MOHUESIT E VETVETES, APO “VETËVRASJA E PERSONALITETIT”

0
427

Nga Ryzhdi Baloku

Platformat politike të shteteve fqinje, Serbisë, Greqisë dhe të disa shteteve tjera, tashmë janë të njohura për historiografinë shqiptare.

Kryeministri i Serbisë Ilia Garashanin në vitin 1844, e miratoi programin ekspansionist “Naçertanije”, me të cilin pos tjerash parashihej edhe zgjerimi i territorit të shtetit serb. Po në atë vit, Asambleja Kombëtare e Greqisë aprovon platformën politike “Megali idea”, të cilën Kryeministri Jani Koleti e shpall si themel të ekzistencës politike të Greqisë, me pikëpamje të njëjtë, pothuajse si ajo e shtetit serb.

Pos programeve të cekura antishqiptare, kemi edhe shumë të tjera si këto, të cilat janë hartuar nëpër periudha të ndryshme historike, por me këtë rast nuk janë objekt trajtimi, andaj edhe nuk do t’i përmendim në këtë shkrim.

Pas shthurjes së Perandorisë Osmane, në periudhën kur fuqitë e mëdha i përcaktonin kufijtë e shteteve nacionale në Gadishullin Ballkanik (Ilirik), politikani serb me koncepte raciste e shoviniste dr.Vladan Gjorgjeviq, me 1913 botoi librin “Arnautët dhe fuqitë e mëdha” i cili qëllim kryesor kishte që para fuqive të mëdha të vihej në pyetje pjekuria civilizuese e shqiptarëve, e me këtë edhe e drejta për ta pasur shtetin, derisa “Arnautët si njerëz me bisht” ishte vetëm njëri ndër epitetet që u vihej shqiptarëve, në përshkrimin antropologjik të tyre.

Propagandës antishqiptare të këtij politikani iu bashkëngjitën edhe një numër intelektualësh serbë të asaj kohe, edhe pse ata posedonin njohuri se shqiptarët i kishin dhënë civilizimit botëror udhëheqës shpirtërorë dhe njerëz të dijes.

Lidhur me këtë propagandë është një tregim interesant që ndërlidhet me poetin tonë të madh, At Gjergj Fishtën, ngjarje kjo e cila shpjegohet si vijon:

Poeti At Gjergj Fishta kishte shkuar në një konferencë shkrimtarësh në Romë. Në atë konferencë merrte pjesë edhe një shkrimtar serb, i cili në librin e tij kishte shkruar se shqiptarët janë me bisht.

Kur të gjithë u ulën për të filluar konferencën, Gjergj Fishta ndenji në këmbë.
– Zotëri a nuk keni karrige ? – pyeti drejtuesi i seancës.
– Karrigen e kam, por nuk ka vrimë ku ta fus bishtin, – u përgjigj Fishta.
– Cilin bisht ? – e pyeti i habitur drejtuesi i seancës.
– Bishtin që e kemi ne shqiptarët për të cilin ka shkruar ky shkrimtar serb, – tha Fishta, duke shënjuar serbin.
– Ju lutem zotëri, mos bëni shaka! – foli përsëri drejtuesi i seancës.
– Nuk po bëj aspak shaka, – u përgjigj Fishta, sepse serbi, o do ta gjej bishtin për të cilin ka shkruar se e kanë shqiptarët, o le të dalë përjashta i turpëruar.

Për serbët e grekët dihet botërisht se janë armiqtë e shqiptarëve, andaj çfarëdo që vjen prej tyre nuk është për t’u çuditur. Pra, kur pushtuesit flasin dhe shkruajnë keq për të pushtuarin, ose për atë që pretendojnë ta pushtojnë, nuk është aspak e çuditshme. Mirëpo, të flasësh dhe të shkruash keq për vetveten, jo vetëm që është për t’u çuditur, por është edhe për t’u studiuar, si një koncept që e pasqyron mohimin e vetvetes.

Ky fenomen psikik i shfaqur te disa personalitete të caktuara, ka kohë që më sillej në mendje, si një ves që duhet studiuar, andaj në këtë shkrim vendosa ta trajtoj si një temë shqyrtimi nga këndvështrimi im.

E kam menduar bukur gjatë, se në çfarë mund të përngjajë mohimi i vetvetes.
Pas shumë përsiatjesh lidhur me këtë, kam ardhur në përfundim se ka goxha ngjashmëri me vetëvrasjen.

Meqë ka të bëjë me një të metë mendore që sjell dëme, atëherë vetvetiu lind pyetja se çfarë është dhe ku është arsyeja që e shtyn dikë ta mohojë vetveten, apo çfarë e shtyn atë të bëjë “vetëvrasje”.

