NUE OROSHI DHE “TROJET E ARBRIT” E ÇANË RRETHIMIN NEO-OTOMAN E OFICIALO-TOTALITAR NË PRIZREN

0
495
Gjergj Kastrioti në Prizren - Nue Oroshi

Prend Buzhala Prend BUZHALA

(Rreth reagimeve histerike kundër përmendores së Skënderbeut në Prizren)

Arti ka kërkesat e veta!
Dhe koha ka kërkesat e veta vepruese.

Cili qenka reagimi i këtyre zotërinjve për moslejimin e përmendores së Skënderbeut në Lezhë?! Apo, bie fjala, në Beograd ose Stamboll?!
E çfarë mëkati ka bërë Nue Oroshi që përpiqet qe dy dekada ta sjellë në Prizren një shtatore të Skënderbeut?!

Dhe e solli!
Po e besoj që e solli duke bashkëpunuar me institucionet, të cilat, më parë, as që kanë dashur të bisedojnë! I gjatë rrugëtimi i Nue Oroshit dhe “Trojeve të Arbrit” për të arritur deri te dita e vendosjes së një përmendoreje në Prizren. Dhe përplot vështirësi e pengesa, shpesh të paimagjinueshme.

Me siguri që është dashur të intervistohen pikërisht autorët e konkurruesve për këtë përmendore, autorët e organizatorët dhe t’i nënshtrohen një opinioni publik. Me sa e di, kur hapet “një tender” këtu në Kosovë, konkurruesit, me bocat e veta, i nënshtrohen publikisht opinionit të publikut. Se a e kanë bërë këtë në Prizren apo Malishevë, nuk e di.

1.
Nuk them se është e mirë a e keqe ajo përmendore, por më habisin reagimet jo vetëm dashakëqija, ultra-socrealiste e ultra-folklorike. Përnjëherësh u bënë të gjithë patriotë për ta mallkuar atë veprim, skulptorin e organizatorin! Turp mbi turpe.

Mallkimi le të bjerë mbi reagimet e reaguesit irracionalë dhe dashakëqij! Mbi ata që mendojnë ta rrethojnë Prizrenin heroik edhe njëherë otomanisht. Te e fundit, duhet ta kuptojmë: kanë dështuar neo-otomanët e jo “Trojet e Arbërit” si organizatore në krye me Nue Oroshin. Dështojnë ata që nuk bëjnë asgjë, që vetëm kritikojnë (thua se gjithçka atyre duhet t’u shërbehet si në pjatë në ndonjë hotel luksoz… thuajse realiteti qenka një hotel shërbimesh, pa llogaritur njëmijë vështirësi tjera!!!). Thuajse gjërat ndryshojnë me një shkop magjik me hu-hu-hu!!!

E përse vetë këta kritikues nuk e paskan marrë deri më tash ta thyejnë akullin e rrethimin e hekurt neo-otoman mu në Prizren?! Pikërisht me këtë akt Nue Oroshi ka bërë një kryevepër kohe, që e ka shembur këtë rrethim paragjykimesh e devijimesh ndër ne, të cilin ne të tjerët e kemi shikuar anash, me dofarë “kritikash” e paçavuresh reaguese të llojloj sojsorollopi të qelbur mediatik!!! Nou e çau atë rrethim. Bujrum (a në daçi: urdhëroni), ju të tjerët tash, mbasi u ça rrethimi!

Nue Oroshi

Kjo përmendore vuri në sprovë ndërgjegjen tonë se ku jemi, si qyqet reaguese pa bërë asgjë! Vuri në sprovë dofarë skulptorësh profesionistë që duan t’i lëvdojnë dy a tre veta dhe krejt të tjerët që arrijnë të bëjnë diçka- nuk vlejnë! Përse, bie fjala, këta “profesionistë!” nuk kanë reaguar ndaj skulptorit tonë me nam, Luan Mulliqi, kur ka bërë vepra të tilla skulpturore për Skënderbeun apo Nënën Tereze (që i pati zgjatur disa metra, me prirjen për ta thyer uniformitetin e shijes tradicionale… për ta shquar vertikalen qiellore ose atë të krenarisë historike)?!

Nuk ua ka mbajtur të reagojnë! Sepse ata vlerësojnë me dy kute: ose flasin kundër atij që nuk ka gjë në dorë, ose heshtin ndaj tjetrit që ka fuqi (edhe fuqi arti apo fuqi pushteti, apo fuqi të parasë)! Reaguesit (qofshin ata dhe “profesionistë”), kur nuk e japin një model të realizuar, përkatës, atëherë kritika e mospajtimi shndërrohen në qëllime të vetvetes, të kritikës për kritikë.

