Lamtumirë Belul Lufo, lamtumirë Belul Slabinja

0
411
Belul Lufo

Në foto: Belul Lufo

Mokrari fisnik dhe i përkushtuar që la pas gjurmë mirësie e dashurie njerëzore…

Nga Gëzim LOKA

Një nga një po na ikin miqtë e mirë, shokët, ata me të cilët kemi ndarë bashkë kohën dhe ëndrrat, vëshirësitë dhe sfidat, gëzimet dhe arritjet, gjithashtu. Me dhimbje mësova se u nda nga jeta një tjetër mik, një mokrar fisnik e mendjehapur, një idealist fisnik, zemra e të cilit rrahu gjithë jetën, deri në frymën e tij të fundit, për Mokrën dhe Shqipërinë.

Me 2 dhjetor 2020, mori rrugën e pakthyeshme drejt përjetësisë Belul Lufo, ish kuadër i aftësuar në shërbimin ndaj vlerave qytetare, funksionar i lartë në funksione shtetërore, që bëri aq shumë për vendlindjen e tij, për mokrarët, që e deshën me shpirt dhe e çmuan gjithë jetën për vlerat e tij njerëzore e humane, kudo që ka punuar e shërbyer me ndershmëri e devocvion. Beluli ishte dhe mbeti gjersa ndërroi jetë një njeri i përkryer, modest, human, fjalëmbajtës, i muhabetit të thekur dhe me rrotulla, por mbi të gjitha, i punëve të mira e të vazhdueshme në dobi të komunitetit.

Jeta e vështirë dhe gjithë sprova, varfëria, pamundësia, nuk e mposhtën kurrë këtë njeri, që gjithë jetën e tij mbajti ndezur në oxhak zjarrin e miqësisë dhe shoqërisë së mirë, zjarr që ende nuk është shuar dhe pas ikjes së tij pa kthim dhe që vazhdon ta ushqejnë me përkushtim gjithë Mokra e tij.

Gjatë gjithë jetës së tij, të vrullshme e të ngarkuar, në çdo hap që ka hedhur, Belulin e ka karakterizuar mirësia, fisnikëria dhe dashuria e pakufishme për njerëzit.Gjithë jetën ka gëzuar respektin e njerëzve, mokrarë e jo mokrarë qofshin, pasi ata kanë parë tek Belul Lufo modelin e burrit qëndrestar, modest dhe veprues, që nuk ka ditur kurrë t’i ndajë fjalët nga veprat, mendimin nga veprimi.

Belul Lufo lindi në Velçan të Mokrës, Pogradec, më 2 tetor 1948. Ishin vite të vështira,kur shoqëria shqiptare, e sapo dalë nga agonia e një lufte të egër, dhëmb për dhëmb me mizorinë naziffashiste dhe pjellat e reaksionit, po tentonte të prekte dhe të mjekonte me bijtë e saj më të mirë plagët dhe dhimbjet.

Jeta e një fëmijë në kushtet e viteve të para të pasçlirimit ishte e vështirë dhe rrugët e jetës, në kushtet e një varfërie ekstreme, që vinte nga një e kaluar mizerabël e shoqërisë shqiptare, nuk të ofronte shumë mundësi. Por ai shkëlqeu në shkollën fillore dhe shtatëvjeçare, të cilat i kreu në fshatin e lindjes, çfarë i dha mundësinë që të vazhdonte gjimnazin në shkollën e mesme “Muharrem Çollaku” Pogreadec.

Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1966, vazhdoi Institutin e Lartë Bujqësor, të cilin e mbaroi në fillim të vitit 1971.Pa u shkëputur, fill pas mbarimit të vitit të fundit të studimeve të larta, kryen zborin e detyrueshëm ushtarak pesëmujor për officer rezervist në Gjirokastër, në Grehot.

U kthye në fshatin e lindjes, në vendin e rrënjëve dhe degëve të tij me ëndrra që i vlonin në gji, për të dhënë më të mirën e mundshme për bashkëfshtarët, për gjithë mokrarët e tij.
Për një vit, 1971-1972 do të punojë si kryeagronom në kooperativën bujqësore të Blacës, ku luftoi me mish e shpirt për të ndikuar në rritjen e prodhimeve bujqësore dhe të mirëqenies së njerëzve. Për dhjetë vjet rresht, nga viti 1971 deri në vitin 1981, kryen stazhin si kryeagronom në Slabinjë të Mokrës, ku e gjeje gju më gju me fshatarët, për të bërë më të mirën për jetën e tyre.

