Hyji është një puthje…

0
286

Hyji është një puthje…

Giorgio Bonati

Hyji është një puthje
në sy që të depërtojnë horizontin,
në këmbë që të gjallërojnë rrënjët e mia,
në ballë që të shkundë mendimet e mia thellë.

Hyji është një puthje
që heq peshën e melankolisë dhe të frikës,
që njeh për mua atë që unë nuk di,
që djeg gjithçka që nuk është mrekulli.

Hyji është një puthje përvëluese
që më përgatit për luftë, pa një ankesë,
si një rrugë hap buzëqeshjen time,
jo e ëmbël, jo e rreptë.

Hyji është një puthje drite në lotët e mi,
zjarr në buzëqeshjet e mia,
mjaltë në hidhërimet e mia,
frymë në dëshirën time për liri.

Përktheu:
Nikolin Sh. Lëmezhi

Të jetosh do të thotë…

Motër Carmina Schieda

Të jetosh, do të thotë, të kërkosh të vërtetën e gjërave,
të vërtetën e jetës;
të jetosh, do të thotë, të ecim të sigurtë drejt Qëllimit.
Të jetosh, do të thotë, të besosh në të Pafundmin, në të Pakrijuarin
që të mbështjell me Dashuri.
Të jetosh, do të thotë, të ndihesh i dashur
që nga zanafilla e Krijimit;
të jetosh, do të thotë, të duash… edhe kur nuk merr dashuri.
Të jetosh, do të thotë, të ndihesh brenda një butësie kaq të madhe
saqë pa masë ta zgjeron zemrën.
Të jetosh, do të thotë, ta kesh të qartë, vlerën e pafund të jetës.
Të jetosh, do të thotë, të ndihesh i aftë të shtrëngosh
me një përqafim të vetëm… me dashuri…
të gjitha gëzimet… të gjitha dhimbjet…
universin… të Pafundmen…
dhe Krijuesin e Tij.

P.s.: Sa bukur do të ishte sikur këto mendime e ndjenja
të mund të këndoheshin në çdo vend!

Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi