PËRCILLET NË BANESEN E FUNDIT SHKRIMTARI I SHQUAR ADEM ISTREFI

0
382
Adem Istrefi

U përcoll për në banesen e fundit poeti i mirenjohur Adem Istrefi. Shkrimtari i shquar shqiptar Adem Istrefi, u nda nga jeta pese dite me pare ne Tirane, pas nje semundje te gjate.

Adem Istrefi, lindi me 14.3.1942 në fshatin Strellc i Epërm të Pejës. Në moshën 14-vjeçare u largua nga vendlindja për në Shqipëri(1956).
Studimet e larta i kreu ne Universitetin e Tiranës (dega Gjuhë e Letërsi shqipe). Ndër të tjera ka punuar edhe si redaktor në revistën “Nëntori“.

Është ndër poetët më të shquar shqiptarë. Publikimin e vëllimeve të tij poetike e nis që në vitin 1967 me “Net Kosovare” për të vazhduar
më tej: “Mëngjesi i së nesërmes” (1969), “Dritaret e fjalës” (1972), “Gjerdan lirie”, (1977), “Pasha këte dhe” (1982), “Në shuplakë të ditëve shkrova” (1986), “Një zog midis meje e diellit” (1989), “Pa therra në fyt” (1995) “Arti i vdekjes bukur” (2004).

Kurse në prozë është paraqitur me romanet “Lëshoma hisen e diellit” (1984), “Lemeria” (1992), “Kallukanxha” (2001), “Nganjëherë bëja me sy vdekjes” (2004), “Askundia” (2004) dhe më pëmbledhjen e tregimeve me titull “S’mund t’i lija pa folë” (1989).

Veprat:
“Net Kosovare”, poezi, 1967
“Mëngjesi i së nesërmes”, poezi, 1969
“Dritaret e fjalës”, poezi, 1972
“Gjerdan lirie”, poezi, 1977
“Pasha këte dhe”, poezi, 1982
“Në shuplakë të ditëve shkrova”, poezi, 1986
“Një zog midis meje e diellit”, poezi, 1989
“Pa therra në fyt”, poezi, 1995
“Arti i vdekjes bukur”, poezi, 2004
“Lëshoma hisen e diellit”, roman, 1984)
“Lemeria”, roman, 1992
“Kallukanxha”, roman, 2001
“Nganjëherë bëja me sy vdekjes”, roman, 2004
“Askundia”, roman, 2004
“S’mund t’i lija pa folë”, tregime, 1989


POEMË PËR LUMIN LOTONË

…Më lotoi loti i nxehtë në shuplakë të dorës e shuplaka
m’u dogj si prej
prushit të bungut, po s’di se kur ky lot do të lotojë prapë
në LOTONË…
U desh vetëm një terig i lehtë ere
që fërfëriu si me krahë pëllumbi
mbi ujërat e këtij lumi të huaj,
u desh dhe kjo gjethe lundruese
që ma përkujtoi atë fletë fletoreje
dhe të mbushem prapë me frymë lirie,
me frymë hovi e zërash pickues,
bërtitës ngado, ngado të rrëmbejnë,
të çojnë ku s’të çojnë e të kthejnë aty ku je…
Befas mbi atë gjethe të praruar vjeshte
u lëshua butazi një zog
e sikur shkroi diçka mbi të me sqep,
(asi zogu kurrë s’kisha parë)
dhe befas nisi flatrimin mbi kryet tim,
(them se duhej të ishte shpirti i një vajze
që e desha si askënd tjetër e më kurrë s’u pamë.)
Po ky zog, pse kaq befas iku e u largua,
pse dhe pse?!
Në sy-ndjekje të tij ndejta gjatë
e si pa sy mbeta.
E ai sikur po më merrte me vete si këtë gjethe
që po vërtitet si grykën e një vorbulle qiellore.

***

Si kjo gjethe dridhet e përpëlitet e pëlcet kujtimi
dhe kujtimet i lkehem në shpinë
e i kërcej kaliqafë e dyh mbas tij…
Se u bënë e shkuan si hije
njëzeteshtatë vjet që lundron ajo shishe
që lundron e përplaset me dallgët e ujërave
e s’kam si ta di se në cilin det
ka humbur,
s’kam si ta di se në cilin bregdet
ta gjej…
Ajo shishe ndoshta mund të mos gjehet kurrë
n ndoshta mund të gjehet mbas tremijë vjetëve,
Nuk ndryn brenda asnjë të fshehtë
si në përrallat e Njëmijë e një netëve
as të fshehtën e krijimit të zbuluar prej nesh.
Brenda saj ka vetëm një fletë fletoreje,
shkruar mbi të vetëm pesë vargje,
shkruar a gdhendur nga pesë poetë,
më të krisurit në të gjithë rruzullin,
më të çlirtit dhe më poetët se gjithë poetët
në atë çast,
në atë cast që ndriste e nxiste
mendimin përthekues të të gjitha fjalëve
vetëm në një varg,
si në atë vargun – poemë
“Kanë nxanë vend yjet vajin për me ndie.”
(Dhe vargun e parë e shkrova unë,
dy vargjet e tjera vëllezrit Buçpapaj,
e prapë dy të tjerat sivëllezrit Aliaj.)

