Kur ta shkruaj luftën në libër-do të vdes!

0
300
Kimete Berisha - Venezia

Kimete Berisha

Kur ta shkruaj luftën në libër-do të vdes!
para 14-të vitesh e rrethuar nga vrasësit
Këtu në këtë fshat,
qaja për dashuri
Gratë që më pyesnin: për kë qan, kanë vdekur nga pleqëria.
Nana ime u thoshte: po qan për një shoqe të vrarë,
Turpërohej t’u tregonte se unë po qaja për dashuri,
Veç meje, të gjithë kishin dëgjuar se dashurinë time e kishin vrarë,
Diku në Bregun e Pikëllimit, shumë afër Diellit
Nganjëherë këndoja,
Kur shoqet e luftës qanin,
A po shpëtojmë?- përditë e pyesja Lulen,
Me “Jo”-gjithmonë përgjigjej ajo.
Atëherë, le të vdesim duke kënduar,
që të dukemi bukur,
E vërteta e parë që e kuptova në luftë ishte barazia
Lufta na barazon,
në kolonë, të gjithë jemii të barabartë
Askush nuk dallon
Lufta nuk është natyrore
Se Zoti nuk i barazon njerëzit
Zoti ka dashur që secili të jetë i vetmuar
Që askush të mos jetë i njejtë.
Që secili të vdes në mënyrën e vet
Në luftë askush nuk e di emrin e vrasësit të tij,
Natë e ditë mendoja se si do të quhet vrasësi im
Shumë shumë më dhimbsej vetja që do të vritesha
nga një njeri që nuk e njoh
që s’ka të bëjë asgjë me mua,
E vërteta e tretë ishte Zoti
Të cilit për tre muaj luftë nuk iu luta asnjëherë
Plakat flisnin për mëkatet tona,
Zoti e di çfarë na mungon, s’ka nevojë ta lusim
që ta shpëtoj jetët që na i ka dhënë vet,
Se ne jemi jetët e tij
30 Maj 1999
natën nëpër dritë të hënës, duke ikur nga vdekja
për herë të parë nuk ma uroi askush ditëlindjen,
Mburojë e gjallë, në një fshat tjetër,
Fort dëshirova të vdes. Do të ishte festë vrasja ime. Dhe
Ndoshta vetëm unë nga 50 gratë që iknim së bashku e kisha ditëlindjen
Të vërtetën e fundit e kuptova të nesërmen
Rrugës së panjohur, nëpër kolonë.
Një kamion kaloi pranë nesh, me sa shumë burra të zhveshur
Kurrë nuk e kuptova kush qenë ata,
po e dita që i çuan për t’i vrarë
Para se t’më lëshonte trupi
m’u terruan sytë
U ula përtokë, nuk shihja gjë, nuk ndjeja gjë, vetëm dëgjoja
Shqisa e fundit që vdes është dëgjimi
E kuptova edhe të vërtetën e katërt
Që njeriu në shtrat të vdekjes dëgjon
Të gjithë vazhduan rrugës për në kolonë,
Përveç nanës time,
E dëgjoja që qante e më luste të çohem në këmbë.
Por unë nuk ndjeja asgjë,
Nuk shihja asgjë
As s’më dhimbsej vetja, as nëna,
Dy vrasës na urdhëronin të vazhdojmë rrugën e vdekjes,
Pas pak në gojë ndjeva ëmbël shijen e sheqerit
që ma lëshoi në gojë njëra nga gratë e kolonës,
E dëgjoja nanën time kah i luste viktimat në kolonë
siç nuk e ka lutur Zotin asnjëherë
që t’ia jepnin për mua edhe një pikë ujë,
Nuk ia dita emrin gruas që ma ktheu dritën e syve,
U ngrita në këmbë,,
E bindur, se vdekja nuk është punë e madhe siç kam kujtuar
më s’do të frikësohem,
Po të ishte vështirë, s’do të vdisnin fëmijët, frikacakët dhe pleqtë,
Në një shtëpi të vjetër të rrethuar me do vrasës të tjerë
Shoqet e luftës hipën në katin më të lart, në “dhomën e vajzave”
S’di pse nuk i lash’ të kërcenin,
S’di pse nuk kërceva bashkë me to
S’di pse më besuan kur u thashë: Pritni,
ta shtyejmë vdekjen për një ditë tjetër.
Të vdekura- vdesim nesër.
