NUK ISHA STUDENT I DHJETORIT

0
404
Mehmet Elezi - Nuk isha student i dhjetorit

fragment nga libri me të njëjtin titull

Nga Mehmet Elezi

1.
Nëse pranojmë se koha është shndërrimi i lëndës, mund të thuhet se në Shqipëri kishte rrjedhur shumë më pak kohë se në vendet e tjera të kontinentit. Ose, herë-herë, kishte rrjedhur në drejtim të kundërt.

Me 6 nëntor 1990 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u mblodh plenumi i 12-të i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë (PPSH). Nuk më ndërmendet saktësisht si qe formuluar tema, por ishte për çështje të ditës. Qysh nga fundi i gushtit punoja në komitetin e Partisë në Elbasan.

Gjatë kësaj kohe, në paqe me vetveten, i isha kthyer poezisë. Shkruaja dhe jetoja me të. Mendova se plenumi i njoftuar për datën 6 nëntor po më jepte rastin me shtrue haptazi do probleme që zienin në rrethet intelektuale të Tiranës. I kisha trajtuar, për disa prej tyre kisha paraqitur propozime me shkrim në Komisionin Ideologjik të Byrosë Politike dhe në organizatën bazë të partisë, ku merrte pjesë Ramiz Alia. Tashti duhej shfrytëzuar për këtë qëllim forumi më i lartë i partisë, siç quhej plenumi i Komitetit Qendror.

Në Elbasan takoja përditë njerëz që hiqnin keq e vuanin sa me të therë në zemër. Shtjellimet që bënin, gjendja e tyre e strehimit, e ushqimit e deri te veshja, herë-herë më kujtonin skenat natyraliste të Zolasë ose përshkrimet e Irvin Stounit në jetëshkrimin e Van Gogut.

Çelësi i ndryshimit kishte një emër: pluralizëm politik. Duhej me u kapë te çelësi. Vendi ziente, por në forumet e partisë deri atëherë kurrkush s’e kishte zënë në gojë. Roli udhëheqës i partisë komuniste ishte i sanksionuar në kushtetutë. Për më se katërdhjetë vjet pëshpërima më e vogël që mund ta vinte në dyshim këtë rol udhëheqës vlerësohej si thellësisht “antiparti”, “tradhti kombëtare”, lojë e armiqve të brendshëm e të jashtëm. Dhe paguhej me krye.

Dukej se tashti po ndryshonin kohët. Vendosa me kërkue institucionalizimin e pluralizmit politik. U përgatita me shkrim. Ramiz Alia ma dha fjalën në mbyllje të ditës së parë të plenumit, me 6 Nëntor. U ndala në tri çështje, duke marrë shkas nga sa shihja në Elbasan.

2.
E para, privilegjet. Privilegjet kanë marrë përmasa të mëdha, deri në korrupsion. Më shumë ose më pak, kanë prekur tërë piramidën partiako-shtetërore, kur të tjerët s’e kanë të sigurt as bukën e përditshme. Ndër masat e para që pati marrë Revolucioni Francez qe pikërisht ajo që njihet si l’abolition des privilèges, zhdukja e privilegjeve. Te ne në letra ishin tërë të barabartë, por në jetë ndodhte ndryshe. Po citoj disa paragrafë nga diskutimi që mbajta, fjalë për fjalë, siç janë botuar në gazetën Zëri i Rinisë në pranverë 1991, kur Ramiz Alia ishte president dhe Partia e Punës ishte në pushtet:

“Po marr një shembull: kush vjen në pritje të popullit në zyrat e komitetit të partisë? Për t’i dhënë kësaj përgjigje, le të fillojmë nga e kundërta: kush nuk vjen në pritje të popullit në zyrat e komiteteve të partisë?

