SINTEZA E MESAZHEVE POETIKE TË NJË PËRMBLEDHJE VARGJESH

0
396
Brahim Avdyli - Muza e vargjeve

Muhamet D. ROGOVA:

  • Disa fjalë për veprën më të re poetike, “Muzat
    e vargjeve”, të poetit, Brahim AVDYLI.

Brahim Avdyli, poet, publicist, gazetar, romansier, daramaturg, historian edhe studiues, na vjen edhe kësaj rradhe me një përmbledhje poetike, tani të një niveli më të arrirë si poet i formuar. Me këtë përmbledhje poetike do të na tregojë se muza poetike e Brahim Avdylit nuk shterron, që nga përmbledhja e parë e librit me poezi “Nën hijen e alpeve”, e botuar gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, e që ishte pritur shumë mire nga publiku artëdashës dhe duke e ruajtur nga pushteti.

Meqë kritikët dhe lexuesit e shumtë do të dinë të shohin, madje në dhjetëra forma origjinale, unë mund të them se që nga ajo kohë, rruga e tij si krijues vazhdoi e po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Nëse në përmbledhjet e mëparshme poetike poeti shprehte entuziazmin dhe dashurinë për jetën e vendin që e lindi dhe e rriti  me shpresë për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe dhe më të lumtur, si çdo i ri, i cili përpiqet për t’i realizuar ëndërrat e tij rinore për një jetë të lumtur, rrota e fatit që e përciell njeriun gjatë jetës së tij e nuk po shkonte gjithënjë sipas dëshirave dhe planifikimeve të tij. Në mënyrë të papritur rrota e fatit po merrte drejtim të kundërt me ate që njeriu e planifikon për jetën e tij. Pavarësisht angazhimit titanik që mund të bëjë njeriu, vullneti dhe angazhimi  në fushën e krijimtarisë dhe të shkrimeve në fusha dhe gjini të ndryshme vazhdojnë ta përciellin autorin  në mënyrë të pandërprerë edhe sot e kësaj dite.

Ndoshta puna me shëndetin dhe gjendjen financiare dhe të familjare  nuk  kanë marrë për të mbarë, përkundër vështirësive nga më të ndryshmet nëpër të cilat po kalonë autori, vullneti për shkrime, studime dhe për veprimtari të tjera, nuk e kanë lënë për asnjë qast.  Kjo përmbledhje e fundit e poezive të Brahim Avdylit  është një dëshmi për vullnetin e tij  të jashtëzakonshëm, për t’u marrë me çështje të artit e të letërsisë. Këtë përmbledhje poetike autori e titullon “Muza e vargjeve”. Me këtë autori don të tregojë se  Muza kurrë nuk e ka tradhëtuar dhe përherë e ka shoqëruar dhe do ta shoqërojë për tërë jetën, si një zanë besnike që përherë i rrin në krah  dhe i jep forcë e vullnet për ta vazhduar rrugën e krijimtarisë poetike, që buron nga thellësia e shpirtit të tij fisnik, për t’i dhuruar artëdashësve përherë poezi të mrekullueshme  përmes të cilave sjell mesazhe të tëra për jetën, përgjithësi.

Këtë përmbledhje poetike të titulluar  “Muza e vargjeve”  me dyzet  poezi, autori e ndanë në  shtatë cikle apo çerthuj poetik : 1). “Ngjyrat e mendimit”; 2). “ Simbolika e dhembjes”; 3). “Në kontekstin e ironisë”; 4). ”Paradokset e kohës sonë”; 5). ”Nën plafin e trishtë”;  6). ”Ikje nga dhembjet”;  dhe 7). ”Mbifjala”.

Si prolog në këtë përmbledhje poetike autori  shenon poezinë “Centrifuga e tokës”, përmes së cilës paraqet idenë kryesore  që i përshkon pothuajse të gjitha poezitë e kësaj përmbledhje. Në këtë poezi autori paraqet zhgënjimin e tij të thellë për këtë jetë  që nuk i solli ndonjë gëzim  dhe largimin nga kjo jetë e pret me gëzim:

“Do ta liroja shpirtin
nga këto pranga…”

“…do të fluturoja
nga gëzimi…”

(Cetrifuga e tokës)

Autori në këtë përmbledhje poetike tregon një pjekuri më të lartë poetike dhe këto poezi paraqesin një ngritje më të lartë të nivelit artistik në raportë me përmbledhjet e më parshme. Në këtë përmbledhje poetike  paraqitet një nivel më i lartë, si në formë, po ashtu edhe në idetë e tij, si poet tani i formuar.  Poeti gjithnjë është përpjekur të ndërtojë një familje të shëndoshë me të cilën do të kalonte një jetë të lumtur, por kjo nuk i eci, për shkak të intrigave të ndryshme që i vinin nga të gjitha anët dhe jetën ia shëndërruan në ferr, duke i shkaktuar brenga të mëdha  dhe duke e lënë të braktisur pa fajin e tij.

