Xhelal Zejneli
Para vendeve të Perëndimit, serbët paraqiten si një popull i krishterë, që në Ballkan ndeshet me dy popuj të konfesionit islamik: me myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinë dhe me shqiptarët.
Serbët u thonë perëndimorëve se myslimanët boshnjakë dhe shqiptarët:
– Janë përçues të natyrshëm të interesave turke, arabe dhe persiane në Gadishull dhe në kontinentin e vjetër;
– Janë përçues të vlerave islamike në rajon;
– Kultivojnë vlera joperëndimore dhe joevropiane;
– Funksionojnë me vlera jashtë-evropiane.
Duhet ditur se në Perëndim ka segmente të caktuara që anojnë nga Serbia. Duke qenë një popull i krishterë që ndeshet me dy popuj myslimanë – me boshnjakët dhe me shqiptarët, serbët janë bërë të përkëdhelurit e qendrave të caktuara të Perëndimit. Strukturat e tilla që tregojnë mirëkuptim për serbët, nuk janë pa ndikim në politikën e Bashkimit Evropian.
Për segmente të caktuara të Perëndimit, boshnjakët (myslimanë) janë:
– Popull me potencial shtetformues të pamjaftueshëm;
– Popull të konfesionit islam;
– Popull, segmente të caktuara të të cilit, herë-herë manifestojnë radikalizëm apo fundamentalizëm islamik;
– Popull, struktura të caktuara të të cilit, kohë pas kohe, manifestojnë qëndrime antiperëndimore, antiamerikane dhe antihebraike.
– Popull me ideal kombëtar të pamjaftueshëm;
– Popull, që në raste të caktuara funksionon me mikrovlera, me mikrostruktura dhe me mikrosisteme;
– Popull që synon të krijojë borgjezi brenda natës;
– Popull që nuk mund ta luftojë në mënyrë efektive korrupsionin;
– Popull që vështirë i zhvillon proceset demokratike;
– Popull – përçues i mundshëm të interesave turke, arabe dhe islamike në rajon dhe në kontinent;
– Popull, segmente të caktuara të të cilit kultivojnë vlera orientale dhe funksionojnë me sistem oriental të vlerave.
Myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës, kombësinë e vet e identifikojnë me fenë islame. Pa përcaktimin fetar, e kanë më vështirë të dallohen prej serbëve dhe prej kroatëve. Për ta ndërtuar kombin boshnjak – që identifikohet me fenë islame – myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës mbase duhet të jenë sa më afër vlerave turke, arabe dhe iraniane. Boshnjakët mbase edhe duhet të kultivojnë vlera orientale dhe të funksionojnë me to.
Sipas serbëve, Bosnja dhe Hercegovina ishte një term gjeografik. Rrjedhimisht, s’mund të kishte komb boshnjak. Myslimanët e Bosnjës s’ishin veçse serbë të islamizuar, që flisnin serbisht, një serbishte të ngarkuar me orientalizma – fjalë turke, arabe dhe persiane.
Për këtë mosmarrëveshje midis dy popujve – myslimanëve dhe serbëve – ndodhi lufta e përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë. Me fjalë të tjera, serbët mohonin dimensionin historik të kombit boshnjak (mysliman) në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Bosnja dhe Hercegovina e sotme, e rregulluar sipas Marrëveshjes së Dejtonit –Parisit (1995), përbëhet prej dy entiteteve dhe prej tre popujve konstitutivë:
Entitete janë:
– Federatës Myslimano-Kroate, që përbën 51% të territorit të BH-së;
– Republikës Serbe, që përbën 49% të territorit të BH-së.
Popuj konstitutivë (shtetformues) janë: myslimanët, që veten e quajnë boshnjakë, serbët dhe kroatët.
Struktura etnike e Bosnjës dhe Hercegovinës, në vitin 1991, d.m.th. para agresionit serb, ka qenë: 44% myslimanë, 31% serbë, 17% kroatë, 6% jugosllavë dhe 2% të tjerë. Ndërkaq, sipas të dhënave të CIA-s të vitit 2000, në BH jetojnë: 48% myslimanë, 37% serbë, 14% kroatë dhe 0.6% të tjerë.