Vetëm te njëri nga sekretarët e komitetit të partisë të rrethit të Elbasanit (ky sekretar isha unë – m.e.) gjatë muajit të kaluar kanë ardhur rreth 200 vetë. Cila është struktura shoqërore e tyre? Nga këta 200 vetë nuk ka asnjë drejtor, asnjë kryetar, inspektor apo instruktor, asnjë jurist apo shef seksioni, asnjë punonjës të organeve të punëve të brendshme ose sekretar byroje, asnjë mjek qyteti ose mësues gjimnazi, që ka në dorë notat mesatare të fëmijëve. A s’ka edhe midis këtyre, si tek gjithë të tjerët, të tillë që kanë nevojë për punë ose për banesë, për vete ose për pjesëtarët e familjes? Doemos ka nevojtarë edhe midis tyre, sepse edhe ata njerëz janë. Po si i zgjidhin nevojat e tyre?
Pyetja mbetet kokëfortë dhe të bën të mendohesh.

Më tej, kush nuk vjen tjetër në pritje të popullit?

Në muajin që përmenda s’ka ardhur asnjë kamerier a bufetier, asnjë magazinier a shitës, asnjë kuzhinier. Po edhe nga këta, në parim, a nuk duhet të ketë njerëz me halle midis tyre ose të afërmve? Doemos që ka. Po si i zgjidhin? Edhe këtu pyetja mbetet kokëfortë e të bën të mendohesh thellë. Nga ky shembull, një përfundim ravijëzohet qartë: dy kategori njerëzish nuk kanë nevojë të trokasin për të zgjidhur hallet e tyre, ata që janë vetë ose kanë dikë në pushtet të drejtpërdrejtë, domethënë me funksione, dhe ata që kanë pare.

Arsyeja e thjeshtë të fton të mendosh se problemet vetjake i zgjidhin duke shfrytëzuar njërën nga këto të dyja: pushtetin ose paren. Ky arsyetim përforcohet duke e bërë tashmë të drejtpërdrejtë pyetjen: kush vjen në pritje të popullit, cila shtresë ose grupim shoqëror?
Duke iu kthyer shembullit të mësipërm, del se ata që kanë ardhur në pritje të popullit janë përgjithësisht metalurgë, punëtorë ndërtimi, punëtorë të ndërmarrjeve bujqësore, kooperativistë.

Eshtë edhe ndonjë intelektual fshati, kryesisht mësues, që vjen për ndonjë problem transferimi ose transporti (autobusi), është edhe ndonjë nga inteligjenca artistike e qytetit, kryesisht për çështje strehimi.

Ma merr mendja se kjo strukturë s’ka ndonjë ndryshim të dukshëm edhe në rrethet e tjera. Pra duken qartë hatret dhe më shumë se hatret. Dhe popullin nuk e mërzit halli, sa e mërzit hatri. Hallin ta fal, mjafton ta dëgjosh me respekt e t’ia shpjegosh gjendjen, hatrin s’ta fal.

Zakonisht në propagandë e nëpër mbledhje për këto kemi përdorur disa formulime të rrumbullakuara. I kemi quajtur shfaqje të burokratizmit ose të liberalizmit, të hatreve ose të ndërhyrjeve. Por mendoj se këto janë eufemizma.

Në ato raste kur problemin e vet e zgjidh ai që ka pushtetin ose ai që ka paranë, në këto raste kemi të bëjmë me elemente korrupsioni, nga i cili nuk mund të jetë e imunizuar asnjë administratë shtetërore ose partiake”.

3.
E dyta: domosdoshmëria me u pranue në KSBE (tashti OSBE – m.e.), me status të plotë, duke e parë këtë pranim si hapje drejt Europës. Përsëri po citoj pjesë nga diskutimi, në ligjëratë të drejtë:

“Ne jemi europianë, kultura jonë është në themele të kulturës së kontinentit, historia dhe e ardhmja jonë mund të konceptohen vetëm këtu. Gatishmëria që kemi shprehur për t’u bërë anëtar aktiv, me të drejta të plota i KSBE-së, përpjekjet për ta fituar këtë status, parë si zgjidhje në politikën e jashtme, përbëjnë alternativë jetike.

