IDRIZ ZEQIRAJ
Padyshim, analisti Vehbi Kajtazi shquhet për informacion të bollshëm, lidhur me krimin dhe kriminelët në Kosovë. Por, në një debat, së fundi, analisti Kajtazi, ia huqi për dy çështje aktuale:
1. Qeveria Hoti bëri mirë për shfuqizimin e Task-Forcës, sepse denoncimi dhe, herë-herë, përveç arrestimit, nuk ka atrritur të luftojë krimin dhe korrupsionin,- thotë Kajtazi.
Mendoj se Task-Forca me zbulimin, denoncimin dhe, në raste të veçanta, arrestimin në flagrancë, ajo ka kryer detyrën, për çka është krijuar. Hetimi dhe gjykimi i mëtejmë i përket Prokurorisë dhe Gjykatës. Në Kosovë është shqetësues fakti se policia arreston keqbërës e kriminelë faktikë, ndërsa gjykata ose i liron, ose i “dënon”, simbolikisht, me kusht! Rrjedhmisht, kapja e institucioneve, veç e veç, arrin tek kapja e shtetit.
2. Gjykata Speciale mund të dënojë kot të pafajshmit dhe mund t`i liron të fajshmit. Pra, është gjykatë qesharake, – deklaron analisti Vehbi Kajtazi!
Komunizmi në hetimin e krimit, për ta gjetur një fajtor, arreston edhe një duzinë njerëzish të dyshuar, përkatësisht, të pafajshëm. Ndërsa drejtësia perëdimore niset nga parimi: më mirë 99 të fajshëm të lihen të lirë, se sa një i pafajshëm i prangosur.
Vërtet, roli qesharak i Gjykatës Speciale është mungesa e seriozitetit dhe i njëmendësisë, për hetimin dhe zbulimin e kriminelëve, deri në gjykimin dhe ndëshkimin e tyre. Rrjedhimisht, përgjatë dy dekadave të pranisë të UNMIK-ut dhe EULEX-it, është shënuar vetëm një rast i arrestimit të një njeriu të pafajshëm, nga Ferizaji. Dhe, brenda 24 orëve Gjykata e Hagës e ka kthyer në shtëpi, duke kërkuar falje publike, për gabimin e bërë.
Kurse të tjerët, të hetuar qoftë në Kosovë, qoftë në Hagë, nga drejtësia ndërkombëtare, përfshi edhe atë të Hagës, ka liruar kriminelë faktikë, ose ka dënuar simbolikisht! Ndërkohë që shumë qindra kriminelë vrastarë, hajna e grabitçarë, vazhdojnë të jenë të lirë, pa u shqetësuar fare për krimet e tyre. Vështirë të besohet që analisti Vehbi Kajtazi, të jetë kaq i painformuar për krimet numerike të të pandëshkuarëve në Kosovë.
Heshtja e të akuzuarëve para Gjykatës Speciale, është shumë e dyshimtë. Mendoj se bëhet për dy arsye:
a) Rumunët kanë një urtësi domëthënëse: “Ai që gënjen, duhet të këtë mbamendje të fortë, sepse hetimi përsëritet dhe gënjeshtra mund të mos këtë përputhshmëri me variantin e parë!” Edhe avokatët e të akuzuarëve, po iu sugjerojnë heshtjen klientëve të tyre, pikërisht, për intervistimin pa hamendësime, sepse ngjallë dyshime për gënjeshtër.
b) Gjykata Speciale mund të këtë fakte të bollshme, madje, të pakundërshtueshme dhe heshtja është e detyruar.
Angazhimi i avokatërve të huaj, shumë të kushtueshëm, barrë e buxhetit shtetëror të Kosovës, ngjallë dyshimin e bazuar të korruptimit të gjykatësve, përmes këtyre avoketërve. Skandaloze: Ish-prokurori i Gjykatës së Hagës dje, avokat i Gjykatës Speciale sot, madje, me klient të njëjtë! Rast domëthënës dhe unik në drejtësi! Roli i avokatit është ndihmës në sigurimin e materialeve, duke qenë klienti i izoluar. Si mund ta bëjë më mirë këtë shërbim një i huaj, se sa një vendor?!
Zakonisht, shumica e të akuzuarëve nga Specialja janë të pasur, në saje të përvehtësimit të miliona markave nga Fondet e Mërgatës, haraçit, uzurpimeve, tenderimeve, korruptive dhe abuzime gjithëfarëshe. “Paraja kthen ujin përpjetë”,- thotë populli!
Përlavdërimi i “komandantëve”, hijëzon krimet faktike
Në lajthitjet groteske, nuk është i vetëm analisti Vehbi Kajtazi. Shkreton më shumë analisti dhe ndërmarrësi mediatik, Berat Buzhala, kur hymnizon disa kumandarë të Kosovës, por, pa përmendur asnjë betejë të tyre!
Listimet vrastare të kundërshtarëve politikë, me logon e “SHP të UÇK-së”, me pasim ekzekutimet e tyre, janë individuale apo grupore?! Që këtej rrjedhë formulimi “ndërmarrje kriminale”, në akt-akuzat e Prokurorisë Speciale, të Dhomave të Specializuara, me juridiksion të Kosovës. Menaxhimi i një burgu-rural, kërkon angazhimin e një duzinë njerëzish.
