DËSHMI E NJËSIMIT ME HYJIN DHE ME DASHURINË E TIJ

0
379
Atë Ndue Kajtazi - Ai vetë është Drita

Me rastin e botimit të tri librave të Atë Ndue Kajtazit

Shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës dhe Kuvendi françeskan i Gjakovës nxorën në dritë tri libra të Atë Ndue Kajtazit, “Ai vetë është Drita” (Përsiatje të përshpirtshme) I, “Çështje të identitetit të krishterë “II dhe “Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi III”.

Në fillim të librit të parë “Ai vetë është Drita” (Përsiatje të përshpirtshme) autori ka vënë këtë mendim të Nënës Tereze, tashmë e shpallur e shenjtë:

“Besimi është e vetmja gjë që qenësisht është e jona[1] […] Feja është një dhuratë e Zotit. Pa të nuk mund të kishte jetë. Vepra jonë, për të dhënë fryt, që të mos i përkasë kujt tjetër pos Zotit, për të qenë e bukur, duhet të jetë e ndërtuar mbi fenë[2]”.

Shkruan: Anton Nikë Berisha

Secili që i lexon me vëmendje këto tri libra të atë Ndue Kajtazit: Ai vetë është Drita (Përsiatje të përshpirtshme), Çështje të identitetit të krishterë dhe Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi e vëren me lehtësi se ato janë dëshmi e njësimit me Hyjin, me hirin dhe me dashurinë e tij dhe se jeta e tij si bari shpirtëror, siç do të thoshte Nëna Tereze (tashmë e shpallur shenjtëreshë), është jeta e vetë Zotit në të[3].

Tekstet e këtyre librave të bindin në mënyrë të palëkundur se “[…] jeta është dhurata më e çmueshme e Zotit për njerëzimin[4]” dhe se “Hyji është dashuri dhe se kur dashurojmë jemi si Hyji[5]”.

Këto që përmenda shprehen thellësisht në përsiatjet e përshpirtshme (në lutjet, në krijesat poetike, në rrëfejzat në prozë, po edhe në pjesën portrete) të atë Ndue Kajtazit, qoftë kur shkruan për qenësinë e besimit në Hyjin e plotfuqishëm, për rëndësinë e lutjes[6], qoftë kur merr në vështrim rëndësinë e krishterimit e të kulturës së krishterë, në dritën e asaj që thoshte Anton Harapi qysh më 1935: “Te njeriu vetë kristianizmi ndërroi idetë, lartësoi ndjenjat dhe sistemoi tërë jetën vetjake. E bëri të mirë shpirtin e njeriut dhe kërkoi prej tij pastërtinë edhe të mendimit e të dëshirës: në vend të instinktit vuri ndërgjegjen me përgjegjësi; në vend të egoizmit dashurinë për të tjerët; në vend të ëndjeve detyrën; në vend të epsheve madhnoi virtytin […][7]”.

Pra, në secilën prej këtyre librave përligjet qenësia e besimit në Hyjin dhe në dashurinë e Tij dhe nevoja që njeriu të njësohet me këtë besim dhe me këtë dashuri.

*

Tekstet e librit Ai vetë është Drita (Përsiatje të përshpirtshme) ngrihet mbi dy çështje të rëndësishme: O Zot, bëj të shoh fytyrën tënde plot dritë! dhe Le të shndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!

Në punimet e kësaj vepre ndriçohet fakti se njeriu duhet të jetë afër Hyjit në çdo rrethanë jete dhe veprimi dhe të mbështetet në hirin dhe në ndihmën e Hyjit, siç thuhet në këto vargje të psalmeve:

po në ligjin e Hyjit e gjen gëzimin e vet,
ditë e natë e përsiat ligjin e tij (Ps 1, 2).

*

Hyji është drita dhe shpëtimi im […]
Hyji është mbrojtja e jetës sime (Ps 27, 1).

*

Dashuria jote le të jetë ngushëllimi im,
sipas premtimit që i bëre shërbëtorit tënd. (Ps 119, 76)

Pra, afrimi dhe njësimi me Hyjin dëshmon dashurinë, mirëkuptimin dhe pasurinë shpirtërore, që përligjet nga mendimi “Ji i përsosur siç është i përsosur Ati yt”.

Ai që e dashuron Hyjin, në të vërtetë, e dashuron dhe e çmon së pari veten, njeriun e vet, atdheun dhe kombin që i përket e pastaj edhe të tjerët, njeriun kudo dhe kushdo qoftë ai. Pikërisht besimi në Hyjin dhe dashuria për Të, nevoja që kjo dashuri të zbatohet e të mbretërojë midis njerëzve, bën atë  që e theksonte dhe Branko Merxhani: “Dhe para se të mësojmë të mendohemi, duhet të mësojmë të dashurohemi. Duhet të mësojmë të besojmë”.

Në librin Ai vetë është Drita atë Ndue Kajtazi ka përmbushur dy përbërës thelbësorë: gjërat që i ka shprehur në rrafshin vëzhgues, teorik, i ka konkretizuar përmes përsiatjeve dhe formave letrare (poezive dhe rrëfenjave në prozë), ku dukuritë sqarohen dhe marrin vlera të veçanta, përfillen më lehtë e më bindshëm dhe bëhen pjesë e marrësit, e lexuesit.

Në mbyllje po theksoj se atë Ndue Kajtazi ka dëshmuar se di të shkruajë dhe di pse shkruan; fjalia e tij është e qartë dhe ka drejtpeshim; stili i tij është i rrjedhshëm dhe mundësia e komunikimit dhe të ndikimit të tekstit të hartuar nga ai është e madhe.

Prishtinë, tetor 2020

[1] Thirsting for God. A Yearbook of Prayers, Meditations, Anevdots, Edited by Angelo Devananda Scolozzi, Servan Books, Ann Arbor (USA) 2000, f. 114. Shih Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 195.

[2] Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali. Città Nuova Editrice, Roma, X edizione, 2005, f. 8.

[3] Shih më gjerësisht për këtë në Nëna Tereze: Jeta është vetë jeta e Zotit në ne. Studim & Tekste & Testamenti shpirtëror dhe letra të Nënës Tereze. “Sanctae Crucis”, Prishtinë 2007.

[4] Shih librin tim, Doracak për Nënën Tereze. Argeta LMG & Fjala Hyjnore. Tiranë, Prishtinë, Shkodër 2014, f. 274.

[5]Madre Teresa, La mia regola. Fabbri editori. Sulla collana I classici dello spirito. R. C. S. Libri S.p.A., Milano 1997, f. 134.

[6] Nëna Tereze thoshte: “Lutja nuk është të kërkosh. Lutja është të vihesh në duart e Hyjit, të vihesh në shërbim të Tij dhe të dëgjosh zërin e Tij në thellësinë e zemrës sate”. Shih Madre Teresa di Calcutta, Il mio libro di preghiere. A cura di Francesco Follo. Mondadori, Milano, 2002, f. 6.

[7]Atë Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë 1977, f. 277.