***

Dhe ajo ditë ishte ditë vere.
Në rrezet e asaj dite
Sytë sikur i pinin të gjitha ngjyrat e bukurive,
bukurive e dashurive që ndez
ky lumë mahnitës,
kësi lumi kurrkund tjetër s’gjen në botë,
se ky lumë sikur është vetëm pikla vese,
sikur është krijuar prej lotëve të dashurisë,
të ndonjërës prej zanave motra,
mbasi amën askush s’ia di,
ose ndoshta është krijuar
prej perëndisë BIND
të dashuruarit të çartur me zanat motra
që të shkrihej tërësisht mbas tyre
e t’i kundronte ngeshëm, jo vetëm
pranë krojeve,
po edhe kur të laheshin në ferk të dritës,
pa u lëbardhë mirë drita e në natje herët
e kur të zhyteshin në ujërat kristalore
e mbi shkëmbinj pastaj kur t’i krihnin flokët…

***

Po motrat zana, si na shituan ashtu asaj dite!
Se vetëm te ne sikur i patën sytë
e të shituar prej tyre mbetëm krejt.
Turravrap katrritheshim rrasës shkëmbore,
rrasës së thiktë që si thikë e therte qiellin.
Turravrap ngjiteshim gjer në cikol të shpatinës
t’ua rrëmbenim prej duarsh shekat me tambël
e tamblin ta pinim me një hurrpamë
siç pat pirë Muji e u bë kreshnik
se s’mund të ishte tambël i dhisë briartë
dhe s’kish sesi tambël gjiri të mos ishte…

***

Dhe rrasës shkëmbore
rridhte e rridhte një rrëkezë e hollë tambli
dhe me sy e ndiqte perëndia BIND,
i ulur cuc mbi atë shkëmbin mes lumit
që ngjasonte me një anije LIBURNE.
Dukej se po bindej edhe vetë
se ishte më pak i perëndishem sesa ne
e për të sikur po na vinte keq…

***

Po edhe ngenë fort s’ia kishim atij,
se patëm rendur imshtave gjithkah,
gjithkah ku kuqëlonin e të shkrinin luleshtrydhet
edhe pa i afruar te goja,
gjithkah i mblidhnim e i tejshkonim
në fije bari si rruazat në pe
si rruazat në pe i bënim vargje…
Dhe më pastaj mbetëm në gjuajtje të troftave,
dhe më pastaj në pjekje të tyre, mbi tullë,
dhe më pastaj s’di sa shishe vere rrekëllyem
te ajo zallina e gjirit të lumit
që ka një shkëmb krejt si sofër.
aty atëbotë e shkruam edhe atë poezi,
prej aty e lëshuam atëbotë
atë shishe për lundrim.
Në atë lundrim kaq vite kam mbetë…

***

Pa frymë mbetëm kur e lëshuam
atë shishe- anije ujërave të këtij lumi,
pa frymë mbetëm dhe kur brohoritëm pastaj,
pastaj kur brohoritëm kreshnikisht
të gjithë përnjëherë
e gjithsecili kujtoi se si atë varg të tij
askush më e kurrë më
nuk do të mund ta shkruante.
O pasha syrin e këtij e këtij dielli që zdriton!
ky zog që m’u shfaq e më iku pastaj,
s’mund të jetë asnjë zog tjetër,
vetëm ai i lumit LOTONË
që këngëzonte bashkë me lumin
kur zhytej në ujërat e tij
e shpejt dilte e mbi shkëmbinj rrezitej,
mbi shkëmbinj sqepin kruante,
sikur të ishte vetëm ai perëndia e këtij lumi
e vetëm fishkëllima e tij duhej të dëgjosh
(Ndryshe si mund të quhej Hasan Prishtina)
Kur ia vranë kryengritjes bacën
Thanë ia shuan lirisë gacën…
Mbi shtratin e një topi po vjen
i mbështjellë me flamur rrethu me dashuri
Nga një cep Jugu në një cep në Veri
Mbi shtratin e një topi
e në shpirtin e një kombi
Po hyn i gjallë
Po vjen me u çmallë…
S’dimë ku të të pushojmë
S’dimë ku të të mbajmë
Çdo pëllëmbë shqiptare ta ka botxh një varr
Se në atë dhe të huaj të ftohtë e të zi
Një fije bar a një gjethe në degë
S’ta tundnin erërat mbi varr
E s’vinte Shqipëria me nëna e bij
Të të mbillte lule e këngë përmbi…

(Nga vëllimi ”Pasha këtë dhe”, Tiranë, 1982)

BACA I KRYENGRITJES

SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI !

Cingërroi zilja e telefonit
apo dëgjova zërin tënd?!
Nga largësitë m’u bë se po më vinte ai zë
pak i trëmbur, tel i dridhur mallit
në këtë kitarë të vonë nate…
Vetëm zëri yt mund të më thërriste kështu
si gjithmonë e në të gjitha kohët.
Këtij zëri s’mund të mos i përgjigjesha
edhe në hjekë shpirti.
S’mund ta besoj se t’u lig ORA
e vdekja të gjeti gafil.
Ti gjithmonë ke qenë një hap para vdekjes,
gjithmonë je tallur me të kur të ndiqte
e ia lije puplat në dorë.
A mund të kapej rob e të bëhej rob
njeriu më i lirë ndër të gjithë liridashësit!
Paj cok jo, bre Sadri Ahmeti!
S’të mbaj mend kurrë duke qarë,
po gjithmonë duke qeshur më del
her si fëmijë i qeshjes e her zot i përqeshjes.
Edhe atëhere kur shkruaje poezi
me ata gishta të KRITË prej të ftohtit:
Shkruaj një vjershë e digje atë fletë
që t’i shkrije pakëz duart
në atë flakëz xixëlluese e tym të saj,
që të mund ta rishkruaje prapë atë poezi
dhe prapë më ndryshe…
Aiiih ! sa ftohtë që kishe, si të kërcitnin dhëmbët,
e ti lapsin assesi s’e lëshoje nga dora.
Prandaj po kjaj për ty
e u mbusha sonte në vaj,
po kjaj tash për atëherë…
S’di sa herë ishe vrarë mbas shpine,
s’di sa herë mbas veshit
në atë udhëtim të cmendur, mizorisht të mundimshëm
Dhe ti shkruaje e rishkruaje
me ata gishta TË KRITË
atë poemë për MASAKRËN E TIVARIT…
(Tremijë djem Kosove atëbotë u vranë.
U vranë me plumba, u therën me bajoneta
në atë plojë gjaku,
midis ullinjëve e detit të Tivarit.
Deti u bë i kuq dhe u mbulua me plisa
të bardhë
në atë prill komunist të vitit 1945.)
Sonte dua të mos harroj asgjë,
gjithcka dua të kujtoj,
pse ishe i vetëm mbi atë sukë
a mbi atë KËRSH TË GJOBALAJVE
e pse qeshje ashtu,
sikur rrokoteleshin shpatinës shkëmbinj
potershëm me rrokullimë rroposëse
e lëshuar si shkundullimë…
Ishe vetëm dhe s’ishe i vetëm.
S’di a e qerasje ti vdekjen me një gotë raki,
apo të qeraste ajo ty me një kërcënim
kur i thoje se edhe vetë të madhin Zot
do ta bëje me qeshë,
pa e giciluar aspak…
Dhe vdekja merrte këmbët në krahë
dhe ikte e lemerisur atëbotë,
atëbotë kush mund ta ndalte qeshjen tënde!…
S’u mësokam se s’u mësokam pa ty,
Sadri Ahmeti!
Thash si për vete e s’munda ta mbaj
Coll për vete,
Si në këngët e majekrahut e lëshova
piskamën:
O gjithkah zdrit ky sy-diell
në fytyrë të kësaj toke
njeri e bir njeriu kurrëmë s’do të vijë si ti,
kurrëmë si ti s’do t’i gëzohet shkrepjes së diellit
e shkrepje buzëqeshjesh të shkrepë
si njëmijë hyjni,
sidomos kur dilje hovshëm
prej dallgëve të detit
e deti sikur të falej te këmbët…
Sonte mund të them dhe do të them
se s’kam parë njeri tjetër
aq marrëzisht me detin të dashururar,
të ngjajë me bir të tij
e vetë hyu i tij sikur të ishte,
vetë kripa sikur qe krijuar prej qeshjeve të tij.
Asnjë zot e asnjë dreq e bir dreqi
s’mund të ishte shpellë e pafundme si ai.
Në shpella të bjeshkëve i pat ngujuar
dhitë briarta bashkë me zanat,
me zanat bënte dashuri natë për natë
e ditën i vizatonte ku të mundte,
ose në ndonjë letër të bardhë,
ose në ndonjë lëvore peme, a lëkurë dashi,
në ndonjë gjethe që ia sillte era,
në ndonjë faqemuri, a xham dritareje,
ose edhe në ajër…
Ditë për ditë i bënte edhe më të bukura
ato nuse të tij,
u jepte shpirt nga shpirti i tij,
u lëshonte rreze hijeshie
e i bënte si të ishin të gjalla
e pak si të trëmbura nga zgjimi i një ëndrre,
sa gati luaje mendsh prej kësaj bukurie
e të ndalej fryma,
fryma mund t’i ndalej edhe vetë Zotit,
të shituar prej kësaj bukurie,
perritë e parajsës do të uleshin në gjunjë
t’ua lanin këmbët…
Sonte kjava për ty
që na ikën e mbetëm pa i kërcyer
këto zjarre dëllinjash
edhe në këtë natë vere…
Dhe s’di pse m’u kujtua, s’di pse më thoshe
se kemi vetëm nja pesëmijë vjet njohje
e asnjëherë, asnjëgjysmëhere s’u grindem
dhe mbetem se mbetem
pa bujtur në ndonjë Shpellë të Vuthajve
që të kuvendonim si ai malësori legjendar
me kreshnikët Mujë e Halil
e të pinim verë mjalti
bashkë me ta, si viganët e mocëm ilirë,
më të mocëm se hëna
e vetë dreqi kur zbriti nga qielli…
Ndonëse nuk u lindëm që të dy binjakë
e që të dy në Vuthaj e në Strellc njëkohësisht
kujtonim se në gjinjtë e një nëne
patëm pir tambël
dhe vjershat i firmosnim me firmën ADISS-ASSA
e veten e conim në katin më të lartë të qiellit…
Gjithë kësaj nate e deri në zdritje të saj
m’u shfaqe herë në ecje të ngadaltë
e herë në ikje të rrëmbyeshme me vrap.
Me sa zë që kam mbeta duke thirrë:
Ndalu, ku shkon… Ku shkon Sadri!
Dhe ti si gjithnjë shkrep një buzëqeshje,
si gjithnjë më thua
se drejt ardhmërisë je nisë,
se prej andej ke ardhë
e atje është rrojtja jote…

