SHQIPTARËT DHE POLITIKA

0
400
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Pluralizmi në hapësirat shqiptare filloi në vitin 1991. Që atëherë e deri më sot, hapësirat shqiptare ndodhen në fazën e tranzicionit. Tranzicioni në Kosovë filloi pas çlirimit të saj nga pushtuesit serbë. Shtetet e konsoliduara si Sllovenia dhe Kroacia, ka kohë që kanë dalë nga tranzicioni. Ato janë bërë edhe pjesë të organizmave euro-atlantikë, të NATO-s dhe të BE-së.

Gjatë tri dekadave të lëna pas, në hapësirat shqiptare lulëzoi dhe mbizotëroi nepotizmi dhe korrupsioni. Aty ku ka nepotizëm dhe korrupsion nuk ka shtet ligjor. Aty ku s’ka shtet ligjor, integrimi në BE është një ëndërr e largët.

Gjatë tri dekadave të tranzicionit, partitë “politike” shqiptare e kanë zbatuar me përpikëri përzgjedhjen negative. Pjesëtarë të organeve legjislative apo ekzekutive janë bërë individë me njohuri të kufizuara. Midis tyre ka pasur individë me arsimim të pamjaftueshëm apo me arsimim të dyshimtë. Të tillët quhen persona joprofesionalë apo diletantë dhe mediokër.

Kriter për emërimin e personave me njohuri të kufizuara apo me kualifikime të diskutueshme ka qenë dhe vazhdon të jetë përkatësia partiake. Hyrja e një individi në nomenklaturën partiake bëhet mbi baza familjare, fisnore, miqësore. Personi me ndikim në parti promovon me dinakëri dhe dredhi njeriun e familjes së vet apo të fisit të vet.

Në hapësirat shqiptare pozitat e larta në pushtetin qendror blihen edhe me para. Partia ia shet individit të kamur postin.

Zënia e pozitave të larta bëhet edhe me amoralitet. Me fjalë të tjera, për post shitet edhe morali dhe nderi.

Ndodh shpesh që në Maqedoninë e Veriut të vijnë në pozita të larta ata shqiptarë që janë të pranueshëm për sllavo-maqedonasit. Për të qenë i pranueshëm prej tyre, duhet të jesh për multikulturë dhe për shtet qytetar me mbizotërim të plotë të sllavo-maqedonasve. Të pranueshëm për sllavo-maqedonasit janë edhe bijtë e familjeve që e kanë çuar mirë me të gjitha sistemet dhe me çdo pushtet. Pra, bijtë e familjeve që i janë përshtatur çdo ideologjie dhe që kanë qenë anacionalë. Po qe se je për shtet dyetnik, shqiptar dhe sllavo-maqedonas, mund të konsiderohesh nacionalist dhe njeri me ide të tejkaluara. Multikultura s’është asgjë më pak se vëllazërim-bashkimi i Josip Broz Titos.

Në fund të viteve ’80 të qindvjeçarit XX, shtypi i Beogradit afirmoi sintagmën shqiptarë të ndershëm. Sipas tyre, të ndershëm ishin ata shqiptarë që shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë, përkatësisht serbosllavinë. Fatmirësisht, numri i shqiptarëve të ndershëm ishte i vogël. Sot ekziston rreziku që ky numër shqiptarësh të ndershëm në Maqedoninë e Veriut të shtohet.

*   *   *

Në hapësirat shqiptare rëndom avancohen personat që janë të dëgjueshëm, poltronët, oportunistët, konformistët, puthadorët dhe karrieristët. Avancohen dhe promovohen edhe demagogët, lakmitarët, të pangopurit, mashtruesit, intrigantët, tregtarët e flamurëve, ushtarët partiakë, militantët partiakë, të dëgjueshmit, pakurrizorët (butakët), oportunistët, konformistët, demagogët, mercenarët, të pamoralshmit, të pandershmit. Ky dance macabre nuk përfundon me kaq.

