REVISTA “SHEJZAT” DHE ERNEST KOLIQI MARRIN NË MBROJTJE FASLLI HALITIN PAS DENIMIT POLITIK NË LUSHNJE

0
608
Faslli Haliti - foto

Revista “Koha” e Firences e krahason Faslli Halitin me Shollzhnecinin rus, në kritikat ndaj abuzimit të komunistëve me pushtetin

“Në një koment të tij për tablonë e letërsisë socialiste në Shqipëri, Ernest Koliqi e përmend edhe persekutimin e Faslli Halitit, për shkak të poezive të tij, denoncuese ndaj njerëzve të pushtetit. “Për të plotësuar portretin e xhelatit humanist e artdashës (Mehmet Shehu), na duket e përshtatshme vjersha “Njeriu me kobure” e poetit Faslli Haliti, zëri i të cilit është mbytur nga Partia.1

Studim nga Mujë Buçpapaj

FRYMA DASHAKEQE NDAJ LIBRIT “SOT”, QYSH NË DISKUTIMET E PARA MË 1970

Është e çuditshme përse gjithë kjo kundërvënie provokuese ndaj një libri të një autori të ri, pikërisht nga mjediset ku ai jetonte dhe ku
kishte marrë frymëzimin, në Lushnje. Mundet që edhe letra agresive e treshes së kryesuar nga shkrimtari K. R të jetë shkruar ato ditë kur
ishte bërë edhe diskutimi i parë krijues i librit “Sot” po në fillim të vitit 1970. Këtë zhvillim negativ dhe të çuditshëm e konfirmon edhe Ismail Kadare në raportin e mbajtur prej tij në Konferencën Kombëtare të talenteve të reja, në prill 1970.

Ismaili, ndërsa flet për një përkujdesje dhe dashamirësi më të madhe që LSHA duhet të tregojë për promovimin e librave të autorëve të rinj, evidenton edhe raste negative, dashakeqe sidomos ndaj poetit Faslli Haliti. Ai posaçërisht ndalet tek rasti i F.Halitit ndërsa thotë: “Ka patur raste kur në ndonjë diskutim krijues ka munguar dashamirësia. Kam parasysh një letër të dërguar në gazetën “Drita” nga një letrar i ri i Lushnjës, i cili shfaqte protestën e tij në lidhje me pritjen që iu bë librit “Sot”, të poetit të ri Faslli Haliti nga disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës. Nxënësi që e shkruante këtë letër ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës, në vend që të gëzoheshin që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër të mirë poetik, ata jo vetëm që e pritën në këmbët e para këtë libër, por filluan kundër autorit të ri një fushatë akuzash spekulative.”2

Kadare në këtë raport kryesor të Konferencës përmend me pozitivitet “Vjershat e Faslli Halitit, Natasha Lakos, Sadik Bejkos, Moikom Zeqos, Ndoc Paplekës, Spiro Dedës, Mehmet Elezit etj.

Ismail KadareNë analizën e Kadaresë më tej thuhet: “Nuk është e vështirë të dallosh vargjet e ngrohta, plot mendime, që kanë gjithmonë një rrjedhë të vetvetishme të Sadik Bejkos nga vjershat e shkurtra disa herë çapkëne, plot të papritura të këndshme të Fasli Halitit…” (Ismail Kadare: Fjala e shkrimtarit mbajtur në Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja, 25 prill 1970.3

Kadare shprehet i shqetësuar kundër procedurave paragjykuese të ndjekura nga enti i vetëm botues i vendit ndaj disa autorëve të rinj, talentuar si Sadik Bejko, për vonesat që po haste poeti i ri për botimin e librit të parë. “Fakti që vite me radhë, poeti i ri i talentuar
Sadik Bejko, nuk po boton dot një libër vjershash, nuk mund të përligjet…”4

Poeti Sadik Bejko e kujton këtë periudhë të vështirë ku siç thotë ai “Për shumë vite mua më ktheheshin librat që çoja për botim. Vjershën e parë e botova në janar 1965, librin e parë e botova në dhjetor 1972.

Në këtë studim kam botuar edhe informacione që drejtuesit e shtëpinë botuese “Naim Frashëri” i raportonin sekretarit për kulturën në Komitetin Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia për politikën e censurës që ndiqnin ndaj disa autorëve në mesin e të cilëve përmendej edhe libri “Rrënjët” i Sadik Bejkos, të cilën ia kishin kthyer disa herë autorit. Libri kishte figuracion të errët dhe prirje hermetike si tek poezitë:“Lumi” “Meditim”, dhe “Rrënjët”.

Ja poezia “Lumi5, një nga vershat e bukura:

Mbrëmjeve në trurin tim feksin
as vetë s’e di çfarë por ka diçka që feks.
Paralel me rrugën rrjedh një lumë.
Mbi të kërruset e bie qyteti i mahnitshëm nëpër
reflekse.
reflekse, që e joshin
sa nuk e verbojnë nëpër net.
Mbrëmje, gjysmerrësirë, eci unë
dhe lumi me drita mbi shpinë;
Lumi duhet t’i dojë shumë këto drita,
ndërsa rrëshqet vjedhuraz nën to,
si prind që s’do t’i zemërohet fëmija.
Ato e përkëdhelin nëpër trup,
ato ia dinë edhe gurët e ftohtë që ka në fund.

Po ai s’mund të mos ikë
s’mund të ndalet, s’mund të presi;
Në imazhin e tij,
në mishin e tij,
në shqetësimin e tij, është deti.
Dhe kur i dalin përpara fushat,
ai këput e u jep masa ujërash nga trupi i vet
ndërsa mes të dy brigjeve brenda shtartit të tij
rrëshqet,
por mua, kur eci pranë tij mbrëmjeve,
nëpër tru diçka më feks.
Ndoshta brenda meje derdhet ky lumë
me tërë dritat, gjërësinë dhe shqetësimin e vet
Në qetësinë a në gëzimin,
në lodhjen a në mërzinë time
dhe fare padashjen time dritat e tij më feksin,
Më feksin,
ndërsa si lumi shtartin,
hapat e mia rrugën ndjekin.

