Fragment nga libri në proces “Nga Golgota në “Tokën e Premtuar”
– Kushtuar aktit të shtatë familjeve dibrane, që thyen klonin enverist të Diktaturës, më 12 maj 1958 –
Nga Dukagjin HATA
Ikja e 42 dibranëve nëpër natën pus të thellë të terrorit bolshevik, në pranverën e trishtë të vitit 1958, është një akt që do të mbahej mend gjatë jo vetëm në Dibër, por në gjithë Shqipërinë, për peshën e rëndë të aktit që prishi “kandarin” e propogandës së kuqe për gjoja lumturinë e popullit, që në fakt ishte në mos një ferr, të paktën një purgator dantesk. Islamaj Skepi ishte ideatori, organizuesi dhe regjizori i kësaj ikje, që bëri përshtypje të madhe në atë kohë, pasi tronditi ngrehinën e sigurisë së kështjellës socialiste, në kufirin e të cilës vigjelonin ditë e natë ushtria dhe të gjithë strukturat e dhunës shtetërore mbi një popull të rraskapitur deri nërrënim.
Përgatitjet për atë ikje të pashoqe, që tronditi ingranazhet e përgjakura dhe diabolike të një regjimi monstër, kishin kohë që kishin nisur dhe Islamaj Skepi ishte frymëzuesi dhe organizatori i saj. Duke qenë tip i kujdesshëm dhe mjaft i matur, sipas psikologjisë dibrane, “mat shtatë herë e prit një herë”, ai ia kishte dalë që të gjitha lëvizjet rreth këtij organizimi klandestin e tejet konspirativ, të mos linin asnjë gjurmë dyshimi tek strukturat e shtetit komunist, që mezi priste një shenjë për t’u vërsulur me urditë e “babëzisë” për gjak, mbi këtë burrë, i cili qe aq krenar sa të mos e ulte hundën para askujt, e sidomos para dishepukve të djallit, veshur me petk sigurimsash!…
Dalëngadalë konturet e ditës qenë thyer dhe hijet e muzgut po vinin duke u dendësuar, bashkë me aromën e barit të kositur dhe luleve në shpërthim, që erëmonin gjithçka, duke e bërë çdo gjë, që nga peizazhi bujqësor gjer tek hijet e idilit, të largët e të pakapshme si një ëndërr. Blliçja në atë orë fitonte gravitetin e vet emocional dhe humbiste në vorbullat e një intimiteti të ëmbël e të pakontrollueshëm, një lloj lektsje e brendshme, grishëse e joshëse, që nuk mund të kontrollohet nga asnjë lloj regjimi, qoftë dhe nga një regjim diktatorial, si ai që përjetuam për një gjysëm shekulli dhe që në kohën kur zhvilloheshin këto ngjarje ishte në zenith të vet.
Atë natë, nëpër tisin e mjegullt të mbërmjes pranverore, shtatë burra, një e nga një, duke u kujdesur që të mos binin në sy, hynë në shtëpinë e Islamaj Skepit. I zoti i shtëpisë, që e priste ardhjen e tyre, pinte duhan pareshtur me llullë, duke lëshuar turjelë fjollat e tymit që shjpërndaheshin në hapësirën e elektrizuar nga pritja, ashtu si mendimet dhe fantazia e tij. E ndiente ardhjen e secilit nga kërcitja e rrezeve të derës së avllisë, që kur hapej lëshonte një gërvimë të mbytur ankuese, sikur iu përgjigjej jehonave të brendshme të shpirtit të të zotë, që po përjetonte një stuhi ndjenjash të dyzuara dhe kundëvënëse ndaj njëra tjetrës. Distanca kohore prej njëzet e ca minutash midis të ardhurve nga njëri-tjetri, qe llogaritur që ardhja e secilit veç e veç dhe e të gjithëve së bashku të mos binte dhe aq në sy dhe të merrej, nëse viheshin re nga banorët e fshtatit, si një ardhje e zakontë miqsh, që nuk mungonin thuajse asnjë natë në shtëpinë e Islamajt.
