Brahim AVDYLI – pranë shtepisë, duke dalë për të shkruar poezi
DISA SHËNIME BIOGRAFIKE
PËR AUTORIN DHE VEPRAT
Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX).
Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)…
Katër klasat e para të shkollës fillore “Ganimete Terbeshi” i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe.
Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike – Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010.
Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike…
Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra:
–“Në hijen e Alpeve”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983;
–“Buka e kuqe”, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990;
–“Kur zgjohet Dodona”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992;
–“Pasqyrë e përgjakur”, poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994;
–“Klithje nga fundi i ferrit”, poezi, Onufri, Tiranë, 1997;
–“Gjuha e dheut tim”, poezi, Albin, Tiranë, 1999;
–“Klithje nga fundi i ferrit”, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000;
–“Baraspesha e humbur”, poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003;
–“Vragat e një kohe”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005;
–“Lëvozhga e vdekjes”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007;
–“Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë”, Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008;
–“Zogu i këngës”, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009;
–“Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj”, politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011;
–“Qielli i paprekur”, poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012;
–“Vetëvrasja e një poeti”, dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA”, Gjakovë, 2013;
–“Shtegtimi i lirisë”, poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014;
–“Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele”, zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015;
– “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017.
– “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019.
– “Die verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019;
– “Muzat e vargjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2020…
Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë…
Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë…
Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht.
Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); i Akademisë Alternative Shkencore të Shqipërisë “Rrënjet Tona” dhe i disa organizatave të tjera.
Brahim AVDYLI:
RRESHKA E TRISHTË E JETËS
Panoramë e re e poezive të mia
TË ISHTE KJO HYRJA
1.
Urdhëroni
nëpër vargjet e mia,
hyni dy a tri herë
nëpër rrugëtimat
e kërshërisë,
se mua
nuk më kujtohet
ku e kam vendosur
mësheftas çelësin
e rrugëtimeve!…
2.
Të ishte kjo dera
për të hyrë
nëpër vargje
nuk e di
ku do të më kishit gjetur
nëse do të isha
në hapësirat e këngëve
përjetësisë së pushimit,
a do të kisha shtruar
për të marrë frymë
në metaforat e fjalëve
apo në pikëpyetjet
edhe të ironisë…
3.
Jam zënë ngusht
në theqafjet
e këngëtimit
e në pikëquditëset
e befta
mjaft të rralla
të enigmave…
FJALËT E PATHËNA
1.
A janë
mjegulla në sy
frymëmarrja e pëlcitur
zonjat e dalldisura
apo hiçgjëja që vetvritet,
a janë hije të befta
në çdo moment
që të ndjekin pa i ndjerë
pas kurrizit…
2.
Mendja ikë
në largësitë e pamatura
derisa lehtas
të prekin mbi supe,
më kalon përskaj
e Bukura e Dheut
e cila
moti më ka munguar
me flokët e gjata
të kohës,
zhduket
fare pa më vërejtur
me stepjet e këngëve
apo të vajit
buzëve të përceptimit…
3.
Çudi,
fjalët e pathëna
tresin në hapësirë
shkrihen e tretin
në lumin e rritur të viteve
nëpër furtunat e jetës,
e ndoshta
të vjen keq e të dhimbsen
motivet e përmbytura
të duket
se i ngrisin kokat
qajnë pa ndarë
derisa valët i përfshijnë!…
PARAFJALA
1.
Do ta gjëni
nëpër vargjet e pakëputura
epokën tuaj
e nuk e kanë përjetuar
paraprakisht të gjithë
siç është
e siç duhet të jetë.
2.
Asgjë
nuk më premton
të merrem vetëm
me të kaluarën tuaj
apo njëqindmijë
pyetjet e përgjegjet
që mund të parashtrohen.
3.
Brenda këtyre
kopertinave
parashtrohet jeta
mendoj
se fragmentet e mendimeve
i përpinë dhembja.
4.
Heshtja nuk i myll
ato më kryelartat
përpëlitem në vetvehte
të shpërthejnë
membranat e çelikta
mbi lëvozhgat e zemrës
së përlotur.
5.
Luftë e pa fund
në tërë qenien tonë
të krijimit
e përlindjes
është zingjiri i kohës!…
6.
E Thëna jam
e le të pëshpërisin A Thina
Shqipet tona
në dy botërat,
prej trurit të kohës
e zemrën e madhe
të periudhave
e krijoj të tërën
me mendimet
që flasin!…
7.
E di se lirika
këndohet
edhe përmes ditëve
dhe vendeve
bredhë midis fjalëve tuaja
e ndalem
nëpër enigmat e mija.
8.