Kjo është plotësisht në harmoni edhe me psikologjinë tonë kombëtare, ku institucioni i mikut është konsideruar i shenjtë. Madje për një familje të mbyllur, që s’ka komunikuar me të tjerë, populli ka thënë: ç’e do, asaj s’ia shkel kush pragun për dasmë as për mort, për një shoshë miell as për një filxhan kripë.

Shikuar me gjakftohtësi, një gjë është e qartë për të gjithë, e s’ka vend për asnjë iluzion: shtjella e integrimit europian është prirje historike e pandalshme. Ndoshta nuk do ta tepronim po të thoshim se sot ajo vepron me forcën e një fuqie të verbër. Larg e jashtë saj është e pamundur të qëndrojmë. Ajo të thith, si çdo shtjellë e rrëmbyeshme. Atëherë njëra nga të dyja:

– ose të mbash timonin e anijes fort, me manovrime shumë të shkathëta politiko-diplomatike, që të futesh në këtë rrymë, duke e zotëruar gjendjen, duke e mbajtur vetë nismën në duar;
– ose ta lësh veten të të tërheqë kjo rrymë sipas dëshirës së saj, çka do të thotë të të përplasë, të të thithë e mbase edhe të të mbysë.

Themelore për këtë është të përmbushim kërkesat e domosdoshme për t’u pranuar në KSBE. Mbase edhe ndonjë lëshim jemi të detyruar të bëjmë. Ka operacione që mund të jenë të dhimbshme, por e rëndësishme është të jenë shpëtimtare. Historia nuk llogarit plagët, ajo llogarit fituesit e të mundurit. Dhe siç thotë shoku Ramiz në plenumin e 10-të, ne gjithmonë kemi ditur të mos radhitemi në anën e të mundurve.

Çështja është të gjejmë kurdoherë atë prerje politike, ku të mos prekim parimet tona bazë, duke u udhëhequr gjithnjë nga interesi kombëtar, duke ruajtur vlerat socialiste, lirinë e pavarësinë. Kjo kërkon vendosmëri në thellimin e pandërprerë të procesit demokratizues, të pandara këto me ekuilibrin, mençurinë dhe guximin politik”.

4.
E treta dhe kryesorja: duke folur për pluralizmin e mendimit dhe një lloj “pluralizmi” të krijuar nga një farë pavarësie që thuhej se po u jepej organizatave të masave, që po përgatiteshin me hy në zgjedhjet parlamentare si subjekte zgjedhore të pavarura, dola te pluralizmi politik. Përsëri po citoj fjalë për fjalë nga diskutimi që mbajta, siç ka qenë botuar edhe në gazetën Zëri i Rinisë:

“Standardet e Europës për pluralizmin janë të tjera, siç janë të tjera synimet e saj politike. Europa, është e kuptueshme, mund të mos e quajë të mjaftueshëm pluralizmin e organizatave të masave, mund të mos e quajë as të besueshëm, duke pasur parasysh faktin se për katërdhjetë vjet rresht i kemi quajtur leva të partisë, rripa transmisioni. Pa folur çka shkruhet në statutet e tyre. Në këto rrethana mbase mund t’i dalim përpara.

Për shembull, në formulimet që do të bëhen, ndërsa do t’u pritet qartë e me të drejtë rruga e kthimit organizatave tradhtare kolaboracioniste të kohës së Luftës, si dhe atyre fashiste, raciste etj., mund të lihet ndonjë dritë e gjelbër për organizata politike ose shoqata të pavarura, siç është ngritur, fjala vjen, në takimin me intelektualët, ku u sugjerua mundësia për të lejuar një organizatë ose shoqatë ekologjike, ta zëmë, ose diçka tjetër e ngjashme…”

Ndryshe nga diskutimet tradicionale, që msheleshin me shprehje optimizmi e besimi të patundur te partia, diskutimin e mbylla me fjalinë: “Momentet janë historike, historike është edhe përgjegjësia jonë”.

Miza nuk pipëtinte. Ishte hera e parë që shtroheshin shkoqur në forumin më të lartë të partisë çështje kaq serioze.

Në pritje të ndërhyrjeve, qëndrova në foltore. Sipas praktikës, folësi ulej vetëm kur s’kishte më pyetje a komente rreth fjalës së tij.

5.
Si me sustë u ngrit një pyll i dendur duarsh. Nuk di a mbeti ndonjë anëtar i Komitetit Qendror pa kërkuar fjalën menjëherë. Një garë e pashpallur besnikërie ndaj partisë. Shumica dërmuese të skandalizuar. Ndonjëri bënte sikur. Nuk u la shteg Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, Ramiz Alia. Më kishte ndjekur me shumë vëmendje. I përqendruar, pa më ndërprerë. M’u kundërvu në të tri pikat.

Duke u ndier keq me anafolën që kisha bërë për ngujimin e vendit kur thashë se “për një familje të mbyllur, që s’ka komunikuar me të tjerë, populli ka thënë: ç’e do, asaj s’ia shkel kush pragun për dasmë as për mort, për një shoshë miell as për një filxhan kripë”, pa gjetur dot argumente kundër, Ramiz Alia më tha se “politika nuk bëhet me folklorizëm”. Reagim i njohur për mua. Një herë tjetër, kur po flisnim në zyrën e tij për Kadarenë, më pati thënë “politika nuk bëhet me letërsi”. Pra ju nuk dini, janë të thella këto punë. Një mënyrë e tij me rrëshqitë duke iu shmangur thelbit.

Më gjatë u ndal në problemin e tretë, te pluralizmi politik. Ramiz Alia tha se ne nuk ndërmarrim hapa për Europën, por vetëm kur diktohen nga kushtet tona të brendshme. Dhe kushtet tona të brendshme për të vendosur pluralizmin, sipas tij, nuk ekzistonin tek ne.

– Besoj nuk bëj keq që po t’i them, m’u drejtua, kur mbaroi ndërhyrjen e tij, gjatë së cilës edhe unë reagova disa herë, duke shtjelluar pikëpamjet e mia.
– Jo, u përgjigja. Por edhe unë nuk besoj se bëra keq që i shpreha.
– Jo, tha, më mirë hapur.

Më mirë hapur… (“armik i hapur!”). Me kaq e shpalli të mbyllur seancën. Nuk qe vështirë me kuptue pse Ramiz Alia më kundërshtoi vetë dhe nuk i la të tjerët. Duke m’u kundërvënë vetë ai dhe duke mbyllur seancën (prandaj ma dha fjalën në fund të saj, ai m’i dinte pikëpamjet), synonte që problemi të mbetej “i mbyllur, i izoluar”, vetëm “një zë i vetmuar”.

Nuk donte me u ba debat për çështjen. Po të diskutohej, fjala do të merrte dhenë, do të ziente Tirana. Atje nalt në plenum ka plasur, është kërkuar pluralizmi, kanë debatuar ashpër, ky ose ai ka thënë kështu e ashtu… Ndaj sa më pak zhurmë. I duhej shpëtuar përftesës bumerang. Kërkesa për pluralizëm duhej përcjellë në heshtje. Në harresë.

6.
Në hollin e Pallatit të Kongreseve shpërhapej era e kafes së sapobluar. Të gjithë ishin turrur me filxhanë në dorë. Bisedat bëheshin në grupe të vogla me tre e katër vetë, rrallë me dy. Copëzat e tyre endeshin ajrit, si zukamë bletësh.

Anëtarët e Komitetit Qendror që më kalonin përskaj bënin sikur nuk më shihnin. Ndryshe prej herëve të tjera, kur më kapnin njëri e tjetri te supi e te bërryli, askush nuk më ftoi me pi kafe bashkë. As ata pak intelektualë të plenumit, me të cilët kisha një marrëdhënie miqësore, nuk u ndien.