Sot do t’i shkurtojmë flokët,
Plakat po na frikësojnë se s’duhet të dukemi bukur.
Po, nëse do të dukemi si djemtë-do të na vrasin për ushtarë,
Duke qeshur e duke qarë, të gjitha i shkurtuam flokët,
Nuk dukeshim të shëmtuara,
po të mjera dukeshim,
as vajza as djem’,
pa gjini
Nuk na vranë atë ditë,
Na kthyen të ecnim nëpër tokën e minuar,
për t’i detyruar që t’i dorëzojnë armët luftëtarët e lirisë,
Ecnim nëpër tokën e djegur, e disa nuk shpëtuan,
I pamë kur u shtrinë për toke, u vranë
Nuk e kthyem kokën,
Nusja që u ngrit në këmbë për t’i gjetur ujë vajzës së saj të vogël
që qante me zë të lartë sa krisma e armëve, u vra në hapin e saj të parë.
Askush, ama as plaka më e vjetër nuk e ktheu kokën,
asnjëra nuk lëvizëm nga vendi, sikur nuk ndodhi asgjë.
Askush askujt nuk i ndihmon kur është duke pritur në rend
për t’u vrarë në repartin e pushkatimit
Në luftë, vetëm vdekja nuk është lajm.
Atë natë fjetëm në tokë, të mbulura me letra gazete
Unë u mbulova me titullin e gazetës: “Liria nuk krijon heronj”,
Të shtrira në tokë,
atë natë të ftohtë qershori në një fshat
që për herë të parë ia dëgjova emrin, Shtitaricë,
Ai fshat nuk kishte luftë,
Nuset e atij fshati të gjitha me xherdane e me fustanë veshur,
me buzëkuq shtronin darkën në tryeza,
I shihnim kah na shikonin tinëz nga dritarja,
Nuk na hapën dyert,
As kur në mëngjeset e majit,
kapërcenin nëpër trupat tanë të shtrirë në gurët e oborreve të tyre,
për të dalë në qytet
për të bërë pazar
Ka pasur shqiptarë për të cilët nuk ka ndodhur lufta.
E kishim vetëm një gotë ujë, që e ruanin për fëmijë,
Të gjitha gratë lypnin derë më derë bukë,
Përveç meje,
nga dëshira që të vdes urie,
S’ka vdekje më të bukur për mua sesa të vdesësh nga uria dhe nga dashuria
E kuptova të vërtetën e nëntë:
Njeriu është më i vjetër sesa mbamendja e tij,
Njeriu ekziston para se të jetë i vetëdijshëm për qenësinë e tij
Vlera ka qenë e vogël, kësaj nuk po i kujtohet lufta që e ka përjetuar,
Prandaj, duhet të ekzistoj edhe parajsa,
Kur përfunoi lufta u shfaq heroi,
E gjeta edhe vëllain e humbur në fillim të luftës,
E kishte ruajtur dhuratën për ditëlindjen time,
Dashurinë e gjeta të gjallë,
Në Bregun e Pikëllimit, shumë afër Diellit,
Kam mbetur vetëm, që ta mbaj premtimin,
“Kur ta shkruaj lutën në libër-do të vdes”
Nuk është i lirë shpirti që e ka mbijetuar luftën
Prandaj, edhe sot, sa herë që dikush i bie ziles së shtëpisë,
unë çohem në këmbë e trishtuar, si ushtari që e ruan “Kufirin me atdhe”.
Liria është këtu dikund midis nesh,
por unë ende nuk jam shëruar nga robëria
E mbytur se e mbytur
Sot,
shpeshherë më duket se ndoshta do të kishte qenë shumë më mirë
që para 14-të vjetësh të vritesha duke ikur nga vdekja,
si krejt shokët dhe shoqet e mia të harruara, të cilët në vdekje e gjetën Lirinë,
Sesa si tash që nuk ndjej më asgjë, as s’kam nevojë për të qenë e lirë
Tash më duhet të plakem duke e kërkuar Lirinë që është pështjelluar
diku në kujtime; në pafundësi, në vetmi, në heshtje, në zbrazëti,
në pafuqi, në mure, në tradhti!
Shpirti qetësohet vetëm kur trupit të tij ia harrojnë emrin
Askund Dashuri!

(P.S. Shkruar më 13 Tetor 2013, në Oshlan)