Në rrethana të tilla kemi politizimin dhe partizimin e plotë të të gjitha poreve të shoqërisë dhe të shtetit. Në hapësirat shqiptare s’kemi të bëjmë me shtet ligjor. Kemi të bëjmë me shtet partiak. Për më tepër, ndodh që të rrëmbejë pushtetin një parti e fisit, e zonës apo e krahinës. Një parti e tillë nuk mund të drejtojë shtetin as të ndjekë politikë shtetërore. Cila parti është në pushtet, i asaj është shteti. Atëherë shtrohet pyetja: Cili është dallimi midis shtetit partiak të periudhës moniste dhe shtetit partiak të periudhës pluraliste?!     

Në shtetet partiake nuk funksionon as sistemi politik, as sistemi juridik. Sistemi politik dhe sistemi juridik në shtetet partiake nuk është veçse një nocion fiktiv. I tërë shteti kontrollohet nga lideri partiak i partisë liderike, nga koniunktura partiake dhe nga nomenklatura. Në shtetet partiake apo të partizuara, është utopi të flitet për institucione publike të pavarura apo të depolitizuara. Çdo institucion është nën kontrollin dhe nën kthetra e partisë. Për zbatim ligji nuk mund të bëhet fjalë. Pa ndërhyrjen e partisë nuk mund të bëhesh as shërbëtor shkolle fshati.

Në shtetin partiak profesionalizmi dhe dituria nuk janë veçse iluzion. Shumë pak çmohen, për të mos thënë fare. Me rëndësi është të jesh i taborit tonë. S’ka fort rëndësi se je gjysmanalfabet. Ia dalim disi.

Në të gjitha hapësirat shqiptare ka tri dekada që lulëzon nepotizmi. Pushtetari i hapësirave shqiptare punëson: gruan e vet, djalin, vajzën, renë, dhëndrin, anëtarët e tjerë të familjes. Ky farë pushtetari fare nuk çanë kokën për vlerat profesionale dhe morale të anëtarëve të familjes së vet apo të fisit.

Nepotizmi në hapësirat shqiptare nuk nënkupton punësimin e rëndomtë të anëtarëve të familjes. Pushtetari me ndikim nuk kënaqet me punësimin e djalit, të vajzës, të resë, të dhëndrit apo të anëtarëve të tjerë të familjes. Pushtetari me ndikim fëmijët e vet synon t’i bëjë pasanikë, t’i bëjë milionerë.

Në rrethana të tilla pësojnë shtyllat vitale të shtetit apo të shoqërisë: sistemi i drejtësisë, organet e rendit, sistemi i arsimit, sistemi shëndetësor, institucionet e urbanizmit etj.

Shteti me karakteristika të sipërthëna ka një diplomaci të atrofizuar dhe pa autoritet ndërkombëtar.

Shteti partiak ka administratë të partizuar dhe të politizuar. Administrata e shtetit ku nuk gjen zbatim ligji është e stërngarkuar me ushtarë dhe anëtarë të partisë. Administrata e tillë është joprofesionale. Administrata publike e hapësirave shqiptare, si të nivelit vendor ashtu edhe të nivelit qendror, është shndërruar në ent për punësimin e militantëve të partisë, të votuesve të partisë, të atyre që në ditën e votimit vjedhin vota, i mbushin kutitë e votimit apo i thyejnë kutitë e votimit. Një administratë me tepricë punonjësish që i kanë zaptuar zyrat pa bërë asnjë punë efektive, i kushton shtrenjtë shtetit dhe shoqërisë. Me një administratë të tillë nuk shkohet në Evropë dhe nuk pranohesh në BE.

Në hapësirat shqiptare shumë pushtetarë kanë blerë dhe vazhdojnë të blejnë diploma universitare, tituj akademikë, magjistratura, doktorata – për vete, për gratë e veta, për djemtë e vet, për vajzat e veta, për rejat, për dhëndurët.