Të ardhurit zunë vend njëri pas tjetrit në minderet dhe shiltet e odës së madhe të miqve dhe i zoti i shtëpisë i sajdisi sipas riteve të traditës së odës së miqve, ku miku është gati një hyjni, të cilit i serviret gjithçka e mirë, por mbi të gjitha vëmendje dhe përkushtim. Edhe pse kjo nuk ishte një ardhje e zakontë, as një bujtje për miqësi, kodi ishte i njejtë dhe miku konsiderohej nga Islamaj si nga të gjithë blliçanët, dibranët e shqiptarët, një hyjni, që meritonte respekt dhe përkushtim maksimal. Kur qenë mbledhur të gjithë, Islamaj la një nga të tijët që të ruante dhe për gjithçka të sinjalizonte të mbledhurit në odën e madhe të miqve të Islamaj Skepit.
Duhet thënë se shtëpia e Islamaj ishte e hapur ditë e natë për bujtës, të njohur e të panjohur, miq e udhëtarë, ngado që të vinin e kudo që donin të shkonin. Aty miku ndihej mbret, i panjohuri ndihej zotni, rrugëtari që kërkonte strehë e bukë ndihej si në shtëpinë e tij.
Oda ku priste e sajdiste miqtë Islamaj Skepi ishte pjesë e asaj tradite të trashëguar e të ardhur brez pas brezi, që familja Skepi e kishte ruajtur me fanatizëm dhe të paprekur as nga cunami i egër, shkatërrimtar, komunist, që erdhi me furi dhe rrafshoi thuajse gjithçka. Dhënien e zemrës në dorë mikut, mikpritjen, bujarinë, nuk mundën do t’i gjunjëzonin pankartat dhe parullat bolshevike, që hymnizonin njeriun e ri, armik me çdo traditë fisnikërie dhe aristokracie, që kishte lëshuar rrënjë të thella në odën shqiptare.
Ajo që përgatitej me zhurmë e bujë në vorbullën frenetike të zhurmënajës së mbledhjeve tribunale komuniste, për gjoja epërsinë e rendit socialist e broçkullitje të këtij soj, fironte e bëhej pluhur e hi në odat e maleve, ku mendësi dhe kode vinin në lëvizje turbinate e mendimit të lirë. Edhe pse regjimi komunist kishte sulmuar egërsisht të gjitha arkitipat e traditës, për ta zhbërë dhe tjetësuar gjithçka që mbante në këmbë virtytin njerëzor, oda e maleve ende rezistonte dhe nuk pati rënë. Ajo ishte e vetmja kështjellë që nuk e morën dot komunsitët, megjithë përpjekjet e vazhdueshme për t’ia nënshtruar sprovave të trishta të agjitpropit…
Odat dibrane ishin dhoma të veçanta në ndërtesat karakteristike të tipit “kullë”, ku priteshin miqtë dhe ku siteshin në sitën e hollë të fjalës me rrotulla të gjitha ndodhitë e jetës dhe mbusheshin të gjitha hapësirat e mendësisë kolektive me mesazhe, më shumë se të hapura-të nënkuptuara, që shkonin tek secili i pranishëm, sipas një kodi krejt të veçantë komunikimi.
Në atë thjeshtësinë gati primitive dhe shpellore të odës dibrane janë ruajtur vlera të mëdha të një pasurie shpirtrore unike, ku falë ekzistencës së një mekanizmi të çuditshëm demokratik, në një kohë të vështirë të vrasjes së fjalës dhe linçimit të lirisë, është prodhuar disidencë politike, estetikë, poezi, art, shkencë, filozofi, strategji, gjithçka tjetër. Aty, në ato hapsira të ngushta, fjala kishte fuqinë dhe magjinë e hapësirave të pamata, që kalonte dete dhe oqeane, shtete dhe kontinente.
Këto ishin nga të paktat orë të ditënatës së asaj shtëpie mikpritëse, kur i zoti i shtëpisë ndodhej vetëm, pasi thuajse gjithë herët oda e madhe ishte plot me burra… Nga miqtë, Islamaj nuk mërzitej kurrë, ndonëse kishte gjithëherë ngushtësi ekonomike. Pritja e miqve në konak shoqërohej nga një kortezi solemne, që shkonte deri në madhështi, diçka krejt e veçantë, e cila ngjasonte aq shumë me pritjet që u bëheshin në botën e qytetëruar kryetarëve të shteteve.
