RRUGË E PAMBARIM – poezi nga Fatime Kalimashi – Hoti

0
584
Fatime Kalimashi

Fatime Kalimashi – Hoti

Fatime Kalimashi – Hoti (21.11.1975). Lindi në Ratkoc të Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa gjimnazin në Rahovec. Që nga fëmijëria është marrë me shkrime letrare. Jeta edhe atë si shumë të tjerë e solli në Zvicër. Ajo ka emigruar në vitin 1995, ndërsa brengën e mërgimit dhe mallin për Kosovën i ka shkrirë në vargun e saj poetik. Lirikat e saj janë përjetime artistike të cilat japin mesazhin e së bukurës, në jetë dhe në art. Poetesha jeton në Saint-Prex të Zvicrës në kantonin Vaud.

VEPRAT LETRARE:

“Shtegëtime të shpirtit” – poezi, Rahovec 2009.
“Në universin e dashurisë” – poezi, Rahovec 2010.
“Melodi e dhembjes”, poezi, Rahovec 2012.
“Voyage”, poezi e zgjedhur, Rahovec 2012.

TË KËRKOJ

Në dimër
Të kërkova në net të errëta
Në dritën e diellit
Nëpër qiellin me yje
Askund nuk të gjeta

Në pranverë
Mes zogjve të kërkova
Mes luleve të verës
Mes gjetheve të zverdhura në vjeshtë
As aty nuk të gjeta prapë

Të kërkova në çdo stinë
Në çdo kohë e në çdo vend
Askund nuk të gjeta
Kisha harruar se ti ishe vet jeta

PAS NATËS VJEN DITA

Ai që e pranon natën
Do ta përqafojë ditën
Nëse terrin nuk e duron
Dritën kot e kërkon

Ai që dhimbjen e trupit
Nuk e trajton me qetësi
Shpresat shuhen pa një pa dy
Shëndeti nuk vjen me mërzi

Ai që ka pësuar
Edhe ka mësuar
E nëse s’e ka provuar
Ai kurrë nuk ka jetuar

JETA

Jeta shumë më ka mësuar
Koha shumë më ka dhuruar
Unike e fortë kam qëndruar
Me shpirt nuk jam dorëzuar

Jeta më dha mësim e kulturë
Më dha forcë të mos dorëzohem kurrë
Më dha dashuri të dua edhe më shumë
Më dha rast ta njoh veten kush jam unë

Në çdo sfidë jetoj me nder
Me durim i jap vetes vlerë
Në rrugën e jetës që ka një mbarim
Se jeta është një udhëtim pa kthim

ÇDO RRJEDHË KA NJË BURIM

Çdo rrjedhë ka një burim
Çdo poezi ka një frymëzim
Dikush diçka inspiruar
Dikujt diçka dedikuar

Në çdo varg e poezi
Në mes rreshtave histori
Është një perlë e kushtuar
Dikush dikujt per t’i kënduar

Këngë a poezi
Dhimbje apo dashuri
Është diçka që ndjen poeti
Diçka më e madhe se vet deti

Si burim që rrjedh në krua
Buron shpirti i një poeti
Sikur nga uji i bekuar
Në shpirt ke për t’u shërua

Poezitë i dërgoi për publikim, Arif Ejupi


RRUGË E PAMBARIM

Rrugë e gjatë pambarim
Më dërgon në perëndim
Nga vendlindja më largon
E zemra më digjet flakë

Rrugë e pafund kurrë
E lagur me lot e gjak
Nëpër vite në shtegtim
Kjo rrugë e pandalur kurrë

Sa e gjatë kjo rrugë
Lindje dhe perëndim
Ikim çdo ditë e natë
Në këtë rrugë pambarim

QËNDRIMIT

Ike për të mos u kthyer kurrë
Në rrugë të pa kthim
Si një engjëll fluturove
Aty ku parajsa të priste

Ike pa u përshëndetur
Me prindër motër dhe vëlla
Pa një lamtumirë të fundit
Që kurrë s’kanë më për të parë

Në ëndërr vjen çdo natë
Duke më buzëqeshur
Bisedon sikur të ishe gjallë
Mbyllesh derën dhe ikën prapë

Oh! Qëndrim biri ynë
Sa mall ndjejmë për ty
Na le të pikëlluar
Na le me lot në sy

Të kujtojnë shokët e klasës
Për ty ndjemë mungesën
Në bankë vejmë një tufë me lule
Për t’kujtuar tërë jetën…!

