Kosovë të kam nanë, më ke djalë!

0
270
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 10.11.2020

Ditëve të fundit, pas valës së arrestimeve nga Gjykata Speciale e Hagës, sllogani më i përhapur në rrjetet sociale ishe “Liria ka emër”, i personifikuar me fotot e të arrestuarëve dhe jo vetëm. Si negacion i kësaj, me të njëjtin sllogan dolën edhe personifikime tjera të figurave më markante të paqes dhe luftës çlirimtare.

Edhe përkundër ndarjeve, të bashkuar për çlirimin e vendit

Kjo është shprehje e ndarjeve të thella që kishin ndodhur para dhe gjatë së luftës çlirimtare, kur individ të papërgjegjëm e ndanë popullatën shqiptare; në krah të luftës dhe krah të paqes.

Krah i luftës konsideroheshin të gjithë ata që opcion të vetëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës e kishin rezistencën e armatosur, ndërsa krah i paqes, ata që kishin filluar rezistencën aktive paqësore në fillim të viteve të ’90-ta, porqë asnjëherë nuk e kishin larguar nga mendja opcionin e rezistencës së armatosur.

Kjo ishte dëshmuar gjatë periudhës së luftës çlirimtare, ku “krahu i paqes” përbënte boshtin qendror të rezistencës së armatosur, ku mbi 80 përqind e luftëtarëve të lirisë ishin anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lufta për çlirimin e Kosovës nuk erdhi si dëshirë, por si nevojë ekzistenciale pas një dhune të gjatë dhe sistematike të pushtuesve serb.

Ashtu sikurse në fillimvitet e ’90-ta, kur e gjithë popullata shqiptare ju bashkangjitë dhe u bë pjesë e rezistencës paqësore kundër pushtuesve serb, fillimi i luftës çlirimtare i unifikoj bashkatdhetarët gjithandej botës rreth rezistencës së armatosur.

Ata që nuk e patën mundësinë e kyqjes drejtëpërdrejtë në frontet e luftës çlirimtare, përmes formave tjera u bënë pjesë e rezistencës së armatosur kundër pushtuesve serb deri në çlirimin e Kosovës.

Qytetarët me bukë e zemër për ushtrinë çlirimtare dhe mërgimtarët me mjete financiare, dhanë krejtë çka patën nga pasuria e tyre për luftëtarët e lirisë, pa dallime ideologjike apo fetare.

Ndarjet në kohë paqeje, zhgënjimi më i madhë për qytetarët

Mërgimtarëve të shpërndarë gjithandej globit, mungesa e atdheut ua ka shtuar dashurinë ndaj atdheut, por e njëjta gjë nuk po ndodhë edhe me bashkatdhetarët në vendlindje.

Të ndarë dhe të përçarë në shumë parti politike, të thyer shpirtërisht nga mashtrimet dhe abuzimet e politikanëve, përkatësisht nga keq-qeverisja 20 vjeçare, qytetarëve jo vetëm që u ka humbur dashuria ndaj atdheut, u ka humbur edhe kuptimi i jetës në shtetin për të cilin priten gjatë dhe sakrifikuan jashtëzakonisht shumë.

Kjo ka ardhur si rrjedhojë e keq-trajtimit të qytetarëve (bashkatdhetarëve) nga të gjitha pushtetet e pas luftës. Mashtrimi nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, pasurimi i pandalshëm i politikanëve nga njëra qeveri në tjetrën dhe varfërimi i vazhdueshëm i popullatës, ka bërë që këta të fundit t’i humbin shpresat për jetë në atdheun e tyre.

Lidhja e shtetit me qytetarët sikurse lidhja e nënës me fëmijët e saj

Nga keq-qeverisja e pushteteve të pas pavarësisë, shteti i Kosovës, për dikë është bërë nënë e për dikë tjetër njerkë. Familjarët dhe mbështetësit e pushtetarëve i kanë të hapura të gjitha dyertë; për punësime në institucione shtetërore dhe publike, për regjistrime në fakultetet më prestigjioze vendore dhe ndërkombëtare, për shërim në spitalet private, po e kërkojë nevoja edhe jashtë shtetit, ndërsa qytetarët që nuk kanë lidhje me pushtetarët, janë të privuara nga këto të drejta themelore në shtetin e tyre.

Përderisa pushtetarët dhe familjarët e tyre e kanë mundësinë e lëvizjes pa pengesë drejt vendeve evro-perendimore, qytetarët kosovarë tani e 2 dekada janë të privuar nga kjo e drejtë pikërisht shkaku i kësaj klase të papërgjegjshme politike.

Dashuria që dikur ishte e vëllaut me vëlla, fqinjit me fqinjin dhe mikut me mikun është kthyer në armiqësi dhe urrejtje ndërvëllazërore pikërisht nga këto parti dhe këta politikanë të dështuar dhe të papërgjegjshëm.

Vërtetë, sikur të mos ekzistonin ndarjet dhe përçarjet, rezultatet e luftës çlirimtare do të ishin tjera, liria e Kosovës do të kishte tjetër emër dhe pas lufta do të ishte ndryshe ngaqë është sot.

Liria e Kosovës nuk e ka vetëm një emër, ka me miliona emra në trojet etnike dhe Diasporë, ku njëri ndër ta jam edhe unë. Edhe pse largë atdheut, çdo ditë nga thellësia e shpirtit meditoj; Kosovë të kam nanë, e më ke djalë, me padurim pres me ardhë.