ARTISTI QË I KUPTONTE MIRËFILLI IDEALET KROATE DHE SHQIPTARE

0
878
Muhamet Sadiku - Kiço Slabinac

Muhamet Sadiku dhe Kiço Slabinac, Zagreb, 2008 

Në kujtim të këngëtarit të shquar kroat, Kiço Sllabinac (1944 – 2020)

Shkruan: Muhamet Sadiku

Vazhdojnë të ndërrojnë jetë një varg këngëtarësh dhe autorësh kroatë. E kam fjalën për një brez të artë. Më kujtohet vdekja e Vice Vukov, Arsen Dediq, Oliver Dragojeviq, Kemal Monteno dhe tani së fundi edhe vdekja e Krunoslav Kiço Sllabinac.

Edhe pse në rrethana të pandemisë, vdekja i preku thellë shumë njohës dhe dashamirë të muzikës; u kujtua në mënyra  të ndryshme në shumë qytetet të Kroacisë. Në nderim të kujtimit të këtij këngëtari të shquar në Sllavoni, po dhe në disa  qytetete, u organizuan nëpër sheshe koncerte të hapura me këngët e tij të njohura.

Edhe gjatë ceremonisë së varrimit në “Mirogoj” u kënduan këngët e njohura të tij.

Kico Slabinac me muzikë dhe me aktrim filloi të merret nga shkolla fillore. I binte tambures dhe aktroi në teatrin e fëmijëve. Qysh herët e donte muzikën e Elvis Prislit. Kjo ndikoi që tamburen përkohësisht ta zëvendësonte me kitarë. Filloi të ndiqte shkollën e muzikës, ku me kitarë bënte muzikë klasike.

Në fillim të viteve ‘60 e formoi grupin e parë rok “Kon Tiki”,  “Tornado,”  dhe, më në fund, “Dinamiti.”

Pas largimit të tij nga grupi “Dinamiti,” atë e zëvendësoi Dado Topiq.

Krunoslav Kiço Slabinac për kohë të shkurtër bëhet njëri ndër këngëtarët më të popullarizuar në ish – Jugosllavi. Në karrierën e tij të gjatë bashkëpunoi me shumë autorë të muzikës siç janë: Gjorgje Novkoviq, Zdenko Runjiq,  Ivica Krajaq, Mario Mihaljeviq, Arsen Dediq,  Maja PerfilevaDrago Britviq,  Kemal MontenoHërvoje Hegedushiq e të tjerë. Me këngët  “Biondina” dhe “Për një grua të zezë” ai arriti kulmin e karrierës së tij.

Në rrugën ku banonte,  fqinj i kishte pasur disa familje shqiptare, e që i ushtronin zejet e rralla, siç ishte argjendaria. Kiçon në familje e kishin edukuar që t’i donte dhe t’i nderonte të gjithë njerëzit, pavarësisht nga feja, kombi dhe ngjyra. Në fillim të viteve të ‘60 – ta, ai në Osijek e formoi grupin muzikor “Dinamiti” dhe njëri nga anëtarët e këtij grupi ishte shqiptari, Albert Krasniqi – basist. Në të vërtetë edhe familja e Kiços kishte marrëdhënie miqësie me këtë familje shqiptare që vinte nga Prizreni.

Kontaktet e para me kulturën dhe me muzikën shqiptare

Kontakti i parë i tij me kulturën shqiptare i përket vitit 1970, kur në festivalin shëtitës “Mirëmbrëma, Jugosllavi,” ishte takuar me ansamblin “Shota” nga Prishtina. Ishte fascinuar me paraqitjen e këtij ansambli. Ky festival mbahej sipas përfaqësimit nacional; shëtiste nëpër Evropë, në ato shtete ku kishte koncentrim më të madh të mërgatës së atëhershme. Mërgata kroate dhe shqiptare ishte e madhe dhe e organizuar politikisht.

