DILEMAT E REGJISTRIMIT TË POPULLSISË NË KOHËN E PANDEMISË

0
274
Dr. Nail Draga

Diskursi demografik

Propozimi nga një OJQ që në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë që do të mbahet në Mal të Zi në muajin prill të vitit të ardhshëm që mos të evidentohet struktura kombëtare, gjuhësore e fetare e popullsisë sikurse në regjistrimet e deritashme(1948-2011) është irituese dhe e papranueshme, sepse çdo qytetar përveç emrit dhe mbiemrit ka identitetin e vet, ndërsa çdo eliminim i këtyre strukturave është mohim i të drejtave e lirive të qytetarëve në përgjithësi e pakicave kombëtare në veçanti, sidomos për ne shqiptarët sepse do të eliminohej instituti i aksionit afirmativ si dhe përfaqësimi i tyre autentik, andaj si i tillë ky propozim është i pa pranueshëm dhe diskriminues.

Nail Draga

Ditë më parë opinioni në Mal të Zi është njohtuar me propozimin nga Qendra e Tranzicionit Demokratik(CDT) që ka të bëjë me regjistrimin e popullsisë që duhet të organizohet gjatë muajit prill të vitit të ardhshëm. Propozimi është drejtuar në adresa të ndryshme si presidentit të Malit të Zi, kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, kryeministrit aktual, mandatarit për formimin e qeverisë, partive politike etj., duke njoftuar me propozimin qe ka të bëjë me iniciativën për mos deklarimin e qytetarëve sipas përkatësisë nacionale, fetare e gjuhësore(!). Dhe për çudi një propozim i tillë u bë objekt reagimi i subjektëve politike, shoqërisë civile e individëve të ndryshëm, duke shprehur pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë çështje e cila këtu që nga fillimi ka marrë përmasa politizuese.

Dilema e identitetit

Nuk ka dilemë se një propozim i tillë jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me një mjedis ku qytetarët nuk janë të vetdijshëm se kush janë e çka janë, përkatësisht kanë dilema sa i përketët identitetit të tyre kombëtar, fetar e gjuhësor. Por, thënë më se buti kemi të bëjmë me nençmim të dinjitetit të qytetarëve. Sepse një propozim i tillë nuk mund të dëshifrohet ndryshe në këtë kohë të pluralizmit ku qytetarët kanë mundësi të deklarohen lirshëm, në çdo pyetje në fletën e regjistrimit.

Por siç duket realiteti politik ka ndryshuar nga del se deri më tash pushteti ka pasur monopol, duke prezantuar strukturën e popullsisë sipas interesit të tyre, qe jep për të kuptuar se në të kaluarën janë bërë manipulime në këtë drejtim. Dhe këtu qendron çështja se një regjistrim objektiv do të ofrojë të dhëna tjera numërike e jo si deri më tash të cilat janë prezantuar opinionit. Kryesisht është fjala për pjesëtarët e popullit serb të cilët realisht janë më tepër se sa i ka paraqitur deri më tash statistika zyrtare. Ndërsa në pozitë më të favorshme nuk janë as pjesëtarët e popullit boshnjak, shqiptar e ati kroat, që dëshmohet nga analiza e të dhënave në regjistrimet e popullsisë nga viti 1948 e më pas.

Nga regjistrimet ideologjike të ato pluraliste

Regjistrimi i pare i popullsisë pas Luftës së Dytë Botërore në Mal të Zi u mbajt në vitin 1948 dhe ofrojë të dhënat e para sipas strukturës kombëtare të qytetarëve, e drejt kjo e mohuar më parë (përveç serbëve). Kështu në këtë vit si malazez janë deklaruar 90.67%, serb 1.78 %, ndërsa shqiptarë 5.15%. Kujtojmë me këtë rast se regjistrimet e popullsisë në kohën e monizmit ishin ideologjike dhe të dhënat e ndryshme duhet trajtuar në kontekst të rrethanave politike të kohës, ku nuk kanë munguar diskriminimi përkatësisht manipulimet me strukturën kombëtare të popullsisë.

Në këtë aspekt rasti i serbëve paraqet rast specifik sepse të dhënat dëshmojnë me mundësinë e manipulimit të numrit të tyre deri në regjistrimet e vitit 1991. Sepse nuk mund të arsyetohet me asnjë argument pjesëmarrja e serbëve në vitin 1948 me 1.78%, duke e ditur se ata ishin më shumë, e dhënë kjo e cila ishte e diskutueshme deri në vitin 1991.

Në këtë aspekt nuk kanë qenë në pozitë më të favorshme as shqiptarët, të cilët vazhdimisht ishin nga 5-7%, e dhënë e cila nuk ishte objektive sepse shqiptarë ka pasur më tepër. Ndërsa boshnjakët nuk ishin të pranuar me këtë emër por me përkatësinë fetare si muslimanë dhe me numër të pa përfillshëm në kuadër të popullsisë së përgjithshme, duke i trajtuar kryesisht si malazez në aspektin kombëtar.

Vetëm regjistrimet e popullsisë në pluralizëm, pas vitit 1991, ofruan mundësi të paraqitjes me objektive të strukturës kombëtare të popullsisë në Mal të Zi, duke eliminuar deformimet strukturore të kohës moniste. Një dukuri e tillë ishte identike në të gjitha vendet e ish kampit socialist, ku as Mali i Zi nuk është përjashtim.

Identiteti i mohuar apo manipulimi i programuar

Ndryshimet më të theksuara në strukturën kombëtare të popullsisë janë paraqitur pas vitit 1991, me miratimin e pluralizmit, ku mundësia e deklarimit ka qenë e lirë, ndërsa rasti i serbëve është dëshmi e një ndryshimi strukturor. Kështu në vitin 1991, sipas regjistimit të popullsië janë deklaruar si serb 9.34 %, ndërsa në regjistrimin vijues në vitin 2003 janë deklaruar 31.99%, ndërsa në vitin 2011, ishin 28.73%. Të dhënat e tilla dëshmojnë së numri i serbëve është trefishuar, që paraqet rast për hulumtim që dëshmohet me regjistrimin objektiv në krahasim në kohën e monizmit.

Nga ana tjetër malazezët kanë pësuar një rënie drastike nga viti 1948 që ishin 90.67% në 44.98%, në vitin 2011, nga del se ka ekzistuar manipulimi i evidentimit të qytetarëve në aspektin kombëtar nga ana e pushtetit të kohës. Nuk ka dilemë se numri I serbëve në Mal të Zi është pa dyshim më së paku një e treta e popullsisë së përgjithshme, që sipas të gjitha gjasave kjo pjesëmarrje do të rritet gjithnjë ku regjistrimi në vitin 2021 do të dëshmoj me konkretisht një konstatim të tillë.

Regjistrimi duhet të paraqesë gjendjën reale demografike

Inicuesit e një propozimi të tillë mbeshtetët në praktikën europiane së pyetjet për çështjet e tilla nuk janë obligative, ndërsa harrojnë se është e drejt autonome e së cilit indvid të deklarohet se kush është në aspektin kombëtar, gjuhësor e fetar. Ndërsa për ata të cilët nuk dëshirojnë të deklarohen mundësia ka ekzistuar edhe më parë, por ka qenë një numër minimal që e kanë shfrytëzuar atë mundësi.

Duke marrë parasysh se deri më tash këto rubrika kanë qenë standarde në regjistrimet e popullsisë(1948-2011) duke paraqitur identitetin dhe pjesëmarrjën në popullsinë e përgjithshme të pjesëtarëve të popujve të ndryshëm, çdo devijim në këtë aspekt është dështim me pasoja shoqërore. Ndërsa koncepti i “shtetit qytetar” në këtë mjedis të pakonsoliduar ma tepër ka karakter të marketingut politik se sa të realitetit shoqëror.

Pikërisht duke njohur rrethanat shoqërore në këtë mjedis më të drejtë bëhët pyetja se çfarë mund të jetë një regjistrim i tillë i popullsisë pa strukturat e identitetit siç janë ajo nacionale, fetare e gjuhësore. Ose edhe më qartë kush i frigohet realitetit demografik në Mal të Zi si bashkësi multinacionale, multikulturore e multifetare, e popujve të ndryshëm.

Pasi një propozim i tillë ndodhi pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit 2020, ku DPS-i i humbi zgjedhjet për të parën herë në pluralizëm pas tridhjetë viteve, andaj nuk ka dilemë se një propozim I tillë është sponzorizuar nga ana e tyre, për qellime të veçanta.

Nuk ka dilemë se regjistrimi i popullsisë paraqet sfidë për ata të cilët kanë manipuluar në të kaluarën, andaj kanë frigë nga të dhënat objektive. Andaj kësaj radhe janë gjasat maksimale që regjistrimi të jetë objektiv për të parën herë sepse nga viti 1948-2011, ka qenë i realizuar nën regjinë e pushtetit, andaj pushteti i ri duhet të tregohet profesional duke eliminuar dilemat në lidhje me strukturën nacionale, gjuhësore e fetare në mënyrë objektive në këtë mjedis.

Propozim diskriminues

Në vendet e qytetëruara dhe demokratike regjistrimi i popullsisë paraqet çështje të statistikës demografike, duke ofruar të dhëna shumëdimensionale për qytetarët e vendit përkatës. Por, kur kemi të bëjmë me Malin e Zi, situata është tjetër fare sepse kemi të bëjmë me një mjedis të ndarë dhe të pakonsoliduar. Dhe nga një gjendje të tillë askush në Mal të Zi regjistrimin nuk e trajton si çështje teknike statistikore, por ekskluzivisht me përmasa politike.

Andaj, deklaratat e ndryshme nga disa të vetëquajtur analistë se Regjistrimi i popullsisë do të ndikojë në përçarjen e popullsisë është manipulim i opinionit, sepse një dukuri e tillë këtu ka qenë e vazhdueshme qe është dëshmuar në praktikë nga viti 2006, me rastin e refrendumit për pavarësi të Malit të Zi.

Ndërsa çdo tentim edhe në formë propozimi për të eliminuar deklarimin e lirë të qytetarëve sipas përkatësisë kombëtare, gjuhësore e fetare është ide e dështuar, përkatësisht mohim i demokracisë, që është kundër barazisë nacionale e qytetare në Mal të Zi në përgjithësi e popujve pakicë në veçanti, sepse do të eliminohej instituti i aksionit afirmativ si dhe përfaqësimi i tyre autentik, andaj si i tillë është i pa pranueshëm dhe diskriminues.

Përfundimisht iniciativa nga një organizatë joqeveritare për kufizimin e të drejtës se deklarimit të qytetarëve për përkatësinë e tyre kombëtare, gjuhësore dhe fetare, paraqet mohimin e lirive dhe të drejtave të njeriut si dhe të vet demokracisë. Andaj një iniciativë të tillë e vlerësojmë si të pa bazë dhe irituese për qytetarët dhe opinionin e gjerë në Mal të Zi, në këtë kohë të pandemisë.

(3 nëntor 2020)