Amshimi – poezi nga Nexhat Halimi

0
302
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

Amshimi

Dhe ja, arritëm, vogëlushe.

Me gjak e fanfare zgjojmë Ilirinë.
Zjarri me ngjyra prek tërësinë.

Ja Toplica, rrugët vetmuar fare,
Molla e Kuqe nën shi e borë!
Ja Malësia e Madhe në dritare,
Ja Çamëria zgjohet në dorë.

Arritëm vogëlushe në një kurorë.

– Pagëzoje lindjen tënde,
– shkruama emrin, ëndrrën
e gjatë,
vogëlushe!

Krejt çka i takon dashurisë
do të jetë e amshuar:

– lulja dhe flutura,
– uji dhe fëmija me mollë në dorë,
pastaj buka, ajri,
e një mall, e një mall,

për ata që nuk janë këtu.

Amshimi II

Dhe ja, arritëm, vogëlushe.

Ky është Ulqini mes ujit e qiellit,
Mes pulëbardhës e kalasë,
Mes ulliri, e fiku, e pjeshke…

Rrënja i arrin prej amshimi
Te lulja bedençe, te ylli agon!

– Pagëzoje lindjen tënde,
– shkruama emrin, ëndrrën
e gjatë,
vogëlushe!

Krejt çka i takon dashurisë
do të jetë e amshuar:

– lulja dhe flutura,
– uji dhe fëmija me mollë në dorë,
pastaj buka, ajri,
e një mall, e një mall,

për ata që nuk janë këtu.

Nobelisti shqiptar

(Ferid Murad, është mjek, farmacist me famë botërore,
i cili fitoi çmimin Nobel për fiziologji dhe mjekësi në vitin 1998
)

Silueta e paqartë ndiqte kolonën e përgjakur,
të thyer nën retë e Likovicës së Gostivarit,
Vagëllimë e ujit gjarpëronte shkrepje mijëvjeçare.
Ngelnin lart veç shkrepat e vjetër të Sharrit.
Nata e vrarë, sytë e hutinit e shenjat e varrit.

Me dhembjen e pashuar të etjes shqiptare
Ecje udhën në Idiana në Amerikë, me sy në dritare

Ja tashmë Ferid Muradi me shpërblimin Nobel
Për fiziologji dhe mjekësi më 1998 fitoi përjetësi

Me pak atdhe në dorë, ikje udhët në largësi
Ikë dhe mbushesh frymë, e prapë ikë dhe ikë
Arrin rrugës së mëhallës te shtëpia e vogël afër Tetovës
T’i tregosh botës vijën tepër të gjatë e të hollë
Deri te vetëtimat me ëndrra të pavdekësisë.

Ja ti je i njëjti fëmijë, e njëjta etje shqiptare.
Ecë sheshet e Amerikës me filozofi ritmike,
T’i hedhësh dritë diturisë së vjetër mijëvjeçare.