Nëpër universitete shqiptare punësohen pa kriter profesional të mirëfilltë dhe pa kriter moral, si asistentë apo si ligjërues, bij e bija pushtetarësh, reja e dhëndurë pushtetarësh, me njohuri të kufizuara dhe me kualifikime të dyshimta.

Shteti i katandisur në një vorbull të tillë:

– nuk mund ta ndërtojë ideologjinë kombëtare;
– nuk mund ta përkufizojë interesin kombëtar;
– nuk mund të hartojë program politik kombëtar;
– nuk mund të ndjekë politikë kombëtare.

Demokracia në shtetin ku nuk zbatohet ligji është një nocion fiktiv. Institucionet arsimore, kulturore dhe shkencore, përfshi edhe universitetet dhe akademitë e shkencave, janë nën kontrollin e politikës. Në mungesë të demokracisë, të lirisë së fjalës, lirisë së shprehjes, inteligjencia shqiptare është strukur në lëvozhgën e vet. Ajo i ruan interesat e veta meskine dhe i mbyll sytë para problemeve të shtetit dhe të shoqërisë. Përveç kësaj, pushtetarët autoritarë as që e përfillin inteligjencien.

Në shtetin ku nuk gjen zbatim ligji vendimet janë arbitrare. Aty ku s’ka demokraci, ka autoritarizëm, autokraci, tirani, despotizëm, diktaturë dhe totalitarizëm që në thelb nuk dallohet nga sistemi totalitar stalinist.

Shumë pushtetarë të hapësirave shqiptare janë pasuruar, madje janë bërë edhe milionerë. Si mund të bëhesh pasanik apo milioner, kur një rrogë ose pagë mujore në hapësirat shqiptare është 500 apo 1000 euro?! Nga erdhën, si u krijuan dhe si lindën gjithë ato ndërtime, ndërtesa, ndërmarrje, depozita bankare, brenda dhe jashtë shtetit, me një rrogë prej 500 apo 1000 eurosh?! Janë bërë milionerë edhe pushtetarë të cilët në shkollë të mesme kanë pasur nga nota të dobëta.

Hapësirat shqiptare konsiderohen ndër më të varfrat në rajon dhe në Evropë. Atëherë shtrohet pyetja: Si kanë mundur politikanë dhe pushtetarë të caktuar shqiptarë të pasurohen dhe të bëhen milionerë?!

Nga kjo del se pasuritë e politikanëve dhe e pushtetarëve shqiptarë janë krijuar në mënyrë të paligjshme. Pasuritë dhe milionat e tyre janë produkt i abuzimeve dhe i korrupsionit, i shkeljes së ligjit, i shpërdorimit të detyrës, i shpërfilljes së sistemit politik, juridik dhe financiar. Këta farë politikanë, para se të ishin pasuruar, në kontot e tyre s’kanë pasur as edhe 1000 euro. Me fjalë tjera, këta paskan hyrë në politikë, jo për të ndërtuar shtet ligjor, por për t’u pasuruar në kurriz të popullit të varfër. Ndër më të varfrit e rajonit.

Është për t’u habitur sesi ky popull i voton këta mizorë.

Para abuzimeve të tilla të pushtetarëve dhe të politikanëve i kanë mbyllur sytë organet e pushtetit, sistemi i drejtësisë ndërkaq, s’ka funksionuar fare. L’État c’est moi! – ka thënë Luigji XIV. S’kanë funksionuar organet e rendit, të urbanizmit, organet doganore, institucionet bankare apo financiare, organet kadastrore, ato të gjeodezisë etj.

Në shtetet ku s’ka ligj nuk mund të flitet për mediume të pavarura. Një pjesë e madhe e mediumeve në hapësirat shqiptare kontrollohen nga shteti, nga qeveria apo nga qeveritë, nga partia në pushtet, nga qendrat financiare të pushtetshme dhe influente. Ka mediume që kontrollohen nga qendra dhe shërbime të jashtme, të huaja – ruse, greke, serbe, nga qendra dhe shërbime të vendeve arabe, nga Turqia, nga Irani, nga vende perëndimore.