Sadik Bejko arrin më në fund të botojë librin më 1972, i cili ishte nga librat më të mirë poetik dhe në kohën e mbajtjes së Festivalit të 11-të, të Këngës në RTSH (Dhjetor 1973), ai ishte redaktor i teksteve në këtë institucion. Festivali u vu në shënjestrën e vetë udhëheqësit komunist qysh në fillim të vitit 1973. Dihen, tashmë pasojat, që pësuan kompozitorët, këngëtarët, prezantuesit dhe autorët e teksteve. Sadik Bejko ishte autor i teksteve të tre prej këngëve të këtij festivali dhe goditjet ndaj tij do të ishin të ashpra.

Bejko dënohet me riedukim si punëtor nëntoke në minierën e qymyrgurit Memaliaj për gjashtë vjet (janar 1974- nëntor 1980), duke iu hequr edhe e drejta e botimit dhe po kështu libri nga qarkullimi.

Një histori persekutimi e vazhdueshme ndaj poetit, të cilit nuk dihet kush ia kishte veshur me dashakeqësi një biografi të keqe, pasojat e së cilës nuk i ishin ndarë asnjëherë. Poet shumë vite më vonë në një intervistë thotë: “Kam qenë njeri me nder të cënuar, me të drejta të kufizuara, i ndëshkuar që të mos ushtroj profesionin tim si mësues, të mos ushtroj të drejtën e të qenit shkrimtar. Njeri që duhet t’i nënshtrohesha kokëulur padrejtësisë, arbitaritetit shtetëror. Për këto nuk ka asnjë vendim gjykate, asnjë urdhër administativ të shkruar. Me urdhra verbalë që vinin nga lart me telefon ti mund të ndëshkoheshe pa të drejtë që t’i nënshtroheshe një gjykimi. Gruaja ime e pësoi se nuk më ndau (kërkesë që iu bë verbalisht), nga mësuese ajo punoi mbi dhjetë vjet si normiste me turne, me rrogë të përgjysmuar.”6

SHTYPI I EMIGRACIONIT POLITIK MERR NË MBROJTJE FASLLI HALITIN

Kritika letrare në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si edhe vetë letërsia, ishte e kontrolluar dhe e orientuar politikisht, gjithashtu. Në Kosovë tregohej vëmendje për prurjet e reja nga Tirana.“Rilindja” botonte shumë libra të seleksionuar në Prishtinë dhe po ashtu merreshin në shqyrtim librat e autorëve të shquar në poezi dhe në prozë. Kritika atje nuk ndërhynte me komente të natyrës politike apo duke bërë hulumtime për autorë që dënoheshin, hiqeshin nga qarkullli apo gjendeshin në fushata presionesh në Shqipëri siç ishte rasti i Faslli Halitit, sido që veprat e tyre atje qarkullonin, pavarësisht fatit politik të autorëve të tyre në Tiranë.

– “Revista periodike “Koha e jonë”, e përkohshme, politike, kulturore dhe shoqërore, u botua në Firence prej vitit 1962 deri me 1992 dhe në faqet e saj gjatë 30 vjetëve kanë botuar shumica e eksponentëve të shquar të emigracionit politik shqiptar në Europë dhe SHBA. Në një shkrim të titulluar “Rruga e një poeti dhe rruga e kritikës letrare në Shqipërinë e sotme” dhe të nënshkruar me pseudonimin nga Ujk Mali, lerësohet kritika nga brenda që i vjen sistemit komunist. Për këtë, pas Shollzhnecinit rus ai merr si shembull kritikën që Faslli Haliti i ka bërë abuzimit të komunistëve me parimet utopike të komunzimit.”

Shtypi letrar i diasporës ishte i pakët dhe kryesohej nga “Shejzat” e Ernest Koliqit (1903-1975). Shkrimtari dhe albanologu i njohur e drejtoi revistën e tij akademike për 18 vjet më radhë (1957-1975), duke patur bashkëpunëtorë edhe shumë figura të njohura të emigracionit si Martin Camaj, Arshi Pipa etj. Revista tregonte vëmendje edhe ndaj zhvillimeve letrare dhe kulturore në Shqipëri.

Në një koment të tij për tablonë e letërsisë socialiste në Shqipëri, Ernest Koliqi e përmend edhe persekutimin e Faslli Halitit, për shkak të poezive të tij, denoncuese ndaj njerëzve të pushtetit.

“Për të plotësuar portretin e xhelatit humanist e artdashës (Mehmet Shehu), na duket e përshtatshme vjersha “Njeriu me kobure” e poetit Faslli Haliti, zëri i të cilit është mbytur nga Partia.7

Një tjetër revistë që u botua për 30 vjet në Itali ishte “Koha e jonë”, njëra nga periodiket e rëndësishme të shtypit shqiptar në emigracion pas Luftës së Dytë Botërore.

“Koha e jonë”8, në një nga numrat e saj të (janar-shkurt-mars të vitit 1974), merr në mbrojtje poetin Faslli Haliti. Nuk dihet se si botuesi, Elez Ndreu, kishte marrë informacion rreth dënimit të poetit pas një procesi demaskimi publik për shkak të poemës “armiqësore” “Dielli dhe rrëkerat”, por shkrimi flet me detaje rreth ngjarjes dhe hedhin dyshime për fatin e poetit, pas zhdukjes së emrit të poetit nga faqet e shtypit të Tiranës.

Revista periodike “Koha e jonë”, e përkohshme, politike, kulturore dhe shoqërore, u botua në Firence prej vitit 1962 deri me 1992 dhe në faqet e saj gjatë 30 vjetëve kanë botuar shumica e eksponentëve të shquar të emigracionit politik shqiptar në Europë dhe SHBA.

Në një shkrim të titulluar “Rruga e një poeti dhe rruga e kritikës letrare në Shqipërinë e
sotme” dhe të nënshkruar me pseudonimin nga Ujk Mali, vlerësohet kritika nga brenda që
i vjen sistemit komunist. Për këtë, pas Shollzhnecinit rus ai merr si shembull kritikën që
Faslli Haliti i ka bërë abuzimit të komunistëve me parimet utopike të komunzimit.

Ky fakt kuptohet nga çdo njeri anti-doktrinar në qoftë se ai merr parasysh komunizmin
thjesht si ide. Shqiptarët që jetojnë në një mërgim politik, me vuajtje të shumta dhe me
një urrejtje të zjarrtë kundër sunduesëve në Tiranë, me zor mund të përfytyrojnë pozitivisht idenë e komunizmit. Por kush mund të mohonte me argumenta bindëse humanizmin e thellë nga i cili buron kjo ide: lirinë, vllazërinë, barazinë ekonomike, kulturale e shoqërore! Fajin e kanë ata, që këtë ide të bukur e kanë shfrytëzuar edhe abuzuar për qëllimet e veta…9

Sipas shënimit kritik “Mendime të tilla vërtetohen nga gjendja e mjerë në të cilën po shtypet dhe shpërdorohet letërsia në R. P. të Shqipërisë. Si mjet agjitacioni letërsia gjendet në duart e partisë. Çdo hap në drejtim tjetër dënohet me rreptësinë më të madhe. Partia
ka nevojë për një farë kritike po gjithnjë në kuadrin e “tendenciozitetit klasor” apo “partishmërisë”; pra, një kritikë objektive, sado modeste që të jetë, s’mund të zhvillohet në
kushte të tilla. Lypset të tregojsh përgjysmë dhe jo deri në fund të vargut…”10

Më tej shkrimi në mbrojtje të Faslli Halitit thotë se “Do të flasim për poetin e ri Faslli Haliti. Për rrethanat e tij personale nuk dimë gjë. Por fati i tij shqetëson. Gjatë vitit 1973 zëri i tij është mbytur. Ai fliste kundër padrejtësive të shoqërisë shqiptare, ndoshta fliste tepër qartë. Do të botojmë këtu disa nga vjershat e Faslli Haliti për të treguar si u zhvillua ai si poet. Në fund të studimit do të ndjekin rrugën e trishtuar të kritikës letrare, që shkon hap pas hapi sipas porosive të partisë fuqiplotë.11

Në revistën “Nëndori” nr.4, 1972, u botuan 9 vjersha të F. Halitit. Një temë kryesore në to është burokratizmi, marrëdhëniet e sëmura që ushqehen nga njerëzit “me autoritet” dhe ambienti i tyre.” Komentuesi jep si shembuj dy nga vjershat në fjalë, “Djali i sekretarit”
dhe “Çifliku” të cilat i boton të plota.

DJALI I SEKRETARIT

Ju jeni burra.
Mos e fusni djalin e sekretarit
Klubeve, pastiçerive, kafeneve.
Mos ja hidhëroni buzët me kafe,
Mos i jepni cigare me filtër,
Mos ia zverdhni dhëmbët dhe gishtat,
Mos e mësoni me birrë,
Me verë,
Konjak,
E raki,
Mos i flisni për vajza, për nuse, fejesë
Ai ende është adoleshent, fare i ri,
Pastaj vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë.
Ju jeni pleq.
Mos dilni me të përkrahu pazarit përnatë,
Djali i sekretarit nuk është vaksinë,
Nuk është tel përçues i tensionit të lartë.

ÇIFLIKU

Reforma agrare i zhduku çifligjet,
I ngushtuam oborret kooperativistët.
Por mbeti në ndërgjegjen individuale, në
shpirt,
Çifligu i miqësisë,
Çifligu i shoqërisë.
Kullosin manarët e zinj të përkrahjeve,
Shëndoshen deshët rudak të favoreve,
Kali i zi i hatëreve bredh
Dhe ik e ndale po deshe dot,
Të turfullon në fytyrë,
Të shkel me këmbë,
Të merr përpara me gjoks.
Çifligu miqësi,
Çifligu shoqëri.
I përjetshëm të duket,
I pashpronësueshëm të duket ty?
Por ja ne shpikëm një tjetër reformë,
Reformën e kontrollit punëtor;
Shpronësimi filloi,
Shpronësimi vazhdon.

A don të thotë poeti se “gutta cavat lapiden” apo “me satire” se po shpiken reforma, por
“çifliku”, padrejtësi e sistemit, vazhdon? Me paqartësinë në vjershë mund të thuhen shumë gjëra! Të lexohet me shumë kujdes në poemën e fundit të poetit fjalët e vargjeve si edhe fjalët midis vargjeve!12

Sipas mendimit tonë ai ka krijuar me mjeshtëri një efekt satirik shumë të rreptë, por sa shtrenjtë e pagoi? Nuk e dimë, siç thamë, pas një botimi të kësaj poeme në gazetën “Zëri i Rinisë” më 16 dhjetor 1972, poeti nuk duket më si autor në shtypin shqiptar. Pas një viti ka shkak për shqetësim.

Çdo vëzhgues me një njohuri sado të pakët në çështjet e brendshme shqiptare mund të kuptojë çfarë shqetësim ka shkaktuar një poemë e tillë. Ajo trajton një problem të pranueshëm (burokratizmin) por me aluzione të palejueshme (rolin e partisë).

