Dr. Zef Mulaj – autori i librit në haiku “Mrekulli në kafaz”
Libër i ri:
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Dardani, nëntor 2020
Ditë më parë doli nga shtypi libri i radhës, një vëllim poetik shumë domethënës, i shkrimtarit tonë tropojan tashmë të dëshmuar deri në piedestalin e letrave moderne shqipe, i Doktorit të shkencave farmaceutike që jeton në rrethin e Ankonës – Dr. Zef Mulaj.
Libri poetik “Mrekulli në kafaz”, në italisht, fatmirësisht hyri ndër ne si një perlë artistike e radhës, e cila sjell plot nga realiteti ynë, nga pikëpamjet e kësaj jete, nga çdo lëvizje e drejtë apo e shtrembër, në rrethin dhe në rrethanat ku jetojmë ne fara iliriko-arbërore. Na vjen në haiku kjo perlë artistike e Doktor Zefit, i cili na e ka sjellur dhe servuar, siç di vetëm Ai, me shprehje të vërteta e në metafora stilistike, gjithmonë të ngjyrosura, edhe me shkencë, edhe me realitet, edhe me dhembje, edhe me dashuri.
Në këtë libër, që ka qindëra shkrepëtima të shprehura në teknikën haiku, të ndarë në katër shtylla të mëdha, shkencëtari ynë, edhe në mënyrë profesionale, edhe me shkreptima shumë vezulluese poetike, na thërret me porosinë shumë të fuqishme, që gjithmonë e gjithkund të na rrahë fort zemra, duke lëvizur gjithnjë, edhe duke marshuar drejt dritës së fortë dhe shpresëdhënëse në tunelin, të cilin jemi të detyruar ta kalojmë, për të marshuar të gjithë bashkë drejt parajsës së dashurisë e të lumturisë njerëzore, që e duam të amshuar.
Sido qoftë, në valle dashurie, në sfida, në vështirësi, edhe në dhembje e sëmundje, siç na ka përfshirë në muajt e fundit pandemia covid-19, poeti kërkon që zemra të rrahë gjithmonë, të mos pushojnë kurrë rrahjet e forta të zemrave tona, për marshimin e sukseseve, edhe në trase dashurie, edhe në tunele vështirësie, në çdo sfidë të jetës të ndjekim dritën e dashurisë, që ndrit pareshtur tunelin para nesh.
Kjo perlë poetike e Dr. Zefit, tani na ka ardhur në katër pjesë:
– Duke shqyer këtë errësirë;
– Bota e shurdhër;
– Duke ecur me shpirtin;
– Në syrin e shtrëngatës.
Siç ka thënë edhe Fernando Pallocchini, në parathënien e këtij libri, vargjet “Haiku” të Dr, Zefit janë të veçanta dhe iu përgjigjen një skeme shumë specifike, që i bën ato thelbësore, duke ruajtur të gjitha rregullat e kësaj natyre, me rrokje që shprehin edhe muzikalitet letrar-artistik. Dr. Zefi, me poezitë e tij Haiku, na vjen edhe si mësues e edukator, edhe si psikolog, edhe si filozof… ai përmes vargjeve të tij na kërkon që të izolohemi sa më mirë që mundemi nga zhurmat e këqija dhe nga gjithçka që na sjell telashe, të jemi të izoluar nga rrethanat e këqija, të zhurmshme e të rrezikshme.
Autori përmes vargjeve të tij Haiku na kërkon që t’i dëgjojmë e t’i çmojmë meritueshëm rrahjet e forta të zemrës për dashuri e prospetitet, me pulsimin e saj ritmik, që është simpomë e energjisë pozitive në univers, pa dëgjuar kurrë asnjë zhurmë të botës, asnjë kërkesë naive të dalë nga intereset e dikuj, mbi kurrizin e të tjerëve. Gjithashtu na kërkon që në univers të hyjmë duke e dëgjuar vetveten materiale dhe shpirtërore, gjithnjë në harmoni me lëvizjet dhe me ritmet e universit.
Ky libër poetik, kjo perlë artisike e Dr. Zefit është një dhuratë speciale, duke hyrë në një kompleksitet të barabartë me kulturën e lexuesit, duke u aftësuar që në këto vargje të gjejnë përgjigjen e duhur, për çdo lëvizje që duhet bërë drejt jetës, drejt prosperitettit, drejt dashurisë së mirëfilltë, drejt realitetit, drejt qëllimit final… Autori me haikun e tij na bën të ecim e të marshojmë edhe drejt introspektimit e drejt dijes. Ja pse thamë se na vjen edhe si psikolog, edhe si edukator, edhe si filozof…
Siç ka hetuar edhe Prof Lino Palanca, autori Mulaj me këtë libër na vjen me sintezën e tij mjaft të zgjuar, të shprehur në haiku, duke ia servuar mjeshtërisht lexuesit italian pëmes këtyre vargjeve mençurinë antike të popullit tonë, që nga ilirët. Ai shumë mirë di të kërkoj që të luftohet e keqja, armik i njerëzimit që fshehet në çdo hap me një konstante të historisë së njerëzimit, duke e thënë shumë bukur se kafazi është rihapur sot, duke shpërndarë fara të helmuara në erën e quajtur COVID.
Shumë nga poezitë haiku të Dr. Zefit, në këtë libër vijnë edhe si balada të ftohta, edhe si drithma, edhe si buzëqeshje, edhe si këngë dashurie e kushtuar sukseseve, edhe si vajtim për treagjedi e vdekje. Ky është autori, Dr. Zefi që në të njëjtin brum di t’i paraqesë, të gërshetuara mirë, të gjitha, secila e vlefshme në momentin e duhur e në rrethana të caktuara.
Ai përmes këtyre vargjeve i thërret lexuesit që ta largojnë pasqyrën, në të cilën shohin paaftësitë, dobësitë dhe plogshtitë e veta. I thërret të shmangin të gjitha dobësitë, brishtësitë dhe të marshojhnë drejt madhësisë së lumturisë, me elan të plotë, me vullnet e me fuqi të reja dashurie e mrekullie.