Ese: Sfidat e studentëve dhe të rinjve në epokën e Covid19

0
369
Fabio Hithi

Në këtë ese do të mundohem të sintetizoj disa nga idetë personale dhe jo vetëm, të cilat janë kultivuar nga ngjarjet e protestës së studentëve e deri më tani, por gjithashtu edhe duke e parë këtë situatë jo si të veçantë në kohë dhe hapsirë, por si një vazhdimësi e një problemi të thellë, e një krize në shoqëri, një krize në koshiencë dhe në virtyte.

Faktorët dhe sygjerimet e shkurtra për këtë problem do t’i grupoj në pesë çështje: çështjet bazë emergjente, mësimdhënia dhe metodologjia, jeta studentore dhe karriera, kërkimi shkencor, infrastruktura.

Hapi i parë për të shpjeguar një fenomen ose tërësi fenomenesh e më pas për t’i zgjidhur nëse është e nevojshme, është se ne duhet ta pranojmë gabimin në të si të tillë.

Fillimisht, një problem fillestar që mund të zgjidhet me anë të vullnetit politik është ai i çështjeve bazë emergjente. Me këtë përkufizim parashtroj problemet të cilat janë lehtësisht të verifikueshme me anë të një analize të thjeshtë të nevojave bazë të munguara tek studentët.

Kjo mënyrë është përdorur nga ana e disa studentëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës në përpjektje për të parashtruar kërkesat sa më saktësisht. Nga bashkëbisedimet kemi mundur të formulojmë se disa nga çështjet bazë emergjente janë të lidhura me tarifat shkollore dhe akomodimi i studentëve. Në këtë situatë në të cilën faktorët ekonomik janë jo të stabilizuar dhe papunësia është rritur, normalisht rrjedhimi i saj do të jetë një kërkesë më e vogël dhe konsumi do të zvogëlohet duke zvogëluar dhe të ardhurat. Nga këto goditje ekonomike studentët janë vunerabël duke bërë të vështirë vazhdimësinë e studimeve pasi kostot rriten. Një politikë efektive mendoj se është reduktimi i tarifave shkollore.

Së dyti, një problem i hasur në këtë periudhë është cilësia e mësimdhënies dhe metodologjisë së përdorur. Këto faktor nuk gjenden shumë të përshtatshëm me spektrin e degëve që ofrohen në universitete. Për shembull, është fare lehtë e verifikueshme një gjendje jo eficente në praktikat mësimore. Mësimdhënia online nuk i zëvendëson njohuritë e marra në mënyrë praktike në kushte fizike. Për këtë arsye të thjeshtë, mund të sygjerohet të ndiqet një shembull nga Maqedonia e Veriut, ku mësimdhënia nuk është mjaftuar vetëm online, por është ndërthurje, ku në një turn bëhet praktika dhe në turnin tjetër mësimi online, gjithmon duke respektuar rregullat e mbarëvajtjes shëndetësore.

Së treti, jeta studentore dhe karriera shfaqin një problem në perspektivat për të ardhmen. Nëse do të vëzhgojmë në kurrikulat mësimore të fakulteteve, kryesisht ato me drejtim të shkencave sociale, shohim se lëndët e drejtimit të karrierës janë prezente, por roli i tyre është tërësisht jo adekuat. Nga përvoja personale, por e vërtetuar dhe nga studentë të tjerë, karriera e filluar nga bankat e shkollës me angazhimin në shoqata apo organizata të lidhura me fakultetin është në përqindje shumë të ulët. Një politikë e universiteteve duhet të jetë lidhja e tyre me bizneset dhe organizatat me profil të ngjashëm me universitetin për të bërë lidhjen me tregun e punës më të lehtë.

Së katërti, problem i shfaqur në mënyrë publike është dhe ai i kërkimit shkencor. Përsëri nëse kryejmë një vështrim në buxhetet e universiteteve për kërkimin shkencor, ky i fundit një parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të universiteteve, vëmë re se pjesa e cila i takon këtij faktori është pothuajse e papërfillshme. Në këtë kontekst mund të ngrihen shumë pikëpyetje, por ajo që lidhet më shumë me studentët është mosgjetja e hapsirës së nevojshme për një profilizim dhe specializim të mirëfilltë.

