Vështrim për vëllimin poetik “Cicërimë kanarine” të autores Tana Sedefi

0
541
Tana Sedefi - Cicërimë kanarine

Zymer Mehani

Në vëllimin poetik “Cicërimë kanarine” vogëlushja 10-vjeçare nga Prishtina, Tana Sedefi na ka dhuruar vargje të bukura për Kosovën (poezia “Kosova”), për planetin në të cilin jetojmë (poezia “Toka”), për natyrën (poezia “Natyra”, “Fshati im”), për jetën shkollore (poezitë “Talentet”, “Libri”, “Të mësoj”, “Matematika”), për stinët e vitit (poezitë “Pranvera”, “Vjeshta”, “Dimri”) për vendlindjen (poezia “Peja”), për nënën (poezia 8 Marsi”), për gjyshen e gjyshin (poezitë “Gjyshja” dhe “Gjyshi”), për dajot (poezia “Dajot”), për shoqen (poezia “Shoqja e ngushtë”), për të moshuarit (poezia “Plaku zemërbardhë”), për Vitin e Ri, për sportin etj.

Pra, vëllimi në fjalë është shkruar nga një fëmijë, me tema dhe motive të këndshme për fëmijët dhe për nxënësit e shkollave fillore. Këtë konstatim e mbështesim fuqishëm duke u bazuar në gjuhën e thjeshtë, por të pastër dhe në fjalorin, të cilin me shumë kujdes e përdor autorja Tana Sedefi.

Mund të themi se fjalë kyçe të kësaj përmbledhjeje janë: libri, nëna, gjyshi, pastaj gjyshja, pranvera, vjeshta, dimri, sporti, ngjyrat, nata etj etj., që janë të pranueshme dhe të dashura për botën fëmijërore.

Autorja Tana Sedefi në librin “Cicërimë kanarine” ka trajtuar motive nga jeta shkollore. Janë të bukura poezitë me këtë motiv: “Libri”, “Të mësoj”, “Matematika” etj. Në këto poezi mbretëron atmosfera e shkollës.

Ajo do t’u këngëtojë edhe stinëve të vitit. Poezitë që përshkohen nga motivi i stinëve të vitit janë “Pranvera”, “Vjeshta”, “Dimri” etj. Ndërrimi i stinëve te ne dhe te fëmijët shkakton edhe ndërrim të botës sonë ndjenjore.

Kur fillon të vijë pranvera, gëzohen më tepër fëmijët. Ata galdohen nga lulëzimi i luleve, nga fluturimi i fluturave, i dallëndysheve, i lejlekut etj. etj.

Edhe vjeshta pritet me dashuri të madhe, sepse ajo sjell shumë të mira për ne dhe për fëmijët. Fëmijët i gëzohen vjeljes së pemëve si rrushit, dardhës, mollës etj, por edhe shtatorit, ku sërish takohen në bankat shkollore me bashkëmoshatarët për të fituar dije.

Po ashtu, edhe stina e dimrit i ka bukuritë e veta, që fëmijët i gëzon shumë. Ta kujtojmë akullin, dëborën, fërfëllëzën, rrëshqitjen me saja e me ski me shokët e shoqet, pastaj gjuajtjen me topa dëbore, ardhjen e Vitit të Ri, që fëmijëve u sjell shumë gëzime, ndërtimin e dordolecit eti etj.

Pjesë tjetër e kësaj përmbledhjeje janë edhe poezitë për nënën, gjyshen, gjyshin, dajot etj., që janë tema dhe motive shumë të dashura për çdo fëmijë.

Gjuha e poezive të Tana Sedefit është e thjeshtë dhe e pastër. Vargjet janë kryesisht të rimuara, përplot melodicitet, që janë të adhuruara nga mosha e fëmijëve, por edhe të pasura me figuracion poetik, të përshtatshme për moshën e re. Metri i vargut është i ndryshëm. Fjalori është i kuptueshëm për fëmijët.

Biografia e autores

Tana Sedefi u lind më 16. 01. 2010 në Pejë.
Aktualisht jeton në Prishtinë dhe vijon mësimet në klasën e pestë në Sh.f. “Meto Bajraktari”. Edhe jashtë orarit mësimor vijon kurse të ndryshme. I pëlqen të shkruajë, por i pëlqen shumë edhe vizatimi, ku në klasën e tretë, vizatimi i Tanës u përzgjodh nga ambasadorja e Luksemburgut në Kosovë për kartolinat e Vitit të Ri. Kohën e lirë Tana e shfrytëzon për vallëzim dhe me shoqëri.