Për rezultate të mira në punën e tij, për përkushtimin dhe përgjegjësinë që tregonte çdo ditë, e emëruan kryetar kooperative në Slabinjë dhe ai shkonte fshat më fshat, lagje më lagje e shtëpi më shtëpi për të mobiluzuar njerëzit, që të përfshiheshin në sfidat e kohës, për të rritur rendimentet e kulturave bujqësore e blegtorale, vlerën e ditës së punës e për rrjedhojë vetë mirëqenien e tyre. Për shkak të popullaritetit të lartë që gëzonte, fjala e tij ishte ligj në kuptimin e mirë të fjalës, të mobilzimit mbarëpopullor në punë e aksione.

Njerëzit e donin dhe e respektonin, i bindeshin dhe i besonin, ndaj nisën ta thërrisnin Belul Slabinja, në mbimeër të trevës ku po kontribunonte me mish e me shpirt për të ndryshuar jetën e këtyre banorëve. Kudo që vajti për të punuar la gjurmë të bukura, u shkri me jetën e gjallë të njerqëzve të thjeshtë, duke qenë modest dhe komunikues, i hapur dhe praktik.

Karriera e tij do të kulmojë në vitin 1982, kur u zgjodh të kreynte detyrën e lartë të kryetarit të komitetit ekzekutiv të rrethit Pogradec, ku barra e përgjegjësisë ishte tepër e madhe, angazhimi ditë e natë në zyrë, por dhe mes njerëzve, mes halleve e brengave të tyre, në kërkim të zgjidhjeve sa më të drejta e sa më afër nevojave konkrete të banorëve. Kështu vazhdoi në këtë detyrë të rëndësushme një vit, për të vijuar pas një viti pune plot pasion e përkushtim në funksionin e sekretarit të parë për Pogradecin, detyrë në të cilën qëndroi pesë vjet, deri me rënien e sistemit njëpartiak dhe nisjen e procesve demokratike në Shqipëri.

Në këtë kohë të çlirimit të energjive të mëdha të shoqërisë shqiptare, që për fat të keq u shoqëruan dhe me rrëmujë, anarki dhe kaos social e shoqëror, Belul Lufo do të punonte në detyra të rëndësishme shtetërore si drejtor i ndërmarrjes së ujërave Pogradec, agronom në këtë ndërmarrje etj.

Më tej do të merrej me tregti, ku nga viti 2005-2013 do të kryente shkëmbime mallrash dhe tregti në Maqedoni, Bullgari, Rumani, Greqi, Itali. Pas daljes në pension në vitin 2013, nuk ka reshtur për asnjë çast së mbajturi gjallë kontaktet me njerëzit, të cilët e donin dhe e quanin Belul Slabinja, si dikur kur ishte i ri e plot energji dhe ngjallte optimzëm tek të tjerët.

Nga viti 1974 e në vazhim ka qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Pogradecit, deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë në tre legjislatura, prej të cilave dy legjislatura në kohën e komunzimit dhe një në demokraci. Ka qenë kandidat i KQ të PPSH për tre vjet si dhe anëtar i Komisionit për Hartimin e Projekt-Kushtetutës së Re për dy vjet.

Belulin e kam njohur nga afër në kohën kur isha oficer në Mokër, kemi pirë me të dhe ndonjë gotë raki e kemi folur gjërë e gjatë për hallet e kohës dhe të njerëzve, e këtë muhabet të ëmbël, gjithë shije jete, e ruaj edhe sot, pas kaq e kaq vitesh. Atë kishe dëshirë ta kishe mik, të shkëmbeje me të një fjalë, një përshëndetje, të rrugëtoje në kohën e kujtimeve dhe ëndrrave të jetës, disa prej të cilave mbetën në sirtar, por shumica morën udhë kudo nëpër atdhe dhe Belul Lufta ka qenë, ishte dhe mbeti, edhe pas ndarjes fizike nga jeta, lajmëtar i këtyre ëndrrave, lajmëtar i vlerave të mëdha të dashurisë së pathyeshme që lidh kohët dhe njerëzit, brezat dhe epokat e kësaj shoqërie.

Tani Belul Slabinjën, mikun e të gjithëve, nuk e kemi më. Ai ka ikur në rrugën pa kthim drejt përjetësisë. Por pas kanë mbetur të gjalla kujtimet dhe ëndrrat e tij të bukura për jetën dhe vlerat njerëzore. Lamtumirë, miku im i çmuar! Do të na mungojë gjatë buzëqeshja jote, fjala jote, mençuria dhe humanizmi që të shoqëronin në çdo ndenje e bisedë, në çdo komunikim, të cilit ti i jepje sharm me shpirtin tënd të çiltër, me mendjen tënde të hapur.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar