Foto reportazh në Grudë-Fushë, fshati që po braktiset nga banorët!

0
3487
Shpeta - Grudë

Një fshat i tërë me rreth 2 mijë banorë në këto 25 vite është braksitur. Me qindra shtëpi janë totalisht të pabanueshme. Shtëpitë janë braktisur në fshatin Grudë-Fushë, pjesë e njësisë administrative Gruemirë, bashkia Malësia e Madhe.

Gjendja e vështirë ekonomike, mungesa totale e investimeve, mungesa e infrastrukturës dhe gjërave më jetike si uji i pijshëm, arsimimi e shërbimi shëndetësor kanë bërë që banorët t’i japin lamtumirën fshatit.

Grudë-Fushë nuk është një fshat që është mbipopulluar këto 25 vitet e fundit siç ka ndodhur rëndom në zona të ndryshme periferike në mbarë Shqipërinë. Është një fshat që ka historinë e tij dhe që tashmë do jetojë veç me nostalgjinë e të kaluarës.

Në rrugët e fshatit kudo mbizotëron heshtja. Nuk sheh gjë tjetër veçse shtëpi të braktisura që janë shembur. Ndërtesa të shkatërruara. Fshati Grudë-Fushë të jep përshtypjen se sapo ka dalë nga ndonjë luftë.

Ndodhet në anën e djathtë të rrugës nacionale Shkodër-Hani Hotit. Vetëm 15 minuta duhen për të shkuar nga Shkodra në këtë fshat që nuk i ka mbetur asgjë veç hijes së pemëve e vetmisë.

Sapo kalon kishën e Vrakës mjaftojnë 5 minuta të tjera për të qenë aty ku dikur ishte qendra e atij fshati. Mund të ecësh pa pushuar dhe nuk takon askënd veç mureve të shtrira përtokë, dritareve që ngjajnë me zgavra në të cilat përthyhen rrezet e diellit apo rrugëve të paasfaltuara që nuk të çojnë askund sepse aty askush nuk jeton më.

Në pamundësi për të patur një jetë normale, edhe jetën e vështirë të fshatit, vendasit kanë lëvizur duke zgjedhur Shkodrën, Koplikun në Malësinë e Madhe, fshatra të tjerë apo shumë prej tyre edhe emigrimin.

Një pjesë e mirë janë zhvendosur edhe anës së liqenit të Shkodrës që ndodhet në anën tjetër të rrugës për të qenë më afër zonave urbane e për të patur një mundësi më shumë të ushqyeri.

Një banor që më parë ka jetuar në atë fshat tregon edhe arsyet e braktisjes së fshatit e nga ana tjetër ndjen edhe keqardhje.

“I kemi lëshuar shtëpitë sepse aty nuk kishte asnjë të ardhme. Nuk kemi patur asnjë mundësi dhe asnjë lloj kushti ndaj edhe nuk kemi patur një rrugëzgjidhje tjetër. Jam bërë 70 vjeç gati dhe nuk kam parë rrugë asfalti me sy atje. Është më minimalja. Po ashtu mungon gjithçka tjetër. Me të drejtë të gjithë ne si fshatarë jemi larguar sepse nuk kishte asnjë perspektivë për brezin e ri. Shumë janë vendosur në Shkodër, në Koplik të Malësisë së Madhe por edhe shumë të tjerë kanë emigruar nga situata e keqe ekonomike në familjet e tyre. Në fshat nuk jeton askush më dhe nuk besoj se do të kthehen sepse atje vetëm po shkatërrohet dhe askush nuk mendon për të vënë dorë. Ne nuk kishim as ujë për të pirë. Shkonim me karroca për të mbushur ujë shumë larg. Shkollën përpara se të bëhej kjo e reja e kishim larg dhe fëmijët duhej të ecnin me orë të tëra në këmbë dhe rrezikohej jeta e tyre sepse duhej të ecnin në rrugën nacionale ku ka shumë fluks makinash dhe ecin me shpejtësi. Më vjen keq që ka ndodhur kështu për fshatin tim dhe të bashkëfshatarëve të mi por nuk kishim zgjidhje tjetër” – thotë një ish-banor i fshatit Grugë-Fushë.

Përpara 4 viteve në atë fshat u ndërtua një shkollë e re 9-vjeçare. Edhe shkolla ashtu si shtëpitë ka pësuar të njëjtin fat të hidhur, është braktisur. Aty nuk zhvillohet mësim sepse të gjithë janë larguar e ndërsa shkolla qëndron në këmbë por gradualisht ka nisur që të amortizohet sepse askush nuk kujdeset për të. Një investim i shkuar dëm dhe i realizuar shumë vonë, atëherë kur fshati pothuajse ishte boshatisur.

Mungesa e vëmendjes e pushtetit vendor dhe qendror për 25 vite me radhë bëri që fshatit Grudë-Fushë t’i mbesë veç emri. Fshati do vazhdojë të ekzistojë në hartë por është shumë pak. E ka humbur identitetin!

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)