Ajsbergu poetik i Neviana Shehit

0
718
Neviana Shehu

Një poezi e gravitetit emocional të nëntekstit

Nga Dukagjin Hata

Rastësisht më ra në dorë libri me poezi “Vjeshtë fatesh” i autores së talentuar Neviana Shehu dhe të them të drejtën u befasova nga freskia e vargjeve dhe befja e imazheve që ajo përcjell tek lexuesi, me një thjeshtësi të dridhshme. Në poezinë e saj fryjnë erërat e trazuara femërore, kujtimi, ëndrra, iluzioni, vetmia, malli, kategori të përjetshme të fiksionit poetic, që nuk kanë ndryshuar kurrë që kur ka lindur poezia, por që vijnë në kurba dhe dimensione të ndryshme nga njëri poet tek tjetri, në filtrin e përvojës vetjake dhe unit.

Para disa javësh, dikush ma dhuroi librin e saj të dytë “Përtej valëve”, një thellim i cilësive më të qenësishme të poezive të saj, që dallohen për koloritin e fortë ndjesor dhe emocional, për dendësinë dhe thellësinë e trazimeve të unit, për vënien e objektit poetik në funksion të një graviteti të padukshëm stilistik.

Mësova se paska dalë nga shtypi dhe libri i tretë me poezi i Nevana Shehit, me titullin “Burri i netëve të mia”, që shpresoj ta lexoj dhe të jetë në vazhdën e dy librave të parë, në ato hullinj përjetimesh dhe kujtesash të transfiguruara në një estetikë, i cili të fton të bëhesh pjesë e një shpërfaqje poetike sharmante dhe rrëzëllitëse.

Disa nga poezitë e përmbledhura në këto dy libra, Neviana i ka botuar në rrjetet sociale dhe akseset e ndryshme të epokës së modernitetit. Kam lexuar herë pas here cikle të poezisë së Nevianës, botuar në portale të ndryshme, në gazeta dhe revista letrare etj dhe më bën përshtypje gjallëria e imazhit dhe figurës, shpërfaqja pikturale në akuarelin e ndjenjës, dendësia e mendimit poetik, asimetria e gjendjeve dhe përjetimeve, që në finale të aktit poetik përbëjnë një harmoni të plotë, të kudoshafqur në strofa e vargje, që të mbeten në mend për një kohë të gjatë:

“Udhët numërojnë hapat e mi të munguar
Fustanet në garderobë
Mallohen për aromën e kurmit tim
Fjalëpak bie nata balerinë
Dhe hëna derdhet mish e shpirt
Të fjalos vetminë”…

Poezia e saj, siç thotë me të drejtë kritiku Qazim Shehu “tërheq vëmendjen për fshehjen e objektit poetik dhe fjalën e kulturuar”. Nën tisin e vetëpërmbajtjes dhe “ekonomizimit” të fjalëve, shpërfaqet një shpirt i trazuar deri në rebelim, që kërkon ta jetojë me intenistet të lartë gjithçka dhe që në rrugëtimin e ëndrrës, përballet me çdo pengesë, e mbi të gjitha me pengesat që i ngre vetvetja. “Fjalët që s’ti kam thënë kurrë/I shkrova në qiell/E pra, mbushe kupën mes yjesh/Dhe dehu…

Neviana, mes shpërthimit ndjesor dhe aparatit meditativo-lirik, si arsyetim poetik rreth të ndodhurës, si kujtesë, si imazh, si arkitip i sendërtuar në kumt estetik, mes mesazhit, ndjenjës dhe mendimit, ka zgjedhur intuitivisht gravitetin tërheqës të të nënkuptuarës, të asaj që është nën sipërfaqe, të nëntekstit. Moderniteti i saj nuk është klithës, por “shungurues”, duke na bërë të besojmë në fiksionin e saj, në apologjinë e të vërtetave të saj, që mëton t’i bëjë të vërteta universale të gjithëkohshme, duke besuar verbërisht në atë që shkruan, çfarë dëshmohet si cilësi absolute e poezisë, që kur ajo ka nisur rrugëtimin drejt njerëzve në këtë botë.

Befja, në kuptimin e të papriturës rrëzëllitëse, kapriçoze dhe ndjellëse njëherësh, shfaqet si “ormanent” poetik në poezitë e Nevianës, duke na joshur në krahët e ëndrrës së kulluar, e cila qëndron tej caqeve të çdo arsyetimi racional dhe filozofie jetësore, si një transhendencë e unit të unifikuar me vetë botën dhe universin. “Në vendin tim… atje përtej/ (tek ato drita mbjellë në det)/ qyteti im mbjell drita në det-/ kanë ngelur lëndinat e trishta rrethuar me dimra gri…”.