Do të japim disa pjesë nga kritikat letrare të botuara rreth kësaj poeme, po koment, vetëm
me disa nënvizime, sepse gjykimet mund të bëhen me lehtësi nga lexuesit vetë. Grupimi i kritikave është bërë nga ne.” Përfundon komenti.13

Komenti i gazetës “Koha e jonë” mbyllet më këtë konkluzuon: “Po, nuk kemi dyshim: Moikom Zeqo e shpëtoi lëkurën. Nga ana tjetër ai e humbi shpirtin. Për Faslli Halitin – vetëm heshtje. Ra martir, apo? Të kërkojmë përgjigje! Në qoftë se nuk jepet llogari do t’i themi botës: Për një vepër letrare si kjo dënohet me heshtje apo më keq një autor i talentuar në një vën t’Europës në shekullin XX! Dielli i Partisë ndriçon – dhe rrëkerat e tiranisë vazhdojnë.”14

GJYKIMI IDEOLOGJIK VAZHDON

Qysh kur Lenini shkroi në artikullin e tij se “Letërsia duhet t’i takojë Partisë”, jeta e shkrimtarëve dhe poetëve të botës socialiste dhe bashkë më të edhe letërsia e tyre kishte marrë një kthesë dramatike. Siç dihet tashmë, fillmisht në Bashkimin Sovjetik dhe pastaj në gjithë kampin socialist pas Luftës së Dytë Botërore, shkrimtarëve iu kërkua që të bindeshin në mënyrë të verbër ndaj direktivave të Partisë.

Nga ky aneksim brutal, apo shtetëzim i letërsisë, ata që humbën jo vetëm shpirtin krijues por edhe vetë jetën, qënë shkrimtarët, për faktin e thjeshtë se “individualiteti dhe liria e tyre nuk u morën parasysh.” Që këtu fillon urrjetja e shkrimtarëve dhe e poetëve ndaj komunizmit shtrëngues, mospajtimi i tyre i përhershëm me kufizimet e njëpasnjëshme që fillonin me dashurinë dhe mbaronin me mospranimin e Zotit.

Njëkohësisht tek ky mosbesim fillon edhe mbikëqyrja e stilit policor e shtetit ndaj shkrimtarëve. Ndërsa partia bënte thirrje që letërsia të frymëzohej nga lufta e klasës punëtore apo të bënte pasqyrimin me objektivitet e realizëm të jetës së tyre, partia kërkonte që letërsia të mbushej me heronj të pathyeshëm që luftonin për çështjen e revolucionit, pa u ankuar për asgjë dhe natyrisht pa treguar asnjë dobësi të natyrës njerëzore.

Është e qartë se kjo letërsi ishte shumë larg asaj krejtësisht i rremë.
Nëse poeti apo shkrimtari paqyronte me realizëm jetën e klasës punëtore dhe fshatarësisë punonjëse dhe gjithe jetën shoqërore në socializëm, me varfërinë e skajshme, me zyrtarë dhe aparatçikë të tjerë që abuzonin me postet e tyre dhe përfitonin më një mijë mënyra, me njerëz të dënuar nëpër burgje për shkak të ideve të tyre, me të tjerë që jetonin si kafshë nëpër kampet e punës, dënoheshe nga partia për nxirje të realitetit.

Realiteti ishte jo ai që ekzistonte me të vertetë, por ai që i pëlqente partisë. Prej këtej, përgjithësisht letërisa dhe artet në socializëm gjykoheshin mbi kritere politike.

Akademike Floresha Dado duke analizuar këtë femomen shkruan se “Shkrimtarët e kohës së socializmit nuk patën asnjëherë shansin të kuptonin vlerat reale artistike. Ata u ndien të lavdëruar apo të kritikuar, vetëm në aspektin ideor.” 15

R E F E R E N C A:

1. Ernest Koliqi, revista “Shenjzat”, Romë, 1975.
2. Ismail Kadare: Fjala e shkrimtarit mbajtur në Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja, 25 prill 1970. Arkivi Qendror i Shtetit, Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura), Fondi 724. Dosja 156, Viti 1970, Fl. 4 dhe 25-51.
3. Arkivi Qendror i Shtetit, Ap. Komitetit Qendror te PPSH-së, (Struktura), Fondi 724. Dosja 156, Viti 1970, Fl. 4 dhe 25-51.
4. Arkivi Qendror i Shtetit, Ap. Komitetit Qendror te PPSH-së, (Struktura), Fondi 724. Dosja 156, Viti 1970, Fl. 4 dhe 25-51.
5. Sadik Bejko: Libri “Rrënjët”, Tiranë 1972, f. 18 për të cilat libri ishte rikthyer disa herë për hermetizëm dhe që autori pas ripunimit i ka dhënë këtë trajtë që përsëri ngjan një krijim interesant.
6. Sadik Bejko. Gazeta Shqiptraja.com. 10 prill 2018. https://shqiptarja.com/lajm/te-heshtim-apo-te-perligjimkrimet-e-diktatures
7. Ernest Koliqi, revista “Shenjzat”, Romë, 1975.
8. Numri i parë revistës periodike “Koha e jonë”, doli në Firence (Itali) në muajin maj të vitit 1962, ndërkohë më pas në vitet 1974-1992, ajo do të shënonte si vend botimi Parisin (Francë), një mënyrë kjo për t’iu fshehur sigurimit të dyfishtë të UDB-së jugosllave dhe sigurimit komunist të Enver Hoxhës, sepse revista në të vërtetë është botuar vetëm në Firence. Revista “KOHA E JONË”, Fletë mendimesh dhe opinionesh të Lira ndërsa nga viti 1968 ishte e Përkohshme Kulturore Politike Shoqënore, organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar që vepronte në mërgim. Botues i revistës ishte Isa Ndreu.
9. Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3, vjeti XIII, Janar – Shkurt – Mars, Firence 1974.
10. Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3, vjeti XIII, Janar – Shkurt – Mars, Firence 1974.
11. Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3, vjeti XIII, Janar – Shkurt – Mars, Firence 1974.
12. Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3, vjeti XIII, Janar – Shkurt – Mars, Firence 1974.
13. Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3, vjeti XIII, Janar – Shkurt – Mars, Firence 1974.
14. Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3, vjeti XIII, Janar – Shkurt – Mars, Firence 1974.
15. Floresha Dado: “Letërsi e painterpretuar”, Tiranë, 2010, faqe. 248.


