Doli nga shtypi libri i ri per femije “Kur bie shi” i autorit Ismet TAHIRAJ
Në shtigjet e letërsisë, Ismet Tahiraj hapëron duke ndjekur degëzimet e saj, për të kultivuar në ngastrat e mundëshme, për ta plasuar idenë, motivin, shtjellimin dhe mjeshtrinë krijuese. Këtë herë futet në hullinë poetike për fëmijë, do ta lërojë këtë lloj me një përkushtim të veçantë, në të cilin do investojë një sasi dhe cilësi të konsiderueshme, duke bazamentuar talentin dhe përvojën krijuese për ta mbështetur ambicien e sajimit të konsoliduar. Duke u fokusuar në këtë rrafsh, poeti mëton të depërtojë në një botë specifike, veçantia e së cilës kërkon kujdes dhe përshkrim elementesh që e përbëjnë ose e shpërfaqin brendësinë e kësaj bote jo aq të thjesht, e cila kërkon përshtatshmëri kuptimesh e shprehjesh konformë kapacitetit absorbues:
“Kur fliste
Për udhën e Shkronjave
Buzëve shkrumb iu vinte,
Sa të vështira ato kohë
Por mësuesi
Në baltë kurrë s’na linte.”
Konkretësia dhe simbolika gërshetohen harmonishëm dhe ofrojnë një strukturim të ri, në formë dhe semantikë, në stilizim dhe estetikë, gjithnjë brënda titullëzimeve lehtësisht të kapshme, që përfaqësojnë emërvende, personalitete e dukuri konkrete e të njohura mjaftueshëm nga opinioni. Të dy ciklet që ravijëzohen këtu shprehin një gjerësi kuptimore të adoptuar sipas nivelimit të shkallëzuar të elementit që do shërbehet me të, strehohen në kohështrirjen, së cilës i dedikohen dhe lansojnë mesazhin e caktuar:
“Merre siç merret
Fjalën mirë ta mprehësh,
Mos tirr lesh të galmë
Se ti kurrë nuk dehesh.”
“Liria” si cikël i veçantë ngërthen motivin e shtytur nga ngjarje të ndodhura në kohë dhe hapësirë, vijëzon evenimente të heroizmit, portretizon atë dhe sakrificën në ideale, kauzë e vizion, duke i ofruar lexuesit faktografinë shpirtërore, kronologjinë ndjenjore për vazhdën e jetuar në rrjedhat e kohëve; duke i ofruar receptorit personazhet dhe personalitetet që shënojnë këto kohë, që përfaqësojnë tipare, virtyte a veçori tipike. Autori skicon trimërinë, qëndresën, urtësinë e brezave dhe, sikur dëshiron t`ua përcjellë pasardhësve përmes transmetimit në gjatësi valore të përpunuara në vargnim, të melodizuara në intonacion adapt, të figurëzuara në shprehshmëri poetike të përshtatur. Titujt e këtij cikli shfrytëzojnë, kryesisht, potencialin patriotik nga treva e Drenicës (por jo vetëm nga kjo), që ingranohet në mjetet poetike dhe derivon në krijimtari arti me pretendime vlerash të mirëfillta, të cilat, pastaj, i servohen një publiku të çiltër, si
informacion historik, si sajim artistik, si mesazh për kalitjen shpirtërore. Elementet e pozitivitetit njerëzor njohin një tabloizim shumëngjyrësh në veprën e Ismet Tahirajt, njohin një akomodim specifik nëpër njësitë poetike, një shtrirje gjithanshmërisht të përkufizuar. Tërësia e reagimeve artistike sistemohet sipas rangimeve të preferuara nga autori, si frymëzim i bartur në kohë, si determinant shpërfaqjesh motivuese, si ambicie ofertimi për brezat që vijnë. Kështu, Ismet Tahiraj i afron kohët, ndërlidhë bëmat e traditën, ndjenjat dhe ambiciet, përllogaritë rrjedhën në deshifrimin e karakteristikave, të karaktereve (individualiteteve), të sistemeve morale, të cilat i duhen formimit të personaliteteve të reja, formimit dhe kompletimit të njeriut në këtë nënqiell, paisjen e tij me informatën e rrugëtimit të këtij populli, njohjen me heroiken dhe tragjiken për ta destabilizuar hamendjen dhe përqëndruar vëmendjen tek mësuesja e jetës:
“E përgjakur nga stuhitë
U vyshkën lulet, qershia
Pjeshka i derdhi frutat e veta
Aty ku filloi tragjedia.” ( Çamëria)
Bagazhi i mbushur me ndijime e përjetime zbrazet i kanalizuar për së mbari, i adresuar tek një kategori e etur për ta përpirë si konceptim të sinkronizuar me jetën.
– Cikli i dytë “Lulja” ndërtohet mbi sfondin refleksiv të gërshetimeve ndjenjore, përshkrimit të notave në partiturat lirike, thjeshtëzimit të shprehjes poetike, në masën që e ushqen mjaftueshëm egon e botës së fëmijëve, zë vend dhe stimulon interesimin e emotivitetit të botës së tillë. Duke filluar nga belbëzimet foshnjarake, me të cilat shprehet fillesa e hapërimit, poeti kap tërë kompleksitetin e ndërtimit të karakterit, interferimin e dukurive shoqërore në këtë ndërtim, përshtatjet ambientore, si familja me prindër e gjyshër, rrethi e shoqëria, kurreshtja ndaj dukurive e fenomeneve, ndikimi i drejtpërdretë i tyre:
“Tortë bëri
Një patë
Punë hiç
E shumë shamatë.”
Natyra e fëmiut përcepton ndjeshëm. Për këtë poeti është i vetëdijshëm, prandaj racionet poetike që i ofron i përgjigjen kërkesave dhe nevojave mendore e shpirtërore të kësaj kategorie. Menyja e tillë përmban tërësinë themelore të parametrave të metodologjisë edukative dhe përbërjen e duhur të elementeve që ndërtojnë bazamentin e mentalitetit progresiv. Shembujt e jetës konkretizohen natyrshëm, shprehen nga fondi i bollshëm i leksikut, ilustrohen nga përjetime e ndijime të caktuara, herë-herë të personifikuara e të apostrofuara në figurëzime tjera stilistike.
– Konfliktet e vorbulluara brënda ndjenjës e emocionit shprehet në mënyrën që e metaforizon kuptimin përmbajtësor të njësive veç e veç por edhe si tërësi, duke traseizuar idenë në kahjen e dëshiruar:
“Një shkallare
Gjyshi në gardh ka vënë,
Mos bëj hopa
Se koha parakohe nuk vjen!”
Konceptim preferencash, këshillash, modelimesh të deshablonizuara, është përplot cikli i dytë i librit të Ismetit. Në tërësinë e librit përfaqëson impulsimet ngacmuese, të cilat vijnë si shtigje orientimi për ta mbajtur kursin drejtë në tallazet e jetës që e presin botën e fëmiut. Poeti i ka strukturuar harmonishëm këto dhe, kështu ka prezentuar veten si pjesëmarrës kreativ në kreaturën edukative që i pregatitet brezave që vijnë në vazhdimësi:
“Mos merr udhë përtej
Ku ndjek syri huaj,
Se guri e dheu
Këtu është i juaj.”
– Të dyja ciket e librit të Ismetit nuk janë të ndara strikt, ato ndërlidhen e ndërthuren shpesh herë, përplotësojnë misionin, përmbajtjen, formësimin e ideotematikës, estetizimin e përgjithshëm. Ky libër është dëshmi e përkushtimit permanent të poetit për të krijuar vlera, për të qenë pran opinionit që ka pasion artin poetik. Suksese të reja Ismet Tahirajt.
Xheladin A. Çitaku