Një njohje me të ndjeshme me Kosovën e përjetoi në vitin 1970 me pjesëmarrjen në festivalin “Akordet e Kosovës” në Prishtinë. Në të vërtetë, në këtë vit Kiço ishte në kulmin e popullaritetit të tij. Kjo bëri që ai të ftohej për pjesëmarrje në të gjitha festivalet e muzikës zbavitëse në të katër anët.

Pas ftesës nga Prishtina, ai s’kishte hezituar aspak që nga kureshtja, ta vizitonte Prishtinën dhe të këndonte në Festivalin e Kosovës. Meqenëse fitonte edhe atje ku nuk duhej, duke u përballur me refuzim shtetëror jugosllav pas vitin 1974, ai iu kthye këngës sllavone duke promovuar shumë hite të paharruara (“Inati se Slavonijo,” “Slavonski beçari,” “Umro je mirisima jutra,” e të tjerë).

“Dëshiroja që me praninë time të fuqizoj këtë ngjarje kulturore që quhej Akordet e Kosovës. Edhe shqiptarët si popull autokton e meritonin një festival të vlerave të larta muzikore. E konsideroja privilegj njoftimin me shumë autorë nga Kosova, meqë ishte hera e parë që u gjenda në Prishtinë. Prania ime zgjoi interesim të madhe tek qytetarët. Atje u njoftova me Nexhmije Pagarushën dhe Sabri Fejzullahun, me të cilin një këngë e kënduan në dy aranzhime dhe në dy gjuhë, shqipe dhe kroate. Më kujtohet se kënga quhej “Vetëm për dashuri” dhe e fitoi njërin nga shpërblimet e festivalit.

I kuptoja vështirësitë e barrierave gjuhësore që i pengonin shqiptarët që me vlerat e tyre të pakontestueshme të depërtonin në ish – Jugosllavi. Edhe në filmat e dikurshëm e kisha vërejtur vitalitetin e popullit shqiptar. Në vitin 1971 e kam përfaqësuar Jugosllavinë në Eurosong, mbajtur në Dablin, me këngën e kompozitorit kroat Ivica Krajaç “Djaloshi yt i pikëlluar” (Tvoj dječak je tužan). Në provën gjenerale kjo këngë e kishte fituar numrin më të madhe të votave, por në finale gjërat kishin ndryshuar dhe kënga u plasua në vendin e 13. Përkundër këtij plasmani, emri dhe fotoja ime ishin gjendur në ballinën e gazetës së njohur londineze “Daily Mirror” me tirazh prej 7.5 milionë kopjesh.”

Rroka mandolinën” dhe “Krisi pushka …”

Në kuadër të marrëdhënieve me artistë shqiptarë të Kosovës, Kiço veçon emrin e Shyqri Nimanit, i cili ishte mysafir i tij në një shou program të RTZ – së në vitet ‘70 – ta. Madje, në këtë shou program në duet e kishin kënduar këngën shqipe “Rroka mandolinën.” Kiço insiston të përmendë miqësinë dhe ndjenjën e respektit për popullin shqiptar. Pas informimit tim se kënga e tij “Biondina,” që bëri bujë të madhe, ishte përkthyer nga Jusuf Gërvalla dhe kënduar nga Sabri Fejzullahu, u emocionua dhe insistoi që t’i sigurohet teksti në gjuhën shqipe dhe se me dëshirë do ta këndonte edhe shqip. Rreth kësaj ai shkroi: “Shërbimin ushtarak e bëra në Podgoricë dhe prapë kisha zënë mjaft miq shqiptarë. Nga shoqërimi me shqiptarë në shërbim ushtarak në Podgoricë, i kisha mësuar edhe dy këngë shqipe: “Rroka mandolinën” dhe “Krisi pushka…”