Jeta ime është një dantellë/prej vargjesh/thurur ditën e takimit/me ëndrrën dhe të ëndërruarin/, thotë poetja në poezinë “Geisha e fjalës së bukur”, duke shfaqur thelbin e kredos së saj poetike, që vjen midis trillit dhe dashurisë, si një akt përsosmërie të shpirtit, në plotëri me unin dhe jashtësinë që e rrethon.

Moderniteti i saj poetik shfaqet më së pari në grimcimin në formë mozaiku që poetja i bën objektit poetik, “lëndës së parë”, duke e thërmuar dhe rikonfiguruar në një të plotë të re, që tashmë, përveçse pjesë e kujtesës, është pjesë e filtrave të fuqishëm estetikë, që vë në përdorim autorja.

Përzgjedhja e imët e fjalës, si shenjim metaforik dhe simbolik i gjendjes, imazhit dhe mesazhit, duket se është pjesë e një diskursi ballafaques dhe reargues të poetes, e cila në çdo gjë që bën objekt të artit të saj poetik vështron një marrëdhënie, që ia bën më të afërt ëndrrën, njerëzit që e rrethojnë dhe botën. “Kujdes syrin, gjithnjë më thotë një zë/që më vjen nga porti i vjetër: kujdes, se ky është qytet shenjtorësh/dhe i dyzet magjive/që lahen çdo mbrëmje në det” (Poezia “Hënë mbi qytetin e dyzet shenjtorëve”…)

Neviana përcjell ankthin e njeriut modern, që përballet me kujtesat e tij, me kohën e ëndrrës dhe zhgjëndrrës, me baticat dhe zbaticat e fatit, me humbjen e ndjeshmërive të botës ndaj vuajtjes së tjetrit, çfarë e bën poeten të rebelohet dhe të kërkoj ankorim në brigje të sigurtë: “Takimi me te ardhmen/ka ndodhur që në momentet kur i thashë jetës sime:/-ja vlen të të kem”.

Poetja e ndërton figurën poetike me anë të projeksioneve të thyera fotografike, duke e risjellë realitetin jetësor me nuanca dhe ngjyra të përndezura, por larg shtampave deklarative dhe prolikse, me të cilët, në fakt, është mbushur dëng një pjesë e konsiderueshme e librave të botuar me poezi, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit, ku lehtësia e të shkruarit dhe identifikimi i artit poetik me një soj zeje artizanale, e ka dëmtuar rëndë peizazhin poetik të botës shqiptare.

Ajo priret të zbulojë anët e panjohura të vetvetes dhe të atyre që e rrethojnë, duke i rivlerësuar kujtesat, përjetimet dhe impresionet e çastit, me anë të një rimodelimi, që është, në thelb, imazhi i asaj çfarë poetja e konturon si kredo të botës së saj të brendshme. Polivalenca e figurës që ajo ndërton, komunikimi i ngrohtë lirik, përzier me mesazhe bashkëkohore dhe universale për nga gama e rrokjes së këndvështrimeve, e bëjnë poezinë e Nevianës të komunikojë emocion të fortë dhe ndjesinë e një zbulimi të beftë.

Origjinaliteti i poezisë së saj është i dukshëm, aq sa një lexues i kujdesshëm e dallon menjëherë atë nga poezitë e poetëve të tjerë, veçori kjo e autorëve të rrallë, që gjejnë korda të përbashkëta me lexuesin e tyre.

Në vargjet e poetes ka trill, magji, dritë hije të një botë të thyer simbolike, mbushur me trishtim e dhimbje, pezm e dashuri, trill e vetmi, të cilat shpërfaqen me një thellësi tronditëse, e cila vjen e na zgjon nga gjumi e na mundëson shpalimin e një bote shprese e harmonie asimetrike, me anë të një simbolike shumëdimensionale.

Poezi si këto të Nevianës nuk lexojmë dhe aq shpesh në këtë kohë të ngarkuar aq shumë me proliksitet, shtampa dhe steriotipe. Duke lexuar poezinë e saj, të duket sikur përballesh me efektet e një kure “teraupike”, pas një mpirje të gjatë dhe ankthi sindromik dhe ky është efekti i poezisë elitare, të të freskojë shpirtin dhe të të bëjë të ndihesh më mirë me veten dhe me të tjerët, në një botë të pa përkryer dhe stresante, siç është bota jonë, të cilën poetja nuk tenton që “ta ndreq”, por duke i bërë një autopsi të thellë vetvetes, unit të saj të trazuar, ajo na ofron një mundësi për ta parë ndryshe botën, për ta modeluar atë sipas shijeve tona më të mira.