“Ato ia zbrazin
njëra tjetrës
të idhtit e kohës mbi damar”

(Përroi i ditëve)

Brengat poetit, nuk iu ndan për asnjë çast përherë duke i sjellur vuajtje  në trupin dhe shpirtin e tij, duke e lënë të braktisur nga njerëzit e tij të dashur:

“E më lanë përherë të braktisur
si fëmijë i përbuzur”

(Po aty, Përroi i ditëve)

Vuajtjet e tij nuk kanë të sosur me vuajtje që i dalin nga thellësia e shpirtit:

“Lot e gjak përzihen
në një klithje pa fund”

(Po aty, Përroi i ditëve)

Poeti përherë rrin në mendime për gjendjen e tij  për të cilën nuk din as vet se kend duhet ta fajsojë  për këto brenga që e rëndojnë aq shumë në shpirt. Këto mendime i janë bërë “Bjeshkë mendimesh”, “Fjalët e gurëzuara”. Në pamundësi për të dalë nga kjo gjendje amullie në të cilën ndodhet, “I zhgënjyer / përplasem nëpër copat  e mjerimit”, dhe në këto rrethana, “vetmia bëhet kurorë pikëllimi” (Ngjyrat e mendimit). Përmes këtyre vargjeve  shkallë-shkallë  poeti  shpalos brengat dhe vuajtjet  e tij që nuk kanë të sosur.

Poeti përpiqet që, si një poet i formuar, brengat e tij personale t’i shtrijë në brengën kolektive të popullit tonë. Shpresat me të cilat  ishte ushqyer populli ynë, se në vendin tonë të lirë do të jetonim të lumtur, shpejt avulluan  dhe na erdhi një zhgënjim edhe më i thellë  se në atdheun e tyre  për lirinë e të cilit aq shumë u sakrifikua, tani rinia dhe populli kanë mbetur si zogj të braktisur, nga politika jo e drejtë e shtetit tonë, që nuk kujdesen aspak për këtë popull të shumë vuajtuar dhe e vetmja rrugë iu ka mbetur për të marrë rrugët e mërgimit  ku do të jenë përherë të përbuzur dhe pa dinjitet. Këtë gjendje nëpër të cilën po kalon populli ynë, poeti artistikisht e përshkruar në poezinë. “Hijenat e gjakut”, ku shprehet:

“Hijenat të prekin kudo
rrënjët t’i nxierrin prej tokës…”,

dhe vazhdon :

“e fluturimet  vazhdojnë
nga trungu i atdheut
zogj që ikin
pa fund”

Përkundër përpjekjeve të  jashtëzakonshme të poetit ashtu sikurse edhe të popullit të tij për të ndërtuar një jetë të dinjitetshme, asnjëherë nuk na u krijuan rrethanat e favorshme shoqërore për reralizimin e ëndërrave tona. Poeti  shprehet në poezinë “I ngjaj Leokoontit”:

“E shoh veten
në përplasje
midis gjarpërinjëve”.

Përkundër përpjekjeve të poetit  që përmes veprimtarisë së tij të pakursyer, si dhe shkrimeve të tij të gjinive të ndryshme është përpjekur për t’ia treguar popullit rrugën e drejtë për realizimin e aspiratave tona kombëtare, për një jetë të lirë e të dinjitetshme.

Poeti i zhgënjyer shprehet se “e vërteta ka ikur nga vetja” (Po aty). Poetin e kanë mbërthyer si Leokoontin me gjarpërinjë dhe duan ta ngulfasin. Ai vazhdon rrugën e tij, me shpresë se një ditë e drejta do të triumfojë. Për të gjitha këto të këqia që e kanë mbërthyer popullin tonë, poeti e fajson kastën politike, të cilët:

“e veshin
gozhupin e turpit”
(Gozhupi i turpit)

Ata, as që qajnë kokën për gjendjen në të cilën është katandisur populli ynë.

Të vjen keq për poetin që është shpirt njeriu e që ka rënë në një gjendje shumë të mjerueshme prej familjarëve që e kanë braktisur  e për të cilët tërë jetën është përpjekur për t’iu siguruar kushte më të mira për jetë, me shpresë për të krijuar një familje të shëndoshë, ku duhej të mbretëronte dashuria dhe harmonia. Si pasojë e intrigave, poeti mbetet i braktisur dhe i vetmuar. Kjo gjë po i shkakton vuajtje të thella. Ndoshta për këto vuajtje ka rënë në një zhgënjim të thellë, si çdo njeri i yni, i sinqertë. Ai nuk nuk sheh rrugëdalje të mirë. Në kulmin e këtij dëshprimi që e ka kapluar, poeti  në poezinë e tij “Sizif i gjallë” shprehet:

 “energjinë kozmike
e lus pa pushim
që të më marrë  në botën e përtejme
dhe të ik
nga bota e dhembjeve”

(Sizif i gjallë)

Rrallë mund të gjejmë ndonjë poet që me kaq thellësi i shpalos vuajtjet e tij përmes vargjeve, plotë mllef për jetën, që nuk i solli asgjë të mirë nga kjo botë e nga kjo jetë.