Bosnja dhe Hercegovina sot qëndron mbi këmbë të qelqta. Republika Serbe aspak s’e përfill pushtetin qendror në Sarajevë. Ndërkaq, nacionalistët kroatë janë të zhgënjyer për mosrealizimin e synimit të tyre për të krijuar edhe ata entitetin kroat në BH.
Bosnja dhe Hercegovina ekziston e tërë, vetëm në saje të faktorit ndërkombëtar – Uashingtonit dhe BE-së. Megjithëkëtë, Republika Serbe sillet si shtet më vete, ndërsa qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes nuk tregojnë vendosmëri për t’i ndalur tendencat qendërikëse të Banja-Llukës. Si rrjedhojë e tendencave të vazhdueshme të serbëve për t’u shkëputur nga BH-ja, një pjesë e faktorit politik mysliman (boshnjak) deklaron haptazi dhe prerë se myslimanët (boshnjakë) do të kërkojnë mbështetjen dhe ndërhyrjen e Turqisë.
Një ndikim i theksuar i Ankarasë në Federatën Myslimano-Kroate të BH-së, do të shkaktonte tendencat separatiste të kroatëve dhe do të nxiste synimet e tyre për t’iu bashkëngjitur vendit amë – Kroacisë.
Duket sikur SHBA-ja synon që në një pjesë të Evropës Juglindore, t’i japë njëfarë roli Turqisë, mbase për disa arsye:
– Nuk dëshiron që, për pak punë, të ballafaqohet me Rusinë dhe me sllavët e Gadishullit;
– Problemet e rajonit duhet të jenë preokupim i BE-së;
– Në Ballkan nuk ka ndonjë interes aq të madh;
– Në rajone të tjera të botës, ka interesa më të mëdha, si p.sh. në Azinë Juglindore dhe Qendrore, në Gjirin Persik etj. Me fjalë të tjera, atje ku janë pretendimet e Kinës.
Ka që thonë: “Amerika u del zot shqiptarëve, për interesa të veta”. Në të vërtetë, SHBA-ja, më parë se t’u ndihmojë shqiptarëve, dëshiron t’u japë fund ambicieve të mëdha të një Serbie të vogël, por grindavece dhe politikës kolonialiste të saj.
* * *
Shqiptarët duhet ta bindin Perëndimin se nuk janë të tillë siç i paraqet propaganda serbe. Për dallim nga myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës, shqiptarët janë popull me identitet të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm.
Shqiptarët i bashkon gjuha, prejardhja e përbashkët, autoktonia, lashtësia, historia, heronjtë kombëtarë, virtytet, traditat dhe plagët që u kanë shkaktuar dhimbje të përbashkëta. Plagë të shqiptarëve janë: sundimi osman, kolonializmi serbosllav, pushtimi grek dhe pasojat e gjithë kësaj – sundimi i shqiptar mbi shqiptarët (diktaturat shqiptare). Shqiptarët i bashkon ëndrra historike e përbashkët – bashkimi kombëtar dhe integrimi në familjen perëndimore.
Shqiptarët duhet t’ia bëjnë me dije Perëndimit se:
– Nuk janë përçues të interesave turke, arabe dhe persiane në Gadishull dhe në kontinentin e vjetër;
– Nuk janë përçues të vlerave islamike në rajon;
– Kultivojnë vlera perëndimore dhe evropiane;
– Funksionojnë me vlera perëndimore, përkatësisht evropiane;
– Janë popull me potencial shtetformues solid;
– Janë popull me tri fe, por që i bashkon: gjuha, prejardhja ilire, epoka e Gjergj Kastriotit (1405-1468), periudha e Rilindjes Kombëtare, Vlora e 1912-tës, ideali për bashkim kombëtar dhe përkushtimi për t’iu bashkëngjitur Perëndimit;
– Popull, klasa politike dhe intelektuale e të cilit nuk i mbështet aspak segmentet e caktuara të shoqërisë, të cilat herë-herë manifestojnë radikalizëm apo fundamentalizëm islamik;
– Popull, klasa politike dhe intelektuale e të cilit nuk i mbështet fare strukturat e caktuara të shoqërisë, të cilat kohë pas kohe manifestojnë qëndrime antiperëndimore, antiamerikane dhe antihebraike;
– Popull me ideal kombëtar hyjnor;
– Popull që synon të funksionojë me makrovlera, me makrostruktura dhe me makrosisteme dhe jo me mikrovlera, me mikrostruktura dhe me mikrosisteme;
– Popull që nuk synon të krijojë borgjezi brenda natës;
– Popull që korrupsionin mundohet ta luftojë në mënyrë efektive;
– Popull që pandërprerë i zhvillon proceset demokratike;
– Popull që është mbështetës i natyrshëm i interesave perëndimore në rajon;
– Popull që kultivon vlera perëndimore dhe që funksionon me sistem perëndimor të vlerave.
* * *
Mbi shqiptarët sot, pretendojnë të ushtrojnë ndikim:
– Greqia, Serbia dhe Rusia (bota sllavo-bizantine);
– Turqia, bota arabe dhe Teherani (bota islamike);
– Vatikani (bota katolike).
Të gjitha këto shtete pretendojnë se ndër shqiptarë e kanë edhe kolonën e pestë të vet.
Gjenerali profashist spanjoll Françisko Franko-Bahamonde (1892-1975) gjatë Luftës civile në Spanjë, tha: “Do të hyjë në Madrid me katër kolona. E pesta më pret atje”.
Ekziston edhe kolona e gjashtë. Kush janë këta?! Ata të cilët e zmadhonin numrin e kolonës së pestë, një president amerikan i quajti kolonë e gjashtë.
Si te shumë popuj, edhe ndër shqiptarë ka mercenarë.
Madje në disa vise shqiptare ka pasur edhe shqiptarë të ndershëm (pošteni albanci). Sintagmën shqiptarë të ndershëm e krijoi shtypi i Beogradit në periudhën e viteve 1986-1991. Të ndershëm për serbët ishin ata shqiptarë që punonin për interesa të Beogradit dhe në dëm të popullit të vet. Pothuajse të gjithë shqiptarët e ndershëm që ishin në majën e piramidës së Jugosllavisë, vdiqën në Serbi dhe u varrosën në Novo groblje (Varrezat e reja) të Beogradit.
Duket e pabesueshme, por shqiptarë të ndershëm ka edhe sot, sidomos në Maqedoninë e Gligorovit dhe të VMRO-ve.
* * *
Antiamerikanizmi ndër shqiptarë – Shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Me ndihmën e SHBA-së, të aleatëve të saj si dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shqiptarët e përjetuan çlirimin e Dardanisë nga pushtuesit serbë. Pa amerikanët, kjo s’do të bëhej kurrë. Këtë borxh Amerikës, shqiptarët nuk do të mund ta paguajnë asnjëherë. Në Konferencën e Paqes në Paris (1919) shqiptarëve u doli zot presidenti Vudro Uilson (Woodrow Wilson, 1856-1924). Më 1998-99, u doli zot presidenti Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946-). Ndërkaq, kur duhej të shpallej pavarësia e Kosovës (2008), shqiptarëve u doli zot presidenti Xhorxh Bush (George Walker Bush, 1946-).
Herë pas herë, në hapësirat shqiptare manifestohen mendime, qëndrime, pikëpamje apo edhe akte dhe veprime antiamerikane.
E pabesueshme!! Është e mundur kjo?!
Këta që manifestojnë pikëpamje dhe veprime antiamerikane, në emër të shqiptarëve, nuk mund të jenë shqiptarë. Çdo shqiptar, kudo në rruzullin tokësor, duhet ta dijë se pikëpamjet dhe veprimet antiamerikane shkojnë në favor të drejtpërdrejtë të armiqve të shqiptarëve: serbëve, grekëve dhe rusëve.
Kundër SHBA-së sot, janë: ultra-nacionalistët serbë, ultra-majtistët grekë, Fidel Kastro (1926-2016), diktatorët që u shembën në pranverën arabe, teokratët e Teheranit, talebanët dhe radikalët islamikë.
Mund të ketë edhe joshqiptarë që shfaqin antiamerikanizëm, në emër të shqiptarëve dhe në hapësirat shqiptare. Mund të ketë edhe mercenarë.