Vazhdon gjykimi ideologjik ndaj poemës “Dielli dhe rrëketë” si “antiparti” dhe “armiqësore ndaj regjimit”

PAS ISMAIL KADRESË, SHKRIMTARI TJETËR TEODOR LAÇO MERR NË MBROJTJE POETIN FASLLI HALITI

Shkrimtari Teodor Laço ishte i njohur me poemën dhe problematikën e saj. Në një shkrim të cilin e boton në gazetën “Drita”, me 12 shkurt 1973, përpiqet të mbrojë poetin si për shfaqje të formalzimit, ashtu edhe për gabime siç thuheshin atëherë ideore, duke thënë se “Autori ka synuar të bëjë një poemë kundër burokratizmit, i cili këtu është kapur në disa prej shfaqjeve të tij si hatërllëku, “shpirti i repartit” etj.

Edhe poezia e Faslli Halitit nuk i shpëtoi këtij gjykimi të nisur gjithnjë nga strukturat e partisë, nganjëherë hapur dhe herë të tjera të bëra në mënyrë të fshehtë përmes raportesh, informacionesh dhe analizazh të ekspertëve nëpër zyra. Poezia sociale e F. Halitit, ndryshonte në thelb nga ajo që shkruante M. Zeqo apo F. Rreshpja, ndërsa ngjante shpeshherë e afërt me tematikën kundër burokratizmit me poezitë e Xhevahir Spahiut, siç është “Hiqi syzet Miço” etj. Kjo lloji poezie që sulmonte socializmin në pikën e tij më të ndjeshme, si burokratizmi, ishte e rrezikshme po aq sa edhe hermetizmi i Zeqos, metaforizmi i Rreshpjes apo ekztencializmi i Spahiut. Prandaj rezulton i përgjuar dhe i
kontrolluar dhe i vënë në shënjestër.

Njëri prej këtyre informacioneve që raportonte në Komitetin Qendror rreth një diskutimi “Mbi poezinë”, të zhvilluar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve më 15-16 mars 1973, Faslli Haliti, akuzohet për nxirje të realitetit, për përshkrim të saj me ngjyra të errëta dhe pa perspektivë, biles edhe për rënie në pozitat e një mikroborgjezi. “Duke e parë jetën nga pozitat e një mikroborgjezi që kërkon prej shoqërisë t’i plotësohen disa kërkesa rehatllëku, disa poetë në ndonjë poemë e deformojnë realitetin. Ata i zmadhojnë me tendecë të metat që vihen re në shoqërinë tonë, duke u ankuar dhe duke rrahur gjoksin. Në këtë mënyrë në ndonjë krijim (si në poemën “Dielli dhe rrëketë” të Faslli Halitit) jeta shkruhet me ngjyra të errëta, pa perspektivë.

Në ndonjë rast tjetër (si në poemën e Viktor Qurkut “Shkëlqim”) forcat shoqërore të shëndetshme, pozitive janë të pafuqishme dhe nuk arrijnë të kundërvihen, të kundërveprojnë me ato negative. Të dyja këto poema u quajtën se kanë ndikime të huaja, revizioniste. Në to realiteti ynë shtrembërohet.”1

Në fakt poeti i shqetësuar për problemet sociale të njerëzve, siç ishte strehimi dhe indiferencës me të cilën priteshin qytetarët nga zyrtarët e lokalë, në pjesën e parë të poemës duket sikur po vajton.

Kjo përmbajtje e dyshimtë përbënte një tjetër shkitje ideore, pasi dilte jashtë përkufizimit doktrinar të njërit prej themeluesëve të realizmit socialist, Maksim Gorkit, i cili kishte pohuar se “Shkrimtarët janë mamia e socializmit, dhe varri i kapitalizmit.”

Ja si e përshkruan Faslliu këtë jetë në poemën e tij e cila do të konsiderohej menjëherë me frymë armiqësore, revizioniste.2

* * *

“Çatia ime sentimentale,
Dy re në qiell-
Ajo vu lotët,
Dy re në qiell-
Ajo vu me të madhe.
Nga sytë e tavanit tim
Rrjedhin lot gjerbësh vu, vu,
Vu,
Vu,
Natë e ditë,
Rrjedhin me të madhe,
Rrjedhin
Pikë,
pikë!
Janë dadot tona,
Janë gjyshet tona
Këto pikë,
Këto gjerbë
Që na vënë në gjumë,
Me zërin e tyre të verdhë
Dhe për çudi,
Këto gjerbë,
Këto pikë
Vënë në gjumë edhe shokun Lili

(Shefin e strehimit në komitetin ekzekutiv.)

Poema alarmoi pushtetin e kohës i cili filloi gradualisht t’i kundërvihej autorit, me mjete politike duke futur në punë mekanzimat e tij; fillimisht të dënimit të poemës, pastaj të demaskimit të autorit në publik dhe në fund, dënimit të vetë poetit. Aty fillonte edhe rënia e poetit, ndalimi i veprave, nxjerrja nga qarkullimi i tyre, që shoqërohej në vijim me dënimin që do të caktonte partia duke filluar nga burgu, puna e detyruar në kooperativa apo në kantiere ndërtimi.

Faslli Haliti tashmë kishte hyrë në ingranazhet e institucioneve mbikqyrëse, nga ato të sigurimit deri tek ato informuese. Në një raport tjetër që i shkonte Komitetit Qendror me temë rreth disa problemeve të letërsisë dhe arteve të asaj periudhe, siç thuhej “të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, poema “Dielli dhe rrëkerat” e Faslli Halitit evidentohet nga më armiqësoret dhe problematiket.

