SHTYPI I HUAJ PËR NGJARJET NË KOSOVË (1981-1990)

0
1424
Zymer Mehani, portret

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Përveç shtypit legal dhe ilegal shqiptar, interesim të veçantë për ngjarjet në Kosovë ka treguar edhe shtypi i disa shteteve evropiane, diku më shumë e diku më pak. Mirëpo ka edhe vende që kryesisht e kanë komentuar shtypin ish-Jugosllav e TANJUG-un.

Ngjarjeve të Kosovës vend të merituar i jep shtypi gjermano-perëndimor, prandaj po e fillojmë me gazetën ‘Frankfurter Algemainine Cajtung’ të datës 27 prill 1981, e cila shkruan: ‘Ndërmjet datës 1 e 4 prill nuk mbeti asnjë zonë e krahinës pa bërë në forma të ndryshme, demonstrata dhe greva.

Vrojtues të informuar jugosllavë numrin e të vrarëve e çmojnë mbi 30-40 vetë dhe të plagosurve deri në 1000 veta…’ Gazeta daneze ‘Socialistisk dagblad’, në shkrimin e 29 prillit 1981, me titull ‘Lufta në Kosovë synon shpalljen e Republikës’, shkruan:

‘Demonstratat janë rezultat i përpjekjeve shoviniste të organeve zyrtare jugosllave dhe të serbëve për të ushtruar kontrollin dhe forcën e tyre në këtë krahinë’. Gazeta franceze ‘Liberasion’ shkruan se qysh prej majit 1981 më shumë se 800 veta janë deklaruar fajtorë për aktet kriminale, nga të cilët 400 kanë marrë dënime që arrijnë deri 15 vjet burg dhe 1.300 të tjerë kanë marrë dënime që janë në kompetencën e policisë, pra më pak sesa një vit’. Gazeta ‘Kleine Zeitung” nga Korushka të Austrisë shkruan se gjatë trazirave studentore të muajit mars të vitit 1981, në provincën jugore të Jugosllavisë në Kosovë, gjatë manifestimeve të demonstratave të studentëve shqiptarë, u lënduan gjithsejtë 23 demonstrues, ndërsa nga ana e forcave të sigurisë janë lënduar 12 policë. Më tej vazhdon artikulli:

’Demonstruesit shqiptarë kërkuan lirinë e shtypit’ si dhe krijimin e ‘Republikës së Kosovës’. Artikullshkruesi Gustav Chalupa në Gazetën ‘Klein Zeitung’ me 7 prill 1981, i shkruan dy artikuj në të njëjtën ditë, ‘…10 demonstrues të vdekur, studentë, dy pjesëtarë të policisë dhe 57 të lënduar rëndë janë në spital dhe 22 të arrestuar që e deklaron anëtari i LKJ-së Stane Dollanc në ‘Sava Centar’ në Beograd’. Në një pyetje nga gazetari austriak, Dollanc përgjigjet me këto fjalë:

‘A dëshironi ju që t’i keni dy Kore në Ballkan? A dëshironi që t’i Keni në Ballkan dy Gjermani?’ Ndërsa gazeta ‘Noje Cyrher Cajtung’ jep njoftim të saktë për zhvillimin e ngjarjeve në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, e cila konstaton:
‘Pakënaqësia e shqiptarëve në Kosovë nuk shprehet vetëm nga grupet më militante shqiptare, të cilat kërkojnë një republikë shqiptare në Kosovë, por ajo shtrihet edhe te 300 mijë shqiptarët në Maqedoni e 50 mijë të tjerë në Mal të Zi’. Është mjaft interesant konstatimi i gazetës greke “To Vima” e cila shkruan:

‘Nuk duhet ta pakësojmë rëndësinë e ngjarjeve që po ndodhin prej shumë javësh në rajonin e autonom të Kosovës në kufi me Shqipërinë, edhe në qoftë se kriza mbytet. Fakt është se autoritetet jugosllave nuk i kursejnë mjetet mbytëse. Këto telashe përbëjnë paralajmërim serioz’. Edhe gazeta amerikane ‘Nju-Jork Tajms’ e 27 prillit, pasi thotë se situata me sa duket mbetet e pastabilizuar, meqë përforcimet e ushtrisë dhe të policisë ndodhen akoma në Kosovë dhe tubimet politike janë të ndaluara, shtron pyetjen: Çfarë ndryshimi do të sillte edhe një republikë më shumë? Pse Kosova të mos jetë republikë, kur 85 për qind të banorëve të saj (1.5 milion) janë shqiptarë etnikë. Nga ana e saj, gazeta italiane ‘Koriere dela sera’ duke folur për shkaqet e ngjarjeve në Kosovë, ish-krahinën e cilëson si rajonin më të prapambetur në ish-Jugosllavi. Kërkesa e ligjshme dhe kushtetuese, e Kosovës-Republikë po kundërshtohej dhe po vritej dita-ditës.

Gazeta jugosllave ‘Veçernje Novosti’ e 14 janarit 1984 njoftonte se më 11 janar 1984, në orën 22.00 u rrethuan dy irredentistë, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha . Forcat ushtarake-policore urdhëruan që me mjete policore e të blinduara të kapeshin të gjallë, pse kështu e donte interesi i tyre i veçantë. Vala e akuzave dhe e terrorizmit përfshiu edhe trevën shqiptare të Medvegjës, Preshevës, dhe Bujanocit deri në Vranjë. Vetëm në këto tri rrethe, në vitin 1983 akuzohen shqiptarët për 575 krime dhe dy herë më shumë për shkelje të tjera ligjore. Kryesore është akuza: ‘Kërkojnë bashkimin e të gjitha viseve shqiptare në Jugosllavi…’.

Interesimi për ngjarjet në Kosovë nuk i shpëtoi as gazetës prestigjioze angleze ‘The Times’, e cila më 20 maj 1981 shkruan: ‘Trupat dhe policia u tundën në Kosovë nga të gjitha anët e vendit për të treguar shqetësimin e gjithë Jugosllavisë për çka po ndodhte atje. Por autoritetet po gjejnë atje akoma një rezistencë të madhe . Të dhënat zyrtare flasin për disa qindra të arrestuar dhe për më shumë se 100 veta që presin të dalin përpara gjyqit për akuza të rënda, por numri i tyre rritet çdo ditë, ashtu si dhe numri i të përjashtuarve mga shkollat dhe universiteti….’. Më 20 maj 1981, ‘Di Prese’ e Austrisë shkruante: ‘Po shikohet me preokupim të madh fakti që gjendja në Kosovë nuk është qetësuar, me gjithë ndërhyrjen e forcave nga e tërë Jugosllavia. Kompleksiteti i problemeve me të cilat është lidhur kjo ngjarje e vë udhëheqjen jugosllave para detyrave jashtëzakonisht të vështira’. “Borba” shkruante:

‘Fadil Hoxha, anëtar në presidiumin e Shtetit e të Partisë, edhe vetë shqiptar, i cili në fund të prillit kishte damkosur me turp nacionalizmin shqiptaromadh të rretheve të gjëra në Tiranë, më 23 maj vazhdoi një fushatë shtypi kundër shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Në Konferencën e partisë të LK të Kosovës , më 5 gusht 1981 u vendos që të përjashtohet M. Bakalli, dhe t’i jepej një vërejtje e fundit me përjashtim nga partia’.

Gjatë zhvillimit të mëtejshëm të ‘diferencimit ideologjik-politik’, deri në fillimin e gushtit 1981 qenë përjashtuar nga LK të Jugosllavisë, 534 anëtarë.