2.
Po shihet: secili e ka përfytyrimin e tij për Skënderbeun: në rastin e parë kur na vjen një Skënderbe “ndryshe”!

Gjithë këto vite e kemi parë se si e kanë shpërfytyruar Skënderbeun, prej Shmitëve e deri te shqipfolësit. Dhe vjen një përmendore dhe e trazon botën. E trazoi edhe njëherë Skënderbeu i “Trojeve të Arbërit”, për të na i regjistruar amplitudat e ndërgjegjes sonë!

Nuk i kemi parë reaguesit e tillë për shumë shëmtira që kanë ndodhë në vetë Shqipërinë (zërat më të ngritur të reagimeve po na vijnë nga super-patriotizmi i shtetit tonë, Shqipërisë). Mirë, le ta thonë se realizmi socialist i Enver Hoxhës, me skulptorët Jani Paço e Odhise Paskali kanë pasur të drejtë në veprat e tyre në Tiranë e Krujë, si skulptorë të realizmit socialist!? Por nuk guxojnë ta thonë!

Interesant, se në çfarë ekstremesh kalojmë! Ose duhet të kemi të gjithë shije të uniformuar (si në ushtri a në sistemin totalitar), ose secili e ka përfytyrimin e tij për Skënderbeun!

Skulptura moderne ka kërkesat e veta. Le të flasin reaguesit atëherë, çka mendojnë për memorialin kushtuar Fishtës në Shkodër nga skulptori me nam, Pjerin Kolnikaj?! Mos qenka shëmtinë edhe ajo vepër?! Pardon: ndjesë për skulptorin Pjerin që ua ka shprishur vizionet socrealiste për artin e përfytyrimet… se bota nuk ka vendnumëruar, por ka ecur përpara…

Çështje shijesh edhe ky “përfytyrimi ynë” për Skënderbeun!
… ndoshta duan t’i thyejnë konturat e realizmit socialist… sepse ne jemi mësuar t’i shohim skulpturat të asaj tipologjie krijuese… Për shembull, Skënderbeun duam ta shohim ekskluzivisht si e ka punuar Odhise Paskali…

Me sa e di, në Krujë e në Tiranë ato vepra skulpturore janë punuar pas Luftës së Dytë Botërore, në Krujë thuhet: më 1949 e në Tiranë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Tiranë “vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paço për konceptimin e tij”). Pra, në periudhën e realizmit socialist. Dhe ato përmendore i kënaqin edhe shijet socrealsite të kohës.

U morën ato, si kopje, edhe në Prishtinë e në Shkup. Sipas përfytyrimeve e shijeve të ndërtuara në periudhën e realizmit socialist?! Ose përmendoret e Isa Boletinit në Shkodër apo e Bajram Currit në Bajram Curr. Po i bie që realizmi socialist ka pasur të drejtë në ato përfytyrime, apo jo!!! Diktatura ka qenë e kënaqur! Ndryshe, as që do t’i kishte angazhuar ata skulptorë!

Dhe kush ka reaguar kundër atyre përmendoreve dhe atyre përfytyrimeve e shijeve soc-realiste?! Askush!

Domethënë: skulptorët e realizmit socialist të Universitetit të Tiranës, paskan pasur të drejtë! Te e fundit, ligjet estetike të harmonisë, format tredimensionale, rëndësia funksionale e veprës skulpturore publike, etj në artin e skulpturës njihen që nga antika e këndej. Dhe janë universale.

3.
Mirë, sikur të mos ishin sipas kësaj shije tradicionale paskaliane, dhe ndonjë skulptor do të bënte eksperiment modern me përmendoret (siç e përmenda memorialin Atë Gjergj Fishta në Shkodër e Pjerin Kolnikës, çfarë përfytyrim zgjon…). Dhe kur e thashë që bota moderne kërkon të mos i uniformizojë pëfytyrimin apo shijen, atëherë artistëve iu lejohet ndërtimi i shijeve e përfytyrimeve jouniforme… moderne- qoftë edhe për Skënderbeun.

Thjesht, në shkrimin tim desha pak ta problemazitoj çështjen e shijes e të përfytyrimeve: se Skënderbeu nuk ka qenë vetëm i armës e i luftës, po edhe i diplomacisë e dijes: ka pasur qeverinë më të arsimuarën në Evropën Juglindore e përgjithësisht në tërë Evropën (a Ballkanin e sotëm). Domethënë, në vend të Kultit të Armës, le të kërkohet edhe strategu, diplomati, njeriu i urtë.

Se si i bëjnë përmendoret e figurave të njohura në perëndim, unë i kam parë se çfarë përfytyrimesh ndërtojnë aspak sipas profilit artistik realist. Mbase, edhe ai skulptori në Malishevë (nuk e di cili është), ka dashur ta shquajë epizmin, legjendarizimin (epizmi e legjendarja nuk kanë përmasa reale as objektive, sepse përfytyrimet legjendarizuese e epike, i thyejnë ligjet e realitetit); mu ashtu siç ka pretenduar tjetri skulptor me Skënderbeun në Prizren… pavarësisht se a më pëlqen mua a jo! E çfarë përmasash ka Skënderbeu i gdhendur në shkëmb diku kah Shqipëria e mesme, më duket?!

