Poezia e Behram Hotit

0
568
Behram Hoti - Elegji për Ardianin

Zymer Mehani

(Vështrim rreth përmbledhjes poetike “Elegji për Ardianin”)

Letersia shqipe, veç të tjerash shquhet edhe për perla poetike elegjish, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme te breza të tërë lexuesish, siç janë p.sh. ”Vaje” e Çajupit, ku poeti rilindës i vargëzon me nota të theksuara elegjiake bashkëshortes së tij, Evgjenisë, e cila ndërron jetë gjatë lindjes së të birit, Stefanit. Janë të bukura pastaj elegjitë e Nolit, kushtuar bashkëluftëtarëve të tij dhe tribunëve të kombit, Luigj Gurakuqi e Bajram Curri (“Syrgjyn vdekur”, ”Shpellë e Dragobisë”).

Me nota elegjiake, krejt e veçantë njihet edhe përmbledhja poetike “Lum Lumi” e poetit të shquar Ali Podrimja, përkushtim për të birin, që ia mori vdekja e pamëshirshme para kohe, sikurse edhe një vëllim poetik (“Lot zemre”) i autores Mejreme Shala-Balaj, një nënë deçanase, e cila do t’i thurë vargje elegjiake të birit të saj dëshmor, Blerim Avdi Balajt, i rënë në fushë të nderit gjatë luftës së UÇK-së.

Vëllimi poetik “Elegji për Ardianin” i poetit Behram Hoti është krejt i veçantë nga elegjitë e tjera, ngase këtu poeti – baba dhe bashkëluftëtar i thur vargje dhembjeje dhe krenarie të birit të vetëm – bashkëluftëtar, ushtarit ademjasharian, Ardian Hotit, mikut të Xhejmi Shisë, të Klarkut e të Holbrukut, vëllait të idealit dhe të armëve të Mujë Krasniqit, të Sandokanit e të Zahir Pajazitit, ushtarit të Preshevës, të Iliridës e të Çamërisë shqiptare.

Autori librin e hap me poezinë hyrëse “Kënga e bardhë“, ku tregon se:

“Kjo nuk është këngë e zogut në dëborë
As këngë fëmijërie në livadhin tim të jetës
As këngë nënash në regtim…
Kjo është kënga-loti i të verbërit në rrugë
Është shigjeta e shpejtë e lartësive që mbërrin
Kënduar në trollin e luleve me diellin bashkë
Kjo është kënga që shndërrohet pa frikë
Në padi e guxim moti
Dhe i përcjell vjeshtat e zbehura në kalim.
Kjo nuk është kënga e lamijeve të thata
Nuk është këngë që largon me urata
Nuk është as vaj, as zë i shterur fëmije-
Kjo është urë, o bukuri që t’afron e t’dashuron
Është urë e fortë, është urë e vërtetë Tokë…Qiell…
Dielli në një çerdhe me të banon, o dashuron.
O kjo këngë është buçimë moti
Është kala agimi i dlirtë si loti
Lulja e parë, e vërteta
Zogjve u dëfton sa dimra ka jeta
Kjo është ajo që lidh-laku
Është fara, kroni i gurit- Konaku…
Kjo nuk është dhimbja e zogut në dëborë
Kjo është krushku i parë
Nuk është kënga që shëron me urata
Kjo i grish zjarret në dasmën e bardhë
Këndoje këtë këngë, o njeri i madh!”

Pra, kësofare poeti e mund dhembjen për të birin me krenari, që i shkon për shtati karakterit të tij si burrë i burrëruar në kullën drenicase.

Krijimtaria letrare e Behram Hotit, qysh në fillim (vitet ’60) pati zgjuar interesime kahesh të ndryshme, prandaj me kalimin e viteve erdhi e u përsos, duke u bërë si e tillë shembull i mirë në nivelin mbarëkombëtar të vlerave artistike.