E dija domethënien simbolike që kishte kënga e dytë për shqiptarët, por edhe për kroatët. Kjo u pengonte oficerëve duke e ditur që po i këndonim një pushke. Kuptohet pushka shqiptare. Në të vërtetë, oficeret këtë këngë e lidhnin me buntin (kryengritjen) kroat dhe shqiptar. Kjo vërehej edhe në mesin e ushtarëve kroatë dhe shqiptarë që tregonin interesim për këtë këngë. Neve, këngëtarëve dhe artistëve kroatë, në disa mjedise, na ngarkonin me hipotekën e Jasenovcit, të NDH – së, dhe të popullit gjenocid. Kjo ishte bërë pengesë për punën artistike të autorëve kroatë në ngjarjet kulturore dhe muzikore. Në karrierën time artistike isha përballur me sfida të shpeshta politike. Më akuzonin për theksimin e përkatësisë nacionale nëpër revista dhe emisione televizive. Hovi artistik i këngëtarëve kroatë u pengonte qarqeve shoviniste në Serbi. Duke ditur se në çfarë rrethanash politike po punoja unë, babai më këshillonte për urtësi, ngase i dinte dredhitë komuniste.

Konfliktin e parë të hapur politik e pata në vitin 1973, kur po këndoja për karvanin muzikor “Kënga e verës,” në Tashmajdan të Beogradit, me ç’rast kisha ngadhënjyer mbi idhullin e këngës serbe, Gjorgje Marjanoviq, apo, siç e quanim, “Gjokica.” Këtë fitore në midis të Beogradit disa nacionalistë serbë nuk mundën ta përpinin fitoren e një kroati dhe më kishin sharë dhe kërcënuar edhe me rrahje. Mezi e kalova këtë situatë të pakëndshme dhe të rrezikshme. Miça Orloviq e kishte nxjerrë revolen dhe kishte shtënë në ajër për të frikësuar sulmuesit. Në pajtim me sugjerimet e babait tim, unë heshta dhe asnjëherë nuk e bëra publike këtë incident nacionalist në Beograd, sepse sipas babait, do të më shpallnin si rrënues të “vëllazërim – bashkimit.” Edhe në karvanin “Kupa e këngëtarëve” e kisha mundur Gjokicën me këngën time “Në netët e gjata.” Mirëpo, juria bëri një manipulim dhe fitoren time, edhe pse të deklaruar, ia dhanë padrejtësisht “Gjokicës.” Më pas qeshë akuzuar nga “Gjokica” dhe filluan të më bënin pengesa në karrierën time muzikore.

Pas këtyre incidenteve të provokuara në Serbi, dy gazetat sarajevase “Ven” dhe “AS,” kishin publikuar shkrime, në të cilat theksohej, kinse, karakteri nacionalist, klerikalist i imi dhe zbavitës i ustashëve!  Në ndërkohë qarqet serbe, e kishin prodhuar një këngëtar tjetër të “vëllazërim – bashkimit” – Zdravko Çoliç, të cilin shumë shpejt e kishin dërguar edhe në Eurosong. Ky ishte modeli komunist i muzikës argëtuese të asaj kohe. Unë dhe disa të tjerë nuk e pranonim këtë model.”

Në fund të viteve të 80 – ta, Krunoslav Kiço Slabincit, i kujtohet jehona që kishte bërë greva e minatorëve të Trepçës, sidomos e kishin gëzuar kërkesat politike që po i shtronin minatorët para opinionit dhe politikës zyrtare. E kuptonte lirinë për të gjithë, para së gjithash për kroatët dhe shqiptarët. Njëkohësisht i kuptonte padrejtësitë nacionale që po u bëheshin shqiptarëve në ish – Jugosllavi. Kur ishte luftë në Kroaci, ai u kishte dalë në ndihmë shumë familjeve kosovare që jetonin në qytetet e shumta të Sllavonisë.  Kishte pasur marrëdhënie e komunikim të mirë me komunitetin shqiptar në Kroaci.

E dërgoi për botim: Anton Nikë Berisha, shkrimtar