Dromca kujtimesh me Prof. Ramiz Kelmendi

0
478
Ramiz Kelmendi me studentë

Prof. Ramiz Kelmendi në mesin e studentëve (SHLP, Prishtinë 1987)

Zymer Mehani

(Në shenjë nderimi dhe respekti për shëmbëlltyrën e Tij)

Ishin vitet ’80, kur në Kosovë gjithçka vlonte.

Ne, asokohe ishim aktivë pothuajse në çdo zhvillim që bëhej, sikurse i tërë populli ynë.

Më 1986, në muajin qershor, u shpall konkursi për pranim të studentëve në vitin e parë në SHLP të Prishtinës, në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Meqë gjuhën shqipe e kam dashur gjithmonë, vendosa të konkurroja për t’u regjistruar. Duhej që t’u nënshtroheshim provimit pranues. Më kujtohet sikur sot, kur në sallë u fut Prof. Ramiz Kelmendi me Prof. Ahmet Kelmendi dhe Prof. Mazllum Hasimja.

Erdhi prof. Ramizi dhe më pyeti se cili isha dhe prej nga vija. Unë si me druajtje, meqë ishte provim pranues, iu përgjigja. Më shikoi me buzëqeshje dhe më tha: “Ti çuni i mirë, a di të shkruash diçka për Migjenin?…Unë iu përgjigja:-Po…..Duke qeshur më tha se po i shëmbëlleja në figurën e tij (sepse edhe unë isha dhe sot jam i hajthëm si Migjeni ynë).

Unë këtë krahasim e mora si privilegj. Profesor Ramizi më tha:-Shkruaje temën: “Pse e dua Migjenin”. Dhe për këtë temë shkruajta aq sa kisha njohuri atëherë. Profesori pas afro gjysmë ore erdhi dhe më tha: -A ka mundësi të shikoj çfarë ke shkruar?… Dhe lexoi pak rreshta…e papritmas m’u drejtua:- Urime, urime! Ti tashmë je student yni. Unë dot s’u përmbajta nga gëzimi …

Kujtimi tjetër me Prof. Ramizin:
Ishte data 13 nëntor 1987, kur unë isha në vitin e dytë. Erdhi Prof. Ramizi dhe na pyeti se cili nga shkrimtarët tanë ka vdekur në moshën më të shtyrë. Ne i dhamë përgjigjet tona. E dikush prej nesh e përmendi emrin e DE RADËS. -Ju lumtë, studentë! -na tha. Dhe profesori na u drejtua dhe me pyetjen se cili prej shkrimtarëve shqiptarë është më i moshuari që dhe sot jeton… Nuk ia dolëm t’i japim përgjigje…

Profesori na u drejtua se më i moshuari prej shkrimtarëve shqiptarë që dhe sot jeton është liriku ynë i madh, Lasgushi….. Por, një natë më parë, meqë burim informacioni më të dashur unë asokohe e kisha Radio Tiranën, isha informuar se Lasgushi shkoi në amshim…… E ngrita dorën dhe i tashë:-Prof. me keqardhje ju njoftoj se Lagushi ka ndërruar jetë mbrëmë… Pa një pa dy i rrodhën lotët dhe na luti për minutin e heshtjes për Lirikun e madh…

Kujtimi i radhës me Profesorin e nderuar, Ramiz Kelmendi

Ne si të rinj që ishim, normalisht se edhe në të shprehur nuk kishim kujdes me profesorët tanë. Kur kishim nevojë, atyre u drejtoheshim me “Ti”. Një ditë Prof. Ramizi na u drejtua me një strofë, që kurrë në jetë s’e harroj:

“Pse ju që jeni ti
Mua që jam JU
Më thuani TI,
Kur unë që jam Ju
Juve që jeni TI
Ju them JU ?!!!!”

E jeta është kjo… Kalon, por kujtimet mbeten.

I ndrittë shpirti në amshim Prof. Ramiz Kelmendi, që bëri shumë për arsimim të brezave të tërë në Kosovë!