Oda e Islamajt ishte pjesë e odës së Blliçes, ku tirreshin në një tezgjah të përkryer të fjalës me nënkuptime brengat dhe hallet e një kohe të vështirë, kur vetëçensura pati goditur në mënyrë vrastare fjalën dhe kuvendin e burrave. Oda e Blliçes ishte një nga më të hijshmet dhe më fisniket në trevën e Dibrës, pasi edhe qëndresa e saj ndaj frymës ideologjike të kohës, mbushur me hosanara bolshevike, qe në nivele të epërme. Pra, në odën e Blliçes, rezistenca ndaj të keqes, që kishte pllakosur krejt vendin, ishte organizuar në atë mënyrë, që të mund të përçonte tek të gjithë kuvendarët e odës mesazhe mosaprovimi dhe rebelimi ndaj të keqes kolektive, e cila si një lubi gllabëruese kishte pushtuar gjithë hapësirën e trojeve shqiptare, në Shqipërinë administrative, nën pushtetin e komunistëve.
Në kohën kur zhvillohen këto ngjarje, Blliçja ndihej e rrethuar dhe e kërcëuar për çdo çast, nën terrorin e përgjimit dhe përndjekjes së sigurimit, që e konsideronte këtë fshat një bastion të “armiqve të brendshëm” dhe “armiqve të jashtëm” dhe çdo banor të saj një “armik” potencial të regjimit.
Miqtë patën ardhur të gjithë dhe në dhomë nuk pipëtinte as miza. Në shtëpinë e Islamaj Skepit, i zoti i shtëpisë, ulur në qoshe, pranë oxahkut, që megjithëse pranverë ende nxjerr tym, për shkak të rezistencës së atij dimiri të gjatë dhe zemërak, që e kishte të vëshirë për të dalë, rrinte e mendohej gjatë, teksa mbush çibukun me duhan të fortë, të cilin e ndez me një uror dhe me eshkë, të cilën e ka marrë nga bjeshkët e tij në Gramë. Dikur gjithë ajo hapësirë bjeshkore, me pllaja e lëndina mrekullore, me guva, kroje e drurë shekullorë ishte e të parëve të tij, ishte e tij. Sot, atyre anëve, enden repartet e ndjekjes, ushtarët dhe “populli ushtar” vigjelojnë, që të mos preken kufijtë e Republikës, që njerëzit të vdesin të lumtur nga uria dhe sëmundjet, duke duartrokitur!…
Ishin vënë pikat mbi “i”, të gjithë të pranishmit patën dhënë mendimin e tyre, por ai që vendoste ishte i zoti i shtëpisë, që pati biseduar në hollësi gjithçka që lidhej me atë ikje të madhe. Bisedat tani vërtiteshin në “liri”, por përsëri me “kode”, pasi në atë kohë mjerane e delirante jo më kot thuhej se “edhe muret kanë veshë”!
Islamaj sillte ndërmend gjithçka që kishte ndodhur në atë fshat të shpallur “karantinë”, që banorët i konsderonte të infektuar me “bacilin” antikomunist, ku shpata vrastare e Diktaturës kishte rënë që në mesin e Luftës së Dytë Botërore, kur 23 dhjetor 1943 qenë vrarë në “sportin” gjakatar të “gjuetisë së shtrigave”: Haziz Alia, Fil Skepi, Mudë Coli, Ramadan Dika, Han Tota, Hysen Dika, Arif Pergjegji, Sali Noka. Vrasjet politike do të vazhdon pa ndërpreje dhe me ritme më të çmendura pas të ashtuquajturit “Çlirim” të vendit, që në fakt ishte një pushtim mizor, më i egër dhe më brutal se të gjitha pushtimet e huaja që kishte njohur Shqipëria gjer atëherë. Grupet “antiparti” në Blliçe pasonin njëri-tjetrin, duke bërë që fshati me ky fshat, i damksour me “damkën” e “tradhëtisë”, të shpallej i mallkuar nga klika enveriste, që instruktihej dhe frymëzohej në këto akte linçimi dhe barabarie nga emisarët e Moskës dhe Beogradit.
Ora kishte kaluar dy e natës dhe burrat i pati mbështjellë një re e kaltër tymi, për shkak të duhanit të pirë pareshtur përmbi shtatë orë, teksa i jepnin drejtim ikjes, asaj ikje që deri atëhere nuk kishte ndodhur askund, pasi plot 42 vetë, burra, gra e fëmijë, njerëz të vetmuar e të të pakënaqur me atë regjim shpellor, i cili trumbetonte parajsësn e realizonte ferrin e të gjallëve mbi tokë, do të çanin nëpër errësirën e natës dhe mes plumbave në kufi, me kokë në torbën e një fati që nuk dihet se ku do t’i çonte, do të përfundonin pas një odiesje të gjatë në botën e lirë.