Pritja dhe fluturat e lirisë

0
368
Fatmire Duraku

Fatmire Duraku

Pritja dhe fluturat e lirisë

Tashmë ka rënë mugu e jam vetëm,
Mbi letrën pa asnjë të vetmen shkronjë.
E ndjek udhën nga humbe larg pa sy
Ikën dhe kaq vjet dhe ende flas me ty
Me hijen tënde të rënë mbi librat
Shkruaj vargje për gjërat e zgjuara amshimit
Vargje për pritjet, tronditjet, për fluturat
Në fluturim të fundit nga flaka e qiririt
Përtej qelqit të dritares njëjtë malet
E thinjura gjithnjë nën borë
Plepat rrëzë kodrës varg dhe varg
Për vigun nga kalbet mbi lumin larg.

Oh, si s’zgjohet Migjeni t’i bie malit
Me grushtin e vet të vogël në zemër
Malit që hesht e digjet e digjet në mua
Brenda e jashtë këngës me të cilat varem,
për të arritur edhe një herë në ag,
për të arritur dhe në herë të Lidhja e Prizrenit,
të ngrihem lart për jehonë të lirisë në betejë
për të arritur dhe një herë te Lidhja në Pejë,
të shtrëngojmë duart Besa–Besë.
Asgjë kurrë nuk ka përfunduar për Kosovë
Prapë bie borë në Shalë, bie borë në Rugovë.
Unë patjetër do ta shkruaj lirinë,
E përgjakur jam nisur në luftë, të vdes.

Tashmë ka rënë mugu e jam vetëm
Mbi letrën pa asnjë të vetmen shkronjë
Shkruaj siluetat e kujtimit zgjuar në shi.
Ja kanë mbetur veç jehonat,
Vetëm fyejt dhe varret për liri!

Netët e acarta

Shpërthen vetëtimat bubullimat shiu
Mbetën vetëm gjurmët tua në ikje
E bërrylat e udhës gungaçe në vetmi
Ngelën pemët hije të thara qyqet
T’i lënë virusin e dhembjes shpirtit
Shterpësinë pjergullës së shtëpisë
Vitesh s`u ndal shiu as dhembja
Çdo gjë të lashtë, të bukur e dogj
Hëna nën plagë pa dritën e vet e verbër
Shkruante vetminë e thellë të qiellit
Të pullazeve të udhëve e maleve nën borë
Ashtu si vriteshin përhitjet ne vetveten
Dhe ne fund ra ura e vjetër e drunjtë
Andej të mbesin fushat e këndej varret
Dhe përplasjet me netët e acarta

Katana

Rrënja trungu dega gjethi lulja e fryti
Nuk ndërron asgjë kurrë kjo udhë
Me zogjtë në fluturim nga dega e amshimi
I flakës së lulëzimit i frymës e i shpirtit
I katanasë në ajër me aromë të së dielës
Në të cilën ti del dhe shëtit në këmishë të bardhë
Nën kambanat e sajat-kullës së vjetër
Me hijen e adamit e evës deri te flutura
Që ik e fshihet nga shiu në jakë të këmishës
Të fluturojë prapë me ëndrrën tënde
Me orët dhe ditët dhe vitet e rrathët
Brenda lëkurës së përgjakur të atdheut

Nuk ndërron asgjë kurrë në ty dhe mua

II

Katana ik qiellit të kaltër udhës së syrit
Nga flutura rrah me krahët e shkruar të botës
E ngjyra e gjakut dhe ngjyra e abanozit
E krijojnë peizazhin më të bukur të gjakut
E dita dhe dallëndyshet dhe lulet
Marrin kuptimin e së kremtes së lamës
Nën kambanat që zgjohen qiellit të atdheut
Ja dhe libri ku ti ke shkruar vargjet për duart e mia
Për lëvizjen e botës brenda fjalës së zjarrtë
Për kumbullën që piqet në degë

Katana ndërsa me copa letrash me fjalët
Të radhitura me dorëshkrim si gjakshkrim
Mbi vizatimin e gjithë jetës në një gjeth
Ik qiellit nga e tërheq peri i shikimit të syrit
Duke lënë vijnë e bukur të piktorit mbi ëndërr

Katana e fushës së djegur të kujtimit

Letra e gabuar

Kjo letër që ta nis nesër
Nuk është kjo që është
As është pendim falje lutje
as drejtpeshim i botës

nuk është kjo që është
si në pasqyrë të thyer
të shtrembërohen ndjenjat

këtu bardh aty zi asgjë
as kuptim as pakuptim
si shënim i thjeshtë
për shpirtin e vdekur
ku shlyhet ajo që s’të pëlqen
ku shtohet ajo që të djeg
ku harrohet pjesa tjetër

as shlyhet as harrohet
sado që është kaq e gabuar