RËNDËSIA E PËRSHPIRTSHMËRISË DHE QENËSI TË KRISHTERIMIT

0
415
Atë Ndue Kajtazi - Çështje të identitetit II

Me rastin e botimit të tri librave të Atë Ndue Kajtazit (2)

Shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës dhe Kuvendi françeskan i Gjakovës nxorën në dritë tri libra të Atë Ndue Kajtazit, “Ai vetë është Drita” (Përsiatje të përshpirtshme) I, “Çështje të identitetit të krishterë “II dhe “Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi III”.

Në fillim të librit të dytë “Çështje të identitetit të krishterë” autori ka vënë këtë mendim të Atë Anton Harapit:

Te njeriu vetë kristianizmi ndërroi idetë, lartësoi ndjenjat dhe sistemoi tërë jetën vetjake. E bëri të mirë shpirtin e njeriut dhe kërkoi prej tij pastërtinë edhe të mendimit e të dëshirës: në vend të instinktit vuri ndërgjegjen me përgjegjësi; në vend të egoizmit dashurinë për të tjerët; në vend të ëndjeve detyrën; në vend të epsheve madhnoi virtytin[1] […] Hiqni nga bota e qytetëruar kontributin që ka dhënë kristianizmi në ide, në ligje e zakone, në shkencë dhe art, në sistemin e familjes, në rendin shoqëror dhe vetjak, në përmirësimin moral dhe material; hiqni të gjitha këto dhe kultura moderne nuk mbetet më ajo, por një skelet i zbehtë, një mozaik pa unitet, një send pa kuptim[2]”.

ATË ANTON HARAPI

– Fjalë paraprake –

Shkruan: Anton Nikë Berisha

Në librin – Çështje të identitetit të krishterë atë Ndue Kajtazi merr në vështrim disa nga dukuritë e rëndësishme të besimit të krishterë në Hyjin dhe në Birin e tij, Krishtin, duke u ndërlidhur në këtë mënyrë me një traditë tonë të pasur që zë fill nga Pasthënia e Gjon Buzukut të botuar më 1555 në “Mesharin” e tij, të pasuruar pastaj me Parathëniet dhe Pasthëniet e Pjetër Budit, të botuar në vepra “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), të veprës së Pjetër Bogdanit “Cuneus prophetarum” – “Çeta e profetëve[3]”, e botuar në vitin 1685, të veprave të atë Anton Harapi “Vlerë shpirtërore[4]” (Shkodër 1936) dhe “Njisimi kombtár dhe ideali kombtár” – 1977[5] e të shumë pasardhës të tyre. Natyrisht, atë Ndue Kajtazi u qaset, i vështron dhe i ndriçon dukuritë të lidhura ngushtë me kushtet e me rrethanat e kohës sonë e të veprimit të tij si bari shpirtëror.

Qenësinë e besimit të krishterë në Hyjin dhe në Birin e tij, Krishtin, autori e vështron nga aspekte të shumta. Ai thekson se Krishti bëhet njësues i Trinisë së Shenjtë në rrafshin e dukshëm, tokësor dhe erdhi në jetën e njeriut, siç thotë papa Benedikti XVI, “[…] si bukë e jetës për t’u ngrënë, për t’u përdorur nga ne. Kjo është mënyra e tij për të na dashur[6]”.

Pra, Krishti dhe kryqëzimi i tij shprehin dashurinë, mirësinë, janë rruga e shpëtimit të njeriut: “Vërtet, dikur ishit errësirë, por tash jeni dritë në Zotërinë. Jetoni si bij të dritës” (Ef 5, 8 ), po shprehin dhe diçka më shumë, siç thuhet në Letrën e dytë të Shën Palit drejtuar Timoteut: “Krishti e asgjësoi vdekjen dhe e bëri të ndrisë jetën dhe pavdekësinë” (2Tim, 1, 10). Rreth kësaj papa Gjon Pali II thoshte: “Krishti, duke vuajtur për të gjithë ne, ka paraqitur një kuptim të ri të vuajtjes; e ka vënë në një përmasë të re, në një rregull të ri: në atë të dashurisë […] Është dashuria që e djeg dhe e zhbën të keqen me flakën e dashurisë dhe nxjerr dhe prej mëkatit forma të mira të shumta lulëzimi[7]”.

Përmes librit Çështje të identitetit të krishterë atë Ndue Kajtazi vë në dukje se ne kemi identitetin 2000-vjeçar, të cilin as nuk do ta ndërrojmë, as nuk i lejojmë tjetër kujt që të na e ndërrojë, apo të na quajë ndryshe, përveç ashtu siç jemi.

Duke u njësuar me dashurinë e Hyjit dhe të Birit të tij, Krishtit: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër (Mt 22, 37), në të njëjtën kohë bëhet njësimi dhe me dashurinë e njeriut, pra me dashurinë e tjetrit: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten (Mt 22, 39). Them kështu për arsye se Hyji është dashuri, siç thuhet në letrën e parë të Gjonit (4, 11 – 16):

Nëse e duam njëri – tjetrin,
Hyji mbetet në ne
dhe dashuria e tij në ne është e përkryer […]
Hyji është dashuri,
dhe, kush mbetet në dashuri,
mbetet në Hyjin
dhe Hyji mbetet në të.