Në biseda mes njerëzve më ka rënë ta dëgjoj një thjeshtëzim të arsyetimit, i cili ka të bëjë me çështjen e shfaqjes së ekstremeve të ngjashme më arsyen e atyre që vetveten e mohojnë, kur arsyetuesit thonë “qëllimi është për të krijuar emër, apo për të dalë nga anonimiteti”. Mirëpo, sipas mendimit tim arsyeja është shumë më e thellë, se sa që është fama, për të cilën dikush e mendon për arsyetim.

Për ta zgjidhë më lehtë këtë enigmë, e kam nisur analizën e çështjes me shembujt konkretë, të atyre personaliteteve që jo vetëm nuk janë anonimë, por edhe kanë krijuar emër, para se ta fitonin epitetin “mohues i vetvetes”.

Lidhur me këtë, për lexuesit është i njohur qëndrimi mohues i dy personave, të cilët kishin krijuar emër edhe para se të personifikoheshin me epitetin e “mohuesit të vetvetes”, apo thënë ndryshe, para se ta bënin “vetëvrasjen” e personalitetit të cilin e kishin ndërtuar më herët.

Për këta dy persona mund të themi se, njëri prej tyre që është albanolog dhe shkrimtar me famë kombëtare (që tani jeton në një shtet të zhvilluar të Evropës), kishte emigruar në Shqipëri në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, kurse tjetri që është publicist, jeton në Kosovë dhe merret me analiza politike, sidomos në periudhën e pasluftës së fundit.

I pari prej të përmendurve, e kishte botuar një roman shumë interesant me titull “Tradhtia”, i cili asokohe konsiderohej ndër më të mirët e letërsisë shqipe. Megjithëkëtë, më vonë i njëjti ka vuajtur shumë nëpër burgjet e Shqipërisë, gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës. Mirëpo, pas rënies së këtij regjimi dhe daljes së tij nga burgu, ai e mohoi përkatësinë e tij prej shqiptari, duke e proklamuar veten malazez.

Proklamimi se nuk është shqiptar, u deklamua nëpër disa media me një tezë antishqiptare, lidhur me prejardhjen e këtij kombi, për çfarë edhe zgjoi shumë polemika mbi këtë çështje, ndërsa i dyti doli me tezën kontroverse për “kombin kosovar” dhe deklaratën e çuditshme se “kombi shqiptar u krijua me ndihmën e Perandorisë Osmane”, për të cilën gjë ka shkruar “Periskopi” dhe shumë portale tjera, me 29 tetor të vitit 2020, e më pas.

Së pari ta analizojmë tezën e personit të dytë lidhur me “kombin kosovar”, e pastaj edhe atë lidhur me “kombin shqiptar të krijuar me ndihmën e Perandorisë Osmane”
Sipas mendimit tim, kjo tezë për “kombin kosovar” na përkujton pretendimet politike të shovinistëve serbë të Jugosllavisë së dikurshme nga koha e “Rankoviqit”, të cilët pretendonin në copëzimin e shqiptarëve me teorinë e tyre në “shiptari” dhe “albanci”.

Pra ky publicist, nuk u kënaq me pretendimin e “kombit kosovar” i cili “nuk i piu ujë”, andaj doli me tezën tjetër edhe më ekstreme dhe vetëmohuese se “kombi shqiptar u krijua me ndihmën e Perandorisë Osmane”.

Të kthehemi pak në histori, për ta kuptuar më mirë tezën pretenduese të këtij vetëmohuesi, e cila bie ndesh me realitetin e asaj kohe, për të cilën kohë flet ky publicist kosovar.

Gjatë një interviste të cilën e kanë publikuar shumë gazeta, revista dhe portale, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare ndër të tjera thotë: Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Evropë nuk kanë pasur një martirizim të tillë, pesë shekuj dënim.

Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006 në Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla, prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!

Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës, gjuhës shqipe! Dhe historia s’mbaron me kaq. Katër vite më pas, vritet Pandeli Sotiri, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar. Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori.

Shikuar nga ky aspekt, logjika e shëndoshë e njeriut nuk e kapërdin tezën e këtij publicisti se “kombi shqiptar u krijua me ndihmën e Perandorisë Osmane”, kur e njëjta Perandori ia ka ndaluar dhe mohuar gjuhën këtij kombi!

Kur është fjala për albanologun dhe autorin e romanit “Tradhtia”, të cilin e kemi marrë si shembull të kësaj teme, duhet pranuar faktin se i njëjti pastaj ka vuajtur shumë nëpër burgjet e Shqipërisë, gjatë kohës së sundimit të Enver Hoxhës.

Lidhur me autorësinë e romanit “Tradhtia” (me të cilin kishte krijuar emër para se të burgosej ky shkrimtar nga regjimi i Enver Hoxhës), në portalin “Iliria News” të dt.18.04.2018 shkrimtari Nafi Çegrani ka shkruar artikullin me titull: “Kush ishte autori i vërtetë i romanit »Tradhtia«…”, me të cilin shkrim e vë në dyshim autorësinë e kësaj vepre, nën pretekstin se UDB-a jugosllave ia ka konfiskuar dorëshkrimin e këtij romani autorit të vërtetë, të cilit i humbin gjurmët dhe ia japin “agjentit” të vet, këtij gjuhëtari e shkrimtari, që pas arratisjes së planifikuar nga burgu i “Idrizovës” ta botojë atë në Shqipëri. Por, meqë kjo çështje nuk është temë e këtij shkrimi, do ta përmbyllim me kaq, duke mos e marrë si të vërtetë absolute pretendimin e parashtruar të shkrimtarit Çegrani, për autorësinë e veprës së cekur.

Në portalin “Balli Kombëtar Demokrat” të datës 23 tetor të vitit 2018, është publikuar artikulli me titull “Kocaqi: Greqia, Turqia dhe Serbia kanë financuar prej njëqind vitesh politikanët shqiptarë”, në të cilin shkruan se historiania Elena Kocaqi e ftuar në emisionin “360 Gradë” të “Ora News”, tha: “Greqia ka financuar prej më shumë se njëqind vitesh në politikën shqiptare …

… Unë të paktën si historiane e kam gjetur në arkiva që para njëqind vjetësh Greqia financonte politikanët tanë për vendimmarrje.

Financon Serbia, financon Turqia. Fondet që jepen në Shqipëri janë jo qindra milionë dollarë, por mendoj se është një buxhet që shkon sa buxheti i Shqipërisë.

Gjithë ky investim ka prapavijë politike të qartë. E ka bazën tek nacionalizmi ekstremist, për të krijuar perandori neo-otomane, bizantine, të Stefan Dushanit, etj.
… Ky problem është i madh sepse dëmton interesat kombëtare …

Grekët kanë program të caktuar, ndarjen veri-jug të Shqipërisë dhe rritjen artificiale të numrit të minoritarëve”.

Nëse sipas Elena Kocaqit, politikanët shqiptarë paguhen nga Turqia dhe shtetet fqinjë, Serbia e Greqia, atëherë lirisht mund të nxjerrim konkluzion (për të gjitha trojet shqiptare) se edhe një numër i caktuar gazetarësh, analistësh dhe shkrimtarësh, ka gjasa që paguhen sikurse politikanët, por ndoshta me shuma më të vogla parash, krahasuar me politikanët vendimmarrës.

Sa i përket deklaruesve të tezave antishqiptare, përgjigjen demantuese më të mirë ndaj tyre mund ta gjejmë edhe në shkrimin e vitit 1914 të dijetarit dhe diplomatit amerikan George Fred Williams, i cili ka qenë ambasador i ShBA-ve në Greqi dhe Mal të Zi, si dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë gjatë viteve 1913-1914, i cili shkruan:

“Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i njohur me emrin Pellazg.

Shqiptarët janë të vetmit që kanë ardhur deri më sot nga kjo racë e fuqishme parahistorike. Vetëm vitet e fundit është përcaktuar se Pellazgët kanë qenë Ilirët e lashtë… Këta, Ilirët kaluan edhe në Itali me emrin Toskë, siç quhen ende edhe në Shqipëri, ndërsa në Itali kanë mbetur si Toskë, toskane, etruskë…

Shqipja ka qenë gjuha e vërtetë e Homerit, sepse grekët e kanë huazuar nga rapsodët Pellazgë eposin e tyre të shquar… Shqipja ka qenë gjuha amtare e Aleksandrit… dhe e Pirros së Epirit, një prej gjeneralëve më të mëdhenj të historisë…

Është tragjedi tej çdo përfytyrimi, që kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë të katandiset në këtë gjendje, e cila meriton të quhet skandali i qytetërimit Evropian.

Nuk është për t’u çuditur që pushtuesi otoman ndalonte çfarëdolloj gërmimesh në tokën shqiptare, që mund t’i kujtonin popullit lavdinë e tij të dikurshme…

Ç’pasuri e madhe dijesh e pret arkeologun kur toka shqiptare të hapë thesaret e historisë së Pellazgëve !”.

PS.
George Fred Williams është autor i librit “The Shkypetars” e përkthyer në shqip “Shqiptarët” nga Shaban Balla, botuar në “Dielli” Tiranë me 1934.