Shumë analistë politikë janë mercenarë të qendrave të sipërthëna. Ka klerikë që janë mercenarë të demonëve. Shumë shoqata humanitare janë në shërbim të djajve. Ka shoqata joqeveritare që janë shërbëtorë të politikës, të pushtetit apo të partive në pushte.

Për ta ruajtur qetësinë, pushtetarët dhe politikanët e hapësirave shqiptare ndjekin edhe politikën panem et circenses që e kanë ndjekur para dymijë vjetëve perandorët romakë. Jepi popullit të varfër bukë dhe argëtim dhe sundo mbi të sa të duash.

Në hapësirat shqiptare kemi vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, trafikim lëndësh narkotike, armësh dhe qeniesh njerëzore, prostitucion, amoralitet, shkurorëzime, vjedhje, vjedhje me thyerje, reketime, shantazhe, përqindje të lartë aksidentesh rrugore, vetëvrasje, hakmarrje apo gjakmarrje, ngujime.

Në hapësirat shqiptare kemi papunësi, varfëri, skamje, lypës nëpër rrugë, keqtrajtim të kafshëve, keqtrajtim të qenve endacakë. Duke i helmuar qentë rrugëve në mesnatë nuk shkohet në Evropë. Akte johumane, barbare.

Politika është shkaktare dhe përgjegjëse e shtimit të numrit të kazinove, të bastoreve, të lojërave të fatit, të klubeve të natës.

Janë skena që t’i përkujtojnë ato të romaneve të shekullit XIX, të Çarls Dikensit, të Uilliam Thekerit, të Emil Zolës, të Fjodor Mihajlloviç Dostojevskit.

Në hapësirat shqiptare s’kemi as majtizëm, as djathtizëm. Për ideologji të tilla duhet pasur ekonomi, industri, teknikë, teknologji, prodhim, eksport, sjellje mjetesh devizore nga eksporti i mallrave. Duhet pasur kapital, potencial financiar dhe jo borxhe deri në fyt, që dita-ditës shtohen.

Askush s’do t’u ndihmojë shqiptarëve po qe se ata vetë nuk i ndihmojnë vetes. Nuk jetohet me dekada duke pritur ndihma të huaja. Njeriu ndihmohet njëherë-dy dhe e merr veten. Ndryshe, ai njeri nuk është për ndihmë, nuk është i zoti i vetes.

Në hapësirat shqiptare ka shfrytëzim të egër të fuqisë punëtore, mu si në mesjetë dhe si në shekullin XIX. Ka punëtorë me paga mujore prej 150 eurosh. Në anën tjetër ka të tillë të cilëve një darkë u kushton 500 apo 1000 euro. Kështu nuk mbahet shtëpia. Kështu s’krijohet dot kombi. Skena bizare dhe groteske në Evropën e shekullit XXI.

Pranë sofrës i pangrënë; pranë dritës, i paparë; pranë detit, i palarë – thotë Noli, ky vigan liberator.

Në hapësirat shqiptare mungon mendimi kritik, kritika politike, kritika shoqërore. Ka censurë dhe autocensurë. Kemi edhe shpëlarjen e trurit nga mediumet, nga studiot televizive, nga radiostacionet, nga gazetat, nga revistat, nga mediumet elektronike, digjitale.

Kemi polarizimin e skajshëm të shoqërisë. Shkalla e ulët e zhvillimit të sektorit privat ndikon që njerëzit, qytetarët, të rinjtë të preokupohen me partinë, me politikën. Nëpërmjet partisë dhe politikës shpresojnë të  punësohen. Jashtë partisë dhe politikës s’ke sesi punësohesh. Sektori privat nuk përthith fuqi punëtore.