Berat Buzhala, kur flet për të bëmat “luftarake” të idolëve të tij “komandantë”, harron sakatosjen e pafajshme të babës Bashar të tij, (u prehtë në parajsë!) Dhe, këtu na kujton kontraversin Gjergj Dedaj, kur dje kundërshtonte gazetarin, në intervistim e sipër, se dajakosja dhe arretstimi në Qirez të Drenicës, “nuk është aksident, por, është krim. Këtë ia kam thënë policisë të UNMIK-ut dhe kurrë nuk e mohoj…”
Gjergji ambasador “dje shante sot Lavdëron!” “Hashim Thaçi meriton të fitojë edhe një mandat, si President i Kosovës”, – ngulmon ai, me panagjerizma shtesë! T`i besojmë Gjergjit të djeshëm apo të sotëm?!
Kosova ka rënë në hall me analistët e saj. Po të ishte vetëm Ridvan Berisha, me kampanjen e gazetarëve të tij, të komanduar nga pushtetarët, i cili, “sabah dhe aksham”, ua shpërlanë trurin shqiptarëve, me mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve, të cilët kanë zhvatur dhe përgjakur Kosovën, do ta “harronim” klikimin e RTK-së private e hiç publike, me qëllim të ruajtjes të nervave nga provokimet e sikletshme dhe përsëritëse. Paksa vulgare, por, “klyshi, (po e zbus pak), aty ku hanë edhe zhurmon!” Por, na janë bërë shumë ridvana!
Reagimi koral kundër Gjykatës Speciale dhe ngatërrimi i qëllimshëm i krimeve individuale e grupore, me UÇK-në, nga LPK-ja e djeshme dhe PAN-istët e sotëm, është një përpjekje e dështuar, për t`i heshtur krimet serike, në veçanti, të kundërshtarëve ushtarakë e politkë, përkatësisht, të FARK-ut, oficerëve luftëbërës dhe të veprimtarëve të LDK-së.
Këto krime janë numerike, madje, llogaritën në dyfishin e dëshmorëve të luftës sonë. Disa syrësh janë përligjur dhe pranuar edhe në komunikatat, që mbajnë firmën e “SHP të UÇK-së”. Ka një tendencë kamuflimi, mjegullnaje, deri në mohim të autorësisë të komunikatave. Por, ne që njohim, madje, nga afër, atë strukturë të centralizuar SHTAB-iste, përjashton çdo mundësi manipulimi nga jashtë SHTAB-it.
Veprimet e SHTAB-it të “UÇK-së”, të cilët, falsifikueshëm, thirrën në emër të UÇK-së së mirërfilltë, sidomos sihirxhinjtë larg luftës në Gjermani, Zvicër dhe të tufëzuar në Hotel “Rogner” dhe në vilat e Bllokut të Zi, në koordinim me bandën social-komuniste të Tiranës zyrtare, sabotimin e luftës e realizuan, pikërisht, nëpërmjet vrasjeve të kundërshtarëve politikë, përfshi edhe Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin! Andaj, hetimi duhet filluar në Tiranë, sepse atje janë shënuar vrasjet e para të luftëtarëve, me pendë dhe pushkë për çlirim!
Ekzekutimet e listuara, kanë qenë – një e fshehtë publike -, për ta marrë pushtetin. Faktet janë të bollshme. Ilustrojmë me një raport-dokument të Policisë të UNMIK-ut, në Spitalin e Pejës, për një plagosje, vetëm me një plumb, jashtë organeve vitale, ku shkruhet: “Mjekët nuk ishin të disponuar ta shpëtonin viktimëm! Mjekët ishin nën presion, që ta neglizhonin ndërhyrjen mjekuese, që vdekja të realizohet nga gjakderdhja e shpenguar!” Dhe, ashtu ndodhi! Supër kriminale!
Kemi pajtueshmëri të plotë me analistin hulumtues Vehbi Kajtazi, kur thotë se Gjykata e Hagës dhe Gjykata Speciale, janë qesharake. Ekzistenca e shumë burgjeve rurale, është faktike. Në ato burgje-ahure, shumëfish më sketerrë se burgjet e çfarëdo diktature, disa nga vuajtarakët e pafajshëm shqiptarë, të cilët i mbijetuan terrorit të “komandantëve”, janë në mesin tonë. A nuk mjaftojnë dëshmitë e tyre rrënkuese e rrëqethëse, për dy dekada radhazi, për ta bërë drejtësinë, aq të nevojshme?!
Kufomat notuese në liqenet e Kosovës, disa syrësh të sjellura nga burgjet-ahure rurale; varret e vetëhapura nga viktimat, në Llapashticë të Llapit, njëri syrësh i mbijetuar, “më kërkuan 600 mijë marka, në këmbim të jetës!” Dhe, vazhdon: “Pas luftës, të shoqëruar nga Policia e UNMIK-ut, u ktheva në vendin e krimit, i njoha nga rrobat ish-bashkëvujtësit e mi, në burgun e “komandantëve” lokalë”. Namazi i fundit i Ramiz Hoxhës, nga Bellanica e Malishevës, pjesë e luftës me gjithë djemë, kidnapimi i tij dhe i Selman Binishit, nga uniformat e UÇK-së dhe ekzekutimi i tyre si tradhtarë, janë dëshmi vetëfolëse, se krimi ka ndodhur dhe drejtësia duhet të veprojë. Krimit nuk i skadon afati.
Gazetarët, analistët, opinionistët duhe t`i paraprijnë shoqërisë, me vizionet e tyre, për progresin, duke tërhequr popullin në kundërshtinë e së keqes dhe frymëzimin, për të mirën, për të vërtetën. Dhe, assesi, nuk është dhe nuk mund të jetë në interes të popullit të Kosovës, mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve.