“Rrugëtimi i një Bashkatdhetari“ – libër që shtjellon jetën dhe veprën plot trazime e sakrifica të veprimtarit në mërgim Elfi Agushi

0
1019
Rrugëtimi i një bashkëatdhetari

ARIF EJUPI

Fondit të bibliotekave të Republikës së Kosovës, gjatë këtij viti i është shtuar edhe një libër me vlerë të veçantë nga fusha e historiografisë sonë.

Bashkautorët, Sherafedin Kadriu,njohës i lëndës arkivore dhe Sabit Rrustemi, tashmë i njohur si romancier e publicist me shumë seriozitet kanë trajtuar në librin “Rrugëtimi i një Bashkatdhetari” veprimtarinë dyzetvjeçare të veprimtarit në mërgim Efi Agushi.

Ata një kohë të gjatë kanë gjurmuar në arkivat komunale dhe në ato të nivelit qendror dokumente dhe artikuj të shumtë mbi Lëvizjet çlirimtare në mërgim,e veçanërisht mbi ato në Zvicër.

Pastaj në konsultim me kryepersonashin e këtij libri z.Agushi, kanë klasifikuar ditarët dhe letërkëmbimet e tij me bashkëveprimtarë të viteve të 80-ta,si:vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Zijah Shemsiu, Kadri Abdullahu, Hydajet Hyseni, Nuhi Sylejmani, Faton Topalli, Sami Kurteshi, Hasan Malaj, Osman Osmani, Abdullah Prapashtica, Shyqeri Ukshini, Xhafer Shatri, Ejup Ahmeti, Ismet Rashiti, etj.

Paharruar në asnjë mënyrë edhe një efektiv të madh veprimtarësh të tjerë të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, gjithandej Zvicrës.

Librin e bënë më të plotë dhe më tërheqës për lexuesin edhe një vështrim historik tejet interesant mbi Grykën e Karadakut.

Nga ky rajon që shtrihet në, pjesën lindore të Rrafshit të Kosovës, kanë dal djem e burra të zotët që çdoherë u kanë bërë ballë presioneve shumëshekullore të pushtimeve dhe dominimeve të huaja.

Ata këtë gatishmëri e kanë treguar edhe gjatë regjimit kriminal të Millosheviqit, i cili Kosovën e ktheu në Auchvic –Birkenau të dytë.

Invadimin e vendit dhe përpjekjet për asimilim të shqiptarëve të Kosovës nga ky regjim gjakatar i kundërshtoi me armë në dorë edhe oficeri i karrierës nga Zhegra e Anamoravës Agim Ramadani,i cili me heroizmin e tij të treguar në Koshare, do të kujtohet përherë, së bashku me 113 -të të rënët e tjerë bashkëluftëtarë të tij.

Kjo Monografi përmban edhe një përmbledhje mbi pozitën gjeografike në lashtësi të Karadakut,duke përfshirë si veçori natyrore relievin,me male, gropa dhe lugje. Kapitull në vetvete është edhe popullimi i Karadakut, si hapësirë e banuar nga fiset ilire,si një nga formacionet më të vjetra etnike në Evropë.

Derisa në libër pasqyrohet veprimtaria dyzetvjeçare në mërgim e z.Elfi Agushi, autorët i bëjnë një analizë të ngjeshur edhe trungut familjar të Agushajve të Dunavit të Karadakut.

Gjenealogjia e kësaj familjeje përherë të parë jepet e kompletuar në formë të shkruar në këtë Monografi, dhe përfshinë një periudhë mbi dyqindvjeçare të ekzistimit të saj.

Pjesëtarët e familjes Agushi edhe në fazat e mëhershme kanë qenë njerëz me ide dhe koncepte të qarta në mbrojtje të Kosovës. Kur më 1912 Serbia pushton këto vise disa serbë e zënë pengë Hamit Agushin,derisa ai po punonte në arën e tij pranë një zabeli,dhe e urdhërojnë që ta ndërrojë përkatësinë kombëtare.