Si poet, Hoti shquhet me shprehje krijuese origjinale në letrat shqipe, ngase kultura e tij e gjerë letrare nga njëra anë dhe përjetimet e pjesëmarrja direkte e tij në ngjarjet e kohës u bënë pasuri e burimit dhe e formimit të tij prej artisti, e të gjitha këto copëza u integruan në një tërësi duke na e shfaqur një figurë krejt të veçantë si përnga stili, po ashtu edhe përnga shprehjet dhe figuracioni poetik. Prandaj është vështirë të gjendet edhe një poet i tillë, siç është Behram Hoti.

Nga vargjet e poezive për të birin, nga pena e zotit Hoti buron madhështia e sakrificës për atdhe e komb. Prandaj poezia e tij si realizim artistik është një perlë e mrekullueshme, dedikuar flijimit të të birit, i cili bëri një vdekje të ndershme, edhe pse të e parakohshme dhe të tmerrshme. Ardiani e deshi vdekjen në arenë të luftës në truallin e lulëkuqeve të Kosovës, në malet e shkrepat e Iliridës, te Molla e Kyqe, apo në Çamërinë shqiptare, e jo në arenën sportive, ku e gjeti ajo. Por ja që jeta s’na pyetka fare!….

Poeti Behram Hoto do të thotë se:

“Hejbet i kemi me farë
Ne dimë të mbjellim në arë
Dashuri e lashtë.
Ai, njëkohësisht na porosit se:
“Nëse qëndroni në maje si shkëmbi
Mund të rrahni gjoks se t’një rrënje jemi”.

Pra e don edhe për vete, por edhe për të tjerët guximin, trimërinë, e kurrsesi frikën, nënshtrimin e qyqarllëkun.

Hoti i vargëzon të birit luftëtar vargje elegjiake dhe e kujton atë me krenari duke mos e shëndërruarr poezinë në deklaratë të thatë poetike, ngase është i kujdesshëm për ta ruajtur edhe vetë fomën, por edhe përmbajtjen si elemente të strukturës së poezisë së tij.
Gjatë tërë jetës së tij, Behram Hoti, sikurse edhe sot e gjithë ditën do t’i përkrah me tërë qenien e tij forcat që punuan për çlirim të popullit tonë nga thundra serbosllave.

“Ecim, ndalemi, hapojmë
Urën për ta ndërtuar, o Zot
Sot… nesër… o mot…”

Do të shprehet diku ai. Atij i kujtohet porosia e nënës:
“N’krajata t’jetës kurrë të mos ligesh!…”

Prandaj edhe i mbetet besnik asaj, duke qëndruar stoik para çdo furtune e rrebeshi dhe para andrallave që ia shkaktoi jeta.
Vepra e tij publicistiko- dokumentare dhe letrare, që siç thamë më lart, nis në vitet ’60 të shekullit XX, do të veçohet për trajtim dinjitoz temash, motivesh dhe çështjesh qenësore të periudhave të rënda të shqiptarëve të Kosovës, por edhe të shqiptarëve që jetonin në viset e veta stërgjyshore, nën ish-Jugosllavinë (të Luginës, të Iliridës, të Malsisë të Madhe: Hot, Grudë, Plavë e Guci).

Temat që pena majeprehtë e Behram Hotit i trajtoi me guxim atdhetar e intelektual ishin: aksioni famëkeq rankoviçisto-titist i vitit 1956 i mbledhjes së armëve, presioni ndaj shqiptarëve për t’u shpërngulur për në viset e shkreta të Anadollit (Turqi) sipas projekteve serbosllave të Ilia Garaçaninit me shokë, të Akademisë Serbe të Shkencave e të Kishës Serbe; burgosjet masive, sidomos të intelektualëve dhe të atdhetarëve shqiptarë, siç ishte Adem Demaçi, nga regjimi titist; dhuna e pandërprerë e çdo forme dhe në çdo kohë mbi shqiptarët si individë dhe si etni etj. etj.