Devijim nga fryma progresive e realizimit socialist dhe rënie në ndikimin e huaj revizionist apo borgjez, “ …sipas informacionit kohët e fundit janë ndeshur … edhe në ndonjë poemë, si “Dielli dhe rrëkerat” e F. Halitit, dhe “Shkëlqimi “ i V. Qurkut, vjersha si jetë e Xh. Spahiut, ciklet hermetike të F. Arapit, M. Zeqos e ndonjë tjetër.”3

Poema njerëzore e Faslliut, sido që e shkruar në frymën revolucionare të Majakovskit, biles edhe në stilin e tij me vargje dhe fjalë të thyera, përmban ngarkesa të mëdha emocionale dhe shpirt revolte kundër burokracisë që ua nxinte jetën disa të varfërve që nuk kishin ndikim dhe miqësira në komitetin ekzekutiv të rrethit sa për të marrë në kohë një shtëpi, ndërsa të tjerët shpërbleheshin në mënyrë të padrejtë dhe abuzive përmes rrugëve të dyshimta, si ryshfetet, thotë poeti, fenomene me të cilat letërsia socialiste nuk i pranonte, biles edhe vetë sistemi i refuzonte si të huaja, pasi e konsideronte si një shfaqje të kapitalizmit apo borgjezisë ndërkombëtare.

Dyshimi në drejtësinë e Partisë Komuniste dhe pushtetit popullor ishte i ndaluar të mendohej dhe jo më pastaj të demonstrohej në një poemë dhe akoma më keq të botohej edhe në një gazetë të rëndësishme për kohën si “Zëri i rinisë” në Tiranë. Të gjithë e dimë që një pjesë e madhe e njërëzve të shtypit, sido të kontrolluar dhe stërkontrolluar përpiqeshin t’i jepnin udhë në gazetat ku punonin, denoncimit të disa fenomeneve që edhe për atë sistem që bazohej teorikisht tek utopia e barazisë apo barazisë në varfëri ishin të rënda. Këto hapësira mbylleshin shpejt me urdhër nga lart, ndërsa për gazetarët merreshin masa.

Edhe në fund të viteve 1980, disa gazetarë të njohur që punonin në gazetat qendrore vazhduan të dënoheshin apo të shkonin në prodhim për nxirje të realitetit socialist. Për shembull, gazetari F. C u dënua pse kishte shkruar një shkrim problemor ta zëmë pse ishte qelbur peshku në Durrës, gazetari M. C për një vëzhgim ku thoshte se nuk kishte marmulatë, apo marmalata ishte jashtë standardit, gazetari H.B qe dënuar përsëri me riedukim në prodhim, pse kishte denoncuar një problem krejt banal sot, ndarjen me hatër dhe jo me transparencë të veshmbathjeve, gjithnjë dhe më të munguara në tregun e qytetit e të shumë gazetarëve të tjerë të dënuar nëpër burgje me këtë akuzë, pra të nxirjes së realitetit.

E solla këtë shembull se edhe brenda atij sistemi të spastruar për katër pesë dekada me radhë nga armiqtë e brendshëm, pati deri në fund zëra që luftonin kundër tij në aspektin social e njerëzor. Pasi formalizmi i socializmit shqiptar, në kompleks, është i pashembullt në botën komuniste. Nga njëra anë porositej formalisht që të denoncohej burokratizimi dhe nga ana tjetër njerëzit që e ngrenin atë, si problem të degjenerimit politik të vetë sistemit, ose dënoheshin, ose demaskoheshin, me të njëjtën akuzë, për “nxirje të realitetit” dhe akoma më keq “për agjitacion dhe propoganë kundër pushtetit popullor”.

Kjo frymë kundër padrejtësive siç duket ka qënë edhe arsyeja që redaksia e gazetës “Zëri i rinisë” ia kishte botuar poemën Faslli Halitit. Poemë që mbart gjithë mllefin dhe urrejtjen ndaj padrejtësisë dhe jo vetëm metaforike të njerëzve të pafuqishëm, që u kanë mbetur vetëm grushtat, apo gurët, për të bërë drejtësi.

Ja një tjetër fragment i poemës:

Shkretëtira e kontradiktës së strehimit
Do të bëhet një qytet i ri banimi.
Urdhër!
Me grushtin e klasës punëtore
Thyejani dhëmbët burokracisë!
Thyejani dhëmbët shokut Koli,
Shokut Lili!
Po ua thyejmë,
Na duhen gurë,
Makinat në gurore u vonuan.
Po i murosim dhëmbët tuaj.
Ne s’mund të rrimë pa punë
Ne s’mund ta lemë me duar nën gjerbë
Enverin,
Partinë,
Ne i kemi piketa duart e tyre,
Piketa ku duhet të hapim themele
Piketa ku duhet të hedhim çatinë.
Partia,
Enveri
Zgjuar rrinë?!
Dhe vënë dorën ku pikon?!
Dhe s’ka gjerbë që s’e dinë?!
Si s’ka gjerbë që s’e dinë?!
4

Në fillim të viteve 1970, frymës liberale formaliste ku u përfshinë një numër i konsideruar poetësh dhe shkrimtarësh të rinj, disa teoricinë të njohur u përpoqën që t’i jepnin edhe një bazë teorike përmes një debati të hapur në gazetën “Drita”. Më saktë ata tentuan që frymëmarrja që kishte pësuar poezia, piktura, muzika apo teatri, të shoqërohej edhe me një çngurtësim modest të kornizave teorike të realizmit socialist, siç ishte nocioni i heroit pozitiv që e kishte përtharë sidomos prozën shqipe me heronj standard dhe uniformë në çdo vepër. Tre vjet prej fillimit të këtij debati partia mendonte ta stoponte atë, me pretekstin se “Pohimet e bëra gjatë diskutimit mbi heroin pozitiv në gazetën Drita, kishin më se një thënie konfuze, kontraditore dhe të gabuar…“

Pasi kritikohen disa mendime të Kundret Velçës dhe Xhafer Martinit për konceptet e tyre të gabuara për krjimin e një “heroi ide”, japin edhe pamjen tjetër deri në vulgaritet. Grupi i ekstremit të majtë shkonte deri aty sa të konsideronin si hero pozitiv edhe një barakë. Ky detaj, raportohet edhe në informacionin që i shkonte KQ të partisë.

