nëse del kundër PD.

Bujar Nishani është njeriu që ka përfituar më shumë se kushdo nga kjo “klauzolë”. Ndaj i dashur Romeo mos u mërzit, por as mos u huto ta shpjegosh. Bujar Nishani thjesht ka zbatuar parimin me të cilin është rritur nga kamarier, në banakier, në pompist, e më pas në deputet, ministër e president në atë parti. Së fundi dhe në kryekontrollor. Ai është modeli se si mund të bësh karrierë aty.

Po qe se flet, ankohesh, apo akoma më keq, po vure në përdorim llogjikën, më e pakta është që do shpallesh “bashkëpunëtor Sigurimi”.

Ai thjesht e ka parë që ti reagove kundër një vendimi të partisë dhe vuri në zbatim klauzolën e partisë, që i shpall në këtë rast “bashkëpunëtor Sigurimi” ata që dalin kundër partisë. Do ketë dhe të tjerë veç teje. Mos u mërzit. Ashtu siç ka njerëz ë pastrohen, si Kaç Islami, të cilin vetë ajo parti e ka përjashtuar nga zgjedhjet më 1996, për shkak të ligjit antigenocid. Varet si sillesh.

Mos u lodh kot të gjesh kartelën tënde të pastër dhe akoma më keq, të gjesh që ato kartelat e Nishanit janë fallco. Nuk është se i hyn njeriu në punë në atë parti, e vërteta. Llogjika jo e jo. Lere pastaj po mësuan që lexon dhe libra. Akoma më keq po qe se dhe shkruan. Thjesht kompletohesh si “bashkëpunëtor Sigurimi”.

Ndaj mos e prish gjakun para Vitit të Ri dhe as mos e merr për heroizëm, që e ke demaskuar si mashtrues. Të tillë ai nxorri dhe Visar Zhitin, që ka vuajtur në burgje si disident real dhe që u bë ministër dhe deputet i asaj partie. Mjaftoi ta propozonte Edi Rama si ambasador në Vatikan, për të respektuar personalitetin e tij dhe ai u bë “bashkëpunëtor Sigurimi” për 24 orë.

Nuk është se i ke mundur apo prekur në sedër. Nuk është se aty të do dikush të kesh personalitetin tënd. Aty ose u duhesh siç e duan ata modelin e deputetit, ose nuk u duhesh. Nuk besoj se ti u duhesh. Por edhe nëse u duhesh për ndonjë votë, thjesht nuk do jesh kurrë i tyre.

Kur u bë për herë të parë ministër, më ra rasti të isha në tavolinë. Sali Berisha i kishte ofruar Astrit Patozit atë detyrë më 2007, pasi Olldashi do kandidonte për Tiranën, por ai nuk e pranoi. Për këtë dhe ia kishte lënë detyrë të dyve të gjenin një emër.

Bujar Nishani po kalonte para kafes në lulishten tek “Bar Kalaja” kur e pikasi Sokol Olldashi dhe për t’ia hequr sikletin Patozit tha: “Pse të mos i sugjerojmë këtë Bujarin për ministër. Ushtarak është.

Bujari nuk e kuptonte dot, se si dikush mund të refuzonte një post ministri dhe po rrinte mbi gjemba, ndërsa Olldashi i kishte shkruajtur Berishës për këtë propozim. Berisha në fakt mori emrin që ëndërronte. Dy minuta më pas telefoni i Bujarit ra. Ishte Sali Berisha. Ende pa e hapur ai u ngrit në këmbë dhe tha atë shprehjen e famshme për të cilën shpesh unë tallem: “Bujari ju dëgjon!

Dhe këtu e vulosi karrierën e tij të re.

Tani po do të konkurrosh me Bujarin, kije paraysh si duhet të sillesh. Ndryshe “bashkëpunëtor Sigurimi” do mbetesh.

Duke shpresuar mos të të prish me këtë këshillë publike, gëzuar Vitin e Ri.


Dëshmi nga Romeo Gurakuqi, që tregojnë se ai e familja e tij nuk kanë qenë kurrë të lidhur me Sigurimin e Shtetit të kohës së Diktaturës