“Shqiptarët duhet të mbahen në konflikt, shërbimet serbe e shkatërrojnë shtetin në Shqipëri fare lehtë”. Luçiq, Stanisiq e Fazlliq…

0
266
Sharlatani Luçiq

E si të mos ketë të drejtë sharlatani Luçiq?

Gazeta Dita, 14 nëntor 2020

Dejan Luçiq, është një personazh jo pak i njohur në Serbi. Në fillim ka qenë anëtar i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe (SPO) të Vuk Drashkoviçit. Zyrtar dhe politikan i viteve 90, tani autor librash dhe analist politik, ai ishte dëshmitar kyç i mbrojtjes në gjykimin e shefit të shërbimit sekret serb (SDB) Joviva Stanisiq në Hagë.

Stanisiq dhe Franko Simatoviq (ish-komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale të drejtuara nga SDB) u akuzuan dhe u gjykuan si krahu në terren i planeve të Milosheviçit për spastrimin etnik të kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve për të arritur dominimin serb të territoreve.

Nëse disa libra të tij kanë për zemër tema me spiunazh dhe komplote ndërkombëtare, një intervistë televizive e Luçiq, pjesë nga e cila janë botuar në DITA, më shumë se konspiracion, bien erë ngjarje e zhvillime të ndodhura rregullisht në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në rajon.

Po çfarë ka deklaruar në këtë intervistë me pamje prej eksperti, lunatiku Luçiq? (pamje poshtë)

Luçiq gjatë emisionit në TV

“Shteti shqiptar shkatërrohet fare lehtë, mjafton të ekzistojë vullneti te shërbimet serbe. Nuk është vështirë të futësh në grindje shqiptarët mes tyre toskë, gegë, të krishterë, myslimanë, linja fisnore, fetare. Nëse i mban në konflikt mes tyre, ata në Shqipëri e harrojnë ëndrrën për Shqipërinë e Madhe”, – thotë Luçiq.

Është i bindur se politika serbe me mbështetjen e shërbimeve të inteligjencës, mund të shkaktojë në çdo kohë çfarëdo trazire në Shqipëri dhe Kosovë.

“Vritni një politikan shqiptar, akuzoni konkurrentin e tij dhe ja… luftë fisnore mes shqiptarëve. Në Kosovë, nëse shkaktohet konflikt mes Thaçit dhe Haradinajt mund të ndezësh zjarr atje kur të duash”, thotë miku i Stanisiq.

Dejan Luçiq ka lindur në Beograd në vitin 1950. U diplomua nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, së bashku me disa emra, që më pas do t’i vinin flakën Ballkanit dhe ish-Jugosllavisë.

Luçiq në Hagë, si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin e Stanisiç dhe “Frenkit”

Është fjala për ish-kreun e shërbimit të sigurimit të shtetit Jovica Stanishiq dhe komandantin e njësive speciale Franko Simatoviq, i mbiquajtur Frenki, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krimet e luftës.

Është fakt i njohur shoqëria e tij, jo vetëm me krerët e shërbimit sekret serb, por edhe me njerëzit e krimit dhe trafiqeve (shpesh këto dy grupe ishin e njëjta gjë gjatë luftërave në Ballkan).

Këto lidhje kanë prodhuar një seri botimesh, që lidhen me trafiqet e armëve dhe drogës; parapëlqen teoritë e konspiracionit, tema si frankmasoneria, shoqëritë sekrete, Kisha Katolike Romake, etj. Nuk ka si të mungojë në botimet e tij edhe një libër mbi “mafien shqiptare të UÇK-së”.

Libri i Luçiq për UÇK

Në përgjithësi, Luçiq ka oreks të veçantë për të ngjallur debate dhe përdorur gjuhën e urrejtjes, me të cilën stigmatizon myslimanët, hebrenjtë, kroatët, shqiptarët, madje dhe Vatikanin. Një krenari të veçantë shpreh për origjinën e familjes së tij, duke thënë se është një pasardhës i Jelena Markoviçit, anarkistja e famshme, e cila në 11 tetor 1882 në Kishën Katedrale në Beograd, qëlloi pa sukses mbi mbretin Millan Obrenoviç.

Në pamje të parë, deklaratat e hapura, pozat teatrale dhe qëndrimet e mëparshme të Dejan Luçiqit, tradhtojnë një prirje drejt famës në dobi të librave të tij.

Padyshim ai nuk përfaqëson linjën zyrtare; shumë gjëra – të paktën në dukje – kanë ndryshuar në Beograd, por xhepa, grupime antishqiptare dhe mjaft “anti” të tjerë gjallojnë lirshëm dhe me bollëk aty.

Mikun e tij Jovica Stanishiq me Shqipërinë nuk e lidh vetëm qenia drejtues i UDB-së në kohën e Millosheviqit, por edhe nipi i tij Damir Fazlliq dhe aferat e këtij të fundit në Tiranë, ku disa vite më parë (në kohën e Saliut) ai bëri miliona dhe ndihej zot shtëpie.

Damir Fazlliç në kohën e Saliut, u bë emër shumë i njohur edhe në Tiranë

Le të përqëndrohemi në një kënd tjetër analize: Përtej kollajllëkut pompoz të retorikës së Luçiqit, deklaratat e tij përkthehen realisht, në ngjarje që kanë ndodhur në Shqipëri.

Shteti shqiptar shkatërrohet lehtë? Ngjarjet kanë treguar se, fatkeqësisht, po. Ka ndodhur në vitin 1991 e 1997, kur, fakte kanë dalë pafund, dëshmitarë kanë folur, por vetëm kaq. Drejtësia është zënë kaps.

Edhe shfrytëzimi i vrasjes së dikujt për të çuar drejtimin e ngjarjeve diku tjetër dhe akuzuar ndërkaq kundërshtarin politik, janë ngjarje dhe sekuenca ende të freskëta në Shqipëri, e padyshim në Kosovë.

U vra Arben Broci më 2 prill 1991, dhe u akuzua policia e qeveria e kohës, çka solli zgjedhje të reja. U vra Azem Hajdari dhe u bë grusht shteti. Dhe nëse në Kosovë, fitila të tillë përçarjeje ndodhnin për shkak të pushtimit, në Shqipëri këto bëma nuk i bënte ndonjë misterioz; por vetë kreu i shtetit, Saliu.

Parrullë gjatë një mitingu të PD në Tiranë

“Batakun e sotëm prej nga nuk po dalim dot, lëmshin e gjithanshëm dhe shtetin e institucioneve të dobëta, terroristët “myslimanë shqiptarë” etj., i kemi dhuratë edhe nga kjo metodologji, që për hir të së vërtetës, nuk është e re, por e lashtë sa historia njerëzore.

Kjo ‘shkollë’ është ende në fuqi. Ndërsa personazhe të çatrafiluar serbë si Dejan Luçiq japin intervista e botojnë libra, në Tiranë princat e zjarrvënies po plaken me lezet, duke u vjetëruar si patriarkë të politikës; që bëjnë moral, akuzojnë mbarë e mbrapsht, tendosin apo lirojnë fijet e pushtetit, sipas lojës së radhës.

Dhe nuk u hyn gjemb në këmbë. E si të mos ketë të drejtë sharlatani Dejan Luçiq?” – shkruan në një editorial mbi Kosovën dhe Hagën, botuar sot në DITA versioni print, kryeredaktori i gazetës Adrian Thano.

©Copyright Gazeta DITA