Arsimimi funksionon pa plan. Kush mbërrin regjistrohet në fakultet. Edhe nxënësi me dhjetë nota të dobëta, ndjek studime universitare. S’ka as kriter as përzgjedhje për regjistrim. Në hapësirat shqiptare vlojnë universitetet, publike dhe private. Çdo qytezë ka themeluar universitet. Arsimi është shndërruar në biznes fitimprurës. Kemi inflacion diplomash, që s’janë veçse letra pa vlerë. Cili është ai shtet i vogël dhe i varfër në botë që mund ta punësojë gjithë këtë armatë të diplomuarish?! Një pjesë e tyre janë kualifikuar dhe janë certifikuar me kritere të dyshimta.

Arsimimi profesional figuron formalisht. Një shkollim i tillë kërkon të kesh ekonomi dhe industri. Përgjegjësi për devalvimin e arsimit është partia, janë partitë, është politika. Shumë punë partitë i bëjnë për vota, për asgjë tjetër.

Tri dekada i ke në skenën politike të njëjtët njerëz. Rrotullohen, enden e sillen nga një post në tjetrin.

Në hapësirat shqiptare nuk ka votues të lirë. Ka votues partiakë. Secili e di paraprakisht se për kë do të votojë. Askujt s’i intereson programi partiak që e shpërndajnë shtabet partiake një muaj para zgjedhjeve. Programi është letër. Ajo duron çmos. Askush s’i lexon ato. Madje as krerët e partive. Ato hartohen sa për të thënë se dalim para elektoratit me program politik dhe ekonomik. Shqiptarët janë të ngopur me premtime në letër. Edhe të lodhur. Shumë shqiptarë janë të dëshpëruar, të zhgënjyer, të deprimuar. Ka edhe të tillë që ndjehen të tepërt në shoqëri, të harruar, të lënë pas dore, të shpërfillur, të margjinalizuar, të nëpërkëmbur.

Elektorat të lirë, qytetar, asnjanës nuk ka. Çdo parti i ka votuesit e vet. Rëndom e votojnë partinë që hyn në qeveri, që bëhet pjesë e qeverisë, me shpresë se nëpërmjet saj do të punësohen. Kur vjen puna te ekzistenca, i papuni s’çanë fort kokën për ideologjinë kombëtare, për historinë kombëtare, për flamurin, për heronjtë. tanimë ai është i zhveshur nga iluzionet dhe idealet. Ata ku ka papunësi, skamje, paga të ulëta, aty s’ka ideal as ideologji. Aty kemi luftë për ekzistencë, për mbijetesë. Është politika, janë politikanët shqiptarë që e kanë katandisur në atë gjendje të mjerë.

Pushteti që nuk bën punë të mëdha, e reklamon dhe e propagandon në mediume, në gro plan, edhe punën më të vogël. Në shtetin me probleme të mëdha politike, ekonomike, sociale, morale përplasjet midis pozitës dhe opozitës janë të tensionuara, përtej normales. Në hapësirat shqiptare nuk kursehen fyerjet, sharjet, ofendimet, fjalët denigruese, kërcënimet, shantazhet. Nuk respektohet as autoriteti i kryetarit të shtetit, as i kryetarit të kuvendit, as i kryeministrit, as i udhëheqësit të opozitës. Përdoren fjalë fyese nga më të rëndat, deri edhe tradhtar kombi. Fjalë të rënda që s’i duron as letra, që s’i pranon arsyeja njerëzore. Kjo s’ndodh në asnjë vend, jo të rajonit, po të botës.

Kështu nuk shkohet në BE, nuk dilet nga tranzicioni. Këto përplasje në botën shqiptare e zvarrit konsolidimin e Shqipërisë, e dëmton imazhin e Kosovës para botës. Shqiptarët diskreditohen si komb. Për çdo disfatë nuk duhet fajësuar të tjerët apo tragjizmin historik.

Derisa luftonin për t’u çliruar nga pushtimi serb, shqiptarët ishin më të mobilizuar, më të ndërgjegjshëm. Kishin ideal. Pas çlirimit, në pluralizëm dhe në demokraci treguan nivel politik të ulët dhe aftësi shtetformuese të pamjaftueshme. Bota nuk pranon politikë fisesh, zonash dhe krahinash. Bota njeh politikë shtetërore.