Prandaj e thashë në fillim: këtu, në Kosovë, me ligj është që kur shpallen tenderët, edhe për përmendore, për bocat e tyre, “me siguri që është dashur të intervistohen pikërisht autorët e tyre dhe t’i nënshtrohen një opinionit publik”. Opinionit që ka shije të formuar estetike dhe jo vetëm estetike.

4.
Eh, sikur të kishin qenë kaq të zëshëm kundër atyre pseudo-intelektualëve e qarqeve tjera shqipfolëse që e kanë sulmuar e mohuar sistematikisht Gjergj Kastriotin Skënderbeun në Prizrenin e bukur që flet bukur edhe turqisht e sllavisht! Por jo! Vazhdojnë ta mohojnë atë që punon! Kush punon, është e natyrshme që bën edhe gabime. Ata bjerraditësit që asgjë nuk bëjnë, nuk kanë se çka të gabojnë! Ata që nuk lëvizin fare, nuk e marrin asnjë iniciativë, ata janë të pagabueshëm, sepse nuk bëjnë asgjë!

Prandaj, është mirë që “gabon” dhe le të vazhdojë “të gabojë” i nderuari Ndue Oroshi! Së paku, e ka nxitur sedrën e fjetur të njerëzve. Të gjumashëve!

Nëse kaq shumë kritikues duan ta karikaturizojnë një gjest të mirë të “Trojeve të Arbrit”, atëherë ironia bie mbi kritikuesit: meritojmë përmendoret çfarë jemi, si “popull karikaturë” (po e vë në thonjëza që secili të reflektojë vetë e jo reflektim si në turmë). Skënderbeun e ka gjymtuar e karikaturizuar koha jonë e jo Ndue Oroshi!

A gabuan ai grup i drejtuar e i përbërë EDHE nga “kaurrët” e diasporës që e sollën atë përmendore të tipit “turko-sllav”!? Paj, ndoshta edhe ia kanë qëlluar, mbasi shumë shtresave në Kosovë, tutje në Prizren (e deri në Tiranë) iu pëlqen profili turk i tij, mbasi popullin e Turqisë e quajnë popull vëlla! Apo qoftë edhe si princ serb, mbasi për ndonjë biçim-profesori universitar të Tiranës e biçim akademiku të Tiranës, Skënderbeu është proserb e Ballaban Pasha është hero kombëtar shqiptar!!! Pra, kështu po u bëka figurë “universale”!!!

Çfarë populli jemi, çfarë shijesh e përfytyrimesh (groteske) kemi, aso përmendoresh edhe meritojmë!

Por, Nue Oroshi e prishi” atë vëllazëri apo vuri marrëdhënie të reja “vëllazërore”!?

5.
Një korrektiv: në Kosovë gjatë viteve ’90 bash asnjë shkrim nuk ka ekzistuar kundër Skënderbeut, siç shpif ky shkrim! Ato shkrime kundër Skënderbeut kanë ekzistuar në Tiranë e jo në Prishtinë. Prej andej na erdhën ato frymëzime mohuese, pas luftës çlirimtare, pas vitit 1999.

Madje, gjatë viteve ’90, qe marrë vendim kombëtar nga institucionet e atëhershme “paralele” kundruall Serbisë: që të gjitha dhomat e mësimit, nëpër objekte shkollore e nëpër shtëpi private, ta kenë portretin e Skënderbeut, sipas skulpturës së Odhise Paskalit. Reagonte vetëm Serbia.

(Kujtesë: po e përmendi vetëm një rast: diku kah viti 1993, në shkollën fillore të Ujëmirit (Klinë, Kosovë), ndërhyn me armë milicia serbe në mbledhjen e Këshillit të arsimtarëve. Arsimtarët u vunë në gjendje arresti. Ndër të tjera, milici famëkeq serb, urdhëron arsimtarët që ta zbresin portretin e Skënderbeut nga muri, ku ishte varur. Por nuk pranojnë. E merr vetë milici serb dhe në mënyrë banditeske e shkelmon fotografinë! Dëshmitarë janë ata 20 a 30 arsimtarë).

Përmendore të Skënderbeut nuk na paraqesin Skënderbeun proturk apo prosllav, pyetja është sot e thjeshtë: e përse në shumicën e vendeve europerëndimore (dhe aty ku jetojnë shqiptarët në trojet etnike: ka përmendore të Skënderbeut; por nuk ka në vendet sllave, si në Beograd apo Moskë, apo në vendet turke, si në Stamboll?

Për fund: Nue Oroshi ia ka arritur qëllimit historik që e ka davaritur këtë kohë. Të tjerat vijnë në vendin e vet…