Hamiti i habitur i kishte pyetur ushtarët e krajlit të Serbisë: – Po e ndërrova kombësinë, a vdes ndonjëherë ?
Po, i përgjigjen ata.

– Atëherë më mirë po vdes sot si shqiptar se nesër si shka, u thotë Hamiti. Ata të mllefosur nga kjo përgjigje epike e gjymtojnë atë. Edhe pse në këtë gjendje Hamiti s’ndërroi qëndrim.

Nga gjenet e stërgjyshit të tij ka trashëguar shumëçka edhe Elfi Agushi, pjesëmarrës i shumë ngjarjeve të rëndësishme të mërgatës sonë në Evropën Perëndimore.

Z.Agushi, që ka luftuar plot dyzetvjet për çështjen tonë të drejtë kombëtare në këtë libër do të rrëfejë edhe për takimin e tij të parë me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla.

Po ashtu si një ngjarje të paharruar deri në vdekje ai, do ta kujtojë edhe betimin në Flamurin Kuq e Zi, përpara Kadri Zekës, për besnikëri dhe ruajtje të fshehtësisë.

Në librin “Rrugëtimi i një Bashkatdhetari”flitet edhe për demonstratat e emigracionit shqiptar të organizuara në Gjenevë, Bernë, Bruksel etj.

Në këto protesta spontane dhe kolektive përveç politikës diskriminuese të Federatës jugosllave ndaj shqiptarëve u kritikua ashpër edhe politika pasive e udhëheqësve të Kosovës.

Në orvatje të një vetëdijesimi edhe më të lartë të mërgatës sonë që si pjesë shumicë kryente punë sezonale në Zvicër, dhe pa fajin e saj ishte e paarsimuar Kadri Zeka, Elfi Agushi dhe Shyqeri Ukshini në kinematë e Gjenevës, sjellin filmin kinematografik “Lulëkuqet mbi mure” të regjisorit shqiptar Dhimitër Anagnosti.

Brenda kopertinave të këtij libri si një ndodhi që s’do të harrohet asnjëherë është vendosur edhe martesa e Kadri Zekës, me 2 janar të vitit 1982, me Saime Jusufin në Biel të Zvicrës.

Këtë gazmend me momente interesante hareje dhe gëzimi e kishte xhiruar në tërësi me kamerë Bardhosh Gërvalla, kurse Efliu me aparat kishte bërë fotografi të shumta.

Prandaj rrëfyes i saktë i kësaj ngjarje janë incizimet dhe fotografitë, të cilat përjashtojnë çdo spekulim të armiqve tanë dhe veglave të tyre.

UDB-ja jugosllave si një organizatë e errët kriminale duke parë unitetin e shqiptarëve në mërgim më 17 janar të vitit 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë, vrau me një atentat të fshehtë vëllazëritë Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe bashkëveprimtarin e tyre Kadri Zeka.

Pas kësaj vrasje tinëzare përveç që u nxi veli i bardhë i nusërisë së një vajze të re shqiptare siç ishte në këtë rast Saime Jusufi, Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e viseve tjera në Jugosllavi, humbi tre ideologët e saj që ishin lokomotivë dhe shtysë jona për çlirim gjithëkombëtar nga sllavët.

Me gjithë dhembjen e madhe që pati Kosova për këta djema trima dhe mijëra dëshmorë të tjerë,ajo doli në krye të qëllimit kur e përkrahur nga SHBA, më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli Pavarësinë e saj dhe shkëputjen definitive nga Serbia.

Andaj ky libër me data, ngjarje dhe fakte u këshillohet për lexim të gjithëve,sepse vetëm nëpërmjet tij mësohet e vërteta mbi punën plot rreziqe dhe sakrifica të veprimtarëve tanë në Perëndim, posaçërisht të atyre të viteve të 80-ta.

Autorët, Kadriu dhe Rrustemi edhe pse kanë punuar në këtë libër me mjaft përkushtim prapëseprapë mirëpresin, vërejtje dhe sugjerime qëllimmira nga lexuesit.