Poezia për fëmijë e poetit Fadil H. Curri

0
362
Fadil H. Curri - Nga gëzimi fluturojmë

Zymer Mehani

Tanimë, emri i poetit Fadil H. Curri është i njohur edhe për lexuesit tanë të vegjël. Veprat e këtij poeti rrezatojnë vlera të rëndësishme edukative, arsimore, imagjinative, estetike e stilistike.

Poeti Curri po dëshmohet i suksesshëm në fushën e trajtimit të botës komplekse të fëmijëve, të cilën ka arritur ta paraqesë në krijimet letrare që shquhen me vërtetësi të artit të përsosur.

Ky poet edhe me vëllimin poetik “Nga gëzimi fluturojmë” po dëshmon se ka prirje dhe zotësi për trajtimin e temave e të motiveve të rëndësishme për fëmijët dhe për botën e tyre.

Vetë subjekti i poezive të kësaj përmbledhjeje flet për ngritjen e tij të sigurt prej artisti dhe për përkushtimin e kujdesin e treguar për konceptimin maksimal të mendimeve e të ngjarjeve dhe kapjen e aspekteve të veçanta të jetës, që janë karakteristike në të menduarit dhe imagjinatën e fëmijëve. Pikërisht kjo mënyrë e trajtimit të reales të gërshetuar kaq bukur edhe me fanatastiken, poezive të z. Curri ua shton edhe më shumë vlerën, gjë që dëshmon vendosshmërinë dhe seriozitetin e vazhdueshëm të autorit për t`u falë fëmijëve krijime artistike me përmbajtje të rëndësishme ideo-eduaktive.

Poezitë e poetit Fadil H. Curri i përshkon një laryshi motivesh dhe tematikash. Motivet e trajtuara në poezitë e tij janë jeta në fshat, marrëdhëniet në familje, atmosfera shkollore, dashuria ndaj prindërve e gjyshërve, natyra e vendlindjes etj.

Gjuha e poetit Curri në këtë vëllim është e kulluar, e thjeshtë dhe e kuptueshme për moshat fëmijërore. Edhe fjalori është i kapshëm për fëmijët. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me moshën fëmijërore.

Bibliografia letrare e autorit
Fadil H. Curri është shkrimtar, poet, publicist, që shquhet edhe për vështrime kritiko-letrare. Veprat letrare të botuara gjer me tani janë:

1. “Këngë e lot” ( poezi ), Iliriku, 2002,
2. “Vargje mbi gurë” ( poezi ), 2004,
3. “Nga gëzimi luturojmë” autor dhe lektor i librit (poezi ) 2011,
4. “Itervenimi i NATO-s dhe e drejta historike e popullit të Kosovës” ( libër publicistiko-letrar ), 2015,
5. “Mendime të arta”, ( Aforizma dhe fjalë të urta ), 2015
6. “Gjuha e truallit tonë”, ( poezi ), bashkautor me poetin z. Zymer Mehani, 2016,
7. “Djalit të Kosovës”, ( libër publicistiko-letrar), për dëshmorin Ferid Curri 2016,
8. “Fshati Mazgit përgjatë kohërave të historisë”, monografi, 2017,
9. “Humaniteti i familjes së Refik Hotit”, monografi, 2018,
10. “Baladë e bardhë”, monografi, për dëshmorin Istref Curri 2018
11. “Epoka e mendjendriturit”, (poemë), vëllimi parë dhe i dytë 2018,
12. “Fjalori Norvegjisht-Shqip”, pjesa e parë, 2018.

Në dorëshkrim ka edhe disa libra tjerë…