Botohet “Qasje artit poetik” (Poetika) të Aristotelit, me shqipërim nga profesor Anton Nikë Berisha
Shkruan: Elvi Sidheri
Këto ditë pa dritën e botimit një shqipërim me vlera madhore për letërsinë dhe përkthimet në gjuhën shqipe. E kam fjalën për veprën Poetika të Aristotelit, (me titull në shqip “Qasje artit poetik”), e cila i ka qëndruar shekujve dhe mijëvjeçarëve, duke u marrë gjithmonë si shembull dhe pikënisje nga breza të shumtë dhe duke përbërë njërën nga shtyllat e kulturës letrare Perëndimore, nga lashtësia gjer në ditët tona.
Ky shqipërim nga profesor Anton Nikë Berisha, i ofron lexuesit shqiptar sprovën mjeshtërore që Aristotelit i fal: përshtatjen më burimore në gjuhën tonë. Pata fatin të jem pjesë e kësaj pune të jashtëzakonshme letrare, si redaktor i kësaj vepre të botuar nga Argeta LMG, prandaj po e paraqes më poshtë fjalën time përmbledhëse kushtuar kësaj vepre, që botohet në kopertinën e prapme të librit:
“Pas një leximi plot ëndje dhe vëmendje, në çastin që e mbarova përkthimin e Qasje artit poetik të Aristotelit nga Anton Nikë Berisha, disa mendime m’u përvijuan vetvetiu në mendje.
Përkthimi në fjalë i këtij gurthemeli të artit poetik botëror, ka përparësinë madhore se është bërë me përkushtim, dije të thella dhe duke përdorur metodën krahasuese, mes disa përkthimeve të mëparshme prej gjuhëve të ndryshme që Anton Nikë Berisha me të drejtë i ka përmendur, por edhe seriozitetin e tij të dëshmuar si njeri i gjuhës dhe kujdesin e skajshëm për ta prurë sa më pranë burimores këtë vepër.
Kjo më pëlqeu edhe më shumë, duke qenë një veçori e përkthimit të tij, që duke e sjellë sa më kuptueshëm në shqip, 2300 vite pas shkrimit të kësaj vepre, ai ka ruajtur gjithsesi frymën burimore, tiparet dhe formën e vetë Aristotelit, sepse përndryshe vepra do të ishte padyshim e përçudnuar (si ndodh shpesh në përkthimin e klasikëve të lashtësisë), duke humbur përmbajtjen dhe tingullin e saj të mirëfilltë.
Është këndshëm kur vepra ndihet e lashtë, edhe kur e lexon në 2020, po sërish është e kuptueshme, e kjo është merita e veçantë e këtij përkthimi.
Qasje artit poetik rrjedhimisht do të përbëjë ndoshta një pikënisje, një udhëzim për përkthyes të tjerë, që duan të lëvrojnë letërsinë antike”.
Për dëshmuar rëndësinë e shumëfishtë që ka kjo vepër e Aristotelit, po sjell vetëm mendimin e dy autorëve, njohës të mëdhenj të veprimtarisë së këtij autori të lashtë: D. Gërliq & L. Abercrombie, që autori i përkthimit e ka vënë në krye të botimit: “Vepra e Aristotelit ‘Qasje artit poetik’ sigurisht është poetika më së shumti e botuar, e përkthyer dhe e komentuar nga të gjitha librat e këtij lloji të botuara deri më tash. Në librin ‘Principet e kritikës letrare’ prof. Abercrombie (1881 – 1938) për këtë vepër të Aristotelit shkroi:
Poetika është jo vetëm diskutimi i parë plotësisht filozofik mbi letërsinë, por edhe baza e të gjitha diskutimeve të mëvonshme. Shumë nga ato që thotë Aristoteli ilustrojnë mendimin grek dhe kanë të bëjnë me letërsinë greke, por shumë nga ato që thotë ai përbëjnë thelbin e mendimit të drejtë për letërsinë përgjithësisht. Në shumë pikëpamje asgjë nuk i është shtuar, dhe për sa mund të shihet, asnjëherë asgjë as nuk do t’i shtohet asaj që pat të thotë Ari
—
[1] Danko Gërliq, Estetika. Historia e problemeve filozofike. Përktstoteli për artin letrar[1]”.hyes Dr. Fehmi Agani, Rilindja, Prishtinë 1984, f. 85 – 86. Shih dhe L. Abercrombie, Principles of Literary Criticism. Outline of Modern Knowledge 1931.