Prill 2011.

KU JANË LIRIKAT E MIA?…

Ku t’i kërkoj?
Kush m’i vodhi?…
Në petalet e luleve aromë-dehëse mos kërko,
As në flokët e pakrehuna të shelgjeve nuk i gjen.
Në ujëvarat e bardha shkumbë jo, nuk janë.
Me cicërimat e zogjëve nuk janë përzi.
Lirikat e mia nuk janë cicërima.
Nën kapuçin e bardhë janë thinjë,
Në tela me gjemba janë mbërthye,
Në zgavrat e çiftelisë janë strukë,
Nëpër rrugët e vorreve janë shkelë,
Në thinjat e zemrave të nanave janë kacavarë,
Në buzët e gjakosura të fëmijëve janë gri
Dhe në besimin tim janë shkri.

BATO

Ka dy mijë vjet që gdhend me sqep
një shqiponjë gurin
e s’e shkruan atë emër…
Qiell e diell të Ilirisë përthekohen në të e
s’mbahet jashtë tij asnjë këmbë dhe,
asnjë fije bari, asnjë gurrë uji e grusht guri,
as dy gisht re s’kanë ku të kërcejnë,
ku të lëvizin s’kanë prej shigjetave e
thekamës së njëqind mijë zërave:
Vdekje vdis! Romë ikë! Largomu sysh!
Vdekje perandorive dhe vdekje perëndive!
Dhe tash sillmani një vreshtë-verë ta pi,
im vëlla qenka bërë prapë me djalë
dhe që të shtatët Bato i thërritka.

LOJË QENÇE

Unë i flas si njeri, ai me gjuhë qeni flet,
qençe leh, atë gjuhë di.
(Këtë gjuhë kurrë s’e mësova)
i ziu unë sa i humbur mbeta!…
Derrit s’po di t’i them dajë
dhe copa eshtrash s’po di t’i lëpij,
i ziu unë që mbeta njeri
dhe qençe të leh s’po di dhe s’po di!…
(S’di sa mijë vjet dhe këtë gjuhë s’e mësova.)

URTIA E PESTË

Ti në daç thuaj mik
atij që për çdo fjalë tënde rrah shuplakë
e për çdo fjalë tënde thotë është e artë…
URTIA E SHTATË
Edhe nëse je më i miri i gjithë poetëve,
do të vijnë të tjerë më të mirë se ti!
Kurrë s’ka fund urtia, baco!

SYLARUSHJA

(Këngë pleqërishte)

Po të ish shpirti kalavesh me rrush,
kokrra-kokrra do të ma kokrronin
ato gra që më patën dashur…
(Mos më thoni a i deshe
edhe emrat ua mban mend)
në sofër të këngës asnjë s’e shtrova,
mjaltë e qumësht gjatë nuk pinë,
sylarushja bardh’ si bora
shpirtmjaltë, mjaltë ndër hoje
m’u shtrua në sofër, më s’u ngrit
dhe më piu ditë për ditë.

Marrë nga Nacional