Don Pashku – njeriu i buzëqeshur

0
267
Don Pashk Dani

Shkruan: Pal Canaj

(Artikulli në fjalë është botuar në librin e dom Pashk Danit “Jeta e një meshtari”, Kujtime)

Figura e meshtarit

Nga prizmi i kujtesës së gjeneratave të kohës sime, nëse rikthehemi me një vështrim nga e kaluara, portretin e priftit disi që në moshën e vogël sikur e kishim të njohur.

Kjo njohje kishte zënë fill, që nga format e para të edukimit moral, kombëtar, shpirtëror dhe fetar, që e zhvillonin baballarët, nënat, gjyshet dhe gjyshërit tanë, në pasdarket e netëve të gjata në dimrat e acartë.

Në format e tilla të komunikimit dhe edukimit, në traditën e familjeve tona shqiptare, famullitari përshkruhej dhe portretizohej si një qenie njerëzore me plotë hirësi e mirësi, i dashur, i urte, i kuptueshëm, i mëshirshmin e me plot bekim.

Rrëfimet e tilla nga të moshuarit kultivonin idenë tek fëmijët për figurën e meshtarit, të një njeriut të mirë dhe gati të përkryer, i cili, si qenie e tillë njerëzore rrezaton me hirin e tij mirësi dhe buzëqeshje.

Në ditët e para të ardhjes së don Pashk Danit në Zllakuqan, kur e shihja fytyrën e buzëqeshur të këtij meshtari, seç me përkujtoheshin rrëfimet e gjysheve dhe nënave tona për meshtarin, njeriun e mirë, që rrinë në kishë dhe shpërndanë fjalën e Zotit.

Prifti i ri, i ardhur në detyrën e kapelanit (ndihmësit), në kishën shën Gjon Pagëzuesi në Zllakuqan, në pranverën e vitit 1983, don Pashku në mesin e besimtareve të Lugut të Drinit, shfaqej me plot dashuri për njerëzit, i buzëqeshur, komunikues, gazmore, i gatshëm që të komunikoji përmes ndonjë batutë domethënëse, si shkak për të nxitur momente gazmore, duke lënë përshtypje të një humori të mirë.

Ardhja e don Pashkut në Zllakuqan

Ardhja e don Pashkut në famullinë e Zllakuqanit, sigurisht së duhet të ketë qenë një privilegj për priftin e ri, sepse kjo famulli në atë kohë ishte famullia më e madhe në mbarë Kosovën, dhe se kisha e Zllakuqanit shquhet me historikun e saj si në aspektin fetar dhe vatër e hershme e arsimit kombëtar.

Në ketë kishë, që udhëhiqej nga don Mark Sopi famullitar i autoritetshëm, kapelani i ri, kishte rastin të njihej nga afër me traditën e begatshme të priftërinjve, që kishin shërbyer këtu, të cilët, kishin lënë gjurmë edhe si figura të rëndësishme në aspektin arsimor, kulturor, kombëtar dhe historik, siq ishin atë Engjell Palaj, atë Shtjefen Geçovi, atë Lorenc Mazrreku, Don Pjeter Berisha e shumë të tjerë.

Tradita e shkëlqyer e priftërinjve, të cilët kishin shërbyer në kishën e Zllakuqanit, ishte një shembull me vlerë për don Pashk Danin, në rrugën dhe misionin e tij baritor.

Veprimtaria e tij prej famullitari të përkushtuar në mision, bënte që figura e tij të admirohej me respekt nga populli i Lugut të Drinit me rrethinë.

Don Pashku si meshtar dhe njeri i shkolluar, admirohej nga moshat e ndryshme, dhe posaçërisht nga të rinjtë e kësaj ane. Kështu që pas çdo takimi me këtë famullitar, të lugdrinasit shfaqej dëshira që takimi i radhës herën tjetër të jetë në kohën sa më të afërt.

Don Pashku, gjatë qëndrimit të tij në Zllakuqan shfaqte një dashamirësi të pashoqe ndaj të rinjve, duke rezervuar pritje të shpeshta për ne fakultetlinjtë, të cilët në atë kohë ishim të diplomuar, në fakultete të ndryshme.

Ruaj kujtime nga takimet, bisedat, që se bashku me djalin e dajës, profesorin Pal Përgjokaj kishim në atë kohë me don Mark Sopin dhe don Pashk Danin.

Meshtari don Pashk Dani, gjatë shërbimit në famullin e Zllakuqanit, dallohej si një predikues i përkushtuar, kurse në raportet me njerëzit si në ndeja dhe takime të ndryshme karakterizohej gjithherë me dëshirën, për të dëgjuar të tjerët si dhe me gatishmërinë e tij, që në mënyre të haptë t’i thotë mendimet e veta.

Don Pashku, famullitar në Budisalc

Me themelimin e famullisë se re të Budisalcit në vitin 1986, don Pashk Dani emërohet famullitar, i cili, në kishën e Budisalcit nisi konsolidimin e famullisë dhe vazhdoi misionin dhe aktivitetin e tij në shërbim të fesë dhe të kombit.