… duke patur parasysh barakën prej pupuliti në romanin “Dasma” u bë pohimi se “vetë ajo barakë pupuliti është një hero pozitiv”.5

Ap. Komitetit Qendror Informacioni duke iu referuar debatit të zhvilluar në gazetën “Drita” rreth heroit pozitiv, i referohet edhe pohimeve të kritikut Kudret Velça (i cili bashkë me mendimet e Gjergj Zhejit, konsderoheshin si bartës të mendimeve liberale), i cili thekson se “arti socialist mbeti “në kufijtë e artit të shek. XIX, për të mos thënë edhe më të largët, pa çelur rrugë të reja drejt artit të epokës tonë.6

Ky ishte një konstatim i drejtë. Shumë vende të lindjes nga ish-Jugosllavia fqinje deri në BS letërsia ishte hapur në komunikimin e saj me perëndimin, kishin lënë mënjanë disa kufizime ideologjike të kohës së Stalinit dhe Zhdanovit, duke përshtatur edhe shfaqje të formalizimit dhe rrymave të tjera perëndimore.

Ta zëmë në ish-Jugosllavia prej viteve 1950 filloi një kurs liberal në letërsi dhe arte i udhëhequr nga shkrimtari i njohur kroat Mirosllav Kërlezha, ndërsa pjesa tjetër e lindjes pas viteve 1960, ndërsa Shqipëria vijonte me krenari t’i qëndronte korrekt realizmit socialist dhe estetikës ekstremiste, zhdanoviste.

“Kritika tradicionale marksiste u përmbahej akoma termave si “tipizimi, heroi pozitiv, lufta e klasave, konflikti si zgjidhje teknike e luftës së klasave brenda veprës letrare e artistike etj.7

Rugova në studimin e tij komenton edhe kritikën moderne marksiste e cila në Tiranë konsiderohej revizioniste dhe dekadente dhe si e tillë e rrezikshme. Sipas tij kritika moderne marksiste, “Ta quajmë kushtimisht kështu, është ajo kritikë e cila kërkon të bazohet në marksizmin si filozofi dhe teori e hapur ndaj problemeve të kohës, sipas shembullit të veprës së Marksit dhe raportit të saj me kohën e vet. Kjo kritikë zë të zhvillohet sidomos mbas viteve 1960 dhe këtej”.8

Rugova si shembull të kësaj kritike merr Gjergj Llukacin i cili vë një dilemë të madhe “me konstatimin dhe bindjen se esktetika marksiste ekziston dhe nuk ekziston.“9

Në raportin në fjalë dërguar KQ të partisë thuhet se “Në botimet poetike të botuara nga “Drita”, “Nëntori”, “Zëri i rinisë”, … ka trajtim subjektiv dhe shtrembërim të realitetit. Kështu për shembull në poemën e Faslli halitit “Dielli dhe rrëketë”, nxihet realiteti ynë dhe ka influenca të qarta revizioniste.”10

Raporti godet edhe vëllimin me poezi të Fatos Arapit “Me jepni një emër”, i cili nuk u vu në qarkullim. “Shumica e vjershave të këtij vëllimi janë hermetike, mbyllen brenda një simbolike të mjegullt. Me tendenca hermetizmi ka qenë edhe vëllimi i Frederik Rreshpjes “Në këtë qytet” të cilën shtëpia botuese “Naim Frashëri”, ia ktheu autorit dhe ai e solli të ripërtërirë.”11

Poema denonconte plagën e padrejtësive dhe të ryshfetit tek zyrtarët e pushtetit, të cilët anashkalonin të varfërit dhe të tjerët pa mbështetje, pa miq dhe të njohur në sferat e larta të pushtetit. Ja një fragment nga poema “Dielli dhe rrëkerat”:

* * *

Për një hyrje,
Për një hall,
Ne trokisnim tek ju,
Trokisnim në portat e buzëve tuaja,
Me gishtin e halleve tona trokisnim,
Shoku Koli,
Shoku Lili;
Portat e buzëve tuaja s’hapeshin
Dhëmbët tuaj kyçeshin
Me nervozizëm kërcisnin.
Vinte miqësia,
Hynte pa trokitur,
Vinte shoqëria, hynte pa trokitur,
Portat e buzëve hapeshin vetë,
Muret e dhëmbëve shkëlqenin.
Qindra kërkesat tona thyenin kokën,
Nuk futeshin dot,
Nuk i hapnim dot.
Një trokitje miku,
Një trokitje shoku,
Një cigare me filtër,
I hapte fare lehtë.
Një rekomandim,
Miku,
Shoku,
Një porosi
Shoku,
Miku
Përpara ju vinin ata
Ju vinin përpara një cigare, një paketë.
Ju-
Një hyrje iu vinit atyre përpara
Një apartament

Shkrimtari Teodor Laço ishte i njohur me poemën dhe problematikën e saj. Në një shkrim të cilin e boton në gazetën “Drita”, me 12 shkurt 1973, përpiqet të mbrojë poetin si për shfaqje të formalzimit, ashtu edhe për gabime siç thuheshin atëherë ideore, duke thënë se “Autori ka synuar të bëjë një poemë kundër burokratizmit, i cili këtu është kapur në disa prej shfaqjeve të tij si hatërllëku, “shpirti i repartit”.