Kishte pasur të drejtë Martin Luter Kingu kur kishte thënë se në fund s’kujtojmë fjalët e armiqve, por heshtjen e miqve! Përjashtim disa minuta më pas bëri Ajet Ylli, inxhinier kimist, anëtar i Komitetit Qendror dhe kryetar i komitetit të shkencës, institucion me status ministrie. Paçka se njiheshim pak. Ftesa e tij e sjellshme më dha me kuptue se pajtohej me mua, edhe pse nuk fliste. Ose të paktën më mirëkuptonte.

Një koleg i tij, ish-sekretar i parë në rrethe të mëdha dhe disa herë ministër, krushk i ministrit të jashtëm, u afrua e ia dha dorën Yllit, ndërsa mua më ktheu shpatullat në mënyrë demonstrative. Skënder Gjinushi më tha kalimthi, pa u ndalur, “atë krahasimin me anijen mirë e kishe” dhe u largua mes një grupi duke folur e duke qeshur.

Gjithsesi ndieja një çlirim të brendshëm. Në marrëveshje me vetveten kisha thënë çka mendoja se duhej bërë për të mirën e Shqipërisë. Në anën e Zotit, edhe në qofsh vetëm, je shumicë, thotë Uendell Filips. Kish kaluar ora tetë e mbrëmjes. Fillim nëntori, errej qysh në pesë. Shoferët e mërzitur duke pritur, pasi kishin harxhuar me njëri-tjetrin gjithë bisedat për futbollin dhe thashethemet e fundit, kishin hapur radiot e makinave luksoze të shefave dhe dëgjonin të dhënat për motin. Nuk më kujtohet a po rigonte shi apo këtë përshtypje ma kishte krijuar terri dhe lagështia e natës së vjeshtës së vonë. Nuk dola në bulevardin Dëshmorët e Kombit, i rashë nga mbrapa, përskaj Radiotelevizionit. Në atë copë rrugë doja me qenë vetëm me veten.

Pa ma çelë derën mirë, Dasha, ime shoqe, më pyeti a fola dhe si u prit. Ajo e kish lexuar më përpara diskutimin, që do të mbaja në plenum. Duke pasur parasysh se pasojat e mundshme do të binin mbi krejt familjen, diskutimin ua pata dhënë për ta lexuar edhe vëllezërve të mi, Çaushit e Tahirit, të dy profesorë në universitet, doktorë shkencash, Çaushi shef departamenti, dhe kisha marrë mbështetjen e plotë të tyre. Të tretit, Halilit, nuk pata mundësi. Ai ndodhej në Tropojë. Por ia dija mendimet.

Duke iu kundërvënë “vijës së partisë”, me 31 janar 1990 në plenumin e partisë të rrethit kishte kërkuar hapur me i kthye fshatarit lopën e tufëzuar, domethënë me lejue fshatarin me mbajtë të paktën një lopë me ushqye familjen, se gjendja ishte tepër e rëndë, në prag të urisë masive. I deleguari i KQ të PPSH në atë plenum i ishte kthyer: “Domethënë, sipas teje, duhet t’i kthejmë edhe tokën fshatarit?”.

Halili kishte mbrojtur pikëpamjen e vet duke shtjelluar kushtet tmerrësisht të mundimshme të njerëzve në katund, të cilët mezi mbaheshin gjallë me bukë misri hibrid dhe pak turshi e në të rrallë një lugë sherbet të hollë, ujë me një majë luge sheqer të shkrirë. Të nesërmen e kësaj mbledhjeje, pa e lënë as një ditë me u ftohë, sekretari i parë i komitetit të partisë të rrethit kishte nisur urgjent për në Byro Politike kërkesën për të shkarkuar Halil Elezin nga detyra si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit.

– Mirë bëre, më tha Dasha, duke mbyllur derën. O sot, o kurrë. Mos e mbaj mendjen atje tashti. Megjithatë ajo vetë për ditë të tëra nuk e hoqi nga mendja. “Eshtë e rrezikshme me pasë të drejtë kur qeveria e ka gabim”, thotë Volteri.

Marrë nga Nacional