Nuk ka fëmijë të vështirë, vetëm fëmijë që kanë vështirësi

0
312
Aurel Dasareti - ngre shqipen

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike ([email protected])

Njeriu është produkt i atyre që kanë ushtruar ndikim mbi të. Për shembull: Prindërit e mi, pothuajse në të njëjtën mënyrë, kanë pasur (dhe akoma kanë) një ndikim të thellë tek unë dhe idetë e mia.

* * *

Vendosni kufijtë që fëmija i kupton. Është e nevojshme dhe e drejtë të jesh në gjendje të vendosësh kufij për fëmijën tënd. Por mënyra se si vendosni kufij ka shumë për të thënë nëse fëmija juaj i kupton dhe i pranon ato që ju thoni.

Në vendet e civilizuara është e ndaluar të rrahësh fëmijët (as të huajin as tëndin). Gjithashtu nuk lejohet të kërcënoni, bërtisni ose thoni gjëra të këqija fëmijëve në mënyrë që ata të tremben ose të mërziten.

Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të ndihen të sigurt dhe mirë në shtëpi.
Të godasësh, të kërcënosh, të flasësh keq ose të frikësosh do të thotë ta vësh dikë në rrezik.

* * *

Në bashkëjetesën e tyre të përditshme me fëmijët e tyre, shumica e prindërve mendojnë më shumë për dashurinë, kujdesin dhe përgjegjësinë sesa për fuqinë. Por prindërit kanë pushtet mbi jetën dhe mirëqenien e fëmijëve të tyre. Sidomos në vitet e para pushteti është i plotë, por edhe kur fëmijët rriten, prindërit kanë një fuqi shumë të madhe.

Prindërit kanë fuqinë ligjore, financiare, fizike dhe psikologjike – edhe kur ndihen të pafuqishëm. Në fakt, në shumë familje shqiptare me fëmijë, shpërdorimi i pushtetit është më i madhi kur të rriturit ose ndihen të pafuqishëm ose kur, për arsye të ndryshme, nuk duan të qëndrojnë pranë pushtetit që kanë. Në kulturat e tjera jo aq të civilizuara, shpërdorimi i pushtetit, siç është dhuna fizike, është një virtyt dhe ushtrimi i plotë i pushtetit (forcës) konsiderohet përgjegjësia e vetme.

Vendet shqiptare (përfshirë diasporën) duhet të heqin dhunën fizike si një pjesë e njohur e rritjes dhe edukimit të fëmijëve. Ka akoma prindër që rrahin fëmijët e tyre, por shumica janë bërë gradualisht të vetëdijshëm se dhuna është e dëmshme – si për personin që rrihet, ashtu edhe për personin që godet. Ne jemi bërë aq të civilizuar sa që distancohemi nga dhuna si mjet pushteti (edukimi). Në të njëjtën mënyrë, tani kemi filluar të kuptojmë se mund të mos ketë asnjë ndryshim të vërtetë midis dhunës fizike dhe të ashtuquajturës “dhunë psikologjike” – domethënë ironi therëse, talljes, poshtërimit, kritikës, përbuzjes dhe shpifjes. Të dy format e dhunës janë shkatërruese nga ana njerëzore.

Dhuna dhe kërcënimet e dhunës e bënë shumë më të lehtë për t’i bërë fëmijët të dëgjojnë dhe t’i nënshtrohen fuqisë së të rriturve në atë që disa ende e quajnë “ditët e mira të vjetra”. Të rriturit vendosin kufijtë, dhe nëse fëmijët nuk i ndiqnin ato, atëherë ato ngushtoheshin. “Nëse ata nuk dëshirojnë të dëgjojnë, atëherë ata duhet të ndjejnë”, – i thanë prindërit e asaj kohe njëri-tjetrit, duke e qetësuar veten se ishte detyra e tyre e shenjtë t’u mësonin fëmijëve “ndryshimin midis së drejtës dhe së gabuarës”.

Dhuna si mjet edukimi nuk krijon respekt, krijon ankth. Ajo nuk i mëson fëmijët të njohin ndryshimin midis së drejtës dhe së gabuarës, ajo i mëson ata se dhuna është e drejtë – nëse keni fuqinë. Ajo nuk i mëson fëmijët të respektojnë kufijtë e prindërve të tyre, por i mëson të kenë frikë nga pasojat.

Heqja parimore e dhunës ka lënë një boshllëk në bashkëveprimin midis të rriturve dhe fëmijëve. Çdo ditë, të gjithë prindërit po eksperimentojnë me mënyra të ndryshme për të mbushur këtë boshllëk. Disa provojnë parimet demokratike dhe nganjëherë ngecin në diskutime të pafundme.