Sipas Laços: “Në shumë artikuj dhe shënime kritike për poezinë e dy vjetëve të fundit, do të gjesh emrin e poetit Faslli Haliti. Një interesim të tillë i kritikës për të, nuk është i rastit po i diktuar nga dimensionet e reja që ka fituar së fundi poezia e këtij poeti, i cili u prezantua si një zë më vete që në vëllimin e parë “Sot”. Me atë tufë poezish ai na tha se nuk këndon “në përgjithësi” me frymëzimin dhe ndjenjën poetike…

Dëshira për të trajtuar tema të mprehta sociale që kanë në brendësi kontradikta të kohës, toni polemik e i zemëruar ndaj fenomeneve regresive e konservatore dhe karakteri konkret i komunikimit të mendimit poetik me lexuesit, mendoj se përbëjnë anët më të mira të poezisë së tij. Megjithëse ndonjëherë gjejmë edhe tek ai refleksin e një farë mode për t’u “ndërlikuar”, në natyrën e vet ai është një poet që komunikon drejt për drejt e në mënyrë të sinqertë dhe andaj s’mund të bëhet fjalë për prirje “gjysmë formaliste” tek ai, siç është shprehur ndonjë mendim për autorin.

Tek poema “Dielli dhe rrëkerat”, botuar në “Zërin e Rinisë” më 16 dhjetor 1972, autori nuk e ka gjetur dot udhën dhe s’është orientuar drejt ideologjikisht në atë thellësi ku ka dashur, të hyjë. Autori ka synuar të bëjë një poemë kundër burokratizmit, i cili këtu është kapur në disa prej shfaqjeve të tij si hatërllëku, “shpirti i repartit”. Akraballëku. Autori nuk e ka gjetur dot pikëvështrimin shoqëror të problemit dhe raporti i tij me këtë fenomen ka mbetur deri diku një raport subjektiv. Revolta në poemë nuk përligjet nga pikëpamja sociale.

Ajo krijon një kuadër të zymtë për gjëndjen e punëve në këtë fushë të jetës, kurse në një pemë të tillë sintetike, që synon të bëjë një përgjithësim, s’ka pse të ketë vend një tabllo e errët e zymtë e tillë. Në poemë vemë re se edhe kolizioni i disa detajeve dhe figurave artistike me mendimin e përgjithshëm, është i pa qartë. Detajet dhe figurat mendojmë se duheshin zgjedhur në atë mënyrë, që ta ndriçonin fenomenin e të shërbenin për ta përçuar realitetin që përshkruhet tek mendja e lexuesit. Ka mjaft vargje që jo vetëm krijojnë ekuivon dhe kontradiksione mendime brenda poemës, po duke pasur në vetvete detaje e mendime të paqarta nuk i shërbejnë dhënies me vërtetësi të esencës së fenomenit dhe të kohës”.12

Sulmi që udhëheqësi komunist Enver Hoxha u bëri në bllok ndikimeve të huaja në letërsi dhe arte në plenumin e qershorit të vitit 1973, u hapi rrugë sulmeve të ashpra ndaj çdo prirje për risi dhe novacion që ishte vënë re në vitet 1970-1973.

“Në disa vepra letrare të letërsisë së artit, drama, poezi e poema, tregime e novela, në ndonjë film etj.. është shtrembëruar realiteti. Kontradiktat e ndryshme dhe lufta që zhvillojnë Partia e popullit kundër fenomeneve negativë, pengesave e vështirësive janë pasqyruar jo nga pozitat e Partisë, por nga pozita të kundërta me to. Kështu, në mjaft raste lufta kundër burokratizmit jepet e gabuar në thelbin e saj, organet e pushteti tonë paraqiten të mbytura nga burokratizmi dhe masat punonjëse krejt të pafuqishme në luftën e burokratëve”.13

Në këtë frymë të inicuar nga udhëheqja komuniste qysh prej janarit të vitit 1973 me fjalën e diktatorit komunist në Presidiumin e Kuvendit Popullor reagon edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. “Shkëndija të shtrembërimit të përmbajtjes ka patur në poezinë tonë edhe vitet e vitit të fundit. Është rasti të përmendim poemën e F. Halitit, e njërit nga poetët më të talentuar, “Dielli dhe rrëkerat”, botuar në “Zëri i Rinisë” 16 dhjetor 1972. Poema jep një panoramë të zymtë të jetës. Forcat e gjalla të shoqërisë e vështrojnë nga larg gjendjen e shtrembër që krijon poeti. Partia dhe shteti duket sikur nuk veprojnë ndaj të metave burokratike, ata vështrojnë dhe heshtin.

Gjë që në asnjë mënyrë nuk i përgjigjet së vërtetës”.14

(Vijon numrin e arthshëm)

R E F E R E N C A:

1. Informacion për diskutimin “Mbi poezinë”, të zhvilluar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve më 15-16 mars 1973. Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 46, Viti 1973. Fl. 4-7.
2. Gazeta “Zëri i Rinisë”, Tiranë, 16 dhjetor 1972, fragment nga poema “Dielli dhe rrëkërat”.
3. Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, Raport dërguar KQ, Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 294, Viti 1973. Fl. 19-59.
4. Gazeta “Zëri i Rinisë”, Tiranë, 16 dhjetor 1972, fragment nga poema “Dielli dhe rrëkërat”.
5. Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, Raport dërguar KQ, Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 240, Viti 1973. Fl. 16-48 të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 294, Viti 1973. Fl. 19-59.
6. Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, Raport dërguar KQ, Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 294, Viti 1973. Fl. 19-59.
7. Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 147.
8. Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 148.
9. Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 148.
10. Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, Raport dërguar KQ, Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 294, Viti 1973. Fl. 19-59.
11. Mbi ndikimet e huaja në fushën e kulturës dhe arteve në frymën e fjalimeve të fundit të shokut Enver. Informacion për KQ të PPSh-së, rreth konkluzioneve të diskutuara dhe aprovuara nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, më 15 maj 1973. Arkivi Qendror i Poema “Dielli dhe rrëkerat” ishte bërë objekt i çdo analize mbi poezinë në atë kohë.
12. Teodor Laço: “Për një konceptim më realist të fenomeneve”, gazeta “Drita” 25 shkurt 1973.
13. E. Hoxha, Fjala në Plenumin e Katërt të KQ të PPSH-së, Tiranë, 26-28 qershor 1973.
14. D. Agolli: “Pulsi i jetës dhe pulsi i poezisë”, gazeta Drita 11 mars 1973.