POEZIA IME

Ndoshta nuk beson
Që shkruaj poezi
Me shkronja të arta
Shpreh gjithë dashurinë
Është dëshirë e imja
Të shkruaj për jetën
Gjënë më të shtrenjtë
Që tregon të vërtetën
Shkruaj poezi
Nga ndjenjat e mia
Një rrëfim të hidhur
Që peng mbajti shpirtin tim…

NJË RRËNJË

Një rrënjë pa degë e gjethe
Një rrënjë që nuk shkulet dot
Tani degët janë tharë
Gjethet tretën nëpër botë
Një rrënjë është vetë shpirti im
Që nuk shkulet dot nga trupi
Damarët si degë pemësh
Gjaku dhe zemra si lëngë frutash
Një trup njeriu është vështirë të vdes
Ta ushqesh rrënjën e shpirtit
Zemër njeriu duhet të kesh…!

NJË LETËR

Një letër në dorë e mora
Të shkruaj poezi
Me një laps të thjeshtë
Shpreh gjithë dashuri
Bashkë me një pikë loti
Shkronjat që kisha
Poezinë e shkrova
Mbi fletë lotët më pikojnë
Zemra flakë më digjet
Poezinë e shkrova
Por malli s’po më hiqet.

E MBYLLUR NË QELI

E mbyllur në qeli
Nuk shijova jetën
Në terrin e zi
E këndova këngën
Me sy të përlotur
Shikoja në dritare
Në xhamin e vjetër
Shkrova disa vargje
Më mungon ajri i pastër
Dhe yjet e qiellit
Më mungon drita e hënës
Dhe rrezet e diellit
Marr një copë letër
Ca fjalë të bukura shkruaj
Nga shkronjat e arta
Oh sa shumë po vuaj.

DO TË RUAJ NË ZEMËR

Do të mbaj në folenë time
Do të ruaj në zemër
Të gjitha ato kujtime
Do ta shkruaj emrin tënd
Do të mbaj në zemrën time
Do të ruaj si kujtim
Do të pushosh në folenë time
Do të fus thellë në shpirtin tim
Do të fluturoj në qiell
Do ta ndërtoj një fole
Do të marr dhe ty me vete
Ta ndërtojmë një jetë të re!…

DALLËNDYSHET

Dallëndyshe e bukur shko në atë degë
Atje larg ku ke ndërtuar folenë
Mos rri në vend të huaj si e mjerë
Shko n’atë vend të bukur se ka ardhë pranvera
Mos rri në vetmi në këtë vend me akull
Fluturo në qiell e lëshohu në atë tokë
Mbledhi zogjtë e vegjël rrugëve mos i le
Se ata nuk dinë se çka është kjo jetë
Shko dallëndyshe me ata krahë të lehtë
Merre këtë letër dërgoma në shtëpi
Prindërve të mi dërgoju këtë letër
Thuaj se djali juaj u çon porosi
Përpos lirisë nuk dua asgjë tjetër
Shko dallëndyshe pashë ata t’bukrit sy

DHIMBJA

Kur e shoh dhimbja më kaplon
I varfër por me zemër të madhe
Buka mbetët në gojë fryma ndalet
Psherëti thellë e heshtja me mban
Për këtë njeri fisnik e bujar
Dua ta ndaj frymën e fundit
Varfërinë e tij të skajshme
Me shpirtin tim të ëmbël
U mundova ta ushqej me fjalë
Me shpresë që zemra e tij të rrah
Me dëlirësin e pastër si loti i tij
Por dashurin e mbante për të gjithë!…

E HUAJ JAM

Këtu jam e huaj nuk kam as emër
Këtu jam një zjarr që digjet përbrenda
Këtu jam e huaj nuk kam aspak vlerë
Këtu nuk gjej vend as dielli s’më nxeh
Këtu as gjumi s’më zë askush s’më njeh
Këtu as kënga as gjuha s’ndjejnë lumturi
Këtu veç ëndërra e mallëngjime të kota
Këtu e keqe më duket dhe e mjerë bota
Këtu veç shpresa ende gjallë më mban
Kur t’kthehem në atë vendlindjen time
Aty ku verës lozin çunat e qengjat blegërojnë
Dielli me dëshirë rrezet e arta lëshon.

Përgatiti: Sh. Dibrani
___________________
Burimi: www.shkshz.ch