Ju këkone
midis rreshtave
pikëpyetjen apo pikëquditjen
e jetës suaj
që nuk shtrohen
në të thënat
e fatit apo pafatit.
9.
Nëse nuk i gjëni
midis këtyre fletëve
shikoni
durueshëm
edhe veprat e tjera
e do të gjëni aty
shpërfilljen
e skenave
dhe pasqyrën
e viteve!
10.
Atëherë
lirohuni nga dhembjet
e mbledhura
në grusht të fjalëve,
dilni jashtë
nga kopertinat e viteve,
uluni lirshëm
këmbëkryq
përballë Diellit
e do të vi ngadalë
edhe unë
nëpër hapësirë!
FJALORËT E DHUNSHËM TË LUBISË
1.
E shikoj liqenin
përtej vizioneve të mia
humb mbi valët e dhembjes përtej vetes
pranverë më nuk kam
se Pranverës në njëmijë forma i kam thënë
pak më butësisht
apo ndër valëzimet
dhe kujtimet e hidhura…
2.
Jam një dritë shpirti
në bredhëritje
pranë lumturisë pa mua
kur nuk e pres
më buzëqeshë një fëmijë
midis lojërave të veta…
3.
Assesi të kuptoj
në cilën kohë kam kalëruar
nëpër hapësirë
i vetëm notoj nëpër dhembjet e mia
pres të dal diku në breg
e nuk e di
a të marr hijen e kësaj panjes,
kësisojit
nuk marr pjesë
nëpër ahengjet e çmendura të djajëve
qeniet kështu mendojnë
nëpër dam-dumet e majmunëve…
4.
Pyes veten
a jam në Zvicër apo dikund tjetër
gjuha ime shetitë nëpër mileniume
e flitet shqip edhe në Alaskë
askush nuk e pranon
dhuntinë e Zotit.
5.
Atëherë
jam pjesë e zhdukur e qenies
nëpër fjalorët e dhumshëm të Lubisë
por mbetem gjallë
e nuk më logarisin si të tillë
se fytyrë gënjeshtare nuk pranoj,
bota le të dridhet
të vdekjes nëpër fjalë!…
Pfäffikon, 20.08.2020
BUZËQESHJA E NGRIRË
1.
Buzëqeshja
është e tharrë
mbi buzë
e buzët e plasaritura
nga dhembjet
dhembja i ka bjerrur
të gjitha qelizat
e qenies
deri në majën
e flokut të trishtë…
2.
Gënjeshtrat
janë pa fund
të atyre që mjeshtri
i kanë dredhitë,
kthejnë kokën e botës
nga ana e kundërt,
i miri
i paska të gjitha fajet,
e drejta
mezi lëvizë
nga barra e shekujve
i pat e nuk i pat
të merituara
ngarkuar mbi kurriz…
3.
E vërteta
është çmendur
kot lëvizë
nëpër bjerrina,
ajo fatin
para syve
e ka të ngrirë
në pikëpyetje!
4.
Krimet
nuk duhet kërkuar në Kosovë
por nëpër Serbi
dhelprat e Shumadisë
e ujqërit e bardhë të Siberisë
atje e kanë jatakun,
ngjyrat
nuk luajnë ndonjë rol-
kthetrat e tyre
ngërthejnë kohën!
5.
Kot luftuam
e kemi vrarë veten,
kurorat e lirisë
ia vjerrim armikut,
atij
që na ka djegur zemrën
e shkrumuar trupin
në hi
nëpër ecejakut e askushit,
e ne
i ndihmojmë
duke ia hapur udhën
nëpër kufomat tona
deri në fron të burrërisë!…
6.
Tani
me çka paskemi
të krenohemi
para të nesërmes-
buzëqeshja na është ngrirë
në fjalët e bjerura
të dhembjes!
Pfäffikon,
me 6.11.2020
TRISHTIMI I KËNGËS
1.
I shpenzova
sa vite për Liri
e Lirisë
ia kanë mbyllur shtigjet
me plehun e murrizave të shëmtisë
mu para shtëpisë.
2.
Kudo e nxjerrin
ndërgjegjen në shitje
me shpërlarjen e fjalorëve të turpit
vrapojnë para meje
të të kapin armiqtë tanë
dhe me butësinë e qengjave
ta puthin në prapanicë,
kështu, çdo herë
i vetmuar mbetem
nëpër pritë…
3.
I habitur
vrapoj nëpër kohë
të bëj dy miq
me atë qëllim të shenjtë
e t’ia japim hakun
atyre që na e ç’njerëzuan
L i r i n ë.
4.
