Xhemal Seit Çera, mësuesi model dhe demokrati qëndrestar…

0
629
Xhemal Çera

Foto: Xhemal Çera mes dy nipave të tij

Nga Dukagjin HATA

Kur kërkon gjurmët e disa njerëzve, të cilët i ke njohur në rrethana të pazakonta dhe me të cilët ke ndarë një pjesë të kohës dhe të ëndrrave, shpesh gjurmët e kujtesës humbasin në shtjella të forta emocionesh,pasi bashkë me këto gjurmë vijnë e të përmbytyn nga brenda kujtimet e një epoke të ikur me vrull e ngut në një kohë të pakthyeshme. Kështu po më ngjet teksa po shkruaj këto radhë për një mësues të vjetër, për një bashkëluftëtar, për një mik, për një demokrat qëndretstar, për një njeri me një komunkim aq të ngrohtë, Xhemal Seit Çera.

Me emrin e këtij njeriu të thjeshtë dhe me virtyte të çmuara, lidhet historia e arsimit në një trevë të etur për dije dhe kulturë, siç është zona e Sllovës dhe Ujëemujës, ku ai shërbeu me me pasion e përkushtim, duke mbetur një figurë e dashur për brezat e nxënësve, të cilëve iu ka dhënë mësim dhe mjaft syresh sot janë pjesë e armatës së madhe të intelektualëve të njohur, biznesmenëve të suksesshëm, njerëzve me vlera për shoqërinë.

Tashti në moshën e pleqërisë së thellë kur sapo ka mbushur plot 87 vjeç, (lindi në Trojak të Dibrës më 7 nëntor 1932), vlerat e një njeriu me botë të pasur shpirtërore, me zgjuarsi dhe fisnikëri, dalin më në pah, bëhen më të afërta dhe të prekshme. Ky afinitet me njerëzit, kjo botë e pasur shpirtërore, ky mesazh, kjo psikologji mendimi e veprimi, e ka bërë Xhemalin të verifijojë çdo gjurmë të jetës së tij, të ecë në rrugë qofshin dhe të vështira njerëzore, mjafton që të jenë rrugë të drejta dhe që të çojnë tek e vërteta, tek dashuria për punën dhe njerëzit, komunikimi i ngrohtë, çiltërsia, humnanizmi, profesionalizmi, të cilat kanë qenë dhe mbeten motivet shtytëse të jetës së tij prej mësuesi e demokrati të përkushtuar.

Ishte fillimi i viteve ’90, vite që erdhën me rrebeshe dhe shpresa të mëdha për njerëzit, duke bërë që gjithkush të shihte një tufëz dritë në tunelin e errët të një kohe vrastare.

Në Dibër, era e ndryshimit zakonisht vjen me vonesë, por kjo puhi që po shkundte pluhurin e një epoke të trishtë, po vinte me shpejtësi, duke tallazitur ndjenja dhe mendësi njerëzore.

Sllova, me tallazitjen e një graviteti emocional të epërm, na dukej si qendra e Botës, edhe pse aty nuk gjallonte thuajse asgjë, përveç dy tre klubeve ku pihej kafe e raki dhe zhurmënajës së fjalëve pa fund, që endeshin në një thashethemnajë të trishtë…

Ishim një grup shokësh, të brezave të ndryshëm, që përqafuam të parët idenë e ndryshimit, në rrethana teje të vështira dhe nën një survejim të rreptë të strukturave të sigurimit, që ende mbijetonin dhe qenë bërë më të egra e brutale se kurrënjiherë më parë.

Një ndër të parët që iu bashkua grupit tonë të demokratëve ishte Xhemal Seit Çera, mësuesi i palodhur i atyre viteve, që me përkushtimin dhe dashurinë e tij për punën fisnike të arsimtarit, edukoi breza të tërë, duke iu dhënë jo vetëm dije, por mbi të gjithë dashurinë për krahinën tonë, për historinë dhe përditshmërinë e saj të trazuar…

Në gjithçka ishte korrekt, me sedër, me dashuri për njerëzit, me një shpirt kundërshtimi të lindur ndaj çdo lloj padrejtësie, që ushqente ajo kohë e pa kohë, kur njerëzit siteshin imët në sitën ideologjike dhe më shumë se vlerat dhe cilësitë e karakterit, çmohej hipokrizia dhe dyfytyrësia.

Xhemali ishte dhe mbeti një njeri i ndershëm, me shpirt të pastër dhe zemër të çiltër, trim dhe kurajoz, për t’ia thënë gjithëkujt të vërtetën në sy, edhe kur ajo mund t’i shkaktoj tjetrit plagë dhe të trishton…

Xhemal Çera, tani në këtë moshë të thyer ka se për çfarë të krenohet, për fëmijët që i ka rritur me nder dhe dinjitet dhe që me sjelljen e tyre në jetë e kanë bërë që ta mbajë kokën lart, për nipërit dhe mbesat që e rrethojnë me dashuri, për brezat e nxënësve që nuk e kanë harruar dhe shfrytëzojnë çdo rast për t’i shprehur respektin dhe mirënjohjen e tyre.

Gjithëkush që merr penën për të shkruar dhe që kërkon një model jete të jetuar bukur, që lyp gjurmët e një jete me dinjitet e fisnikëri, mund ta gjejë atë tek ky mësues pasionant, në zemrën e të cilit buron dashuria për brezat dhe kohët e dijes, etja për mirësi e drejtësi njerëzore.

Tek ai mishërohet shpirti i ngrohtë i një njeriu të gjendshëm, një mësuesi model, që në çdo hap të tij ka lënë gjurmë të mira në çdo kohë.

I urojmë Xhemalit edhe 100 vite jetë të lumtur, me dashuri e fisnikëri, si në çdo hap të jetës së deritanishme, për të mirën e tij, të familjes së tij, të farefisit, të fshatit Trojak, Sllovës e Ujëmujës, ku gjurmët e tij në jetë do të mbeten të pashlyeshme për brezat…