Pikërisht dashuria ndaj tjetrit dhe flijimi për të e bën njeriun të shenjtë, siç thoshte Nëna Tereze: ”Secili është krijuar të jetë i shenjtë. Jemi krijuar për të njëjtin qëllim. Të duam e të jemi të dashur. Jemi krijuar për gjëra të mëdha. Zoti e provon madhërinë e vet duke e shfrytëzuar asgjënë (hiçin) tonë. Kjo (gjë) është mjaft e qartë. Bota është plot me shenjtër të gjallë. Jam e lumtur që ti e sheh Krishtin në mua pse unë e shoh Atë në ty[8]”.

Me pak fjalë, atë Ndue Kajtazi qenësinë e përshpirtshmërisë dhe qenësinë e krishterimit e vështron në dritën e asaj që pati thënë atë Anton Harapi, duke e konkretizuar me një varg shembujsh: “Te njeriu vetë kristianizmi ndërroi idetë, lartësoi ndjenjat dhe sistemoi tërë jetën vetjake […][9] Hiqni nga bota e qytetëruar kontributin që ka dhënë kristianizmi në ide, në ligje e zakone, në shkencë dhe art, në sistemin e familjes, në rendin shoqëror dhe vetjak, në përmirësimin moral dhe material; hiqni të gjitha këto dhe kultura moderne nuk mbetet më ajo, por një skelet i zbehtë, një mozaik pa unitet, një send pa kuptim[10]”.

Një nga mesazhet e qenësishëm të atë Ndue Kajtazit: është koha kur shqiptari duhet ta gjejë vetveten, identitetin e vet në jetën e përditshme, ta përligj këtë me veprim e me flijim e të mos mbesë gjithë kjo vetëm si pohim dhe fjalë, po ky identitet të forcohet mbi bazën e asaj që Krishti bëri për Kishën, siç thuhet në Letrën e Shën Palit drejtuar Efesianëve: “Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për ta bërë të shenjtë atë” (Ef 5, 25).

Në përmbyllje të kësaj Fjale paraprake për veprën Çështje të identitetit të krishterë të atë Ndue Kajtazit po theksoj se në tërësi atë e përshkon fryma e mendimit të Nënës Tereze që njerëzit duhet të jenë të përshpirtshëm dhe të përvuajtur, të kenë zemër të mirë e të pastër për arsye se kur janë të tillë mund ta shohin Hyjin, mund ta shuajnë etjen e Krishtit të kryqëzuar, dhe mund t’u ndihmojnë të tjerëve: “Nuk mund t’u japim asgjë të tjerëve nëse jeta jonë nuk është plot e përplot me dashuri të Hyjit, nëse zemrat tona nuk janë të pastra. Krishti ka thënë: ‘Lum ata që i kanë zemrat e pastra për arsye se e shohin Zotin’ (Mt 5, 8). Nëse nuk e shohim Zotin, është vështirë ta duam njëri – tjetrin[11]”.

Jam i bindur se kjo vepër me cilësitë që ka do të mirëpritet nga lexuesi.

Prishtinë, tetor 2020


[1]Atë Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë 1977, f. 277.

[2] Anton Harapi, Vlerë shpirtërore. Shpresa & Faik Konica, Prishtinë 2003, f. 73.

[3] Shih Cunesu prophetarum a Pietro Bogdano. Pata MDCLXXXV. Mit einem Beitrag von Giuseppe Valentini und Martin Camaj. Dr. Dr. Rudof Tofenik – München 1977. Shih dhe Pjetër Bogdani, Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve). Botim kritik me një studim hyrës, facsimile të origjinalit, transkriptimi e shënime përgatitur nga Anila Omari. Akademia e shkencave e Shqipërisë. Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë. Tiranë 2005.

[4] Shih botimin e mëvonshme Anton Harapi, Vlerë shpirtërore. Shpresa & Faik Konica, Prishtinë 2003.

[5] Shih Atë Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë 1977.

[6] Madre Teresa, La mia regola. Fabbri editori. Sulla collana I classici dello spirito. R. C. S. Libri S.p.A., Milano 1997, f. 134.

[7] Giovanni Paolo II, Memoria e identità. Introduzione Joseph Ratzinger Papa Benedetto XVI. Rizolli Corriere della sera. Edizione speciale. RCS Quotidiani, Milano 2010, f. 199. Shih dhe Parole di Benedetto. La visione della Chiesa e del mondo negli interventi di Joseph Ratzinger Ancora, Milano (aprile 2005), f. 22.

[8] Franca Zambonini,. Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 168.

[9]Atë Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë 1977, f. 277.

[10] Anton Harapi, Vlerë shpirtërore. Shpresa & Faik Konica, Prishtinë 2003, f. 73.

[11] Shih origjinalin The Joy in Loving. A Guide to Daily Living ëith Mother Theresa, edited, by Jaya Chaliha and Edëard Le Joly, Viking Penguin, Neë Delhi (IND) 1996; cituar sipas Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 170.