REFLEKTIMI I FIGURËS SË NËNËS TEREZE NË NDËRTIMIN E KAUZAVE CIVILIZUESE

0
406
Emin Azemi

Nënë Tereza me fëmijë Globalizimi i fenomenit Shën Terezja herët a vonë do të prodhojë një doktrinë të re, mbi të cilën do të mbështeten të gjitha kauzat civilizuese, edhe për faktin se njerëzimi aktualisht ndodhet në një udhëkryq si rezultat i paragjykimeve dhe i përplasjeve qytetëruese,  ku një doktrinë e tillë do të kontribuonte së tepërmi në tejkalimin e hendeqeve me prefiks fetar, etnik, racor etj.

Nga Emin AZEMI

Nëna Tereze si fenomen global, fillimisht nuk ishte perceptuar drejt, për shkak se elitat dhe oligarkitë botërore, nuk mund ta merrnin me mend se mund të jetë një njeri i vetëm, madje një grua, që do të arrijë të frymëzojë mbarë njerëzimin me veprimet e saj të heshtura por tepër domethënëse për kohën dhe kontekstin hapësinor e shoqërore.

Vetëm pasi ta kemi studiuar dhe analizuar figurën e Nënës Tereze, do ta kuptojmë se më e fuqishme se vepra e saj, ishte vet ndikimi që ushtronte kjo figurë në thyerjen e shablloneve mbi të mirën dhe të keqen, mbi përmasat hyjnore dhe tokësore, mbi boshësinë e njerëzve të rrethuar me luks dhe pasurinë shpirtërore të skamnorëve dhe të të vetmuarve.

Vetëm pasi ta kemi studiuar dhe analizuar figurën e Nënës Tereze, do të mund të vërejmë se fuqia e veprimeve të saj në pjesët më të harruar të globit, nxorën në pah kontrapunktin e një realiteti që lidhet me emrin dhe origjinën e saj, edhe atë në dy pozita të ndryshme.

E para:  Ajo, ndonëse vinte nga një vend ku zëri i gruas nuk artikulohej gjithaq në mesin e një mjedisi patriarkal, megjithatë arriti ta thyejë këtë stereotip, duke lënë pas armata të tëra burrash me sjelljen dhe qëndrimin e saj.

E dyta:  Ndonëse ajo i shërbeu një Kishe –  asaj katolike, e cila s’ka vend për figura publike femërore, megjithatë Nëna Tereze e nxori nga anonimati vlerën universale humane që mund të vijë edhe nga një grua.

Dimensioni universal i humanizmit të saj tashmë ka errësuar çdo përmasë tjetër të përkatësisë së saj etnike e fetare, për arsye se Nëna Tereze ia doli të bëhet e shenjtë vetëm duke tejkaluar kufijtë e ngushtë etnikë e fetarë dhe duke u bërë kështu pjesë lëvizëse e ndërgjegjes kolektive globale.

Globalizimi i fenomenit Shën Terezja herët a vonë do të prodhojë një doktrinë të re, mbi të cilën do të mbështeten të gjitha kauzat civilizuese, edhe për faktin se njerëzimi aktualisht ndodhet në një udhëkryq si rezultat i paragjykimeve dhe i përplasjeve qytetëruese,  ku një doktrinë e tillë do të kontribuonte së tepërmi në tejkalimin e hendeqeve me prefiks fetar, etnik, racor etj.

Pra, ne sot mund të kemi harruar ndonjë vepër të Nënës Tereze, por assesi nuk mund të harrojmë ndikimin e saj në mënyrën dhe konceptimin e mirësisë, e cila sipas Nënës Tereze, ishte edhe një vullnet hyjnor në duart e njerëzve. Ajo ndjehet shumë e lumtur që një vullnet i tillë hyjnor i ishte transmetuar asaj në formë të një misioni për të qenë e dobishme aty ku mungon më së tepërmi dora e kujdesit dhe ngrohtësia njerëzore.

Me fjalë të tjera, përmasa hyjnore e këtij misioni e tejkalon sjelljen e një bamirëse, për arsye se siç thoshte vetë Nëna Tereze:

“Unë s’jam tjetër pos një lapës në duart e Zotit […] Zoti shkruan duke na përdorur neve edhe pse jemi vegla të papërsosura. Zoti shkruan në mënyrë të mrekullueshme”.

Nëna Tereze si fenomen dhe si vlerë universale nuk është prodhim konjuktural i ndonjë shteti a shoqërie të caktuar. Këtu qëndron edhe fuqia e madhështisë së saj planetare, sepse në gjithë veprën e saj ka vetëm një autorësi dhe ajo është vetë Shën Terezja, e pa ndikuar nga  asnjë ideologjie, asnjë doktrinë shtetërore. Vepra e saj është një manifest  që nuk shkruhet me fjalë të thjeshta e të zakonshme. Ajo para së gjithash shkruhet me frymën e njeriut që kuptimin e gjallimit e ndërton jo mbi egon, por mbi flijimin dhe vetëflijimin e një nositi.   Ose siç do të shprehet ajo me tone gati profetike:

“ ‘Do të jem shenjte’ do të thotë ta zhvesh vetveten nga çdo gjë që s’është e Zotit; t’i shkul nga zemra të gjitha gjërat e kësaj bote; të jetoj në varfëri dhe mënjanim; të heq dorë nga dëshirat, prirjet, tekat, idhujt e mi e ta bëj vetveten, me dëshirë, skllave të vullnetit të Zotit.”

Sado serioze e përkushtuese të jenë përpjekjet për studimin dhe analizimin e gjithanshëm të figurës së Nënës Tereze, megjithatë, ajo, me dimensionin e saj kompleks, do të mbetet edhe për një kohë të gjatë shkolla më e gjatë e njerëzimit.

Kur jemi te studimi dhe analizimi i figurës së Nënës Tereze, mund të themi se në botë nuk kanë munguar përpjekjet në këtë drejtim, kurse në hapësirën shqiptare Instituti i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore i shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) është institucioni i vetëm që përmes një Departamenti të posaçëm i është qasur në mënyrë multidisiplinare jetës dhe veprës së Nënës Tereze, teksa profili kompleks i saj gjithnjë e më tepër po  shndërrohet në objekt studimi e hulumtimi, për çka dëshmojnë edhe një varg projektesh e publikimesh në vitin që po e lëmë pas, e që nuk do të mungojnë edhe në vitet pasuese.

Shkup, 19 nëntor 2020

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berishaj, poet dhe shkrimtar