Të gjitha këto ngjarje, shkrimtari Behram Hoti do t’i inkorporojë në veprën e vet publicistiko-dokumentare dhe letraro- artistike me një vendosmëri dhe stil unik, duke i përfshirë edhe ngjarjet e viteve 1990-1995 të Aksionit për Pajtim të Gjaqeve, sidomos daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, rezistencën dhe triumfin e saj. Ai me penën e tij të guximshme e përshkruan edhe karakterin e ulët të hasmit tonë shekullor, i cili haptas deklaron se:

“Unë jam Korbi
Zemrak mitologjik
Zihosh futë i natës
Krrokama ime trishton tokën
Zotin e shaj e bërtas
Ditë e natë unë krrokas…”

Për të treguar në vazhdim se edhe:
“Sofrës ia grabis bukën
Gjakun ma ushqen fantazi e ndezur
Kur hutën e shoh n’dorë t’shqiptarit
Lëkura më dridhet e mlrdhezur
Eshtrat e zogjve më ushqejnë
Kokën e kam historinë…
Me gënjeshtra bëj histirinë
Me intriga, me lot e me gjak
Ushqehet e fanitet trupi im
Unë shekull e kam pangopësinë
Ditë e natë kam mizorinë
Nuk shoh muzgje, as mëngjese
Jam i ftohtë akull gri
Si unë nuk ka lubi
Jam ferr, futë i zi
Unë jam korbi… Serbi…”

Poeti Behram Hoti ia ka dhënë fjalën atdheut stërgjyshor dhe është betuar se:

“Gurit tënd s’ia kthej kurrë shpinën, o votër
Der’sa vdekja t’m’këputë damarët n’udhëtim…
Gjithmonë do të këndoj për bukë e sofër
Do të rritem me ty, me diellin e gjakut tim…”

Kësofare pena e shkrimtarit Behram Hoti do të bëhet kujdestare e kujtesës sonë kolektive të ngjarjeve të shoqërisë sonë shqiptare në të gjitha sferat, si politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore, shëndetësore, bamirëse, madje edhe ushtarake.

Këtë rrugëtim maratonik, autori Behram Hoti e nisi ballëlartë për të mos e ndërprerë për asnjë çast, madje as sot (më 2020), fakt ky që dëshmon përkushimin e tij të denjë për të depërtuar thellë në shqetësimet e motrave dhe të vëllezërve shqiptarë, kudo cep më cep hartës së grisur të atdheut.

Në fak, pena e Behram Hotit i rezistoi çdo situate dhe ishte përherë qëndrestare dhe nkurajuese, asnjëherë majethyer, por prore majeprehtë për të shkruar vetëm për të vërtetën, me vizion të qartë për ëndrrën tonë shekullore, që është Ribashkimi Kombëtar i Shqiptarëve.

Librit përkushtues “Elegji për Ardianin” vlerën ua shtojnë edhe shumë fotografi të të birit me prindërit, me motrën, me bashkëluftltartë, me miqtë ndërkombëtarë etj. etj., e në veçanti, tejet interesante dhe mallëngjyese janë edhe 5 poezi të Ardian Hotit, që ai i kishte shkruar si fillorist, të ruajtura nga i ati, Behram Hoti.

Po e përfundoj këtë vështrim timin me konstatimin e prod. Dr. Shyqri Galica, i cili për veprën e shkrimtarit Behram Hoti, veç tjerash thotë: “Vepra e tij ka dhe dimensionin historik, pjesë e të cilit është vetë autori Behram Hoti. Prandaj poezia, proza, proza dokumentare, monografitë dhe elegjitë prekin thellë në shpirt jo vetëm autorin, por edhe receptuesin, i cili do ta përjetojë artin letrar si pjesë të situatave jetësore, të cilat autori ka ditur t’i ndërtojë me invencion. Një vepër komplekse si vetë jeta e krijuesit, si realiteti ynë dramatik”.

Zymer Mehani, Podujevë, më 4 nëntor 2020