Vie koha
prej shtëpisë të më nxjerrin
e pa truall të vdekjes
të më lënë,
i ndëgjojnë vetëm
ata që shiten
si liberatorë,
veshin rrobat
e lajkatarëve të mëdhenj
vetëm për të pasur
meritën
e kohës së re…
5.
Ah, bota
as ajo nuk më pranon
për të shenjtë
sado që i them
se nuk mund të më lëvizin
nga biruca e dhembjes
ata, djalin ma dënojnë
me dhunë “demokratike”
e nuk pushojnë
të lëvizin gjeneratat
prej sinonimeve të Lirisë!…
6.
Në fund
kënga trishtohet
i hedhë të gjitha figurat
prej qenies së besimit,
malit të lotëve
ngjitet përpjetë!
Hurden/SZ
14.11.2020
RRESHKA E DHEMBJEVE TË MIA
1.
As nuk të afrohet
lumturia
e nuk të përqafon gëzimi,
askund për qetësinë
nuk të mbetet vend
edhe kur ke ikur
nga vetvetja
në hapësirat e pambarim,
e trishtimi
plotësisht të afrohet
edhe në paskajshmëri,
prore të teshë
etja e pashuar e Lirisë.
2.
Papriturazi
të del zemra përpara
me ulurimat e mëdha
të shpirtit
thua se të pëlcet
nga dashuria,
e kujt t’i thuash
dy fjalë të lotëve
kur pranë u qëndron
shpirti dhelparak,
të çiltërta fjalët tuaja
dikush
të çmendura i quan.
3.
Kështu
bishat e dhembjes
të kafshojnë
në çdo çast
kudo e në çdo anë,
plagët
i ke të pashëruara
e të shtohet
edhe nga një dhembje
më shumë,
pehlini i tyre
të është bërë
rreshkë e trishtë jete!
E VËRTETA E SHEKUJVE
1.
Sikur ta dinit
shkakun e interesimit tuaj
që e ndien
nëpër duart e shpejta
të kohëve,
dhembjeve të fëmijërisë
keni kaluar
deri në kthetrat elektronike
të mileniumeve.
2.
Vonë e keni mësuar
çështjen e piramidave të energjisë,
sikur t’i njihnit
më përpikërisht
atëherë
do të merrnit vesh
më të papriturat,
për shembull
do t’u kishte pëshpëritur
Nikolla Teslla
shqip e jo serbisht
mendimet tuaja
janë urat midis shekujve
pa të cilat
asgjë nuk do të ishte
mu kështu
në glob
e ju duket
sikur çdo gjë u ka rrjedhur
drejtë e nëpër periudha
me gjuhën e panjohur
të materies.
3.
Ju e dini
çka përbijnë sytë tuaj
të njohin
të panjohurat e viteve
e ca thonë
se nuk keni logjikë të fortë
sa të dini
si aktivizohet syri i tretë
për të parë
vehten tuaj
e për ta shpëtuar
nga vrasjet elektronike.
4.
Djalli modern
është i përbërë
prej pjesëve më të imta të atomeve
për diobtrinë e syve
nuk futet pamja e paqëndrueshme
e të padukshmes
kurdoherë
mbetet diçka ireale
apo metafizike,
djajtë u shtyjnë
që të quheni me emra të rrejshëm
e të vriteni
nëpër gardat e pasakta
udhëheqeni më tutje
në intuiten mashtruese
dhe i përkrahni
pa fund e pa skaj
zotrat e rrejshëm…
5.
Të ndalemi pak
a doni të shkatërroni veten tuaj
të eksplodoni
në miliona thërmija të imta
të jepni shpirt
pas secilit mendim
nëpër vite,
por mos harroni
se po jetoni në botën e rrejshme
e jeni vetëm
fluskë e energjive!
SISTEMI I FJALËS
1.
Secili njeri
e ka sistemin e vet
të njohë
të vërtetën
e vërteta pjesëtohet
në njëmijë forma
sa vet njeriu.
2.
Secila kohë
e ka sistemin e vet
në të cilën ndahet
nëpër dekada
e dekada pjesëtohet
në dhjetra vite
për ta matur
n j e r ë z o r e n.
3.
Secila periudhë
e ka prapë sistemin tjetër
në miliona sisteme formash
forma lëviz nëpër mileniume
për të shpjeguar
pse është krijuar
Njeriu.
4.
Njeriu dallon nga forma
e formën e merr
më miliona mënyra
të ndryshme
fjala vie te fundi
e fundi kthehet në fillim
për të pasur
domethënie.
5.
Tani
kjo që keni në duar
është formë e persiatjes
dhe çdo gjë që thuhet
e që ju vet e gjëni
do t`i ngjajë të drejtës!
Pfäffikon,
04.11.2020