NGA DUHET TË SHKOJNË SHQIPTARËT?

0
416
Abdulla Mehmeti

Abdulla Mehmeti

“Rrugën nga duhet të shkojnë shqiptarët sot, duhet ta zgjedhin e trasojnë sipas vizionit dhe nevojave të veta, jo të sorollaten mes një ose dy rrugëve qorre, mes opsioneve pa perspektivë, siç ua imponojnë të huajit.”

“Ky petk, që na e kanë qepur e veshur politika dhe propaganda e huaj deri më sot, është tepër i ngushtë dhe i ftohtë për shtatin tonë, për nevojat dhe mbijetesën e popullit shqiptar.”

Nga duhet të shkojnë shqiptarët sot?
Nga dita e parë e këtij viti duhet të reflektojmë, që ta ndryshojmë gjendjen e popullit tonë, të sotmen dhe të ardhmen, sa më parë duhet t’i përvishemi punës, me dije, përkushtim e përgjegjësi.

Të përkujtohemi se, shtëpia e vjetër prishet nga çatia, ndërsa e reja ndërtohet nga themelet. Atdheun tonë, shtëpinë e përbashkët të të gjithë shqiptarëve duhet ta shndërrojmë në kala të fortë, që të garantojë siguri e shëndet për të gjithë, jetë të lirë e të dinjitetshme, arsimim dhe shprehje të lirë të talenteve, punë, zhvillim e përparim.

E para, ndiqni rregullisht por mos u ndikoni dhe mos u besoni medieve të pushtetit; meqë fjalët nuk e ndryshojnë gjendjen e një populli, por dija, puna dhe veprat.

E dyta, politikanëve dhe drejtuesve të derisotëm të pushtetit, mos u besoni, përderisa ata vetë flasin për punët dhe kinse të arriturat e veta, ndërsa rezultatet mungojnë në të gjitha fushat e jetës, në viset tona dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.

E treta, mos i besoni asnjë pushteti dhe pushtetari, përderisa bota e qytetëruar bën gara në zhvillim, teknikë, teknologji, inovacione, ekonomi, arsim, shkencë, kulturë dhe arte, ndërsa neve na mësojnë të mburremi vetëm me të kaluarën, sepse e sotmja na mungon, e ardhja nuk planifikohet, jeta jonë mbetet në mëshirën e fatit, për sot e nesër.

E katërta, mos i besoni propagandës së klaneve politike e partiake, përderisa përditë na i pështjellin me sheqer ëndrrat dhe shpresat, ndërsa gjithnjë e më shumë na e nxijnë e helmojnë të sotmen dhe të ardhmen.

E pesta, mos u besoni mashtruesve, që propagandojnë bashkim kombëtar, ndërsa nuk reagojnë, nuk e lëvizin gishtin e vogël të dorës, as nuk e prishin gjumin dhe rehatinë e tyre kur shiten pjesë-pjesë territoret e atdheut, kur trojet tona etnike vazhdojnë të tkurren dhe të rrezikohet seriozisht sovraniteti i shtetit, i Shqipërisë dhe i Kosovës.

E gjashta, një individ apo grup, sado të mençur dhe të aftë të jenë, nuk mund ta bartin mbi supe fatin tonë kolektiv, as nuk e shprehin vullnetin e një populli. Asnjë individ apo grup i vetëm nuk mund t’i realizojë aspiratat e një kombi tridhjetë milionësh.

Fati mund të na buzëqeshë ne shqiptarëve vetëm të bashkuar, me një frymë e ideal madhor, me punë e vepra, progres e përparim. Fati i një populli jo gjithmonë mund të lihet vetëm në duart e pushtetit dhe të politikanëve, as për një periudhë të caktuar, përderisa nuk kanë dhënë asnjë provë për zhvillim, ecje përpara dhe të mbarë, ndërkohë që bota përparon me hapa gjigant.

Populli shqiptar, nga më të lashtit e botës, me gjuhë të hershme sa vetë njerëzimi, me histori të lashtë e të lavdishme, me heronj që i kanë sjellë lavdi e përparim gjithë botës, nuk meriton sot të mbetet në këtë gjendje, të ecë me hapa të breshkës, sa e kanë mendjen, hapin dhe vrapin drejtuesit, politikanët dhe pushtetarët e tij të sotëm.

Popullin shqiptar, pasardhës i ilirëve, dardanëve, epirotëve, pajonëve, maqedhonëve të lashtë dhe shumë fiseve të tjera, që ditën dhe mundën të ndërtojnë mbretëri të fuqishme dhe u bënë ballë pushtimeve të huaja, një popull që ka pjellë dhjetëra shenjtorë e heronj me përmasa botërore, që ka lindur udhëheqës të perandorive më të fuqishme në të kaluarën, sot nuk mund ta drejtojnë, udhëheqin e qeverisin persona me dije dhe aftësi të kufizuara, xhuxhë në shpirt e në mendje, psikopatë dhe njerëz me prirje kriminale, mashtrues e demagogë, hajdutë e mercenarë, agjentë të huaj, laramanë e kopilë që na kanë mbetur në derë nga llumi i sundimeve të huaja në atdheun tonë të shenjtë.

Sot dhe asnjëherë në të ardhmen, kur shqiptarët janë të detyruar të zgjedhin mes dy rrugëve, asnjëra prej të cilave nuk janë të drejta dhe nuk çojnë në rrugë të mbarë, asnjërën prej tyre nuk duhet ta zgjedhin, që të mos përfundojnë në humnerë, por të trasojnë rrugë të reja, vizion për realizimin e synimeve tona kombëtare, ekonomike e zhvillimore, politike e strategjike, kulturore dhe qytetëruese.

Ky petk që na e kanë qepur e veshur politika dhe propaganda e huaj deri më sot është tepër i ngushtë dhe i ftohtë për shtatin tonë, për nevojat dhe mbijetesën e popullit shqiptar.

Ndryshimet e mëdha në skenën ndërkombëtare, sfidat me të cilat përballemi ne dhe njerëzimi i botës sot kërkojnë më shumë se sa kemi, më shumë se sa mundemi dhe dimë sot, më shumë se sa na ofrojnë e mundësojnë profetët e rrejshëm të demokracisë së sotme. Degët e brishta të kësaj peme politike e shtetërore, siç e kemi sot, nuk mund të mbajnë fruta të shëndetshme e me peshë sa mund të prodhojë gjenia shqiptare.
O burra shqiptarë, të zëmë rrugën e mbarë, Atdheun ta shpëtojmë!

(1 janar 2021)