Viti i ri me probleme të vjetra!

0
544
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 28.12.2020

Për dalim nga viti 2019, i cili ishte vit i iluzioneve dhe thyerjeve të shpresave për ndryshim, e 2020-ta do të mbahet mend gjatë, si viti i humbjes së shpresave dhe fillimit të sfidave të mëdha politike, si vit i ndërrimit të pushtetit përmes proceseve gjyqësore dhe i sfidave të rënda shëndetësore si pasojë pandemisë globale Covid-19!

Viti 2020 e shënon rekordin e papërseritshëm, të rënjes së dy qeverive qeverive brenda një viti dhe të zgjedhjes së dy qeverive nga e njëjta legjislaturë e kuvendit! Rast ky i parë dhe i paprecedent në Republikën e Kosovës!

Sikurse në rastin e rënjes së qeverisë së parë, ashtu edhe të rënjes së qeverisë së dytë brenda vitit, u shkaktuan reagime pro e kontra, gëzime dhe dëshprime të rivalëve politik.

Përderisa Gjykata Kushtetuese e përligji rënjen e qeverisë së parë (‘Qeverisë Kurti’), e njëjta e shkaktoi edhe rënjen e qeverisë së dytë (‘Qeverisë Hoti’).
Pavarësisht faktit, se a ishin vendime të (pa) drejta dhe (jo) profesionale, vendimet e fundit të kushtetueses e kanë luhatur besimin e saj tek qytetarët.

Krahas krizave politike, sikurse e mbarë bota, edhe Kosova u ballafaqua me virusin artificial Covid-19. Si pasojë e politizimeve të thella shoqërore, ishte i pashmangshëm edhe politizimi i këtij virusi misterioz.

Përderisa gjatë qeverisjes së parë të vitit 2020, fillimi i virusit me vetëm 19 raste të infektimit pa asnjë rast të vdekjes në nivel vendi u tentua të politizohet skajshmërisht me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, gjatë qeverisjes së dytë ndodhi e kundërta, edhe pse, me më shumë se 19 të vdekur brenda ditës, mbi 50 mijë të infektuar dhe mbi 1200 të vdekur në nivel vendi, askush nga politikanët (pushtet dhe opozitë) nuk e permendi më shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pse!?

Sepse, virusi articial u shndërrua në virus politik. Manipulimi me numrin e të vdekurve nga sëmundjet e rënda kronike me vdekjet që shkaktoi virusi, bëri që në mesin e popullatës të mbjellet frikë, stres dhe pasiguri, ku, vetëm pas një kollitje apo dhimbje e lehtë koke, mendja të shkon tek virusi dhe pasojat e tij!

Nga ambiciet për poste të larta shtetërore, liderët partiakë i harruan qytetarët dhe vuajtjet e tyre gjatë pandemisë.

Edhe optimistët më të mëdhenjë nuk mund ta ndjejnë vetën mirë në këtë fundvit, shkaku i dështimeve të mëdha të politikës dhe katandisjes së shtetit për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm!

Procesi i ndërrimeve të pushteteve përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në vitin paraprak, në vitin 2021 do të vazhdohet së paku me dy procese zgjedhore, njëri për pushtetin qendor e tjetri për atë lokal.

Me mundimet dhe problemet e vitit që po e lëmë pas, do e fillojmë edhe vitin e ri 2021-të. Njerëzit e veshur me pushtet dhe ata që qëndrojnë afër tyre edhe më tutje do të mbushin xhepat me paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës, ndërsa në anën tjetër mijëra shtetas kosovar të shtyer nga varfëria dhe denigrimi social do t’i braktisin Kosovën, ndoshta për të mos u kthyer më asnjëherë vendlindjet e tyre!

Mbështetja nga mërgata e partive të dështuara politike dhe angazhimi parcial i mërgatës në politikë, jo vetëm që nuk e ndihmon ndryshimin, do t’u ndihmojë vetëm politikanëve të korruptuar për ta shfrytëzuar si alibi për mbështetjen e mërgatës e cila do të bëhet objekt kalkulimi i votave të partive të mëdha në proceset e ardhshme zgjedhore.

Vëllezër dhe mota, qytetar të dashur të vendit tim dhe bashkatdhetarë në botën mbarë, përmes shkrimit të mësipërm po e perfundojë edhe këtë vit kalendarik, duke ndarë me ju mendimet dhe opinionet, analizat dhe kolumnet politike.
Me këtë rast ju falenderoj të gjithëve për kontributin e dhënë në mbështetjen dhe kritikat e shëndosha në funksion të ndryshimeve pozitive për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.

Pasqyrimi i realitetit është obligim qytetar i secilit prej nesh, e aq më tepër i një analisti dhe gazetari në përmbushjen e misionit fisnik ndaj shtetit dhe qytetarëve të vendit në përgjithësi.

Sikurse deri më tani, edhe në vitin 2021 do të jemi së bashku në shërbim të vendit dhe qytetarëve, pa u dorëzuar asnjëherë përballë sulmeve dhe kërcënimeve të hijenave partiake, klaneve dhe grupeve të interesit.

Përfundimisht kemi arsye të ngremë dolli e të festojmë, sepse po e lëmë pas një nga vitet më të mbrapshta dhe më të shëmtuara politike, për të vazhduar rrugëtimin tonë drejt ndryshimit pozitiv dhe shtigjeve të ardhmërisë në Republikën e Kosovës.

Urime viti i ri 2021, qoftë ky një vit i mbarë dhe i suksesshëm për të gjithë shqiptarët në trojet etnike dhe diasporë, gëzuar!