Të tjerët përpiqen të lejojnë që dëshira dhe mosdashja e fëmijëve të jetë busulla e familjes dhe në fund të fundit nuk gjejnë asnjë mënyrë. Disa u japin fëmijëve përgjegjësi kur me sa duket nuk është aq e rëndësishme dhe përfundojnë të bllokuar në një luftë përçarëse për pushtet. Të tjerët janë aq të shqetësuar për t’u dhënë fëmijëve hapësirë dhe vëmendje, saqë nuk ka vend (kohë) për veten e tyre dhe nevojat e tyre.

Të gjitha këto eksperimente janë të nevojshme që ne të mësojmë të përdorim fuqinë tonë të të rriturve në mënyrë më konstruktive se sa ishin në gjendje gjeneratat e mëparshme të të rriturve. As të rriturit dhe as fëmijët nuk dëmtohen nga eksperimentimi me parime të ndryshme, madje as kur eksperimentet dështojnë. Vetëm kur ngrijmë në një nivel jo të kënaqshëm – dhe dështojmë për të ndryshuar kursin, si të rriturit ashtu edhe fëmijët bëhen të pakënaqur.

* * *

Për qindra vjet ne (njerëzimi) jemi mësuar me faktin se të qenit baba ose nënë na dha një autoritet zyrtar që e bënte më të lehtë ushtrimin e pushtetit. Ky nuk është më rasti, ose më saktë, ky është rasti vetëm në vitet e para të jetës së fëmijëve. Prindërit modernë duhet të zhvillojnë një autoritet shumë më personal nëse udhëheqja e tyre do të ketë sukses dhe shmanget abuzimi me pushtetin. Ndërsa rolet gjinore fshihen, e njëjta gjë vlen edhe nëse marrëdhënia do të ketë sukses.

As prindërit, as mësuesit, as mësuesit parashkollorë nuk marrin të njëjtin respekt nga mjedisi që i rrethon në sajë të asaj çfarë janë, por në sajë të asaj kush janë. Të dy, fëmijët dhe të rriturit, kanë humbur respektin për ata që janë në pushtet, dhe ne po shkojmë ngadalë por me siguri drejt një kohe kur shkalla e besueshmërisë personale përcakton se sa respekt kemi, dhe sa fuqi mund të kemi në marrëdhëniet private dhe arsimore me fëmijët dhe të rinjtë.

* * *

Shërbimi i “Mbrojtjes së fëmijëve” ka për qëllim të mbrojë fëmijët në situata të cenueshme dhe duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Kushti është që ekziston rreziku që fëmija të dëmtohet ndjeshëm (sidomos nga prindërit) duke qëndruar në shtëpi, d.m.th që duhet të ketë një kërcënim të rëndësishëm për shëndetin ose zhvillimin e fëmijës. A ka arsye të shqetësohemi për “Mbrojtësit e fëmijëve”?

Po, sepse kanë të drejtë t`ua marrin prindërve kujdesin e fëmijëve në institucione adekuate, dhe pas një kohe, pothuajse në shumicën e rasteve, fëmijët adoptohen te “prindër artificial”, nuk lejohen më të kontaktojnë me prindërit biologjik të cilët as që i dinë adresat e tyre. Tani varet nga mosha e fëmijës, sa më i ri të jetë aq më shumë është shansi që t`i harrojë prindërit me të cilët nuk do takohet më – asnjëherë. Varet prej shtetit në shtet.

Me qindra prindër të diasporës shqiptare i kanë humbur fëmijët në këtë formë. Në disa raste edhe për shkak të budallallëkut dhe naivitetit të tyre.

* * *

Pasi unë (1976) dhe prindërit e mi kemi lindur dhe jetojmë larg trojeve arbërore, dhe këtë javë kam ditëlindjen, vendosa të shkruaj për këtë temë, sepse dëshiroj që të gjithë fëmijët shqiptarë (por jo vetëm) të kalojnë një jetë shumë të këndshme afër prindërve dhe familjes së vetë, ashtu siç ka qenë fëmijëria ime, vëllait dhe motrës. Temë, veçanërisht e rëndësishme për bashkëkombësit e mi në diasporë. Si një kujtesë, të mos harrojnë ku jetojnë dhe veprojnë…

* * *

Shumica prej nesh mund të kujtojë një kohë kur një ditëlindje, veçanërisht nëse ishte e jona, ndriçoi botën sikur të kishte dalë një diell tjetër.

“Ti nuk je më i mirë se unë, por ti je shoku im më i mirë. Gëzuar ditëlindjen!”- kështu ma uroi ditëlindjen vëllai im shakaxhi.

Ndërsa motra ishte më “serioze”, më shkroi:
“Njeriu është i ri vetëm një herë, por mund të jetë i papjekur gjithë jetën. Gëzuar ditëlindjen!”

* * *

Ka dy dhurata të qëndrueshme që mund t’u bëjmë fëmijëve tanë. Njëra është rrënjët dhe tjetra janë krahët.