Në poezinë “Paradokset e kohës” poeti i kthehet të kaluarës së largët të popullit tonë që nga Atlantida mitike, me një kulturë të lashtë  e paqësore. Ne jemi pjesë e pandarë e këtij kombi, mija vitesh para lidjes së Krishtit e këtej. Si na u zbrazën mbi kokë të gjitha mynxyrat e shekujve, duke na cilësuar si popull të përbuzur:

“çuditërisht
duket se e kemi ndërtuar
Zotin e Krimit
në Ballkan!”

Madje, kështu nga njerëzit tanë, vazhdon loja e krimit me këtë popull që nuk e ka merituar. Poeti përmes këtyre poezive kalon nga vuajtjet e tij personale te vuajtjet kolektive të popullit tonë, pa arritur të kuptojmë se kush janë fajtorët për këtë gjendje nëpër të cilën po kalojmë. Përkundër këtyre vuajtjeve të thella, që i përjeton poeti e që nganjëherë e bëjnë të kalojë në “botën tjetër”,  poeti me durimin e tij  prej shenjëtori përpiqet ta gjejë ngushllimin e tij  pikërisht në tryezën e shkrimit dhe të krijimeve të pafuntme, që i realizon për t’ia lënë testamet kohëve dhe njerëzve.

Në poezinë “Stacioni i poezive të mia”, poeti  shprehet:

“Jeta ime
e ka çdo erë
nga një stacion të poezive…”

Përmes këtyre poezive, në të cilat poeti përpiqet të zbrazë helm e lot për jetën e tij, plotë me vuajtje, por edhe për popullin të tij, të cilin nuk e ndanë askund prej vepres, që po i kalon ditë të vështira, me shpresa të vrara, e të ardhmen pa parspektivë, nuk e di cilën mund ta zgjedhësh. Të gjitha poezitë janë me thekse të pandara. Poeti u jep lexuesve mesazhe të papritura. Si pak poetë të tjerë, Brahim Avdyli përpiqet ta paraqes edhe një segment tjetër të jetës, tani në përmasa globale.

Me sulmin që i ndodhi e po i ndodh njerëzimit përmes pandemisë  nga Virusi Covit-19, i cili po e tronditë botën, poeti nuk di kënd do ta fajësojë për këtë të keqe të madhe, me plotë frikë e stres,  i cili e ka kapluar botën e sotme. Ai nuk di çfarë të bëjë, pos të ikë edhe njëherë nga dhembjet, në botën paralele. Në poezinë, ”Ikja nga dhembjet”, është fjala për dhembjet gjithënjerëzore :

”Atëherë
sindromat e epidemisë
më pickojnë në kujtesë,

përditë vdesin
pak nga pak
pa pritur e pa menduar”.

Kështu poeti përmes këtyre poezive kalon nga hallet personale te ato kombëtare dhe pastaj edhe në problemet me karakter gjithënjerëzor, të sulmuar nga virusi i kobshëm, i cili po i rrëmben njerëzit pa dallim rrace, vendi, kombi, gjinie apo edhe shtrese shoqërore. Kjo jep të kuptohet se tërë njerëzimi po jeton në amulli  dhe me probleme  nga më të ndryshmet. Ashtu si thotë një thënje e popullit në Shkodër: “Hall mbi hall kjo dynja / Halli hallit nuk i ngja” apo një shprehje proverbiale që përdoret te ne: “Kërkush pa halle nuk jemi / të gjithë një lloj nuk i kemi”, kështu edhe poeti Brahim Avdyli në poezinë “Çka do të më thoshin muzat” poeti shpehet:

“A e di
se jeta është
provë e përkohshme e vuajttjeve”

Duke dashur të mbyl këtë recension, poeti Brahim Avdyli përmes kësaj përmbledhje poetike ia ka dalë me sukses të na dhurojë një vepër me vjersha të larta artistike, përmes të cilave vuajtjet personale dhe ato njerëzore i ngrit në art, duke ia dhuruar lexuesit një vepër me vlera shumë të larta poetike. Vetes ia siguron një vend të merituar në fushën e letërsisë bashkëkohore.

Poetit i dëshirojmë shëndet dhe suksese të mëtutjeshme, në fushën e krjimtarisë.

Gjakovë, tetor, 2020.