Së pesti, infrastruktura është problemi i cili lidhet me mbarëvajtjen e tërësisë së mësimdhënies jashtë kornizës së transmetimit të dijes, por me ambientin që e bën të mundur këtë transmetim dije. Nëse nuk mund të krijohet një fushë transmetimi e nevojshme as dija nuk mund të transmetohet me sukses. Në këtë kontekst dëshiroj të përfshij faktor si transporti, akomodimi dhe kushtet e ambienteve të fakulteteve. Transporti është problematikë e parë në periudhë afatgjatë, pasi siç e dimë në këtë periudhë mësimdhënia nuk e përfshin transportin.

Akomodimi i studentëve paraqitet problematikë pasi një politikë e zhvilluar së fundmi, ajo e udhëzimit të fakulteteve që të kryejnë mësimdhënien online e nga ku shumë studentë patën kryer pagesat e qeradhënieve ose të konvikteve, rezultoi në shtimin e kostove. Tek kushtet e ambienteve të fakulteteve përfshihet pajisja e laboratorëve, higjena dhe ambientet jashtë ndërtesave të studimit. Shumë universitete nuk kanë ambiente rekreative, e kështu cungohet zhvillimi i aktiviteteve qoftë fizike ose marrëdhënieve shoqërore të krijuara.

Duke u kthyer tek problemi bazë që mendoj se gjendemi në këtë situatë, ai i kulturës së mësimdhëniës dhe transmetimit të dijes dua të theksoj se kultura e mësimit është diçka që duhet të vetëzhvillohet. “Ne s’mund t’i ndërtojmë pemët, ne thjesht mund t’i mbjellim ato, të kujdesemi për to, e të presim nga to të rriten”. Në këtë kuadër ka shumë teori të cilat mund të na ndihmojnë për të kuptuar më saktë situatën. Teoria e ndërveprimit simbolik mendoj se e shpreh më qartë rëndësinë e institucionit të edukimit, pasi shpjegon qartësisht shkallën kulturore fillestare të studentëve. Sociologu francez Pierre Bourdieu shprehet konkretisht për rolin e zhvillimit kulturor dhe ndikimin e tij të mëvonshëm në formimin e individëve. Gjithashtu shpreh edhe se sistemi arsimor ndikohet nga vlerat mbizotëruese dhe se testimet bëhen në bazë jo të inteligjencës natyrale. Kjo mendoj se është pika më e fortë e argumentit të teorisë së ndërveprimit simbolik. Edukimi i deritanishëm ka dështuar në nxjerrjen pah të aftësisë së vërtetë të shumicës së studentëve.

Studentët dhe të rinjtë duhet të mësojnë të jenë kritik ndaj gjithçkaje, qoftë gabim mendimi i tyre (për sa kohë nuk është i dëmshëm). Duhet të mësojmë të jemi të aftë të respektojmë vetveten në rradhë të parë, kjo si parakusht që më pas të jemi të aftë të respektojmë të tjerët. Duhet të mësojmë respektin dhe mirënjohjen si virtyte, dhe jo bindjen ndaj autoritetit. Autoriteti nuk të jep liri, përkundrazi të mbyll në vetvete dhe nuk të lë të lulëzosh. Për ta përmbyllur, në momentin që më është dërguar kjo temë si ese, kërkova mendimin e shumë prej studentëve në fakultet duke e paraqitur pyetjen nëse ato mendojnë se problem kryesor që kemi është ai i vetëkuptimit të gjendjes në të cilën jemi. Fatkeqësisht, përgjigjet e dhëna ishin tërësisht se si ato do të dëshironin të ishte gjendja dhe jo duke filluar me atë se si është në të vërtetë. Kjo më solli ndër mend shprehjen e një prej filozofëve të mi të peferuar, George Gurdjieff, i cili thotë “Në mënyrë që të lirohesh prej burgut, duhet të kuptosh që je në burg, ose se je vetë ti, burgu”.

Mesa duket hapi fillestar që parashtrova në fillim të shkrimit është akoma i pakaluar.

Punoi: Msc. Fabio HITHI

Dërgoi për publikim, Ibrahim Kabili