S’ka dyshim se manifestimet e tilla janë skajshmërisht margjinale. Megjithëkëtë, është detyrim moral dhe interes kombëtar madhor që klasa politike si dhe inteligjencia e kombit të veprojnë vendosmërisht për parandalimin e çfarëdo manifestimi antiamerikan në emër të shqiptarëve dhe në hapësirat shqiptare, e kudo në botë. Ndryshe, mund të pasojë mallkimi i historisë. Mosmirënjohësve u thonë: “Robërinë e paskëshit hak”. Asnjë popull në botë nuk i ka buzëqeshur lirisë, sa shqiptarët, pas një kalvari, ferri, terri dhe tmerri shumëshekullor.
Kroatët janë të vetëdijshëm për rolin e Gjermanisë në procesin e pavarësimit të vendit të tyre. Për këtë u janë mirënjohës gjermanëve deri në jetë të jetëve. Kroatët kurrë s’i ndërrojnë aleatët e vet dhe nuk kërkojnë aleatë të ri. (Kah mesi i vitit 2012 Kroacia pritet të jetë edhe anëtare e BE-së).
Shqiptarët dhe përkufizimi i interesit kombëtar – Shqiptarët duhet ta përkufizojnë interesin e vet kombëtar. Qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina – vërtet synojnë integrimin në organizmat euro-atlantik. Por rruga për në familjen evropiane është përplot peripeci. Shqiptarët duhet të manifestojnë kapacitet kombëtar për t’i kapërcyer peripecitë dhe jo të deklarohen vetëm verbalisht se janë për NATO-n dhe BE-në.
Uashingtoni dhe Brukseli kanë filluar të mos u besojnë shqiptarëve, e pikërisht për disa arsye:
– Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, shqiptarët, si asnjë popull tjetër i rajonit, manifestuan një ëndërr të jashtëzakonshme për demokracinë liberale perëndimore. Ndërkohë, ky ideal filloi të zbehet;
– Me shpërbërjen e amalgamës jugosllave, ideal i shqiptarëve ishte çlirimi nga pushtuesit serbë.
Perëndimorët sikur erdhën në përfundim se shqiptarët nuk kanë vetëdije kombëtare të lartë. Idealin kombëtar për liri dhe demokraci, shqiptarët sikur e lanë më një anë dhe iu rrekën pasurimit brenda natës, duke manifestuar edhe etje për pushtet. Interesin kombëtar të përgjithshëm, sikur e zëvendësuan me interesa personalë, të grupeve dhe të koniunkturave. Perëndimorët duket sikur thonë: “Shqiptarët ende paskan nevojë për t’u formuar si komb. Ende u dashka kohë që të piqen”.
Përpos kësaj, vetë shqiptarët parapëlqejnë të rrinë në udhëkryq. Klasa politike shqiptare vërtet është pro-perëndimore, por segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare funksionojnë me vlera jashtë-perëndimore. Para një dukurie të tillë, klasa politike shqiptare i mbyll sytë. Ndërkaq Uashingtoni dhe BE-ja duket sikur thonë: “Shqiptarët njërin sy e kanë të drejtuar kah Perëndimi, kurse tjetrin nga Lindja – Turqia, bota arabe dhe Teherani”.
Perëndimorët vërejnë se segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare:
– Me çdo kusht ngulmojnë që në sheshet e kryeqyteteve shqiptare të ndërtojnë xhami;
– Kërkojnë që nëpër shkolla të ligjërohet edhe mësimi fetar;
– Kërkojnë të lejohet mbajtja e shamisë në klasë.
Në këtë mes, nuk bëhet fjalë për të drejta fetare, por për instrumentalizimin e fesë për qëllime politike dhe ideologjike. Në demokracinë liberale perëndimore, secili ka të drejtë të predikojë fenë, së cilës i përket, por jo edhe ta vërë atë në shërbim të politikës apo të ideologjisë.
Deklaratat e individëve se Nënë Tereza nuk do të shkuaka në parajsë ngase nuk paskësh qenë myslimane, ngjallin mosbesimin ndaj shqiptarëve – të miqve perëndimorë.