Në kishën e Budisalcit, gjate viteve të 90-ta don Pashk Dani pos detyrës dhe shërbesave fetare prej famullitarit, ai sikurse paraardhësit e tij , mbështetur ne parimin Për Atme e Fe, e funksionalizoi rolin e vet, në shërbim të qëndresës kombëtare përballë pushtuesit serb.

Në atë kohë, jeta në Kosovë ishte vështirësuar dhe çdo synim për ringjalljen e frymëmarrjes shqiptare konsiderohej armiqësor dhe e dënueshme nga ana e regjimit serb.

Nga këndi tjetër don Pashk Dani, në ambientet e kishës katolike shën Gjergji në Budisalc organizonte simpoziume, tubime me karakter të ndryshëm, kulturore dhe kombëtare, me cikël temash dhe ligjëratash, duke angazhuar ligjërues kompetent, nder të cilët ishin: Dr. don Lush Gjergji, dr. Engjëll Sejda, prof. Prend Buzhala, etj.

Në këto tubime, që mbaheshin në ambientet e kishës dhe në oborrin e saj, merrnin pjese numër i madh njerëzish nga famullia e Budisalcit, respektivisht popullata shqiptare e këtyre aneve nga të dy besimet, katolik dhe mysliman.

Për okupatorin serb, ky unitet i shqiptarëve dhe një pjesëmarrje e tillë prej qindra vetash në kishën katolike të Budisalcit vrojtohej kujdesshëm dhe konsiderohej si veprimtari e rrezikshme nga regjimi i kohës.

Ligjëratat dhe simpoziumet, që mbaheshin në oborrin dhe ambientet e kishës së Budisalcit, sikur ngjasonin në Liceun e Aristotelit, në të cilin mbaheshin dy mënyra ligjëratash, ato ezoterike, të formës së mbyllet, me profesionalist, dhe ato egzoterike, të formës së hapur me popullin.

Format e tilla të aktiviteti kulturore, me bërthamë kombëtare në kohen dhe në rrethanat e atëhershme, ishin një motivim me rendsi në përpjekjet e popullit tonë për lirinë e Kosovës.

Universiteti i Lugut te Drinit

Pas përfundimit të ligjëratave, në oborrin e kishës së Budisalcit zhvillohej një debat, pjesëmarrësit komunikonin me ligjëruesin dhe jepnin mendimet e tyre lidhur me temat të cilat trajtoheshin.

Mënyra e tillë e rrahjes së mendimeve, për kohën e atëhershme shfaqej edhe si një tregues, ku, jepeshin edhe shkëndijat e një fryme të mendimit demokratike.

Vlera e simpoziumeve, ligjëratave dhe takimeve me karakter të ruajtjes së qenies shqiptare dhe forcimit të idealit për liri, në kushtet e okupimit të atëhershëm serb, meritojnë të vlerësohen si një nga gurthemelet në kështjellën e lirisë së Kosovës.

Nga një takim i tillë e ruaj të freskët kujtimin, kur unë e mora fjalën, duke pasur parasysh rrethanat ekzistuese dhe meritat e punës se don Pashk Danit, rolin historik të kishës dhe klerit katolik, thashë së ky vend (oborri kishës së Budisalcit), si një prej katedrave të frymës se emancipimit shpirtëror dhe kombëtare, të jetë i hapur si Universitet i Lugut Drinit, ku don Lush Gjergji ndërhyri, duke thënë, së kush duhet të jetë meritor për rektor të këtij Universiteti, dhe natyrisht propozimi ishte për don Pashk Danin.

Kështu fjala dhe komunikimi, ndoshta pa marr fund u ndërpre, duke e marre pëlqimin e të pranishmeve, të cilët, shpërthyen në duartrokitje.

Këto momente edhe me doza të tilla dialogu, mbeten të pashlyera në kujtesën time dhe në mbamendjen e pjesëmarrëseve të asaj kohe, pjesë të cilat po i përcjellim për lexuesit në librin e don Pashk Danit.

Gjurmët e njeriut të buzëqeshur

Don Pashk Dani, njeriu i buzëqeshur me misionin dhe veprimtarinë e tij të begatshme jetësore, ka lënë gjurmë me vlerë në vendet nga më të ndryshmet ku ka qëndruar, si brenda Kosovës dhe jashtë saj, poashtu gjithandej ku ka shërbyer me petkun e meshtarit.

Kur dëgjova për librin që po përgatit don Pashk Dani, si njëri prej miqve të tij të hershem, pata kënaqësinë që edhe unë nga këndvështrimi im i kujtimeve t’i shkruaj disa rreshta për figurën e priftit të dashur dhe të çmuar, sepse gjithherë ka dhuruar bekim, punë dhe buzëqeshje, i cili, vazhdon të jetë i tillë pandërprerë, me punën e palodhshme dhe me buzëqeshjen e tij engjëllore.

Dërgoi për publikim, Lekë Mrijaj, gazetar