Duke qenë të padefinuar dhe të papërcaktuar, mbështetja e perëndimorëve për shqiptarët, ka filluar të zbehet. Pasojat e kësaj janë:
– Shqipëria ende nuk arrin të konsolidohet sa duhet, ndërsa faza e tranzicionit po prolongohet;
– Kosova, edhe pas 12 vjet çlirimi nga pushtuesit serbë, vazhdon të ballafaqohet me “çështjen” e veriut;
– Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegje), përkundër luftës çlirimtare të UÇPMB-së, qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, sikur e kanë lënë në harresë;
– Shqiptarëve në Maqedoni, ndonëse përbëjnë një tretën e popullsisë së saj, Kiro Gligorovi dhe VMRO-të nuk ua njohin statusin e popullit shtetformues. Me fjalë të tjera, nga kryeministri sllavo-maqedonas – Nikolla Gruevski, shqiptarët trajtohen pakicë kombëtare, sikur vllehtë, serbët, romët dhe turqit. Maqedonia, përkundër luftës së 2001-shit dhe Marrëveshjes së Ohrit, vazhdon të jetë shteti më i nacifikuar në rruzullin tokësor. Kursesi të bëhet denacifikimi i saj. Ministrat shqiptarë të qeverisë sllavo-maqedonase mund të manifestojnë eksebicionizëm: të paraqiten në mediume çdo ditë dhe të vizitojnë Tiranën e Prishtinën kur t’u kujtohet. E tërë kjo, pa ndonjë efekt të mirëfilltë për armatën e të papunëve të rinisë shqiptare.
Ministrat shqiptarë mund të vendosin edhe kurorë te përmendoret “e mbrojtësve” (branitellave), përkundër faktit se sllavo-maqedonasit e bojkotojnë shënimin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit dhe se statusi i dëshmorëve dhe i invalidëve të 2001-shit, edhe pas 10 vjetëve të arritjes së paqes, vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Për shkak të papunësisë së madhe, vazhdon eksodi i shqiptarëve për në Perëndim, nga rajoni i Likovës, i Manastirit, i Prespës, i Resnjës, i Dibrës, i Strugës, i Pollogut;
– Shqiptarët në Mal të Zi, ende s’i kanë sendërtuar të drejtat e tyre kombëtare sipas një plani të Ahtisarit. Si rrjedhojë e politikës diskriminuese që ndjek ndaj tyre Podgorica, ata vazhdojnë të shpërngulen përtej oqeanit;
– Çështja çame, assesi të trajtohet si duhet, as prej shqiptarëve, e as prej Brukselit;
– Çështja e diasporës historike shqiptare, si për shembull e miliona shqiptarëve në Turqi, që janë të privuar nga të gjitha të drejtat kombëtare më themelore (Thuhet se janë katër milionë sish, por numri i saktë i tyre kurrë nuk do të dihet). Shqiptarët në Turqi nuk kanë në gjuhën shqipe as edhe një abetare të vetme;
– Çështja e diasporës shqiptare bashkëkohore në perëndim, që dita ditës shtohet nga shpërnguljet permanente të shqiptarëve prej trojeve të tyre stërgjyshore. Një pjesë e tyre, tanimë ka filluar t’i nënshtrohet procesit të pashmangshëm të asimilimit.
* * *
Shqipërinë e bëmë, tani si t’i bëjmë shqiptarët?! – kishin pyetur dikur. Edhe Kosova u bë. Mos vallë shqiptarët kanë nevojë edhe për një rilindje kombëtare, siç mendonte publicisti dhe idealisti pa biografi Branko Merxhani (1894-1981) në vitet ’30 të qindvjeçarit XX, kur në Përpjekjen shqiptare fliste për neoshqiptarizmin?! Kjo do t’i kthente një shekull mbas. Shqiptarët ende kanë nevojë për idealizëm. In ultima linea, idealet kurrë nuk perëndojnë.
Me koncepte dhe me imazhe antiperëndimore, nuk do të mbrohet tërësia tokësore e Kosovës. Me trupin në Bruksel, e me shpirtin në Lindje, shqiptarët edhe kur të hyjnë në BE, do të jenë bira e fundit e kavallit.